KUJTESA E PËRLINDJEVE

0
493
Limon Geci

Nëse dimë të jemi të zotët e vetes dhe të historisë, populli ynë kurrë s’do të kërcënohej më nga fqinjët pushtues. Ne s´bën t’i ndahemi kurrë aleatit tonë shpirtëror dhe strategjik SHBA-së, dhe shteteve që përkrahin çështjen tonë kombëtare. Historia, letërsia, arti dhe shkencat shqiptare, me krenari bartin të kaluarën dhe të tashmen e popullit tonë. At´krenari përlindëse, duhet ta plotësojmë dhe ta rishkruajmë me të dhëna të reja e për së mbari. Ëndërritjet e vullnetit s´pushojnë, lëvizin!

Vendlindja ime, Rogana është e moçme sa fjalët e gjuhës shqipe; bukë, ujë, tokë, prush, zjarr, diell, hënë, nënë, vëlla, motër, dashuri, liri e tjera e tjera. Duke bërë këtë shkrim për jetën dhe veprimtarinë e prindërve të mi, Limon dhe Naxhije Gecit, jo rrallë dora më dridhej, dhe zemra më kullonte gjak, nga ato kujtime plotë vuajtje, mundime dhe beteja. Jeta nën sundimin serb, ishte jetë e të shtypurit, jetë e të poshtëruarit, jetë e krenarisë së plagosur.

Veprimtaria e Limon Gecit, por edhe e patriotëve të tjerë të fshatit, ishte nën ndikim të burrave të shquar të Roganës. Babai im kishte mësuar shumë nga Zymer Rrudhani, një ish ushtar në oborrin e Sulltanit turk, e që ishte arratisur nga oborri “sulltanor” i turkut. Zymeri ishte edhe luftëtar edhe i ditur.

Popujt e vegjël s’shuhen nga lufta, por nga heshtja, e thoshte shpesh Balë Geci. Ardhja e Abetares në Roganë ishte një ngjarje për dijësit. Udha drejt lirisë nuk bëhet pa gjak, pa shkronja e libra i pat thënë gjyshi, prindit tim në një mëngjes tek po pinin kafenë.

Luftërat e pashkruara janë lufta të harruara. Naxhije, i thoshte babi mamas sime, shkronjat ma kanë marr gjumin. E ndiejë veten të palumtur që nuk e pata fatin të shkollohem si fëmijët tanë. Natën kur të gjithë flejnë, i thoshte babai nënës, unë bëj luftën time, luftën e pasosur të kraharorit. Luftën për lirinë e munguar dhe prapambetjen me popujt tjerë.

Kjo luftë, i thoshte nënës sime babai, nuk di se kur do të mbaron. Por, kur vajta në Shkodër të bleja libra për fëmijët, libërshitësi i Shkodrës më pat thënë: – Mik, 7 shkronja në Abetare janë vetimë dhe kushtrim, ndërsa shkronjat e tjera, bashkëtingëlloret, janë bubullima të së tërës, të palujtshme.

Nuk ishte e lehtë, rrëfente im At, ta bëje dorën grusht, ose t’ia ngresh këmbëzën qarkut të pushkës kundër armikut. Rreth 60 mijë kilometra katrorë të tokës shqiptare ende i kemi nën qiell e sundim të huaj. Limon Geci ishte një njeri me formim kombëtar. Pemët që i kemi në kopsht, thoshte im at, kurrë s’flejnë, ato s’i lë të bëjnë gjumë rrënja, uji i thellësive, erërat, agimet plotë diell, dhe shirat. Mirëpo, ne njerëzit e këtij vendi s´guxojmë të jem të urtë si pemët.

Babai dhe nëna ime e njihnin artin e bujqësisë, ata thoshin se kjo tokë e përjetshme është fati ynë. Kjo tokë na e jep bukën, andaj, kësaj toke duhet t’i dalim zot. Nuk ka mësues më të mirë sesa vetëdija, përvoja dhe guximi. Asnjë jetë nuk kalon pa pikëllime. Tek njeriu forca fizike plaket, ndërsa forca psikike nuk njeh mplakje.

