KULLA E RE E BAJRAKTARËVE TË SUHAREKËS (THERANDËS)

0
773
Naxhije Doçi - Therandë

NAXHIJE DOÇI – PROF.

(Nga libri “Destan Bajraktari folklorist, letrar dhe atdhetar” – Naxhije Doçi – Prishtinë – 2009)

Familja Bajraktari e Therandës në dekadën e dytë të shekullit njëzet largohet prej trojeve të vjetra në mes të lagjes së tyre Kuçi në Suharekë (Therandë) dhe vendoset në troje të reja, me hapësirë më të madhe. Vendoset në tbanet e vjetra të pasurisë së tyre, rrëzë vendbanimit shumë të lashtë arkeologjik, të quajtur Hisari. Aty, thonë informatorët, në kohë shumë të hershme ishin trojet e tyre të para. Pasuria e familjes Bajraktari të Therandës ishte e shtrirë, si vazhdimësi, edhe në një pjesë prej shumë hektarësh në rrafshirën e Shirokës, që është lokalitet shumë i lashtë dhe vendbanim parahistorik iliro-dardan.

Në fillim të shekullit njëzet rrëzë Hisarit antik kishin ndejtur vetëm barinjt e familjes Bajraktari, në disa shtëpi të vogla, në formë stanesh. Ata ishin përkujdesesur për bagëtinë, se në atë vend kishte burime të shumta të ujit, që gurgullonin natë e ditë. Si nismë, rrëzë Hisarit antik, Bajraktari i Suharekës, Sejdi Bajraktari e kishte ndërtuar së pari kullën e re trikatëshe. Prej materialit të fortë ishte ndërtuar edhe kulla e re dhe me mure gjithashtu shumë të trasha, gati një metër, se ishte dashur të vazhdohej rezistenca kundër pushtuesit serb. Mjeshtër të zgjedhur e kishin ndërtuar edhe këtë kullë dhe edhe këtë me gurët e Grapit të Reshtanit, katund gati ngjit me Therandën. Thuhet se me disa javë kishte zgjatur bartja e gurëve, me qerre të drurit, me qe.

Mr. Shefki Stublla në veprën “Mbijetesa”, Prishtinë, 2007, f. 404, thotë: “Kullat janë shtëpi banimi të fortifikuara, të përhapura në kohën e sundimit osman dhe të sundimit barbar serb”.

Familja Bajraktari nuk ishte vendosur krejt në trojet e reja. Kishin shkuar vetëm pak vetë për mirëmbajtje të kullës dhe të odës, për t’i pritur dhe gostitur burrat e bajrakut, që mblidheshin për çështje madhore kombëtare. Në fillim të dekadës së dytë të shekullit njëzet, trashëgimtari më i ri i Bajrakut të Suharekës, Sejdi Bajraktari e kishte sjellë edhe familjen në trojet e reja. Me këtë kishte dashur t’i tregonte pushtuesit serb në Suharekë, se ai kishte vënë rrënjë mbi rrënjët e veta të lashta dhe se nuk kishte ndërmend kurrën e kurrës të shpërngulej për Turqi, sipas planeve serbe për pastrim të Kosovës nga shqiptarët. Sejdi Bajraktari kishte dashur t’i tregonte edhe popullatës shqiptare të Bajrakut të vet, se ai, bajraktari i tyre ishte aty, në kullën e vet, me tërë shtrirjen familjare të ngushtë e të gjerë.

– A nuk po e shihni, se unë po mbaroj kullë!? Unë po mbaroj kullë, e ju po doni që të shpërnguleni nga vendi i juaj! Po doni të shkëputeni nga rrënjët tuaja të lashta! Komentohet t’u ketë thënë Sejdi Bajraktari njerëzve të bajrakut të vet.

Kjo edhe ishte simbolika e shenjtë e këmbëngultësisë dhe e qëndrueshmërisë së papërkulur, për të mos u larguar me asnjë kusht, nga trojet dhe nga rrënjët e lashtësisë së trashëguar. Ishte edhe dashuria dhe vullneti i papërshkruar për t’i bindur shqiptarët e trevës së Suharekës, që të mos shpërngulen nga vendi i tyre. Mbi të gjitha ishte guximi dhe mençuria diplomatike e Sejdi Bajraktarit për ta injoruar ideologjinë shoviniste dhe kriminale serbe në tokat shqiptare. Ishte edhe atëherë, si gjithëherë në vazhdimësi, trysni e madhe e pushtuesit serb për shpërngulje të shqiptarëve për Turqi dhe për vende të tjera. Dhe për të gjallë të Sejdi Bajraktarit (që ishte edhe kryetar komune) nuk ka pasur shpërngulje të shqiptarëve nga Bajraku i Suharekës.

