Nue Oroshi
E mbramja me hair apo ja nien zanin ma vonë janë dy shprehje që janë përdorur tradicionalisht në traditën tonë shqiptare. E mramja me hair është fjalë që është përdorur pas ndonjë ngatrrese që kanë pasur dy familje me njëra-tjetrën. Pleqtë tanë atdhetarë gjithnjë kanë synuar që këto familje mos ti qojnë më tutje ngatrresat por të vjen deri tek një përfundim paqësor i ngatrresës. Kjo fjalë ka edhe kuptimin psikologjik që gjërat nuk duhet dërguar më tutje. Por, fatkeqësisht ka pasur edhe shumë ngatrrestar në mesin e shqiptarëve të cilët ishin të përgaditur që të qesin gaca në barut siç thuhej në popull. Me gjasë shumicën e këtyre personave që fusnin gaca në barut ishin të përgaditur edhe nga armiqtë tanë shekullor që në mesin e shqiptarëve mos të këtë paqe dhe qetësi.
Është i njohur fakti historik tek ne shqiptarët se gjithmonë kur i kemi shuar zjarrin e armiqësisë në mes vete kemi qenë më të fortë në luftërat shekullore. Në shumicën e rasteve kur nuk kryhet pleqëria në mënyrë paqësore dhe palët e ngatërruara nuk pranonin që të pajtohen gjithmonë ata që fusnin gaca në barut e përdornin shprehjën ja nien zanin ma vonë. E shpeshherë fatkeqësisht ai za ndihej ma vonë ishin krisma që shqiptari e dëmtonte shqiptarin për ndonjë arsye krejtë banale dhe të pa arsyeshme. Edhe ngatrresat politike që kanë ndodhur tek ne shqiptarët gjatë shumë shekujve ishin ngatërresa që e dëmtuan deri në palcë ashtin arbnor të tokës shqiptare. Shpeshherë këto ngatrresa politike përfunduan me vrasje në mes të grupacioneve politike shqiptare të cilat kishin orjentime të ndryshme politike.
Fatkeqësia historike na u persëritë edhe në kohërat tona. Shqiptarët në vend që të bëhen bashkë dhe të orientohën drejt botës perëndimore ata e kopjuan mendimin politik lindor se me kundërshtarin politik duhet qeruar hesapet fizikishtë deri edhe në likuidime fizike. Si pasojë e këtyre ngatrresave politike shqiptare sot është armiqësuar deri në përplasje fizike skena politike shqiptare. Ata në vend që të bëhen bashkë për ti përballuar sfidave të ndryshme politike dhe t’i orientojnë shtetet shqiptare drejt botës perëndimore, nuk ndalën së vepruari që t’i dëmtojnë dy shtetet e brishta shqiptare. Nuk ka më keq kur të zotët e shtëpive punojnë natë e ditë që ta dëmtojnë shtëpinë e tyre. Dhe fatkeqësia qëndron në faktin se këta zot shtëpie që i kemi në trojet shqiptare janë shëndrruar në përbindësha apo në persona të pangopshëm.
Është e ditur se keta persona të cilët ndryshe flasin e ndryshe veprojnë e mbramja nuk do t’iu vije me hair, zëri do të ndihet ma vonë por sikur të ishte vetëm fati i tyre nuk do të mërzitemi fare por ata me fatin e tyre po e shkatrrojnë edhe ardhëmërinë e popullit shqiptar. E unë do të pyes shumë qartë kush i bartë përgjegjesitë për këto 20 vitet e fundit për arabizimin, turqizimin, serbizimin dhe greqizimin e trojeve shqiptare. Pse politikanët dhe qeveritarët shqiptar u treguan aq të dobët sa që lejuan që për një grushtë aspra ose për një grushtë votash ta dëmtojnë palcën ashtnore të trojeve arbërore. A mund ta bëj dikush një statistikë dhe ta thotë qartë përmes një analize të pa anshme se sa kemi punuar ne këto njëzët vitet e fundit, që trojet shqiptare të orientohen drejt orientimit Evropian dhe sa është vepruar nga politika shqiptare që trojet shqiptare ta marrin tatëpjetën dhe të orientohen drejt shkrepave të Azisë.
Dhe derisa politika shqiptare e ka plotë gojën Amerikë e Evropë, e tashë kohëve te fundit kanë filluar edhe haptas ti kundërshtojnë shtetet që na çliruan dhe dy herë gjatë historisë na bën shtete siç është Amerika, Gjermania, dhe Austria, një pjesë e shqiptarëve me tepër po e ndiejnë afërsinë shpirtërore me shtetet arabe, Turqinë, serbinë e greqinë se sa me botën perëndimore dhe me Amerikën. Dhe derisa kjo fatkeqësi kombëtare është duke vazhduar me të madhe, kemi një heshtje mortore të elitës intelektuale shqiptare lidhur me këtë fenomen makabër. Apo edhe ata janë shëndrruar në spektatorë të heshtur, dhe nxën robë nga politika sa që nuk guxojnë ta ngrisin zërin. E sikur ne shqiptarët mos të kishim në shumë periudha historike politikanë që punuan për interesa të anmiqve tanë, shumë herët do të zgjidhej çështja arbërore në trojet shqiptare.