Prifti i mirë atë Stath Melani duket sikur kishte zgjedhur vetë të vdiste pak orë përpara përvjetorit të 1917-të të lindjes së Jezu Krishtit. Të hënën e 24 dhjetorit 1917, teksa udhëtonte hipur në një mushkë nga qyteti i Përmetit drejt fshatit Melan, një breshëri armësh nga një pusi banditësh e la të vdekur, bashkë me mushkën.
Por vrasësit nuk u mjaftuan me kaq, duke e çuar në makabritet krimin e rëndë. I prenë kokën dhe ia dërguan në Greqi si trofe dhe si një provë e fortë që vrasja e porositur ishte kryer.
SKENA E KRIMIT
Ka qenë ora 15:30 e të hënës së 24 dhjetorit kur atë Stath Melani lëkundej teksa ecte mbi një mushkë drejt fshatit Melan. I vetëm dhe pa asnjë mbrojtje, papitur tre persona i dolën në pritë. Pa asnjë lajmërim e pa i thënë asnjë fjalë, ata realizuan planin e tyre kriminal. Batareja e armëve përshkoi trupin e burrit 59-vjeçar duke e lënë të vdekur në vend.
Prifti u rrëzua nga mushka e bashkë me të edhe vetë mushka e qëlluar nga njerëzit e pritës. Pasi u siguruan për këtë, të drejtuar nga Josif Soropulli, vrasësit kryen mizorinë e dytë. Me anë të një sëpate i prenë kokën dhe, pasi ia shkëputën nga trupi, e futën në një çantë. Pastaj u larguan me shpejtësi nga vendi i krimit.
ORGANIZIMI I VRASJES
“Ruaju, Stathi! Dhe koburen e dyfekun mos i nda nga vetja, se grekët e serbët janë të pabesë, pa din e pa iman. Janë dhelpra plaka!…”
Atë Stath Melani nuk i mori parasysh këto fjalë të shkruara në letër nga miku i tij, Ikonom Kozma Ikonomi, vetëm 9 muaj përpara vrasjes. Kthimi nga SHBA-ja në Përmet, në fillim të vitit 1917, kishte një qëllim të lartë për atë Stath Melanin. Mihal Grameno në librin Kryengritja shqiptare e përshkruan me nota emocionale këtë rikthim në vendlindje.
“Vetëm një plak i thinjur me leshrat dhe mjekrën e bardhë qëndron përjashta mbi vapor duke vështruar përpara dhe përpara. Fytyra e qeshur dhe simpatike tregon që plaku është i kënaqur nga udhëtimi. Ku e ku një nënqeshje shfaqet në buzët e tij dhe nga gëzimi fërkon duart. Duket që frika, tmerri dhe dëshpërimi nuk gjejnë vend në zemër të plakut.
Nuk gjejnë, se plaku është nga pleqtë e Shqipërisë. Është nga kombëtarët e vjetër dhe shumë të vuajtur, prandaj e ka zemrën e çeliktë. Plaku quhet At Stath Melani. Shtëpinë ia dogjën barbarët grekë, po At Stath Melani dëshiron të rrojë në kasolle, po vetëm në Shqipëri të lirë, ku të valojë flamuri i Skënderbeut. Zoti i mbushtë dëshirat dhe e shpëntë shëndoshë luftëtarin At Stathi, një nga pleqtë kombëtarë të Shqipërisë”.
Por kthimi i tij ishte një bezdi e madhe për grekët. Ishte koha kur në SHBA kisha shqiptare ishte shpallur autoqefale. Stath melani me të mbërritur mbajti një meshë në gjuhën shqipe. Kjo solli reagimin e dhespotisë greke. Dhespoti Spiridhon e thirri dhe i dha urdhër që ungjillin ta lexonte vetëm në gjuhën greke, si gjuhë e Perëndisë, sepse, sipas tij, gjuha shqipe ishte gjuhë e mallkuar.
Përgjigjja e atë Stath Melanit është proverbiale:
“Hirësi, shqiptarët merren vesh me Zotin më mirë me shqipen sesa me greqishten! Pastaj Zoti i di të gjitha gjuhët, pse të mos e dijë dhe shqipen!?”
Por reagimi i dhespotit ishte më i egër se më parë, duke lëshuar mallkim ndaj atë Melanit:
“Të vaftë shpirti në xhehenem, pasi ti ke dalë nga udha e Perëndisë”.
Dhe bisedës i vë kapak atë Stath Melani:
“Do të ta di për nder të më dërgosh në xhehenem, pasi zotrote do të vesh në parajsë, kështu që atje nuk do ta kem zotërinë tënde dhe atje do të më lësh rehat”.
Kjo bisedë ishte për kishën greke një kupë e mbushur ndaj atë Stath Melanit.
VARRIMI ME FLAMUR KOMBËTAR
Një trup i masakruar dhe pa kokëishte një krim mbi krimet ndaj atë Stath Melanit. Por as skena makabre, as frika nuk i pengoi banorët e zoën dhe besimtarët që ta nderonin njeriun e tyre.
Banorët e fshatit ku ndodhi ngjarja e mbështollën trupin me flamurin kombëtar dhe i bënë të gjitha nderet përmes riteve fetare dhe zakoneve. Më pas e dërguan në Përmet të shoqëruar nga një masë e madhe njerëzish, për t’i kryer aty ceremoninë e fundit. Ritet fetare u mbajtën në kishën e Shën Kollit. I gjithë qyteti e vajtoi jo vetëm bariun e kishës shqiptare, por edhe bariun e cilësive më të mira patriotike shqiptare të zonës.