Drejtimi i ekonomisë shtëpiake për bujkun, Limon Gecin, nuk ishte aq i thjesht të qeveriset. Në luftën për liri shprehej im at, shkopin ma të rëndë që mund ta pëson një popull, mund ta ketë nga historia e konferencave, dhe nga raporti i marrëdhënieve me fuqitë e mëdha. Kosova kurrë s´ka qenë pa burra të mençur, dhe trima kryengritës. Limon Geci dhe Naxhije Geci ishin një shembull bashkëshortësh të dashuruar në epikën e tokës së tyre. Toka e vë në provë atë që punon. Kodra e Brijës dhe pylli në vazhdim, gjatë gjithë verës janë kullosa të mira për të gjithë fshatin. Ai pak ujë është një jetëdhënës për ne.

Patrioti dhe veprimtari, Limon Geci, lindi më 03. 04. 1911, në Roganë të Dardanës. Limon Geci shkollë fillore nuk kreu, por e ndjeki një kurs për shkrim-këndim, dhe Matematikë. Kjo pak shkollë prindit tim i ndihmoi shumë në jetën e tij. Falë atij pak shkollimi, Limon Geci e mësoi shkrim leximin, matematikën, dhe historinë, dhe u aftësua ta lexojë e kuptojë për së mbari shkollën e jetës. Rogana dhe historia kryengritëse e Roganës qenë frymëzim për qytetari dhe veprimtari patriotike. Im at, dhe ime mëmë, ishin të dashuruarit e tokës së tyre. Babit tim i pëlqente shumë stina e mbjelljeve, ndërsa mamit stina e bukur e pjekjeve, pranvera dhe vera. Të gjitha hyrjet nëpër stinë I ndjenin shpirtërisht.

Naxhije Geci, ( bashkëshortja e Limonit ) u lind, me 25. O3. 1917, në fshatin Breznicë, të Krahinës të Mollës së Kuqe. Ajo ishte intelegjente edhe pse nuk ishte e shkolluar. Ajo shkrim-leximin e kishte mësuar nga fëmijët e saj. Nëntë poezi të rilindasve i kishte mësuar përmendësh dhe i recitonte bukur në pauza punësh, (veçmas kur thurte me kërrabëz ) dhe nëpër dasma grash.

Naxhije Geci këndonte shumë bukur. Ajo kishte krijuar edhe disa poezi të saj, por unë e kujtoj vetëm këtë poezi; O zog që këndon në pemë / Udhën mos e humb kah shtëpia / sigurisht edhe ti ke motra e vëllëzër / që të duan dhe janë të përmalluar!.. Në ato vite të pushtimit të egër serb, Serbia ia kishte vënë thonjtë në fyt Kosovës, dhe donte ta mbyste me tatime, kërcënime, varfëri, analfabetizëm dhe gjakmarrje.

Lufta për të mbijetuar herë-herë, ishte e pashpresë. Por, i mbijetuari i ka çastet e tij heroike. Në ato vite të rënda nën pushtim jo njëherë, por disa herë, në këmbë rrëfente prindi im, kam udhëtuar, Roganë-Prishtinë-Gjakovë, Shkodër dhe Shkodër Gjakovë-Prishtinë-Roganë, për të siguruar, kripë, stof dhe libra. Ne e dinim thoshte im At, se dielli nuk digjet, as ajri, as qielli, as toka nuk harxhohen. Ne duhej të përpiqeshim vetë që të lëviznim përpara. Kështu ne ia shtonim detyrat vetes. Vetëm të shkolluar, dhe me arsim të mirëfilltë, shprehej babai, Kosovën mund ta bëjmë më të begatë e të rehatshme për të gjitha kohërat.

