Bloomsbury boton librin e ri të Gëzim Alpion “Nënë Tereza: Shënjtorja dhe Kombi i Saj”

0
547
Mother Theresa - The saint and her nation - Gëzim Alpion

Xhemail PeciLondër
23 Korrik 2020

Njoftim per mediat nga Universiteti i Birminghamit për librin

Nëpërmjet një komunikate për mediat më 23 korrik, Zyra e Komunikimit pranë Universitetit të Birminghamit në Mbretërinë e Bashkuar njoftoi se libri i ri i Gëzim Alpion ‘Mother Teresa: The Saint and Her Nation’ (‘Nënë Tereza: Shënjtorja dhe Kombi i Saj’) do të botohet më 31 korrik. Libri do të shpërndahet në mbarë botën nga degët e Bloomsbury-it në Londër, Oksford, Nju Delhi, Nju Jork dhe Sydney.

Ndër të tjera në njoftimin për mediat thuhet se në këtë studim Alpion nxjerr në pah se jeta dhe historia e Shqipërisë, veçanërisht marrëdhëniet e kombit shqiptar me katolicizmin, janë të ndërlidhura, dhe se kjo ikonë e humanizmit është personifikim i ADN-së kulturore dhe shpirtërore të kombit të saj.

Alpion thekson se një figurë me influencë globale si Nënë Tereza nuk është rastësi. Gjithashtu ai nënvizon domosdoshmërine e studimit të tragjedive familjare dhe rrënjëve të saj shqiptare për të kuptuar rolin e tyre në shndërrimin e saj në personalitetin fetar më të rëndësishëm të kohës tonë.

Ky është studimi i parë që e kundron Nënë Terezën në kontekstin e traditës së saj etno-shpirtërore, dhe vokacionin dhe misionin e saj si reflektime të historisë së trazuar të kombit shqiptar në dy mijëvjeçarët e fundit. Në këtë monografi Alpion analizon rolin negativ në rajonin e Ballkanit të fuqive të mëdha dhe të institucioneve fetare si Selia e Shenjtë, Patriarkana e Stambollit, Kisha Ortodokse Serbe, dhe Kisha Ortodokse Greke.

Gjithashtu në këtë libër Alpion thekson se duhen më shumë studime objektive që dëshmojnë rolin përcaktues të fesë në fabrikimin e identiteve kombëtar të disa vendeve në rajon si dhe në ‘justifikimin’ e aneksimeve territoriale, të paktën që nga Mesjeta e Lartë.

Alpion thekson në studim se kristianizmi shqiptar i ka rrënjët në antikitetin Ilir dhe se kjo traditë apostolike, së bashku me qëndrimin e Vatikanit ndaj shqiptarëve dhe Sllavëve të Jugut, ndikuan në jetën dhe misionin e Nënë Terezës.

Dr Alpion ka argumentuar prej 20 vitesh se helmimi i babait të Nënë Terezës nga nacionalistët sllav në vitin 1919, kur ajo ishte 9 vjeç, shënuan fillimin e ‘errësirës së saj shpirtërore’. Monografia përmban informacion të ri rreth rolit që kjo humbje e pazëvendësueshme dhe vdekja e disa të afërmve të Nënë Terezës nga Gripi Spanjoll (1910-1920) patën në ‘thirrjen’ e Zotit dhe natyrën e urdhërit të Misionarëve të Bamirësisë që ajo themeloi në vitin 1950.

Këto eksperienca traumatike nga vitet e femijërisë, nata e errët e shpirtit nga e cila nuk u kurua kurrë, rekrutimi i vëllait të saj në ushtrinë fashiste italiane, dhe dëshira për të mos u shkaktuar më shumë probleme nënës dhe motrës së saj me regjimin komunist në Tiranë ishin disa faktorë që përcaktuan heshtjen që Nënë Tereza mbajti gjithmonë në publik në lidhje me familjen dhe jetën e saj personale.

Përkushtimi i Nënë Terezës ndaj të varfërve, thekson Alpion, nuk u lëkund kurrë dhe frymëzohej nga bindja e saj se jeta e çdo njeriu është e shenjtë.