Kulla e re e Bajraktarit të bajrakut të Therandës në vendin e ri ishte trikateshe dhe ishte shumë dalluese për kohën. Që nga fillimi i ndërtimit dhe deri kur është shkatërruar nga djegiet e vazhdueshme dhe nga vjetërsia është quajtur “Kulla e re“. Nëpër vite familja ishte zgjeruar dhe ishin shtuar edhe shtëpitë, por Kulla e Re kishte mbetur e të gjithëve. Aty ishin mbajtur vazhdimisht takime me rëndësi, ku ishin marrë vendime të përbashkëta për t’i sfiduar së keqes së pushtuesit serb në Kosovë. Edhe pse fizikisht ishin të ndarë, secili në shtëpitë e tyre, shpirtërisht ishin gjithherë bashkë.

– Oda në kullën e re të Bajraktarëve të Suharekës (Therandës)

Në katin e tretë të kullës së re të Bajraktarëve të Suharëkës ishte oda e burrave, sigurisht në shenjë nderimi, por edhe si mundësi vrojtimi të lëvizjeve përreth. Oda kishte rëndësi të madhe për këtë familje, se në të takoheshin njerëzit, që të bisedonin për problemet që i mundonin në jetë. Edhe në odën e kullës së re mbaheshin kuvende të burrave të bajrakut, që të jepnin e të merrnin mendime, si edhe që të merrnin vendime, si për ta kundërshtuar e luftuar pushtuesin serb në Kosovë.

Për rëndësinë e odës shqiptare, Mr. Shefki Stublla në librin “Mbijetesa”, Prishtinë, 2007, f. 409, thotë: “Në trevat shqiptare të Kosovës oda kuptohej si institucion urtësie. Ajo ishte shkollë e vërtetë e mendjes, shpirtit dhe burrnisë. Aty mësohej historia e luftërave për liri”.

Në mes të dy luftave botërore të shekullit njëzet, terrori i përgjakshëm serb mbi shqiptarët e Suharekës me rrethinë ishte bërë përditshmëri. Në pamundësi durimi të një të keqeje të tillë Bajraktari i Suharekës, Sejdi Bajraktari shumë herë kishte dhënë kushtrim në popullatën e bajrakut të vet, për bashkim të forcave vullnetare për kryengritje. Si hakmarrje për këtë pushtuesi serb ia kishte kallë tri herë kullën, nëpër faza të ndryeshme. Në të tri herat ishte rindërtuar dhe plotësuar sërish kulla, se ishte dashur prapë që të vazhdohej rezistimi për qëndresë dhe mbijetesë. Deri në fillim të viteve të 60-ta, sa edhe kishte qenë e banueshme kulla, oda e familjes Bajraktari ishte, pothujse çdo herë përplotë me mysafirë.

– Rrallëherë ka ngjarë që të mos ketë musafirë në odën tonë – thotë Zymer Bajraktari, 78 vjeç.

Sipas informatorëve të përmendur në libër, por edhe nga të dhënat që i kam mbajtur në mend edhe unë, autorja e këtij shkrimi, hapësira e brendshme e odës së Bajraktarëve të Therandës e kishte oxhakun në ballë dhe trapazanin prej druri në fund. Dera e odës ishte e stilizuar me ngjyrëra karakteristike, që binin në në sy për të mirë nga të gjithë njerizit, që hynin në të. Te mjeshtrit e njohur të gëdhendjes së drurit e kishte porositur derën e odës Sejdi Bajraktari, se për të thonë, që kishte pasur dëshirë të madhe që ta kishte të rregulluar odën sipas traditës së vjetër shqiptare. Sejdiu ishte njeri, që kishte shkuar në shumë vende të shqiptarisë për çeshtje atdhetarie dhe kulturat e mira, që i kishte parë në ato vende, kishte dëshiruar që t’i jetësonte edhe në bajrakun e vet, e edhe në kullën e vet.