Liria jonë shprehej Limon Geci, nuk është larg, dhe as s´mund të jetë larg. Por, kalimin duhet ta bëjmë nëpër udhë të vështira, nëpër ngushtica kohërash. Njohja e historisë, thoshte im at, është mësim i domosdoshëm, mësim i së ardhmes. Prindërit e mi, Naxhija, dhe Limoni, ishin prindër të zgjuar. Ata i lindën shtatë fëmijë, 5 djem dhe 2 vajza; Shabanin, Bajramin, Kadriun, Hajrien, Hysnien, Rrustemin dhe Azemin. Limon Geci ishte patriot i flakët, arsimdashës i dëshmuar dhe njeri me autoritet në fashat.

Djali i tij i madhi, Shaban Geci, ishte profesor letërsie dhe mjek. Shabani, doktoroi në shkencat e mjekësisë në rrethana tejet dramatike. Limon Geci në Roganë ishte i afërt me të gjithë fshatarët. Në kohën e Rinisë së tij, ai bashkëvepronte me Balë Gecin, Hamdi Behën, Metush Krasniqin, Mon Qehajën, Shefki e Haki Kallabën, Rasim Rrudhanin dhe bashkëpatriotë nga fshatrat përrreth.

Limon Gecit nuk i pëlqenin mitet e rreme, dhe as mashtrimet që ia bënte armiku popullit. Ai ishte i drejtpërdrejtë. Betejat kundër telallëve të pushtetit, im at i fshikullonte. Limon Geci dhe Metush Krasniqi njiheshin shumë mirë. Me Metushin Gecët ishin miq shtëpie. Vëllai i Limonit, Metush Geci, e kishte vajzën për nipin e Metushit, Ramiz Krasniqin, profesor historie. Im at dhe Metush Krasniqi pajtoheshin për një lëvizje këndër pushtimit serb. Brezi ynë shprehej Metush Krasniqi, (rrëfim i Limon Gecit ) ka fuqinë e këngës dhe çdo i aftë që di të këndojë është i aftë të bëjë çlirimtarin, të tërheq këmbëzën e pushkës. Patrioti Metush Krasniqi, edhepse ishte shumë më ri se babai im, ai nderohej dhe respektohej, për idetë dhe aktivitetet e tij çlirimtare.

Në Aksionin famëkeq të armëve, popullata shqiptare në Kosovë, po edhe ajo në Roganë u rrah dhe u ndëshkua me shkopin e xhelatit nga Udbashët e Rankoviqit. Gjëma e aksionit të armëve në Roganë, por edhe gjithandej Kosovës ishte tmerruese. UDB-ja po ndëshkonte me shkop në dorë krenarinë e burrave të Roganës, dhe krenarinë e popullit për liri. Kemi shumë detyra për të bërë thoshte Metush Krasniqi. Burgjet janë të mbushura plot me ne. Ne luftë ne do bëjmë luftën tonë.

Limon Geci i mbante në mend ato ngjarje të përjetuara në kurrizin e tij. Ngrirja e nënës së Metush Krasniqit në borë (në kohën e aksionit të armëve) dhe e një gruaje tjetër me të, e kishte zemëruar së tepërmi popullatën shqiptare. Metushi ishte i mençur, ne do të luftojmë, dhe do të fitojmë, por, jo në çastin kur do armiku.

Në një mbrëmje dimri, në një debat familjar mamaja ime i bëri një pyetje të fortë babait; O Limon, kështu e thërriste ajo babain, a bëhet historia e lirë ndonjëherë, pse historia nuk vjen në Roganë për ta pare popullin se si po jeton. Motra ime e madhe Hajria ju hodh në krah mamasë dhe e përqafoi fortë për atë debat të fortë me babanë. Naxhije, – u përgjigj babai, – historia është këtu, por fëmijët tanë, këta duhet ta gëzojnë e ta shkruajnë. Që t’i arrijmë qëllimet tona, u shpreh im At, është e domosdoshme mëkambja ekonomike, arsimimi i popullatës, dhe lufta e pakompromis kundër armikut.

