15.5 C
Tirana
( Arkivi 2016 - 2021 )

Sulltani i Surrelit i çon haber Sulltaneshës së Shkodrës: Eja në Kalifat, se na shtypën amerikanët (+video)

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info/
Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Autor librash :: Ueb- & Grafik dizajner

Shënim: Në lidhje me përmendjen e emrin tim në shkrim Arben Çokaj, dua të shtoj se ka dy pasaktësi:
1. Aksidentin në Danimarkë ka shumë mundësi se ma shkaktuan qarqet serbe, në kohën kur në Kosovë bëhej luftë dhe unë isha me shqiptarët e tjerë në Kopenhagë e bënim aktivitet në mbrojtje të lirisë së Kosovës, por ku i dihet?
2. Unë kam bërë një shkrim për pasuritë Jozefinës nën titullin “Sheikja e Shkodrës“, Sokoli përdopr termin sulltanët e sulltaneshat…

Pamfleti.net, 07/07/2020

Këtu, sulltanesha e krimit dhe show-it, shtrin fillin antiamerikan skutave të sarajeve të fshehura nga vëmëndja e njerëzisë që bërtasin fort, Amerikë, hajde na i sekuestro dhe arresto të gjithë, që nga Sulltanesha e Shkodrës, deri tek Sulltani i Surrelit.

Shkruan Sokol Pepushaj

Sot “lufta” për burg është mes të pasurve. Të varfërit nuk janë as në lojë, as në fushë. Janë thjeshtë në pritje të ditëve më të mira, si gjithmonë të shtypurit.

Nuk i luten zotit, i luten ditë e natë Amerikës; Na i hiq qafe këta hajdutë, të majtë e të djathtë, se bashkë janë.

Amerika në të vërtetë i ka kapur të gjithë. I ka zënë në rrjetë, si peshq. Aty në rrjetë, ata përpëliten dhe kafshojnë njëri-tjetrin. Njerëzia pret përditë t’i shohë të “tiganosur”, pra, të sekuestruar dhe të dënuar.

Në respekt të së vërtetës, parlamenti i milionerëve, duke qënë edhe parlament i analfabetëve, ku shumë sish janë me diploma falso, duke u kapardisur si budallenj, kanë votuar në rresht, ligjin e Vetting-ut.

Ky ligj kishte pak marifet për idiotët me diploma të blera me para të vjedhura. Pra, vetting në drejtësi dhe pasuri të pajustifikuara, që ngjante se nuk do të mundte t’i trazonte bosët e mëdhenj të korrupsionit dhe krimit.

Kjo pra do të ishte fusha ku do të luhet loja e madhe?

Reagimet e ndryshme premtonin pritshmëri të ndryshme. Oktapodët e politikës fshehnin kthetrat me gjak e para, dhe mëndonin se Vetting-u do të struket diku kalendave greke dhe ata do t’i kapërcejnë kufijte e 30 viteve duke gënjyer në kor se duan drejtësi, por ende nuk po vjen koha.

Në këtë kohë dhe në këtë lojë pra, ishin gjigandët e pasurive, imunitarët që mendohej se nuk ka Krisht e as Muhamed që u thotë t’i kthejnë xhepat mbapsht.

Ilir Meta, Sali Brerisha, Fatmir Mediu, Skënder Gjinushi, të përfolur gjithandej si tregtar ari, droge dhe njerëzish; Adriatik Llalla, Xhezair Zaganjori, Bashkim Dedja, Shpresa Beçaj, Alaudin Malaj, Fatmira Hajdari, Gjin Gjoni si gardian ligjor të krimit e korrupsionit dhe milionerë pa rroga; Edi Rama, Gramoz Ruçi, Taulant Balla, Arben Ahmetaj, si lëngatë e pranueshme në skenën fashiste për të mbajtur në binarë ngrehinën e hajdutëve, ishin dhe janë lojtarët që publikisht dhe sipërfaqësisht, rreken t’i grisin zhelet njëri-tjetrit, por fshehtësisht e konkretisht, i “arnojnë” mbathjet shoku-shoqes e shoqja shokut.

