Briseida Andoni, Pedagoge e Psikologjisë UET
Ja 10 karakteristikat
Dihet tashmë që ekzistojnë lloje të ndryshme të inteligjencës, të përkufizuara dhe klasifikuara nga autorë më së shumti bashkëkohorë. Lloji më i famshëm është inteligjenca që ka të bëjë me atë që quhet koeficient inteligjence (QI apo IQ), që asociohet kryesisht me arsyetimet llogjike dhe aftësitë e kujtesës. Një tjetër lloj inteligjence i përfolur së fundmi është ai që ka të bëjë me koeficientin e kuriozitetit (QC). Njerëzit me një nivel të lartë të kuriozitetit konsiderohen përgjithësisht më inteligjentë. Sigurisht kjo nuk ka të bëjë me dëshirën parazitare për të ditur gjithçka mbi jetën private të të tjerëve, por më së shumti me aftësinë e dikujt për të zbuluar, mësuar me përqendrim gjithmonë çështje të reja.
Në të vërtetë më i rëndësishmi nga të gjithë llojet duket të jetë inteligjenca me koeficientin më të lartë të emotivitetit (QE). Kjo konsiston në aftësinë për të njohur, kuptuar dhe menaxhuar emocionet tona, por edhe atë për të njohur, kuptuar dhe ndikuar/influencuar emocionet e njerëzve të tjerë. Inteligjenca emocionale është me shumë rëndësi përgjithësisht, por sidomos në situata të vështira me tension të lartë, ku shpesh përfundojmë duke marrë vendime apo kryer veprime të nxituara që sjellin pasoja të pakëndshme apo jokonstruktive për jetën. Rritja e qëndrueshme e inteligjencës tonë emotive do të ketë një impakt të vazhdueshëm tek marrëdhëniet tona me të tjerët.
Dallojmë 10 karakteristika/cilësi të individit emocionalisht inteligjent:
1. EMPATIA
Aftësia e menjëhershme për t’u vendosur në gjendjen shpirtërore të tjetrit. Dhe tek empatia dallojmë 3 lloje kryesore: empatinë konjitive, empatinë emotive dhe empatinë e mëshirshme ose me dhimbsuri (compassion empathy). Në fakt është pikërisht kjo e fundit më e dobishmja, që i shkrin së bashku edhe dhuntitë e llojeve të tjera të empatisë: përmes saj jo vetëm i ndjejmë emocionet e tjetrit shumë pranë vetes, gati të brendësuara, por arrijmë të kuptojmë dhe si mund ta mbështesim, mbi të gjitha ndjejmë brenda nesh dëshirën e madhe për t’i ardhur në ndihmë dikujt.
Njerëz të tillë përbëjnë asete të mirëfillta për shoqërinë, pasi ata kanë tendencë të mos arrijnë në konkluzione të përshpejtuara, të mos gjykojnë për tu ndjerë më mirë me veten, por përkundrazi të vënë veten në pozitat e tjetrit gjithmonë, pasi priren natyrshëm për të përftuar më shumë kënaqësi kur i kuptojnë dhe i ndjejnë më thellë gjërat.
2. VETËNDËRGJEGJËSIMI
Arti i të njohurit të vetes, në potenciale dhe forca sikurse në kufij dhe dobësira. Të mos kuptosh pamundësitë apo defektet e vetes dhe të kërkosh arsye dhe justifikime në botën e jashtme është në fakt zakon i qëndrueshëm i pjesës më të madhe të njerëzve. Është e vështirë të kërkosh përgjegjësinë tek vetja, të pranosh kritika dhe të kuptosh që je vetë shkaku i të këqijave të tua.
Të njohësh vetveten është e domosdoshme dhe për të vendosur objektiva realiste dhe për të gjetur rrugën më të mirë për të mbërritur tek to.
3. MENDËSIA POZITIVE
Personat me inteligjencë emocionale të lartë e dinë që të shpenzojnë kohën duke u ankuar apo penduar nuk do u sjellë asnjë rezultat, përkundrazi do të harxhohet dhe një sasi energjie emotive, e cila mund të ish ekonomizuar më mirë. Ata i dominojnë këto lloj nevojash duke stimuluar besimin në vetvete. Ky besim ka jetëgjatësi nëse përmbush atë çfarë thamë në pikën 2, pra njohjen kufi të aftësive.
4. KURIOZITETI
‘Nuk kam talente të veçanta por jam kurioz i apasionuar’, thosh Albert Einstein
Personat me koeficient të lartë të kuriozitetit duket se janë më tolerantë ndaj të tjerëve, pasi janë më të motivuar të investojnë kohën mbi vetveten për të përftuar njohuri te reja jo vetëm në fusha apo argumente por edhe në zgjerimin e vazhdueshëm të rrethit të tyre social. Si të thuash nuk kanë kohë për t’u marrë me intriga joproduktive, zhvillime paranojash vicioze, çka rezulton të jetë ndërtuese.
