BOLSHEVIKU RADE

0
604
Faslli Haliti - vizatim nga HH

HELIDON H: PORTRET, LAPS

FASLLI HALITI

Shpallja kulak e Sefi Dushit në fshatin tonë pritej, pasi Sefiu ishte bujku më i pasur dhe i prekur rëndë nga Reforma Agrare, por ajo që e habiti fshatin qe sepse Sefiun nuk e braktisën djemtë e tij, siç bënë disa të tjerë me baballarët e tyre të shpallur kulakë nga Fronti Demokratik.

Iu lumtë djemve të Sefi Dushit që nuk e braktisën babanë e tyre si djemtë e Liko Lumit që e mohuan babanë deri në atë pikë sa Liko u bë punëtor komunaleje për pstrimin e ujërave të zeza dhe të plehërat të qytetit, sidomos për ditë pazari.

* * *

Kudo lavdëroheshin, jo vetëm në fshat, por deri në qytet, flitej me simpati për ta që shpallja e të atit kulak, i bëri ata më të afërt, më të lidhur me të atin. Kulak stërkulak Sefi Dushi është babai ynë dhe ne vetëm vdekja na ndan me të, thoshin ata lart e poshtë nëpër fshat. Ne jemi krenarë për babanë tonë. Ai na ka rritur me djersë të kulluar. Bujqit e tij kemi qenë ne, dhe vetëm ne, së bashku me motrat dhe nënën tonë. Arat që na i mori Agrarja, babai ynë i kishte blerë me flori djerse të bardhë sema.

Babai ynë as ka vjedhur as ka vrarë as ka bërë turpe e as ka spiunuar kënd gjatë gjithë kohës, kur spiunët të ngatërroheshin si qentë e macet nëpër këmbë, kurse babai ynë nuk ka qenë e nuk është as si qeni e as si macja, ai ka qenë dhe është një ka i fuqishëm pune dhe si i tillë, i ka urryer dhe i urren spiunët dhe smirëzinjtë dhe, jo vetëm kaq, por ai na mëson që dhe ne, t’i urrejmë ata njëlloj, si vetë ai. Kjo ishte arsyeja që Sefi Beu e urrente Rade Dakën, sepse ai ishte edhe smirëzi edhe spiun i komunistëve. Megjithatë, prapë, nuk ishte kjo arsyeja vërtet… Rade Daka nuk kishte kursyer as xhaxhanë e vet, të cilin e spiunoi dhe jo vetëm e bëri kulak, por edhe e futi në burg. E si mund të kursente ai babanë tonë Sefi Dushin ?!

* * *

Veç kësaj, fshati u habit nga urrejtja e çmendur që kishte Sefi Dushi dhe djemtë e tij për Rade Dakën, vetëm e vetëm pse ai pranoi të merrte arën e tyre nga Reforma Agrare. Kjo ishte njëra nga arsyet, por inati më i tërbimshëm i Sefi Dushit dhe i djemve të tij ndaj Rades, lidhej me dashurinë që kishte motra e tyre për Rade Dakën, sepse, ndërsa ai bënte dashuri me motrën e tyre dhe të bijën e Sefiut, në arat me luledielli, si Grigor Melehovi me Aksinjën, dy personazhe të romanit «Doni i qetë», vëllimi i parë i të cilit sapo ishte botuar dhe pjesët me dashuri të romanit lexoheshin, pothuaj nga gjithë të rinjtë e të rejat e fshatit e të qytetit, me shkollë apo gjysmë analfabetë, Rade Daka duke imituar Grigor Melehovin bënte dashuri me të bijën e kulakut arave me luledielli. Dashuri bënte por nuk pranonte që nuk pranonte të martohej kurrsesi me të. Djemtë e kulakut dhe vetë Sefi Dushi bënë çmos që ta bindnin Raden të martohej me Serveten e tyre të bukur. Kë s’futën ata, që t’i mbushnin mendjen Rades të martohej me vajzën e tyre. I premtuan edhe flori, por Rade Daka as që ua fishkëlleu fare.

Thonë se i pështyu florinjtë e tyre… Madje u fol se e pshurri qesen me flori… Por ajo që e nxiu dhe e bëri katran me bojë, Sefi beun dhe djemtë e tij ishte dita e zezë, kur Sefi Beu u ankua për Rade bolshevikun se, po harbonte me vajzën e tij arave me misër e luledielli. Pas ankesës së Sefi kulakut, Rade Dakën e thirrën në Komitet të Partisë dhe e kritikuan rëndë pse harbonte arave dhe po i merrte nderin vajzës së Sefi Beut. Punë e madhe, tha Rade Daka, nderin e vajzës së kulakut mora; nderin e vajzës së atyre që na kanë çnderuar gjithë jetën. Dhe si i përkëdheluri i partisë dhe i pushtetit në rreth, Rade Daka ia dha një të qeshure të madhe sa edhe vetë shokët e Komitetit të Partisë qeshën me lot. Po pse o Rade kështu qenka puna: «Në ato maja rripa rripa/një herë ma hipe një herë ta hipa?” Radja ia dha përsëri të qeshurës: ha, ha ha, ha.