Në dysheme të odës shtrohej zakonisht kashtë. Për izolim nga të ftoftit dhe për komoditet për t’u ulur shtrohej kashta. Ndonjë herë shtrohej edhe fier i zgjedhur në pyellin e vogël, përreth Hisarit të Therandës. Thuhej se kjo shtresë izoluese në dysheme të odës ndërrohej shpesh, se kashta dhe fieri, nga të shtypurit e vazhdueshëm, bëhej shpejt byk e pluhur. Mbi shtresën e kashtës shtroheshin çergat e dhinjta e mbi to sexhadet e leshta, të punuara në vek nga gratë punëtore të familjes, që i sillnin kur vinin nuse si pajë (qejz), ose që i mbaronin në ndërkohë. Mbaj mend edhe dy poste të madha të ogiqit, që rrinin herë të shtruara në dysheme e herë të varura në mur. Në njërin mur të odës kishte dy dollapë prej druri, ku liheshin shtrojet e fjetjes për musafirë, ndërsa në murin përballë, përkrah oxhakut ishte edhe një dollap tjetër, pak më i vogël për takëmet e kafesë. Para derës së odës ishte një si korridor, që i thonin herë divanhane e herë çardak, ku, në dysheme liheshin të mbathurat e musafirëve, ndërsa në mure, gjatë stinëve të ftohta, vareshin edhe gujat e tyre.

Në katin e tretë të kullës ishin edhe dy dhoma si më të vogla, që sipas Zymer Bajraktarit, njëra ishte për të fjetur musafirët, kur vinin shumë në të bujtur, ndërsa tjetra ishte dhomë e Sejdi Bajraktarit, për gjerat e fshehta me rëndësi të tij. Dhoma e fshehtësive, thotë Zymeri, ishte mbajtur vazhdimisht e mbyllur dhe në familje ishte ditur si dhomë ende e pameremetuar, që i kishin thënë shpesh herë edhe dhoma e çudive. Në të vërtetë, në dhomën e tillë kishte pasur libra, që i kishte sjellë Sejdi Bajraktari nga Shqipëria, bashkë edhe me disa libra të tjera shkollore, për shkollat shqipe në Kosovë. Dhoma e vogël e librave hapej vetëm nga dora e Sejdiut dhe e anëtarëve të rritur të familjes, që i autorizonte ai. Ishte rrezik në atë kohë të dihej se kishte libër shqip diku, prandaj edhe ishte mbajtur e mbyllur “dhoma e çudive”.

Në vitin 1948, dhomën e tillë, djali i Sejdi Bajraktarit, Destan Bajraktari e bëri si një bibliotekë të vogël, të hapur për anëtarët e familjes dhe për të afërmit e besueshëm, që dinin shkrim e lexim. Më vonë Destani e pasuroi edhe më shumë me libra “Dhomën e çudive”, duke e bërë kështu një bibliotekë të pasur dhe shumë të njohur në këto anët tona. Ndoshta edhe e vetmja si e tillë. Kur në vitin 1959 e burgosi Destanin UDB-ja serbe, ia morën krejt librat e bibliotekës dhe më kurrë nuk ia kthyen. Dhe kjo ishte një dhembje e madhe për të, por edhe për të gjithë ne familjarët e tij, thotë Zymer Bajraktari.

Edhe në odën e kullës së re kishte dritare të vogla të veçanta që u thonin frëngji, nga të cilat thuhej se ishte rezistuar në raste të domosdoshme. Nga dritaret e tilla ne fëmijët e familjes bajraktari, në vitet e pesëdhjeta të shekullit njëzet, kur ishim të përjashtuar nga Fronti Popullor, i shihnim policët serbë dhe shërbëtorët e tyre shqiptarë, që spiunonin se kush prej të afërmëve dhe prej miqve tanë vinin të na vizitonin si familje dhe si lagje. Në momente të tilla, ne fëmijët që ishim të një kohe tjetër nga ajo e kohës së gjyshit tim bajraktar, rezistonim vetëm me shikime për të këqijat që bënte UDB-ja serbe mbi ne. Ishte shumë e rëndë dhe me vuajtje të papërshkrueshme ajo kohë për ne, që mos e përjetoftë më kush si të tillë.