Njoftimi i Universitetit të Birminghamit thekson se Alpion është një akdemik, shkrimtar dhe analist i afirmuar, dhe se ai cilësohet si ‘studiuesi më autoritar në gjuhën angleze’ i Shën Terezës së Kalkutës dhe ‘themeluesi i Studimeve për Nënë Terezën’. Në vitet e fundit Alpion ka zhvilluar mbi 50 leksione në universitete të mirënjohura në 15 vende të botës.

Në fund njoftimi për mediat thekson se Universiteti i Birminghamit rradhitet ndër 100 universitetet më të mira në botë, me akademikë dhe studentë nga 150 vende dhe se Department i Dr Alpion ka reputacion ndëkombëtar për programet e avancuara mësimore dhe cilësinë e lartë të botimeve.

Kritika botërore vlerëson librin e Alpion para botimit

Ndërkohë, Bloomsbury ka publikuar vlerësime për librin e Alpion nga 8 akademikë të njohur nga vende të ndryshme të botës të cilët e lexuan monografinë para botimit. Kjo është një përmbledhje e shkurtër e vlerësimeve të tyre.

Profesori Australian Sean Redmond thekson se në këte libër të shkruar bukur dhe të hulumtuar në mënyrë të pabesueshme, Alpion shtjellon me gjithë kompleksitetin e saj jetën prekëse të Nënë Terezës duke e paraqitur atë si një super individ i plotëformuar. Studimi i Alpion, thekson, Redmond, paraqet në mënyrë joshëse rëndësinë e studimeve sociologjike.

Psikologia amerikane Dr Louise Sundararajan, Kryeredaktore e Studimeve në Psikologjinë Indigjene pranë shtëpisë botuese Palgrave, thekson se libri i Alpion përbën një ndër rastet e rralla ku një studim që përkon me shkencat sociale dhe humane eviton rrezikun që vjen nga reduksionimi inter- dhe multi- disiplinor. Alpion ka arritur të gërshetoj njëkohësisht në këtë libër prejardhjen kulturore dhe etnike, faktorët sociale dhe politik, zhvillimet psikologjike dhe traumat si dhe marrëdhëniet familjare duke nxjerr në pah rëndësinë e besimit dhe devocionit që nuk njohin kufij kohore. Duhet shkencë dhe art të skalitesh spiritualitetin e Nënë Terezës në formën e një luleje lotusi me rrënjë dhe baltë. Kjo është pikërisht ajo që Alpion ka arritur në librin ‘Nënë Tereza: Shënjtorja dhe Kombi i Saj’.

Profesori Jolyon Mitchell i Universitetit të Edinburgut e cilëson studimin si një analizë të mprehtë dhe krijuese, të hulumtuar gjerësisht. Studiuesi skocez thekson se ka shumë për të mësuar nga ky libër i pasur dhe me vlerë rreth tensionit ndërmjet jetës private dhe publike të Terezës dhe arritjeve të saj.

Ndërsa Profesoresha Bonita Aleaz e Universitetit të Kalkutës thekson se Alpion shëndërrohet në një arkeolog-detektiv në konstruktimin e këtij libri. Shtresa të pa imagjinuara deri tani – politike, sociale dhe historike – janë përdorur për të demonstruar kompleksitetin e Shenjtores Tereza të Kalkutës që nga fëmijëria.

Sipas Profesor Jyotirmaya Tripathy, të Institutit Indian të Teknologjisë në Madras, shumë rrallë ndodh që të hasësh në një vepër me dimensione epike që përfshin tre gjenerata të një familje që shtrihet përgjatë shumë fazave në historinë e një kombi. Teksti i Alpion ndërthur subkoshiencën shqiptare – kombëtare dhe kulturore – me personazhin e Nënë Terezës duke përdorur mprehtësinë e një psikoanalisti, sensitivitetin e një predikuesi dhe autoritetin e një orakulli. Duke e bërë Terezën përfaqësuen me ideale të historisë së trazuar të kombit të saj, studimi gjithashtu shëndërron historinë e Shqipërisë në një personazh të besueshëm. Libri përbën një triumf të njohurive historike, rëndësisë së studimeve sociologjike dhe mprehtësisë së narracionit.