Ik o Rade, ik; ik o dreq ik e mos hip e mos zbrit më në ato maja rripa rripa, se do të biesh e do të thyesh qafën ndonjë ditë: ha ha ha, qeshi Rade bolsheviku dhe u tha:

E di si ishte ajo or shokë? brumë. Brumë or brumë i kishte kofshët dhe gjinjtë, sa gishtat e duarve të mia, linin shenjë në kofshët dhe gjinjtë saj. Apo s’e ngordhte atë të shkretë punë (shokët e komitetit ulën kokat) një dynym grurë bëhej lëmazhd, rrogoz sa herë që ne bënim atë punë, mes grurit. Ajo e kishte zakon apo kënaqësi që i ngrinte bythët një pëllëmbë mbi tokë dhe tërhiqej bythas e bythas nëpër grurë…

Këtë herë asnjë nga shokët e Komitetit të Partisë nuk e ngriti kokën, s’e panë fare Raden në sy. Ai e kishte tepruar para tyre duke përfituar si ish partizani më i ri e më i përkëdhelur i Brigadës X Sulmuese. Ai po tregohej cinik e mburravec para tyre, sikur secili prej tyre të ishte babai dhe të gjithë së bashku të ishin vëllezërit e vajzës së beut… Gjithë kuadrot e partisë e të pushtetit në rreth, i lëshonin pe Rades, sepse ai, nuk ia përtonte t’i shkruante letër ish komandantit të Brigadës Sulmuese që sapo ishte bërë anëtar Byroje dhe…

Thuhej se Rade bolsheviku, e merrte byroistin në telefon dhe i këndonte këngën e Grykës së Mezhgoranit, këngën e një beteje teh më teh bajonete, midis partizanëve e nazistëve gjermanë. Ish partizani Rade Daka, e dinte se ish komandanti i Brigadës, e kishte pikë të dobët këtë këngë, ku: «Shoku Asim del jasht nga istikami /Dhe si dragua hidhet mbi ushtri/ Në sulm o shok për nder të këtij vatani / Në sulm shqiptari po hidhet për liri.

Asim Zeneli u derdh si llavë vullkanike, mbi nazistët gjermanë. Ai u shndërrua në një dragua. Llava e kuqe, përvëluese e betejës partizane, buçima e së cilës s’do të shuhej gjer në çlirimin e vendit, gjëmimi i së cilës do të vazhdonte ende e nxehtë përvëluese për të mos u ftohur kurrë.

* * *

Kur mori vesh Sefi Beu se ç’kishte thënë Rade bolsheviku në Komitet të Partisë, se Rade Daka, jo vetëm i kishte marrë e i kishte lëruar e mbjellë atë me misër, por njëherësh ia kish lëruar edhe të bijën, i ra qielli në kokë, thirri djalin e madh dhe i tha të shkonte të vriste Rade pushtobolshevikun. Po, po, ta vriste atje në mes të misrit. T’ia përmbyste misrin e blertë e t’ia mbulonte flakë gjaku, që të vinte në vend nderin e nëpërkëmbur të vajzës. Djali i madh, nuk ia bëri dysh fjalën të atit. Peqe, i tha babait. Por me t’u larguar nga i ati nisi të mendonte thellë; jo ti s’do ta vrasësh pushtobolshevikun Rade Daka i tha prerë vetes së tij. Mirë, mirë, mirë e ke ti baba, i tha përsëri vetes, por e di se çdo të thotë të qëllosh mbi ish Rade Dakën, ish partizanin e Betejës së Grykës së Mezhgoranit që ka luftuar përbri Asim Zenelit, tha përsëri me vete djali i bejkulakut. Të qëllosh mbi Rade bolshevikun, do të thotë të qëllosh mbi Pushtetin Popullor, mbi ish komandantin e ish partizanit Rade, mbi Asim Zenelin, mbi byroistin, do të thotë që ne të dy, babë e bir, të lëkundemi me litar në fyt në një trekëndësh, ngritur në qendër të fshatit.