Kështu ka ngjarë gjithmonë deri sot.

Batica dhe zbatica ka patur, se hendeku mes shtresave të shoqërisë është i tmerrshëm, i paparë në historinë njerëzore.

Kështuqë, sa herë shterrej besimi tek drejtësia dhe fryhej urrejtja ndaj hajdutëve, vetë strukturat e krimit ekonomik dhe njerzor, i çonin haber policisë, shtetit; eja na arresto, sa për show, se jemi në filan lokal duke ngrënë e duke pirë.

Ndizeshin sirenat dhe vershonin titujt e medhenj mediave të “pavarura”: Shteti po punon, u arrestuan mafiozet, u sekuestruan makina të shtrenjta, ra kupola e korrupsionit, u kap grupi i të fortëve etj etj.

Jehona shuhej shpejt. Të arrestuarit me tupane, dilnin pa zhurmë, pa tituj lajmesh e vazhdonin veprimtarinë.

Kështu mënduan se do ecë edhe Vetting-u, se amerikanët do lodhen me këta.
Por jo, kungulli kësaj here nuk po lundron më përmbi ujë. Loja tashmë bëhet jashtë fushës së tyre.

Pasuritë marramëndëse janë hetuar, jo vetëm në Shqipëri, jo vetëm në identitet, por edhe tek emrat që tashmë kanë vdekur dhe mbajnë mbi vete prona milionëshe. Edhe llogaritë bankare, edhe parajsat fiskale, edhe dhuratat, janë jashtë fushës së tyre, e normalisht shumë shpejt, edhe jashtë portofolit të tyre.

Ka fëmijë 8 vjeç me llogari 3 milion dollarë.
Ky milioner e shumë të tjerë, kanë lindur njëherësh me Rilindjen, ndaj dhe janë kaq unikal në botë.
Secili është më pasanik se secili.

Edhe lëngata e fundit, Rilindja, që erdhi pas lëngatës së nëmur “Me duar të Pastra”, 8 vjeçare është.
Lëngata e parë pat dhënë shpirt 8 vjeç. Edhe kjo në këtë moshë po ndalon frymëmarrjen.

Po si ka jetuar deri sot “Rilindja” dhe askush nuk gjeti gurë t’ja çajnë kokën hajdutit Edi Rama, apo t’ua thyejnë xhamat pronave që shihen gjithandej?

Ka vdekur demokracia, pasi hajdutët tundin milionat dhe njerëzia u lutet për ca thërrime?
Jo nuk ka vdekur demokracia, pasi këtej ende nuk ka lindur. Ose, edhe ka lindur, por ka lindur kufomë.

Këta kanë kapur thërrimet, kanë seleksionuar kufomat dhe bëjnë për çdo votim numërimin e skeleteve, që me zor zgjasin duart tek kosharja dhe i bëjnë fotografi vullnetit të tyre të detyruar.

Votohet për ndërrim portash të hajdutëve.

Se këta aq shumë i duan varfanjakët, sa as portat e lojës nuk i ndërrojnë pa pyetur sovranin. Kjo bëhet vetëm sa OSBE-ja dhe ODHIR-i të plotësojnë formularët, si me thënë, ka pranueshëm bereqet këtë vit.

Për bereqet, për bukë goje bëhet gjithë kjo luftë, edhe në vit ku Shqipëria është plot drogë dhe kjo pasuri do të ishte ëndërr edhe për një shtet si Amerika.

Prandaj Amerika ua ka prerë krahët hajdutëve, drogmenëve, kriminelëve. Të gjithë janë nën hetim, të gjithë janë të përgjuar në veprime dhe biseda telefonike, gati të gjithë nuk mund të udhëtojnë në perëndim se janë persona “non-grata”.

Pyetini, kur ishit për herë të fundit në SHBA, para se t’u bëni thirrje të mos rrinë indiferent, por të afrohen në politikë, ata të cilët nga frika e burgut fshehen, ose gjuajnë me gurë çdo iniciativë civilizuese.