– Shtëpia (dhoma) e zjarrit: Në katin e parë (përdhes) të kullës së re ishte një dhomë e madhe, që i thonim shtëpia e zjarrit (zjarmit) dhe që ishte me oxhak të madh në skaj të murit. Në të gatuhej, piqeshin bukët dhe përgatitej ushqimi, por shërbente edhe për qëndrim ditor të grave dhe fëmijëve, duke mos i përjashtuar as burrnimin, kur kishin kohë të lirë dhe kur nuk kishte musafirë në odë. Në shtëpi të zjarrit gratë dhe fëmijët uleshin në ulëse të drurit, që u thonin shkamij (stol), e me kalimin e kohës edhe në disa dërrasa në formë kanapeje (minderi), mbi të cilat veheshin postet prej lëkurës së dashit, ose edhe ndonjë e punuar tjetër e leshtë.

Dhoma e zjarrit kishte një lloj lidhje me furrën e vjetër, që gjendej në të djathtë të dyerve të oborrit, në të cilën piqeshin bukët dhe ushqimet të tjera për raste të veçanta. Në shtëpinë e zjarrit edhe unë autorja e këtij shkrimi,mbaj mend edhe dy sofra të mëdha të varura në mur, që u thoshin sofrat e odës. Në mur ishin të varura edhe dy sofra të tjera, njëra për fëmijë dhe tjetra për granim. Gati gjysma e murit të shtëpisë së zjarrit ishte e mbuluar me sofra. Kjo ishte vetë bukuria e pakrahasuar e tradicionales së vazhduar. Kujtimi për atë kohë edhe sot më sjellë vazhdimisht emocione të shumta, përzier me krenari të pakrahasuar deri edhe në pa kufi.

Në pjesën e murit, kah dritaret, që ishin më të mëdha se frëngjitë e katit të tretë të kullës, në një raft prej druri të gëdhendur renditeshin enët e kuzhinës. Kishte aty kryesisht tepsia dhe enë prej metaleve të ndryeshme, si edhe bluda dhe lugë prej druri. Xhygymat prej bakri liheshin në qoshe të dhomës së zjarrit, ndërsa tavat e mëdha poashtu prej bakri, ku zihej pestili dhe pekmezi tradicional, liheshin në fllanik, se ishin të mëdha dhe zinin shumë vend. Në fllanik (këthinë bukur e madhe dhe e flladitshme), ruhej bylmeti dhe kacat e mëdha të turshive për dimër. Aty liheshin edhe kazanat me tëlyn të shkrirë (të djegur mirë sipas traditës, që të mos fermentoheshin) dhe ata me mjaltë e me pekmezëra të ndryeshëm.

Të gjitha këto konzervime ushqimore nuk ishin në cilësinë reklamuese, por ishin për nevoja të përditshme dhe të domosdoshme, se familja ishte me shumë anëtarë dhe të gjitha ushqimet shpenzoheshin shpejt. Edhe musafirët e odës ishin të shumtë dhe të pandalur. Kjo familje kishte edhe bija shumë, që sipas traditës rrinin, ndonjë herë edhe me tri-katër javë në gjini të tyre. Bijat e bajraktarëve rrinin në gjini edhe nga arsyet të tjera, që ishin të rënda dhe të dhëmbshme për to dhe për familjarët e tyre, nga se i kishin burrat të burgosur nga pushtuesi serb. Të tjerat e plaknin rininë dhe bukurinë si rrezja e dritës, duke i rritur hasretat e çmueshëm të tyre, me shpresë të kthimit të burrave të vrarë (të humbur) në Masakrën e Tivarit, më 1945.

Enët prej bakri, si almise të kuzhinës, ishin të mira, por kërkonin edhe mirëmbajtje dhe përkujdesje, sepse oksidoheshin shpejt. Mbaj mend edhe sot, kur vinin disa njerëz te ne për t’i kallajitur enët e bakrit. Ata rrinin edhe me dy-tri ditë te ne, e ndonjë herë edhe më shumë, deri sa i kallajitnin krejt enët për të gjitha shtëpitë. Xhaxhai im, Asllan Bajraktari nuk i linte të rrinin jasht kallajgjinjt, se i dhimbseshin si njerëz. Ua lëshonte një hapësirë të thjeshtë, që ne i thonim pleme, ku ata punonin dhe flinin në të. Kallajgjinjt konsideroheshin mjeshtër të kallajitjes së enëve të bakrit dhe paguheshin për punën që e kryenin. Nuk mbaj mend se çfarë ishte dakordimi për pagesën, se as që flitej një gjë e tillë me ne fëmijët, por e di se kur shkonin kallajitësit nga shtëpitë tona, me vete merrnin pasul, miell, mollë, arra etj.