Unë, baba, mërmëriti përsëri, me vete ai, do të mjaftohem, që t’ia rrafshoj, t’ia shtroj rrogoz përtokë gjithë misrin e arës Rade bolshevikut, me qëllim që atij t’i mbeten fëmijët, gjithë njerëzit e shtëpisë pa bukë, të vdesin urie gjatë gjithë dimrit që ka gjasa të jetë i egër, i zi, me uri të zezë, tha me vete i vendosur, pa një pa dy, djali i Sefi bejkulakut. Ishte kohë zie dhe jo një kohë zie si dokudo, por kohë zie, zie buke… Dhe kur Rade bolsheviku të vente e t’i kërkonte misër Sefi bejkulakut në pikë të dimrit, për të shpëtuar nga uria, fëmijët, gjithë pjesëtarët e tjerë të shtëpisë, Sefi Beu do të shqyhej, gajasej së qeshuri e do t’ia mbushte thesin me të qeshurat e tij si kujë vajtojcash profesioniste, do të bënte me Rade bolshevikun, atë që bëri milingona me gjinkallën, kur i vajti e i kërkoi grurë në palcë të dimrit.

Djali i madh i bejkulakut Sefi, nuk e vuri në dijeni të atin për vendimin e tij butak që kishte marrë, pa e pyetur fare të atin, vendim ky që vërtet nuk ua vinte nderin në vend, por ishte shpëtimtar ama. Kështu djali i kulakut shpëtonte veten dhe të atin nga litari apo plumbi, kështu ata s’do t’i shihte fshati të lëkundeshin në litar apo t’i përcillte te Çezma e Kalifasë, ku armiqtë e klasës dërgoheshin me daulle e saze për t’i pushkatuar. Kështu ai vetë dhe i ati do të mbeteshin gjallë dhe fëmijët, nipat e mbesat nuk do të mbeteshin jetim dhe fisi nuk do të serdisej kampeve të internimit maleve e grykave të Tepelenës, Gërhotit, Grabianit…

* * *

Rade Daka, arën e Sefi Beut që ia dha Agrarja, e mbolli misër farë vendi. Edhe pse ishte fare i ri, bujk pa përvojë, misri i Rade Dakës tërboi në gjelbërim. Misri kishte një ngjyrë kobalt si ngjyra që merr deti në kohë të vërejtur. Degët kishin të njëjtën lartësi, si në mes dhe në anë të arës, gjë që tregonte se ara ishte ushqyer me pleh kudo njëlloj si ne mes dhe në anë të saj.

Rade Daka, shkonte dhe e shihte misrin vetëm në mëngjes herët. Kalonte buzë arës e vështronte dhe kënaqej me ngjyrën e gjelbër në të thellë. Aty, ku disa degë ishin të verdha, si të veremosura, Radja shpejtonte hapin, nuk i shihte me sy ato degë të sëmura. Ara i dukej si të ishte një sanatorium dhe e kapte një trishtim i thellë, ndjente dhimbje në gjoks, por aty ku misri, tërbonte, harlisej dhe gjethet luanin me erën e blertë të mëngjesit ngjyrë pjepri.

Atëherë bujku i ri Rade Daka që Sefi Dushi, i vuri nofkën Rade bolsheviku, ngaqë Radja linte kokën për Pushtetin e ri komunist, për të cilin nuk kursente as kokën e babait të vet, ulej në bisht në krye të arës dhe nuk ngopej se vështruari misrin që harbonte në një blerim, gati, serë të zi. Pasi ngopej me pamjen e tij çohej dhe i binte arës kryq e tërthor. Nuk i rrihej pa u futur mes misrit për të parë një për një degët dhe niste e i përkëdhelte ato si të ishin vajzat e tij të veshura me fustane të gjelbra. Edhe pse ende në prag të lidhjes së kallirit, që tani ai shihte se çdo degë kishte ngjizur nga dy, tre, katër, mase dhe pesë kallinj. Pesë cepa kishte ylli partizan, pesë kallinj do të kishte edhe çdo degë e misrit tim, i thoshte kujto bujku që takonte Rade Daka.

* * *

Një mëngjes Radja u habit dhe, gati, ia dha ulërimës. Një vazhdë e tërë degësh tejembanë arës si një rrogoz i blertë, i gjatë, ishte përkulur e shtruar përtokë. Dikush kishte kaluar e i kishte thyer e bërë lesë degët e misrit. Kush të ishte vallë? Ndonjë derr i egër, i ndjekur nga gjahtarët? I pa dhe një herë i erdhi për të qarë. Ktheu kokën mënjanë. Nuk e shihte dot atë thyerje degësh rrogoz në gjatësinë e arës. I dukeshin si të ishin gjymtyrët e thyera të fëmijëve, nipërve, mbesave të tij, mbase edhe të gjithë fëmijëve, nipave dhe mbesave të fshatit. Zuri t’i ngrinte, t’i drejtonte degët e rrëzuara përtokë, por vetëm ato që nuk ishin thyer.