Pra, nëna pasuri u ka prerë gjinin.

Edhe atij pak qumështi që kishte lënë pa mjelur Sali Berisha në vitin 2013, sot i është shtuar aq shumë ujë, i ka dalë përsipër shtetit, sa qeveria s’ka plaçkë tjeter për të ndarë, se tepsia është bosh dhe droga që do korret pas pak ditësh, mund të sjellë ngatërresa aq të forta, sa Lugina e Ujqërve mund të kthehet në kurth për vetë ujqërit. Aty në luginë, ka të ngjarë të kapen të gjithë këtë vjeshtë.

Seriali po përfundon.

George Soros-it, kujdestarit të këtij shteti rrumpallë, po i ngel bosh tepsia. Gjykata Supreme në SHBA, ka bllokuar fondet e OJQ-ve të mbështetura nga Fondacioni Soros. Rama nuk e përshëndeti Sorosin që po duron goditje të forta nga Donald Trump, por lutet nga Saraji i Surrelit që populli amerikan të votojë siç u intereson Taipit (Erdogan) në Stamboll, Sali Berishës ngujuar në Gji të Lalzit apo sulltaneshës Jozefinë që po ripërtëri metabolizmin, po stërvit sistemin e qarkullimit të gjakut dhe të zemrës, po teston aparatet lëvizëse, sipas porosive të Pëllumb Piperos në sarajet e saj në Razëm.

Po pse Fondacioni Soros po bie?

Normalisht, për shkak të abuzimit me paranë, për shkak të korrupsionit galopant, si këtu në Shqipërinë e varfanjakëve unikalë dhe pasanikëve po unikalë.

Kur një ish student i dhjetorit, Arben Çokaj, shkruante para 20 viteve në mediat e Danimarkës se Sali Berisha është kriminel i njerzimit, atij i ndodhi një tentative vrasjeje me makinë. Kur ai nuk zinte mënd, por guxonte sërish, u dëmtua rëndë fizikisht.

Edhe disa vite më vonë, kur ish kryeparlamentarja Topalli, kapte për zhelesh komunistët barkthatë të Edi Ramës, që ende nuk kishin vjedhur, kur kapardisej si sorrë maje mullarit se ka pasuri gjysmën e Shkodrës, nxirrte vetetima shteti kundër shtypit, që guxonte t’ja listonte pasuritë Jozit apo dinastisë së hajdutëve.

Jozi nuk ka gënjyer. Ka pasuri, ndoshta sa gjithë populli i Shkodrës. I gëzoftë. Por një formular dhe një formalitet do ta kalojë, si një e një bëjnë dy.

Kishte turizmin e vjeter të Shkodrës kjo pasanike. Sa ishte në pushtet e kishte se sot ka gjysmën e tij. Humbi pushtetin humbi gjysmën e asaj prone marramendëse.

Pse more, edhe prona shkon atje ku vete pushteti?

Kjo ka ndodhur. Atë pjesën që ish pronarët e vërtetë i thanë Jozefinës, na e kthe se na e ke vjedhur, bash kur Lulzim Basha e rrëzoi nga fiku për t’ja dorëzuar drejtësisë të xhveshur nga zhelet e pushtetit, e kanë ndarë sot në 34 pjesë.

Ka ndodh edhe kjo. Një pjesë shumë e vockël, nga tepritë pa peshë të kësaj sulltaneshe, kanë bërë të pasur 34 familje shkodrane.

Ka ndodhur kjo, se kështu është ligji. Në asnjë pronë nuk ka një pronar.

Atëherë thua, paska patur të drejtë dhe ideal të pastër Arben Çokaj, që dhjetë vite më parë në një të përditshme, e pagëzonte Sulltanesha e Shkodrës.

Po përveç idealit dhe besimit në fjalën e lirë, paska patur edhe kurriz të forte të përballojë ca formalitete, si kërcënata zabitësh, bllokim automjeti, ndjekje nga zagarë të pushtetit etj.

