POEZIA E MALLIT DHE E DHEMBJES

0
670
Lule Xhafa - Mall e dhembje

Zymer Mehani

(Përsiatje për vëllimin poetik “Mall e dhembje” të autores Lule Xhafa)

Lule Xhafa është nga ato autore, që në poezitë e veta e ka të theksuar mallin dhe dhembjen. Ajo, në horizontet e poezisë shqipe po vjen me fizionominë dhe profilin e vet të përcaktuar dhe të kristalizuar, qoftë me tematikën e motivet, qoftë me mënyrën e të shkruarit (stilin).

Duhet theksuar se një pjesë e lirikave intime (të dashurisë) në vëllimin poetik “Mall e dhembje” kanë si sfond vetminë, ambientin dhe atmosferën e zymtë. Pra, mjaft poezi të vëllimit në fjalë, që vërtet janë të bukura i kushtohen dashurisë.

Edhe poezitë përkushtuese zënë vend në vëllimin “Mall e dhembje”. Ato mund t’i ndajmë në poezi përkushtuese për familjarët (për prindërit, vëllanë, motrat, nipin, shoqen etj, Poezi përkushtuese janë edhe ato që i kushtohen Kosovës, vendlindjes etj.

Përgjithësisht në vëllimin “Mall e dhembje” do të gjejmë poezi interesante, të shkruara me frymëzim, me ndjenja dhe realizëm.
Veçoritë teoriko-letrare që e shquajnë këtë vëllim poetik janë të shumta. Ne do të përmendim disa syresh.

Me pak përjashtime, poezitë e autores Lule Xhafa shquhen me proliksitetin, ngase nuk i kalojnë 5-6 strofat, madje s’janë të pakta edhe poezitë me 2-3 strofa. Ky sens mase, kjo fuqi sintetike, është nga veçoritë dhe meritat e rëndësishme artistike të poetes.

Të thuash me pak vargje atë që mund ta themi me dhjetëra a qindra vargje, të thuash vetëm të domosdoshmen, pa rënë në përsëritje idesh dhe në stërzgjatje të kota, është një cilësi sa e nevojshme, aq edhe e mundimshme për ta shtjelluar. E këtë dukuri e hasim te poezitë e autores Lule Xhafa, fakt ky që flet jo vetëm për talentin, por edhe për punën e ndërgjegjshme artistike të autores.

Autorja Xhafa e përdor me kujdes vargun, duke e shtjelluar me saktësi, pa e penguar spontanitetin e tij. Aty gjen figura të mjaftueshme, të sakta e të kuptueshme nga të gjithë.

Poezia e autores Lule Xhafa mund të merret edhe si bisedë e afërt, e ngrohtë, miqësore, duke marrë herë pas here edhe karakter tregimtar, prandaj poezia saj shquhet edhe për komunikim të afërt.

Poetja Lule Xhafa në punën krijuese shquhet edhe për kujdesin ndaj gjuhës. Fjalori i përdorur është mjaft i pasur, shprehës dhe i saktë.

Biografia e autores

Lule (Elfate) Xhafa u lind më 28.09.2002, në Mitrovicë. Emri Elfate është emri i dytë i poetes. Lule Xhafa është nxënëse e klasës XII/17, në SHML Gjimnazi “Frang Bardhi” të Mitrovicës (drejtimi shkencat shoqërore). Ajo që e bën të veçantë poeten është stili i shkrimit dhe mënyra se si i trajton temat. Në librin e saj poetja ka shkruar poezi të temave të ndryshme.

Lulja aktualisht merret me aktivitete të lira artistike, duke premtuar se do ta vazhdojë këtë rrugëtim.

Përmbledhja poetike “Mall e dhembje” është libri i parë i autores Lule Xhafa, por në dorëshkrim ka edhe shumë poezi të tjera, që shpresojmë t’i botojë në të ardhmen!

Autorja Lule (Elfate) Xhafa jeton në Mitrovicë.

Zymer Mehani, Podujevë, më 10 korrik 2020