– Ahuri i kullës së re: Shtëpia e zjarrit e kishte ngjitur edhe ahurin, që ishte një hapësirë e madhe, ku mbaheshin kuajt e shalës. Ishte edhe ahuri për gjanë e trashë, mpor ai ishte ndaras prej kullës, diku kah mesi i murit të oborrit. Një ndarje e veçantë në ahurin e kullës kishte qenë vetëm për atin e Sejdi Bajraktarit. Pas vrasjes së tij në pusi, më 1941, çdo gjë në atë kullë ishte tjetërsuar. Familja dhe dashamirët kishin jetuar me dhembjen dhe zijen e madhe për humbjen e njeriut atdhetar dhe zemërmadh, për humbjen e trimit popullor dhe të organizatorit të pashoq në atë kohë. Kuajt e shalës në këtë familje nuk ishin mbajtur më kurrë me krenari si përpara. Amaneti i mëhershëm i Sejdi Bajraktarit, për të mos marrë kurrë hak mbi shqiptarinë, i kishte gurëzuar burrat e kësaj familjeje, po aq sa i kishte ngrysur dhe mplakur para kohe edhe dhembja për vrasjen e tij.

Ahuri i kullës e kishte derën kryesore nga jashtë, por e kishte edhe një derë të vogël nga brenda, prej dhomës së zjarrit, për nevoja të përkujdesjes së vazhdueshme për kuajt, si edhe për kontrollime të gjërave të tjera në të. Në ahur, në murin perëndimor të kullës, ishte edhe një tjetër derë si e vogël, ku hyhej në një si tunel, ku ishin mbajtur armët dhe municioni. Ishte derë e kamufluar me gurë të latuar, që ishte hapur vetëm në raste të jashtzakonshme. Derën e kamufluar me gurë në ahur nuk e kishin ditur dhe as nuk e kishin dalluar edhe anëtarët e familjes. Vetëm burrat dhe bashkëshortja e Sejdi Bajraktarit, Sofija e kishin ditur, se nga aty mund të dilej fshehtas në fund të oborrit. Tuneli i fshehtë në kullë ishte zbuluar në kohën e Italisë në Kosovë, më 1942. E kishin zbuluar karabinjerët Italianë përmes një njeriu shumë të besueshëm nga familja, që kishte qenë i caktuar për mirëmbajtje të ahurit. Maltretimi deri për vdekje, ndaj tij kishte bërë që të zbulohej tuneli dhe armët e fshehta në të.

Qilerët dhe shkallët e kullës së re. Në katin e dytë të kullës ishin qilerët për fjetje të anëtarëve të famijes së ngushtë. Katër qilerë (dhoma fjetjeje) i kishte kulla e re, bashkë edhe me dy kthina të vogla, ku në njërën liheshin veshmbathje dhe cikrrime të tjera për përdorim të përditshëm dhe stinor të anëtarëve të familjes, ndërsa tjetra këthinë ishte si fllanik i vogël për dimër. Shkallët që i lidhnin katet e kullës ishin të një pjerrtësie gati si pingule, me mbrojtëse prej druri anash. Shkallët në mes të kateve e kishin edhe një si pushimore, ku gratë që e çonin bukën për burrat në odë, shumë herë e bënin nga një pushim të shkurtër në të.

Nuk ka të numëruar sa herë jemi rrëzuar ne fëmijët e familjes sonë nëpër ato shkallë të pjerrta, sa rrall ndonjë prej nesh, që nuk kishte mallunga të zeza në ballë. Dhe kjo ishte një lloj kënaqësie e llojit të veçantë për ne fëmijët në atë kohë, se ne vetë donim të luanim dhe të garonim, se cili ngjitej përpjetë dhe zbriste teposht më shpejt. Donim t’i emetonim të parët tanë, se si ata ishin ngjitur dhe zbritur shpejt, për t’u mbrojtur nga armiqt e ndryshëm, që shumë herë kishin sulmuar befasisht dhe tradhëtisht edhe në kullë. Për ngjarjet e tilla të rënda flitej vazhdimisht në familje, qoftë ditëve të verës nën hije të pemëve, dhe qoftë pasdarkave të netëve të gjata, gjatë dimrave të ftohtë, me borë e me stuhi.