Veprimtari Limon Geci kryesisht merrej me bujqësi dhe tregëti. Ekonomikisht qëndronte mirë. Ai kryesisht merrej me tregëti, dhe jo rrallë shkonte në Shkup, Shkodër dhe Tiranë. Në çdo vajtje-ardhje Limon Geci sillte në shtëpi për 3 djemtë e tij, dhe 3 djemtë e vëllait të tij, libra nga historia, gjeografia, matematika, dhe monografi nga lashtësia.

Kam qenë në klasen e katërt të fillores, kur babai im e merrte bashkë me farën e të mbjellave, (në duqi), librin e Barletit, “Skënderbeun”, për ta lexuar në pushim të lavrës, duke e përjetuar hyjnueshëm kohën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Në këtë jetë, ofshante babai im, kam shumë pyetje, por, si t´ia marrë përgjigjjen.

Është interesant të thuhet se Limon Geci, në arkivin e Ushtrisë Jugosllave, në dosjen e tij, figuronte i vrarë nga forcat serbe të sigurimit serb. Me këtë dënim të fshehtë, Limon Geci, jetoi 3o vjet, “si i vrarë nga sigurimi serb“. Njëzet vjet pa vdekë, babait tim, këtë lajm ia tha Bejtë Teneqexhiu, nga fshati Roganë. Bejta i kishte treguar, se Shërbimi sekret i Ushtrisë Jugosllave, ishte interesuar shumë për Limon Gecin, duke u thënë oficerëve rezervë në Roganë, se Limon Geci, është i vrarë, nga forcat e sigurimit, dhe mos u habitni, nëse ai një ditë do të gjendet i vrarë.

Bejtë Teneqexhiu kishte reaguar, por, reaguar kishin edhe të tjerët, duke shprehur habi para eprorit të sigurimit dhe duke e pohuar se Limon Geci është njeriu më simbol në fshat. Majori i sigurimit kishte heshtur për një çast, dhe duke e parë reagimin e tyre, u kishte thënë, ndoshta do e shtymë vrasjen e tij. Sepse dënimi i Limonit me dënim kapital, ka të bëjë me të kaluarën e familjes Geci. Të gjithë ishin shtangur nga habia i kishte thënë Bejta, reagimi ynë qe i ashpër dhe kundërshtues. Oficeri heshti dhe tha se ka mundësi që ta shtyjmë vrasjen e Limonit. Shërbimi i UDB-së, u gjente punë spiunëve. E mbaj mend edhe unë, (autori i këtij shkrimi ) se në çdo festë kombëtare, shtëpia jonë, ishte e rrethuar, dhe në vëzhgim të përhershëm nga spiunët e fshatit, dhe të qendrës. Më duhet të them se shtëpia jonë ishte plotë libra, revista dhe gazeta, që ishte gjë e rrallë në atë kohë. Vëllai im, Shaban Geci, studionte Allbanalogjinë në Beograd, dhe për nevoja të studimeve, Ambasada e Shqipërisë në Beograd, u kishte dhënë libra, nga se ai studionte letërsinë shqipe.

Më duhet ta them se, shtëpia jonë mbrëmjeve ishte si shkollë. Meqenëse ne ishim 7 fëmijë, plus dhe 8 fëmijët të xhaxhait, bëheshim 15-të dhe jo rrallë, bënim gara me njëri tjerin, cili po lexon ma shumë libra, cili po reciton dhe këndon ma bukur. Motrat e mia Hysnia dhe dhe Hajria, po dhe kushërira jonë Makfirja, këndonin jashtëzakonisht bukur. Ato shpërndanin këngë patriotike, nëpër dasma, dhe “promovime” nusesh. Edhepse dukjet ishin të vogla, Kosova lëvizte përpara. Në shkollë kishte atmosferë garash. Nxënësit e shkëlqyeshëm respektoheshin shumë nga fshatarët. Këtë terr shprehej babai im, ne vetë duhet ta mbysim. Nëna ime, Naxhije Geci, kishte plot elan për punë dhe nuk ia shkonte kush as në punët e kuzhinës, as në punët e fushës dhe ishte një krah i fortë për bababin.