Kjo Sulltanesha e Arbenit, kishte privatizuar edhe ish Kinemanë Verore të Shkodrës, gjithë qëndrën e qytetit nga Kafja e Madhe e deri në rrugë të Perashit, ku janë ndërtuar e funksionojnë çerdhe, kopshte, shkolla 9-vjeçare, gjimnaze, saraje e vila ku janë vendosur shoqata dhe OJQ që i mjel përditë.

Kjo, që sot e gjithë ditën lakohen si shpëtimi i të djathtës shqiptare, ka pasuri shumë më tepër se kaq. Ato që duken dhe dihen, nga tunelet e ushtrisë së Enver Hoxhës në Ultësirën e nënshkkodrës, e deri në lartësitë e Bjeshkëve të Razmës turistike, janë një çmenduri përrallash me Shtojzovalle.

Një pasuri e tërë që normalisht nuk mund t’i kenë kursyer gjithë liderët e botës perëndimore se bashku, në kaq pak vite.

Llogaritë ekonomike duan vetëm aritmetikë të thjeshtë.

Bashkoni rrogat e Presidentit amerikan, atij francez, kryeministrave të Italise, Britanisë së Madhe, Kanadasë, Izraelit, kancelarëve gjermanë e deri dhjetëra kryeparlamentarëve të shteteve më potente, e fundorja është e vërteta kokëfortë. Të tërë së bashku, nuk kanë kursyer kaq pasuri sa Sheikja e Shkodrës.

Për këtë arsye shkruante ish studenti i guximshëm i dhjetorit, për këtë arsye përflitej gjithandej se ajo do sekuestrohet e dënohet si hajneshë dinamike në një shoqëri anemike.

Është kjo epoka, Ku Donald Trump, po shtyp gjithë oligarkitë, edhe këto të Tiranës zyrtare.

Sulltani i Surrelit e ka humbur logjikën.

Mirë t’i bëhet. Ka vjedhur aq shumë sa e ka zënë gjëja e huaj. Është në përpëlitjet e fundit. I kanë dështuar projektet në bashkpunim me Ilir Metën dhe Sali Berishën për destabilitet, përplasje civile, shpërndarje parlamenti, zgjedhje të parakohshme.

I zënë në rrjetën amerikane, Sulltani i Surrelit, i ka çuar haber të vetëshpallurës Sullatneshë e Shkodrës, që të rikthehet në pallatin e kalifatit, që t’i harrojnë zënkat e inatet e të bëhen bashkë kundër Donald Trump-it dhe Amerikës!

E shihni se si këto ditë çdo haber që del nga Pallati i Sulltanit të Surrelit, bëhet Jozefinë. Bëhet Jozefinë se bëhet lajm.

Por Jozefina nuk ka kapur vetëm lajmin. Ka kapur edhe fillin e Arianës së mitologjisë greke, me të njëjtin zell si karrigen e pushtetit, si kapistrën e një deveje monopateve të Arabisë Saudite, kur shkëlqente në thep të Olimpit, duke bërë pallë me paratë e taksapaguesve pabuks.

Ariana kujtohet sot se ç’mbështolli e mbështolli fillin çudibërës labirintheve të shpellës së Minotaurit, se ndihmoi Tezeun, Djalin e Egjeut, Mbretit të Athinës për të vrarë Minotaurin e keq që edhe ai ishte bir mbreti, djalë i Minos së Kretës.

Edhe në mitologji pra, lufta bëhej mes të fortësh, si sot.

Ndaj, Fillin e Arjanës e ka zënë për filli dhe po e zhdërvjellon një sojnike e kohëve moderne.

Këtu nuk kemi labirinthe shpellash.

Këtu, sulltanesha e krimit dhe show-it, shtrin fillin antiamerikan skutave të sarajeve të fshehura nga vëmëndja e njerëzisë që bërtasin fort, Amerikë, hajde na i sekuestro dhe arresto të gjithë, që nga Sulltanesha e Shkodrës, deri tek Sulltani i Surrelit. /Pamfleti

Artikulli përpara
Artikulli tjetër
- Reklama -

Më shumë shkrime

Shkrimet e fundit