Në trojet e reja rrëzë Hisarit antik familja Bajraktari pos kullës trikatëshe, kishte ndërtuar edhe shtëpi të tjera të reja, se familja ishte shtuar dhe zgjeruar vazhdimisht. Ndarja, si proces i shtimit të familjes, asnjëherë nuk kishte qenë ndarje e plotë në këtë familje. Në të mira dhe në të këqija ata përherë ishin të gjithë bashkë, që t’i përballonin dhe tejkalonin më lehtë vështirësitë, që ua shkaktonte pushtuesi dhe jeta e rëndë në robëri. Kishin edhe bindje të njejtë politike të gjithë për çështje atdhetarie dhe drekë e dekë kurrë nuk i bënin pa konsultime dhe pa organizime të përbashkëta me njëri-tjetrin. Vetëm kështu ishin më të fortë, që t’u rezistonin kohëve, përherë të rënda dhe të vështira për ta si familje.

Kullën e re të Sejdi Bajraktarit të Therandës nuk e kishin shkatërruar plotësisht as Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, dhe as termetet e mëvonshme natyrale. Është prishur nga vjetërsia, e më shumë nga pakujdesia e faktorit njeri, diku në mesvitet e gjashtëdhjeta të shekullit njëzet. Për kohë të gjatë kishte mbetur si gëmadhë, me themele jo krejt të rrafshuara, ku për çdo pranverë dhe verë në të mbinin lule dhe barishte gjithëfarëshe. E kishin rrethuar pasardhësit me disa tela të thjeshtë, por edhe po të mos e kishin rrethuar, nuk do të shkilte kurkush nëpër atë vend. Disi vetvetiu e konsideronin si një pjesë e historisë së tyre, mbushur me dhëmbje të shumta, por edhe me krenari, deri në pakufi. As fëmijët nuk luanin në gërmadhat e “kullës së re”, si të ishin të rritur. I madh e i vogël e kishin një konsideratë të pakrahasueshme për murimet e rrënuara të kullës, sa kishin filluar ta konsideronin edhe si vend të shenjtë.

Gjatë luftës serbe të vitit 1999 në Kosovë, në lagjen e Bajraktarëve të Therandës tanket serbe kishin djegur dhe rrafshuar çdo gjë mbi dhe. Edhe themelet gërmadhë të kullës së Sejdi Bajraktarit i kishin rrafshuar. Në ato themele kishte mbetur i djegur edhe tanku serb! Nga brendia e themeleve të kullës kishte eksploduar diçka, që e kishte djegur dhe bërë copë-copë tankun serb, se banorët vendorë ishin përzënë me krisma armësh dhe me tmerre të papara, që prej disa ditësh përpara?! Kjo kishte qenë rezistenca e vazhduar dhe e fundit e kullës së Bajraktarëve të Therandës kundër pushtuesit serb! Ishte mallkimi i pafajsisë së brezave të kësaj toke arbërore, trazuar përherë nëpër mote me lufta dhe me shkatërrime, me shpërngulje të vazhdueshme dhe me asimilime. Dhashtë zoti që të mos ketë më kurrë pushtues dhe lufta në këto troje!

– Gurët e kullës, të mbetur të patroshitur nga tanku serb, do t’i ruajmë si kujtim për historinë, thanë pasardhësit e kthyer nga golgota e trishtimeve të fundshekullit njëzet!

Në vendin e kullës së Sejdi Bajraktarit, gjatë pasluftës së vitit 1999 është ndërtuar shtëpia e nipit të tij, Afrim Bajraktarit dhe e të bijëve të tij, Urimit, Nderimit, Kujtimit dhe Jetonit. Nderimi, inxhinier i ndërtimtarisë, planifikon që në një të ardhme të afërt, ta projektojë një shtëpi në miniaturë, që do t’i përngjajë kullës së stërgjyshit të tij, Sejdi Bajraktarit. Në shenjë nderimi dhe mburrjeje për stërgjyshin atdhetar dhe luftar mendon ta realizojë miniaturën për kullën e vjetër inxhinier Nderimi, që të jetë si muze krenarie për brezat.

(Fragment i përzgjedhur për botim nga libri “Destan Bajraktari folklorist, letrar dhe atdhetar (Nga nëntitulli i librit “Familja Bajraktari nga Suhareka (Theranda)” – Naxhije Doçi – Prishtinë-2009)