Është mirë pra të jemi kuriozë, të përpiqemi gjithnjë të mësojmë gjëra të reja, mos të kemi frikë nga ndryshimi dhe të mirëpresim eksperiencat e reja.
5. AFTËSITË ANALIZUESE
Prirja për të qenë analitikë ndaj situatave por njëkohësisht për të qenë praktikë pa vështirësuar domosdoshmërisht atë çfarë është qartësisht e thjeshtë.
Inteligjentët emocionalë pëlqejnë ta pyesin veten PËRSE gjërat janë apo NDODHIN. Ata kanë një uri të shëndetshme për të përmirësuar veten dhe botën, njëkohësisht për të qenë të hapur ndaj ideve të reja.
6. NEVOJA DHE DËSHIRA
Flitet për një raport të mirë-ekuilibruar mes tyre. Ka një hendek të madh mes gjërave që duam dhe gjërave që realisht na nevojiten. Nevojat bazike nëse ushqehen nuk rishfaqen, ndërsa nevojat sociale dhe të marrëdhënieve rilindin vazhdimisht me objektiva dhe ambicie të reja brenda nesh. Pasoja është që pakënaqësia në punë, në jetën publike dhe atë private është një fenomen mjaft i përhapur i ditëve të sotme.
Po të provojmë të mendojmë se çfarë vërtet na nevojitet dhe të mos përpëlitemi për vetërealizime për të cilat po të thelloheshim do të kuptonim, që nuk do na duheshin as konkretisht dhe as për përmbushje të mirëfilltë kënaqësie, do të eliminonim një pjesë të mirë të streseve tona. Inteligjentët emocionalë janë njerëz që priren ‘ti bëjnë mirë të tilla dallime.
7. PASIONI
‘Zgjidh një punë që të pëlqen dhe nuk do të punosh asnjë ditë’ Confucius
Inteligjentët emocionalë janë të apasionuar në gjithçka që bëjnë dhe pasioni i tyre është shpesh pozitivisht ngjitës. Shumëçka ju rezulton jo thjesht e saktë por dhe ‘e bukur’, sepse motivohen ta ndrisin pikërisht nga pasioni. Për pasojë pëlqyeshmëria e veprës së tyre shkakton natyrshmërisht edhe ndjesi pozitive tek të tjerët.
8. AFTËSIA PËR T’U PËRSHTATUR
Të kuptosh kur duhet të vazhdosh të njëjtën udhë të nisur dhe kur ka ardhur momenti për një ndryshim të rrënjësishëm. Të kesh aftësinë për të kuptuar dhe vendosur ndryshime strategjike në vend të vajtimeve për dështimin është tregues i njerëzve me inteligjencë të lartë emocionale. Nëse do të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë që kemi bërë gjithmonë, do të thotë të vazhdojmë të përftojmë atë që kemi përftuar gjithmonë, dhe jo atë çfarë dëshirojmë apo që na duhet.
9. DËSHIRA PËR TË PARË SUKSES TEK TË TJERËT
Inteligjentët emocionalë nuk kënaqen të kenë sukses vetëm për veten e tyre. Ata kënaqen teksa frymëzojnë dhe të tjerët për të patur të njëjtin sukses.
Ata duket sikur zotërojnë një të vërtetë mbi jetën, që jo të gjithë munden ta zotërojnë: E dinë që po të shpien miqtë dhe të njohurit e tyre gjithashtu drejt arritjeve, rritjes dhe stimulimit të kënaqësive, do t’i bëjnë edhe një nder të madh vetes: vetja do përballet dhe krahasohet me njerëz gjithashtu të një niveli të ngjashëm, përveçse do jenë në gjendje të motivojnë dhe frymëzojnë njeri-tjetrin për të realizuar ëndrrat individuale apo të përbashkëta.
10. AFTËSIA PËR TË IDENTIFIKUAR NJË EMOCION
Në çfarë thamë më sipër duket sikur inteligjenca emocionale implikon veçse rregullimin dhe kontrollin e emocioneve. Në fakt nuk bëhet fjalë vetëm për këtë, ose kjo nuk supozohet të implikojë mbytjen e natyrshmërisë dhe dëshirës, përkundrazi. Bëhet fjalë për aftësinë për të identifikuar një emocion; për ta perceptuar, vlerësuar dhe shprehur atë; aftësinë për t’i aksesuar emocionet tona dhe për t’i krijuar ato kur na duhen, për ndërmjetësimin e mendimit.
Nëse kuptuam që vlen atëherë mund të vetë pyetemi: ku jemi dhe ku duhet të jemi me emocionet tona? Të kultivojmë pak inteligjencë…