Në atë kohë gruri korrej me drapër. Jeta e Limon Gecit ishte e veçantë. Ai ishte rritur jetim, pa njërin prind. Limon Gecit, babait tim, prindi ju kishte vra ushtar në Suboticë, në Luftën e parë botërore. Ndërsa, tre vëllëzërit e gjyshit të tij, Rrustem Geci dhe Azem Geci, qenë pushkatuar ma vonë nga Rexhimi i Krajlit, njëri në Burgun e Prishtinës, kurse Azemi në pusi nga Çetnikët serb të Krajlit, ndërsa Ramë Geci, mbeti përjetë i pagjetur. Duhet të theksoj s´e Azem Geci, bashkë me Murat Kryeziun, ishin Organizator të kryengritjeve për Anamoravën e Hogoshtit, dhe të Karadakut. Azem Geci, dhe Murat Kryeziu, njiheshin mirë me Bajram Currin. Ata u njohën në Luftën e Shkupit.

Nga Rogana në atë luftë, mbetën të vrarë 18 luftëtarë. Në Shkup, Azemi dhe Murati marrin detyra të reja, nga vet Bajram Curri. Rogana në historinë e saj 100 vjeçare, lirisë së Kosovës i dha 75 luftëtarë në beteja të ndryshme. Në Masakren e serbëve në Gjilan, nga Rogana u pushkatuan 25 burra, kryengritës të lirisë.

Im at në moshën 3 vjeçare mbetet pa prindin e tij, Bajramin. Sipas rrëfimeve të tij ai nuk e mbante në mend prindin e vet. Hanife Geci, (një nënë luaneshë) diti t´i rris fëmijët e saj, Limonin dhe Metushin, duke mos lënë të thahet pema e gjakut të burrit të saj. Nëna Nifë, siç i thërrisnim ne gjyshes tonë, 15 vjet i qëndroi pretendentëve të fshatit, derisa u burrëruan, Limoni dhe Metushi.

Dramat familjare të plagëve të luftës, janë të pashpirt. Ato gërryejnë dhe groposin pjesët më të lumtura të jetës. Rruga drejt së vërtetës nuk ecën pa gjak. Popujt e vegjël, – thoshte babai im, – nuk shuhen nga lufta, por nga heshtja dhe mosbërja gjë. Rogana në vitin 2020 ka 3 mijë banor, 210 biznese, shkollën nëntë vjeçare, dhe shkollën e mesme, me rreth 1 mijë nxënës, dhe 70 mësues, arsimtarë dhe profesorë i dijësojnë nxënësit e fshatit. Për 75 vjet të punës të shkollës shqipe në Roganë, ajo është shembull për të mirë në Anamoravën e Hogoshtit, të Vitisë dhe të Gjilanit.

Rogana deri në 2020-ten, arsimit, shkencës dhe letërsisë shqipe në Kosovë i ka dhënë, 7 doktor shkencash, 21 magjistra, 13 shhkrimtarë, kompozitor, piktor, regjisor, dhe mbi 100 profesorë të profesioneve të ndryshme. Rogana në vitin 2020, shquhet për Klubin e Alpinistëve dhe të Atletikës, klub ky i cili Roganën dhe Kosovën e nderoi në garat e Ballkanike si dhe në garat olimpike në Rio të Brazilit, duke i sjellë Kosovës çmime e medale të panumërta. Ardhja e Abetares nga Tirana e Shkodra në Roganë, ishte një ngjarje e madhe tregonte im at. Fara e Abetares (pas pesëqind vjet të sundimit turk, e mëpastaj serb e bullgar) më në fund po mbinte edhe në Roganë. Në Roganë, na thoshte babai, pylli kurrë s´e ka fshehur diellin e as gjelbërimin! Eseja vazhdon…

Atdhe GeciDortmund, 2020