Sipas Profesorit John Swinton të Universitetit të Aberdinit në Skoci, në këtë libër magjepës dhe të rëndësishëm, Alpion depërton thellë dhe fuqishëm, dhe në disa raste edhe në mënyrë prekëse, në jetën e Nënë Terezës dhe tensioneve formative dhe kritike ndëmjet jetës, kombit shqiptar dhe Kishës Katolike Romake. Libri përbën një rast kompleks përsa i përket shpjegimit historik, biografisë shpirtërore dhe analizës kulturore. Ky libër ka vlera të paçmuara për këdo që ka dëshirë të kuptoj influencën shumë faktorëshe dhe rëndësinë e Nënë Terezës. Nëse mendoni se e njihni dhe e kuptoni Nënë Terezën, ky libër do tju bëj të ndërroni mendje.

Studiuesi britanik, aktualisht ne Universitetin Baptist te Hong Kongut, Professor Daya K. Thussu, ndalet në rëndësinë gjithëpërfshirëse të librit të Alpion përsa i përket studimit të rrënjëve shqiptare të Nënë Terezës si asnjëherë në literaturën kushtuar asaj. Thussu konkludon se Alpion, një autoritet në Studimet e Nënë Terezës, ka shkruar një libër që do të iluminoj akademikët dhe lexuesit e thjeshtë në të gjithë botën.

Dhe se fundi, Profesor Bernd J. Fischer, historian i mirënjohur për studime rreth Shqipërisë dhe Evropës Lindore, thekson se në këtë libër magjepës, Alpion e vendos shenjtëreshën në kontekstin historik, duke shqyrtuar rrënjët e personalitetit të saj shpirtëror në kuadrin e historisë se familjes dhe kombit. Nëpërmjet evidences së re, Alpion e sjell Nënë Terezën shumë më qartë në fokus. Ky studim gjithëpërfshirës e afirmon Alpion si autoritet kryesor në këtë fushë. Alpion ka shkruar një studim që me siguri do të bëhet një udhëzues standard për trashëgiminë dhe jetën e Nënë Terezës.

  • Biografi e shkurtër e Gëzim Alpion

Lindur në Peshkopi në vitin 1962, pasi ndoqi një vit në Universitetin e Tiranës, Alpion i akordohet një e drejtë studimi nga qeveria e Shqipërisë dhe e Egjipit për në Universitetin e Kajros (1985-1993). Alpion mbrojti Doktoratën në Universitetin e Durhamit në Angli në 1997. Ai ishte lektor në Universitetet Huddersfield, Sheffield Hallam, dhe Newman në Angli para emërimit në 2002 në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Birminghamit.

Alpion ka shërbyer si ekzaminues doktoratash në universitete të mirënjohura në Indi, i Programit të Sociologjisë në Universitetin York St John në Angli, dhe i Shkencave Shoqërore për Komisionin e Arsimit të Lartë të Maltës.

Anëtar bordi i disa revistave akademike, si ‘Celebrity Studies’ (Routledge), Alpion ka reçensuar artikuj për revista shkencore si ‘Islam and Christian-Muslim Relations’, ‘Celebrity Studies’ (Routledge), ‘British Politics’ (Palgrave), ‘International Journal of Public Theology’ (Brill), ‘Cultural Sociology’, ‘European Journal of Social Theory’, dhe ‘International Journal of Cultural Studies’(SAGE), si dhe projekte monografishë për botues akademikë si Palgrave Macmillan, Pearson Education, Polity Press, SAGE Publications, dhe Routledge.

Fillimisht, Alpion tërhoqi vëmendjen e mediave britanike kur dramat e tij – ‘Vouchers: A Tragedy’ dhe ‘If Only dhe Dead Could Listen’ – u shfaqën me sukses me sponsorizimin e Këshillit të Arteve të Anglisë në disa qytete angleze në 2002, 2006 dhe 2008.

