Si t’i largojmë uzurpatorët e lirisë sonë?!

0
293
Isa Mustafa - Kujtim Shala - Hashim Thaçi

Shkruan: Florim Zeqa, 18.07.2020

Sikurse rrjeti i uzurpatorëve të shtetit që është i gjërë, ashtu edhe numri i politikanëve milionerë, të pasuruar jashtëligjshëm mbi kurrizin e popullit është i madh dhe i pambarim, është i shpërndarë në të gjitha subjektet politike pa dallim pushtet dhe opozitë. Betejën me korrupsionin dhe krimin e organizuar nuk mund ta fitojnë subjektet që në strukturat e tyre udhëheqëse kanë super milionerë nga aferat korruptive dhe uzurpimi i pasurisë publike dhe shtetërore.

Papërgjegjësia e liderëve partiak dhe shtetëror

Liderëve politikë (partiak) iu mungon përgjegjësia morale, kultura dhe respekti ndaj qytetarëve. Janë shndërruar në mashtrues dhe zhvatës të mëdhenjë, në shkelës dhe uzurpatorë të lirisë dhe demokracisë, në shkatërrues të së tashmës e se ardhmës së gjeneratave të reja. Korrupsioni i ka mbuluar të gjitha institucionet e shtetit dhe partitë politike. Liderët mashtrues dhe të korruptuar janë shkaktar për fundosjen e shpresave të dy gjeneratave të shoqërisë sonë.

Gjëndja katastrofale e krijuar në vend si pasojë e një lidershipi të papërgjegjëshëm ka bërë që populli të mos iu besoj më. Si pasojë e kësaj, viteve të fundit kemi rënje drastike të numrit të votuesve në zgjedhje, sepse qytetarët nuk kanë më për kë të votojnë.
Në mëndjen dhe vetëdijen e popullit është krijuar bindja, se kush më pak e kush më shumë, të gjithë që merren më poltikë janë mashtrues e intrigantë, janë hajna ordinerë të shndërruar në kusarë politik.

Janë grupe të shumta interesi në Kosovë që iu shkon për shtati gjendja aktuale. Janë aferat korruptive, bizneset dhe interesat klanore që i bëjnë bashkë pozitën dhe opozitën në Kosovë.

Politikanët e shantazhuar dhe te korruptuar, ditën në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe para mediave nuk e kursejnë njëri-tjetrin më sharje dhe fyerje sa për të mashtruar opinionin, përderisa natën bëjnë marrëveshje dhe pazare politike të fshehta për ndarjen e tenderëve dhe shtrirjen e sferave të interesit në Kosovën e lodhur dhe të rraskapitur nga varfëria dhe denigrimi social i vlerave njerëzore!

Largimi nga Kosova nuk është zgjidhje dhe as shpëtim

Kahdo dhe kudo që shkon nëpër Kosovë sheh fytyra të thyera dhe te ngrysura nga humbja e të gjitha shpresave për të jetuar në këtë vend, më secilin që bisedon, një përgjigje e gjenë-zhgënjim dhe humbje shprese për të jetuar në këtë në këtë vend të bekuar, një dëshirë dhe një synim të përbashkët-ikjen dhe largimin nga vendi i “mallkuar”!

Po ndodhë pikërisht kështu si pasojë e një klasë të pandërgjegjshme politike e cila ua ka fikë të gjitha dritat e shpresës popullatës shqiptare në Kosovë.

E vetmja shpresë reale për ndryshime pozitive ka mbetur tek elitat intelektuale. Një armatë intelektualësh dhe veprimtarësh të dëshmuar të viteve të ’90-ta, një armatë e të rinjëve të specializuar në fusha të ndryshme, munden dhe duhet të mobilizohen për çlirimin e vendit nga uzurpatorët e lirisë sonë!

Ndryshimin mund ta bejnë vetëm ata që janë të gatshëm në mënyrë vullnetare të vihen edhe një herë në shërbim të popullit e atdheut, për ta shpëtuar Kosovën nga zbrazja e ç’kombtarizimi, nga krimi dhe korrupsioni dhe dukuritë e shumta negative, të ardhura si produkt i keq-qeverisjes dhe politikbërjes së gabuar të kastës aktuale politike.

Vullneti i qytetarëve të Kosovës për kthesë pozitive jo vetëm që ekziston, thërret si kushtrim në ndërgjegjën e atdhetarëve, aktivistëve dhe veprimtarëve të devotshëm të çështjes kombëtare.

Mjafton vetëm iniciativa e shëndoshë e bazaur në vlera kombëtare, në atdhedashuri e moral njerëzor, për ta ndryshuar mentalitetin kancerogjen të keq-qeverisjes tani e dy dekada ne Kosovë.

Të gjithë kundër uzurpatorëve të shtetit

Secili mund të jepim diçka nga vetja jonë për Republikën e Kosovës, shtetin e së ardhmës për fëmijet tonë. Secili me takatin e me zanatin e vet, mund ta bejmë ndryshimin e nevojshëm për Kosovën dhe qytetarët e saj, për kthimin e identitetit dhe shpirtit humanitar të shqiptarëve të trashëguar ndër shekuj.

E vetmja shpresë për ta çliruar shtetin nga uzurpatorët, kusarët politik dhe bandat partiake është zgjimi i popullit nga agonia e gjatë e pritjes dhe aktivizimi i menjëhershëm i elitës intelektuale si në Kosovë ashtu edhe në mërgatën tonë.

Vetëm një klasë e re politike, një frymë e pastër kombëtare, e udhëhequr nga intelektualë të nivelit të lartë, analistë dhe gazetarë të guximshëm, veprimtarë dhe aktivistë të devotshëm të çështjes kombëtare mund ta nxjerrë vendin nga humnera e klasës së papërgjegjshme politike.

Vetëm një fillim i ri, një organizim i ri, një lëvizje e re politike e përmasave kombëtare, me një platformë të qartë qeverisëse bazuar në zhvillimin ekonomik dhe mbrojtje të interesave të qytetarëve, do ta nxjerrë shtetin nga kthetrat e uzurpatorëve dhe ta shpëtojë vendin nga katandisja e mëtutjeshme.

Më ndyshimet e ardhshme kushtetuese, Kosovës duhet t’i kthehet Referendumi Popullor, si shprehja më e lartë e demokracisë dhe lirisë së një vendi, për marrjen e vendimeve popullore që kanë për qëllim rregullimin e rendit shoqëror dhe politiko-juridik të vendit tonë.