Protesta në Serbi – hija e gjatë e komunizmit

0
336
Protesta - Serbi

Nga: Miodrag Soric, Opinion.al10/07/20

Agjentë të huaj – ata ishin! Forca të errëta përtej kufijve lëvizin fijet në demonstratat në Serbi. Presidenti Aleksandar Vuçiç është i sigurt për këtë. Vetëm disa javë më parë ai korri një fitore dërrmuese në të ashtuquajturat “zgjedhje”. Tani ai kontrollon dy të tretat e të gjitha vendeve në parlament. Kjo ia bën edhe më të vështirë të shpjegojë sfondin e trazirave, pakënaqësinë ndaj qeverisë së tij. Ose se si këta “agjentë të huaj” të vërtetë ose të shpikur mund të drejtojnë dhjetëra mijëra demonstrues në disa qytete.

Vuçiçi nuk i quan gjërat me emrin që kanë. Përhap vetëm teori konspirative, imazhe të vjetra të armikut komunist. Ai e ka mësuar këtë nga mentori i tij, krimineli Slobodan Milosheviç. Ashtu si ai, ai u shndërrua nga komunist në nacionalist dhe tani hiqet si demokrat. Nga Milosheviçi ai gjithashtu adoptoi metodat për të qëndruar në pushtet: persekutimin e opozitës, unifikimin e mediave, kontrollin e gjyqësorit. “Zgjedhjet” e fundit në Serbi nuk ishin zgjedhje – të paktën jo demokratike. Raportet e OSBE-së dhe të vëzhguesve të tjerë të zgjedhjeve flasin një gjuhë të qartë.

Banda gangsterësh kundër protestuesve

Populli i Serbisë ka demonstruar për natën e dytë radhazi sepse ndihet i mashtruar. Jo vetëm kur bëhet fjalë për zgjedhjet. Në javët e mëparshme, Vuçiçi i hoqi pothuajse të gjitha masat e kujdesit kundër përhapjes së pandemisë. Ai u hoq se e kishte krizën nën kontroll. Por pas zgjedhjeve, papritmas rezulton se gjithçka është shumë më keq sesa kishte thënë para zgjedhjeve: pandemia nuk ka të ndalur, e kërkon gjithnjë e më shumë jetë. Ekonomia është në rënie të lirë. Dhe presidenti përgjegjës luan rolin e të pafajshmit.

Vuçiçi tani dërgon bandat e tij të gangsterëve kundër protestuesve, njëherë me uniformë, ndonjëherë pa të. Po t’u besosh demonstruesve, me njerëzit në rrugë përzihen njerëz të shërbimit të fshehtë, bëhen të dhunshëm në mënyrë që të shkatërrojnë rezistencën. Policia nuk qëndron aspak e përmbajtur, siç pretendon Vuçiçi. Ka shumë foto të rojeve të sigurisë që rrahin shkopinj burra dhe gra të shtrirë në tokë dhe madje edhe fëmijë. Forcat e sigurisë së Serbisë janë një turp për këtë vend për dekada.

Serbia nuk është demokraci. Për sa kohë që mbetet kështu, ajo nuk ka ç’kërkon në Bashkimin Evropian. BE i mjaftojnë liderët autokratë në radhët e tij nga Evropa Qendrore Lindore. Jo dhe një tjetër nga ky lloj që duhet të bashkëfinancohet nga komuniteti.

Kancelarja duhet të veprojë

Angela Merkel gjeti fjalë bukurtingëlluese në Bruksel në fillim të Presidencës gjermane të BE për rëndësinë e sundimit të ligjit dhe të demokracisë në Evropë. Këto deklarime kthehen në politika të besueshme vetëm kur kancelarja vepron në përputhje me to – për shembull duke pezulluar negociatat e pranimit me Serbinë për sa kohë që është në pushtet Vuçiçi. Brukseli gjithashtu duhet të kryejë një hetim të pavarur se kush është përgjegjës për sulmet brutale kundër demonstruesve. Po të refuzojë Serbia të bashkëpunojë, BE në të ardhmen duhet t’u refuzojë hyrjen në komunitet shefave të policisë, të Ministrive të Brendshme dhe të Mbrojtjes. BE nuk duhet t’i lejojë ata të shpëtojnë. Kancelarja e ka mbështetur shumë gjatë Vuçiçin. Ai mund të linte një njollë të errët në kancelarinë e saj të suksesshme.

Forca e Vuçiçit është dobësia e kundërshtarëve të tij: opozita serbe është e përçarë. Përveç kësaj, ateisti Vuçiç arriti gjithashtu të bëjë për vete Kishën Ortodokse Serbe. Më saktë: disa peshkopë – si ai në Vojvodina – kanë lejuar të mbrehen në karrocën e tij. Vuçiçi kontrollon aparatin shtetëror dhe të gjitha burimet e lidhura me të. Për sa kohë që vazhdon kjo, ai i bie të qëndrojë në pushtet.

Eksodi i serbëve

Në aspektet tragjike bën pjesë që situata nuk është aq e keqe për Perëndimin. Ka paqe në Ballkan, serbë të rinj dhe të arsimuar largohen nga vendi për ta kërkuar fatin e tyre në Kanada, Francë apo Gjermani. Nëse kur u shpërbë Jugosllavia në vend jetonin rreth dhjetë milionë serbë, numri tani është shtatë, ndoshta vetëm dy deri në tre milionë për disa dekada. Problemi i popullit të paqetë në Ballkan do të zgjidhet vetvetiu. Para së gjithash, në sajë të Aleksandar Vuçiçit dhe mbështetësve të tij. /DW