Shkruan: Florim Zeqa, 22.07.2020
Në 10 vjetorin e veprimtarisë publicistike
Ideja e titullit të këtij shkrimi është e 10 viteve më parë. Mirëpo edhe pse ka kaluar një dekadë, pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar nga koha kur është botuar (22.07.2010) dhe ribotuar (24.08.2010) në të përditshmet tona shkrimi im i parë autorial “Kush nuk di të qeverisë është uzurpator“.
Të gjitha analizat e nxjerra (mbi 2 mijë) në “laboratorin” tim politik përgjatë këtyre 10 viteve mbi zhvillimet e gjithmbarshme, e në veçanti ato politike, jo vetëm që dolën të jenë plotësisht të sakta, por mbeten të pakontestueshme. Kjo flet për vërtetësinë e shkrimeve dhe interpretimin real të ngjarjeve.
Organizimi i mërgatës konformë rrethanave të reja
Organizimi i mërgatës nëpër botë është shumë i hershëm dhe dallon nga vendi në vend, respektivisht nga shpërndarja e saj nëpër shtete dhe kontinente.
Pavarësisht nga mënyra e organizimit të mërgatës, nëpër klube apo shoqata, mërgata shqiptare ka luajtur një rol të rëndësishëm në sensibilizimin e çështjes së Kosovës si në faktorin e brendshëm ashtu edhe atë ndërkombëtar. Pra mërgata shqiptare ka qenë pjesë e të gjitha levizjeve pozitive të historisë sonë kombëtare.
Fundi i viteve të ’90-ta, kur në Kosovë filluan të shterren të gjitha mundësitë diplomatike për zgjedhjen e çështjes së Kosovës në rrugë paqësore, edhe mërgata shqiptare ndryshoj formën e organizimit të saj.
Të rreshtuar në vijë kombëtare, përkrahën dhe ndihmuan në të gjitha format luftën për çlirimin e Kosovës; moralisht, materialisht dhe fizikisht.
Mijëra mërgimtar i lanë vendet e bukura të perendimit dhe ia mësyen atdheut, për të luftuar me armë në dorë kundër pushtuesve, ku shumë prej tyre u vranë dhe sa të tjerë lanë gjymtyrët e trupit në luftën e fundit të Kosovës me Serbinë.
Mirëpo gjëndja e krijuar pas lufte ka zhgënjyer mërgatën shqiptare në përgjithësi. Interesat e tyre janë lënë pas dore, u injoruan, u anashkaluan dhe nuk u përfillen as nga shteti e as nga të gjitha qeveritë e deritanishme.
Çdo vend e ka qeverinë që e meriton
Ikja nga vlerat njerëzore e disa veprimtarëve, ka bërë që të bjerë interesimi i mërgatës për organizim. Keqtrajtimet që iu bëhen mërgatës në vazhdimësi gjatë kohës së pushimeve, me rastin e nxjerrjes së dokumenteve të udhëtimit; duke i detyruar t’i kalojnë pushimet pranë sporteleve, dëshmon mospërfilljen e qeveritarëve ndaj mërgatës sonë.
Por, ende më i rëndë është “sihariqi” (haraçi legal) që na ofroi shteti dhe të gjitha qeveritë tona duke na detyruar të paguajmë nga 100 euro për pasaporta dhe 50 euro për leje të njoftimit në emër të përshpejtimit të procedurave, si dhe “haraqi” që duhet të paguajmë për të hyrë në Kosovë në emër të sigurimit të veturave, derisa për serbët një gjë e tillë nuk është aplikuar asnjëherë.
Edhe përkundër ndërrimit të shpeshtë të qeverive, ky haraq legal qeveritar kundër mërgimtareve ende vazhdon!
Përkundër vështirësive të shumta të jetës larg atdheut, shpirtin tonë po e trazon edhe gjendja e krijuar në Kosovë, ku janë krijue dy shtresa; ajo e të pasuruarve dhe e të varfëruarve të skajshëm.
Në botën e të pasuruarve janë rreshtuar edhe shumë nga “patriotët” e djeshëm-politikanët e sotëm. Ndërsa në botën e të varfërve janë radhitur pjesa dërmuese e popullatës; patriot të shumtë dhe me namë, veprimtarë të shumtë të çështjes kombëtare, luftëtarë të UÇK-së, invalid të luftës, familje të dëshmorëve, etj.
Parregullsitë e politikës shqiptare po reflektohen edhe në diasporë. Klubet dhe shoqatat që deri dje ishin simbol i unifikimit janë shndërruar në vende ku bëhet ndarja e shqiptarëve në përkatësi partiake dhe ideologjike.
Një fjalë e urtë italiane thotë; “Kush nuk di me qeverisë është uzurpator”, por një thënje tjetër italiane thotë; “Çdo vend e ka qeverinë që e meriton”. Kur jemi në këtë segment, tek gjendja e krijuar në Kosovë, na del përpara thënja e të madhit dhe të pavdekshmit, profesorit Fehmi Agani; “Koha sjellë çka investojmë ne dhe sa arrijmë ne në kohë”.
Ky mendim i logjikshëm na obligon të investojmë sa më shumë që është e mundur në realizimin e interesave të popullit dhe shtetit të Kosovës, si dhe në shfrytëzimin e kohës, si dhurata më e çmuar që na ofrohet çdo ditë nga i madhi Zot.
Prandaj si kurrë më parë, tani është koha që të largohemi nga e keqja që na ka mbërthyer. Të investojmë në angazhimin e shtresës intelektuale dhe atdhetare, që të dalin në krye të qeverisjes së shtetit, sepse vetëm në këtë mënyrë qytetarit të Kosovës do t’i kthehet dinjiteti i dikurshëm.
Vendi ka nevojë për ndihmën tonë
Mirëpo, këtë duhet ta bëjë vetë populli, e jo qeveritë e huaja që janë të instaluara në Kosovë. Në rrethana të tjera do të mjaftonin më pak se 10 vite nga çlirimi dhe më pak se 5 vite pavarësi, për të realizuar ëndërrat e atyre që sakrifikuan për shtetin e Kosovës.
Por nëse vazhdohet kështu, mund të kalojnë edhe 2 dekada të tjera dhe populli të mos e merrë fatin e Kosovës në duart e veta.
Të mos presim kot. Vendi ynë ka nevojë për ndihmën tonë. Kombi ynë ka nevojë për qytetarët e vet e jo për matrapaz e karrieristë. Karrierizmi është kancer i demokracisë, ndërsa matrapazllëku rrëzikon territorin e vendit dhe vlerat e shoqërisë njerëzore në përgjithësi.
U mundova të ndryshoj diçka nga përmbajtja e këtij shkrimi, por ishte e pamundur. I kaluam 12 vite vendnumërim dhe rrethrrotullim boshtit të (ri)shpalljes së pavarësisë, pa mirëqenje dhe pa asnjë përspektivë zhvillimore, me katandisje të vazhdueshme të shtetit nga dialogu i pabarabartë 9 vjeçar me Serbinë.
Vërtetë politikanët e papërgjegjshëm kosovarë, pa dallim ngjyrimi partiak apo ideologjik janë shndërruar në uzurpator të shtetit dhe thyrës të shpresave të qytetarëve për jetë në shtetin për të cilin pritën gjatë dhe sakrifikuan jashtëzakonisht shumë.
Politikanët e papërgjegjshëm, injorant dhe hipokrit, nga paaftësia për të qeverisur me vendin dhe egoja për pushtet të pakufishëm janë shndërruar në uzurpator klasik të shtetit.