Alpion është vlerësuar nga kritika botërore si ‘studiuesi më autoritar në gjuhën angleze’ i Shën Terezës së Kalkutës, ‘themeluesi i Studimeve për Nënë Terezën’, dhe ‘një ndër njohësit më inteligjent dhe më të mprehtë i kulturës shqiptare në botë’. Libri i tij i mirënjohur ‘Mother Teresa: Saint or Celebrity?’ u botua nga Routledge në Oksford dhe Nju Jork në 2007. Edicioni indian i kësaj vepre u botua nga Routledge në Nju Delhi në 2008. Po atë vit, Salerno Editrice botoi në Romë edicionin italian.

Libri i Alpion ‘Encounters with Civilizations: From Alexander the Great to Mother Teresa’ u botua fillimisht në Indi nga Meteor Books në vitin 2008. Edicioni i parë amerikan u botua nga Globic Press në vitin 2009. Edicioni i dytë në Amerikë u botua nga Transaction Publishers në vitin 2011. Në vitin 2017, libri u botua nga Routledge në Nju Jork dhe Londër.

Disa studime të Alpion rreth sociologjisë së fesë, nacionalizmit, dhe mediave janë përfshirë si kapituj në libra botuar nga SAGE Publications, University Press of America, dhe Brewin.

Botimet e lartpërmenduara, përfshirë edhe librin ‘Foreigner Complex: Essays and Fiction about Egypt’, që u botua në Angli në vitin 2002, janë reçencuar gjerësisht në revista akademike dhe mediat ndërkombëtare.

Monografia e re e Alpion ‘Mother Teresa: The Saint and Her Nation’ do të botohet nga Bloomsbury Academic në Londër, Oksford, Nju Jork, Nju Delhi dhe Sydney më 31 korrik 2020.

Kjo është një listë e përzgjedhur revistash shkencore që kanë botuar punimet e Alpion: ‘Continiuum: Journal of Media & Cultural Studies’, ‘Journal of Southern Europe and the Balkans’, ‘Celebrity Studies’, ‘The Review of Communication’, ‘Islam and Christian-Muslim Relations’ (Routledge), ‘Studies in Religion/Sciences Religieuses’ (SAGE Publications), ‘International Journal of Public Theology’ (Brill), ‘Journal of the Royal Anthropological Institute’ (Wiley-Blackwell), ‘Scope: Journal of Film Studies’ (University of Nottingham), ‘Film & History: An Interdisciplinary Journal of Film and Television Studies’ (Johns Hopkins University Press), dhe ‘Film Buff: An International Film Journal’.

Artikujt e Alpion rreth politikës, kulturës dhe identitetit në kontekstin e Britanisë, Ballkanit, Lindjes së Mesme dhe Indisë janë botuar në një numër gazetash ndërkombëtare si ‘The Guardian’, ‘The Independent’, ‘The Conversation’ (Londër), ‘The Hindustan Times’ (Nju Delhi), ‘The Middle East Times’ (Kajro), dhe ‘The Hürriyet Daily News’ (Stamboll).

Alpion ftohet rregullisht si folës kryesor në konferenca ndërkombëtare. Vitet e fundit, ai ka zhvilluar më se 50 ligjërata në universitete të mirënjohura në 15 vende. Ai gjithashtu ka zhvilluar turne leksionesh në Indi (2005), Amerikën e Veriut (2008), dhe Finlandë (2012).

Alpion intervistohet dhe citohet rregullisht për botimet dhe ekspertizën e tij nga agjensi lajmesh, stacione televizive dhe gazeta të mirënjohura në Britani dhe në më se 30 vende të ndryshme.

Lobimi i tij për shenjtërimin e Nënë Terezës, që u realizua më 4 shtator 2016, dhe ndërtimin e Rrugës së Arbërit, që do të përmirësojë ndjeshëm infrastrukturën në veri-lindje të Shqipërisë dhe komunikimin e Shqipërisë me Maqedoninë Veriore, Kosovën dhe Bullgarinë, është përcjellur gjerësisht në mediat ndërkombëtare.

Alpion dhe bashkëshortja e tij Dashi, që është Careers Adviser në Universitetin e Birminghamit, kanë dy fëmijë.

Në 2019, Qeveria e Shqipërisë i akordoi Gëzim Alpion titullin ‘Ambasador i Kombit’.