VRITET VRASËSI I ATË STATHIT
Por keqardhja dhe dëshpërimi për këtë krim nuk mbeti vetëm te lotët. Vetëm tre vjet më pas, hakmarrja ra mbi kryet e vrasësit të Melanit. Më 13 dhjetor 1920, Thanas Budo vrau Josif Soropullin te stani i Kamellarëve, në Shën Pjetër të Postenanit, në Përmet, duke qetësuar sado pak shpirtart e atyre që e deshën aq shumë atë Stath Melanin dhe që nuk ishin pak. Një dashuri që zgjat edhe sot në ditët tona, pavarësisht prej pluhurit të harresës me të cilin, dashur pa dashur, historia i ka mbuluar bëmat e këtij heroi.
10 FAKTE
Atë Stath Melani ishte një prift ortodoks nga më patriotët e periudhës së pavarësisë që kontribuoi në tri drejtime: nëpërmjet ndihmesës si meshtar, duke përçuar te besimtarët ndjenjat patriotike, nëpërmjet luftës direkte me armë si komandant çete dhe si përhapës i kulturës nëpërmjet lëvrimit të gjuhës shqipe edhe në lutjet fetare
Në dhjetor të vitit 1912 atë Stath Melani u caktua nga kryeministri Ismail Qemali si komandant ushatrak i zonës së Përmetit.
Nga viti 1912 deri në vitin 1915 atë Stath Melani drejtoi një çetë kundër raprezaljeve dhe masakrave të andartëve grekë, gjë për të cilën i dogjën shtëpinë.
Atë Stath Melani u arrestua në vitin 1914 nga forcat që mbështetnin Haxhi Qamilin, por më pas u lirua nga qeveria e Turhan pashës
Ngjarja e 24 dhjetorit 1917 ishte përpjekja e tretë për ta vrarë atë Stath Melanin. Atë ditë atë Stath Melani udhëtoi drejt fshatit të vet Melan, në Përmet, për të kremtuar lindjen e Jezu Krishtit
Atë Stath Melani udhëtoi nga qyteti ku jetonte, Përmet, më pas në fshatin Petran, Lushnjë, Lipivan, për të arritur në Melan
Gjatë gjithë rrugës atë Stath Melani ecte hipur në një mushkë dhe ishte vetëm pa asnjë shoqërues
Gjatë rrugës atë Stath Melani bëri dy ndalesa. Në fshatin Lushnjë piu një kafe në shtëpinë e Selam Lushnjës. Ndalesa e dytë qe në shtëpinë e Xhemal Gurit, në të cilën hëngri drekë
Në rrugën e Lipivanit, në një vend të shkretë larg fshatrave, ai u qëllua në befasi me armë duke gjetur vdekjen
Autorët e vrasjes më pas i masakruan trupin duke i prerë kokën. Ata ia dërguan kokën në Greqi si trofe dhe si provë të ekzekutimit
10 MISTERE
Përse atë Stath Melani udhëtonte i vetëm, kur dihej rreziku i përhershëm që i kanosej?
Si ka mundësi që lëvizte pa mbajtur asnjë armë me vete, një ish-komandant çete që kishte luftuar grekët?
Përse nuk e mori parasysh rrezikun për jetën, kur miku i tij, Ikonom Kozma Ikonomi, i kishte dërguar një letër me të gjitha kërcënimet konkrete nga Greqia?
Përse autorët e krimit, pasi e ekzekutua, i prenë kokën dhe ia dërguan në Greqi?
Sa para u vunë për kokën e atë Stath Melanit?
Ç’përfaqësonte serbi Ivan Dragiç, që jetonte asokohe në zonën e Përmetit dhe punonte si përkthyes nga greqishtja në shqipe dhe nga serbishtja në shqipe?
Ç’përfaqësonte dhespoti civil Dhamaskino që qëndronte në Përmet në atë periudhë?
Cilët ishin ata që e mbështetnin në zonën e Përmetit vrasësin Josif Soropulli
Çfarë u bë me dy bashkëpunëtorët në vrasje, Josif Stërbecin e Vangjel Radimishtin?
Ku u fsheh atë natë vrasësi dhe bashkëpunëtorët e tij?
DEKLARATA TË BUJSHME PËR VRASJEN
Fan Noli, klerik, poet, prozator, në gazetën “Albania”, të datës 16 mars 1918
“S’ka zemër shqiptari të mos pikëllohet, s’ka sy shqiptarësh që të mos lëshojë lumë lotësh për të ndjerin, për të pavdekshmin hero dhe dëshmor të madh të Shqipërisë, Atë Stath Melani”.
TË DHËNA NË SHIFRA
9 FËMIJË
Kishte atë Stath Melani me bashkëshorten e tij, Kostandina Logon
2 HERË ËSHTË ARRESTUAR
Atë Stath Melani. Herën e parë më 1909, në Manastir nga Porta e Lartë si përhapës i gjuhës shqipe dhe herën e dytë më 1915, nga mbështetësit e Haxhi Qamilit, si mbështetës i Princ Wied-it
3 VJET E 11 DITË
Pas vrasjes së atë Stath Melanit u vra vrasësi i tij, Josif Soropulli
ATË STATH MELANI KA THËNË PËR VDEKJEN
“Më shihni prift ortodoks, por nuk u linda kësisoj, u linda shqiptar dhe shqiptar dua të vdes. Prandaj kush është për Shqipërinë, unë përpara dhe ju pas meje, të mbrojmë kombin dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë, që armiqtë duan të na e copëtojnë, e të përkrahim qeverinë e Vlorës”.
(Gazeta “Albania”, 14 mars, 1918) Marrë nga libri i Roland Qafokut “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar (në të gjitha trojet shqiptare)”