Të nesërmen në mëngjes, Radja pa një vazhdë tjetër degësh të gjelbra të përkulura, por jo të rrëzuara rrafsh me tokën. Po kështu edhe mëngjesin e ditës se tretë e të katërt. Kush ia thyente, kush ia rrafshonte kështu misrin atij? Gati sa s’bërtiti, sa s’ulëriti e nuk vuri kujën. Ndjente sikur dikush i kishte thyer brinjët duart, krahët, këmbët aq sa, vetja po i dukej si trung i rrëzuar gjatë e gjerë mes arës… Ç’të ishte kjo kështu? Dikush që s’e shihte me sy si njeri të përkrahur, të përkëdhelur nga Pushteti komunist që i dha tokën zhelanit. Po, po, një i tillë është ai që nuk ia mban bytha të rroket me mua dhe mbërthehet me degët e misrin tim që tërbon nga ngjyra e gjelbër e fortë, ngjyrë e cila në vend që t’ia qetësoi, ia vret, ia verbon sytë. Kështu më shikon mua djali i madh i Sefi Dushit që më quan bolshevik. Ai kujton se më shan duke më quajtur bolshevik. Unë e kuptoj se ai, gati, sa s’plas nga urrejtja e dyfishtë ndaj meje dhe tërthoras edhe ndaj Pushtetit komunist që na dha tokë ne që punonim tokën, por nuk e kishim tonën.

Mos ndonjë lopë, ndërroj mendim befas, Rade Daka, mos ndonjë lopë kalon mes arës, kullot dhe thyen degët e misrit ? Por jo, jo, ndërroi mendje, ai, po të ishte lopë që hante dhe ecte nëpër misër, ai do të shihte dhe degët e ngrëna dhe degët e shkelura. Por Rade Daka, nuk po shihte degë të ngrëna, por vetëm degë të thyera! Bolsheviku, siç e quante Rade Dakën, Sefiu me djemtë, u la në lot. E kishte punuar tokën, i kishte thyer plisat me barre, i kishte shkërmoqur e bërë pluhur me grushte, që fara të mbinte pa pengesë, pa u shtrembëruar bifka e misrit nëpër plisa. Duart i kishte me kallo të tilla, si thundra kau. Sidomos, pjesa e poshtme e grushtit të majtë i ishte bërë vërtet si një thundër kau.

Vendosi ta ruante misrin. Gjersa thyerja ndodhte natën, diku në mes apo në buzë arës. Po sikur t’i kishin thënë Sefiut se, gjoja, ai bolsheviku, bën dashuri me vajzën e tij, Serveten e bukur, për të cilën çmendeshin gjithë djemtë e fshatit, kurse ajo nuk ua hidhte fare sytë dhe tërbohej pas Rade Dakës…! Por jo, jo. Një gjë që nuk ndodh, kuptohet që është shpifje dhe nuk mund ta besojë njeri, sidomos babai. Kot që më vajti mendja te shpifja, tha me vete Rade Daka, ndërsa rrinte tulatur në hendekun me bar të arës. Nuk e kuptoj se si m’u çapërçik mendja…!

Natën e dytë nuk pa të kalonte ndonjë kafshë nëpër misër. Nuk pati fiksime të kota. Mos e kishte zënë gjumi duke parë yjet e shpërndarë nëpër qiell si kokrra të verdha misri e nuk kishte parë gjë? Jo. Në mëngjes ai nuk dalloi asnjë vazhdë degësh të thyera. Pra nuk kishte kaluar asnjë derr a kafshë tjetër mes përmes arës. Kështu natën e tretë e të katër…

Një mbrëmje ndërsa dielli po perëndonte i kuq mbi kodrat e Spolatës, Rade Daka vendosi që të mos rrinte më të ruante misrin gjatë netëve. Ç’kishte ndodhur kishte ndodhur, ç’ishte bërë ishte bërë. Me siguri ndonjë derr i egër duhej të kishte qenë meqë ara ndodhej afër Kënetës së Tërbufit. Por sapo perëndoi dielli dhe ra muzgu, një muzg i bukur gri dhe ara po mbulohej me një tis bryme që nisi të bjerë befas, u duk silueta e një kali të bardhë në gri, një kali çil si dhe silueta e një njeriu mbi kalë që duke u afruar drejt arës me misër, bëhej më i dukshëm dhe Rade Daka pa se ai po merrte tiparet e djalit të madh abrash të Sefi kulakut…

Radja nuk po iu besonte syve… Të ishte vërtet djali i madh abrash i Sefiut që vinte drejt meje me një urrejtje të dyfishtë prej katili dhe mizori se kisha misrin më të mirë, më të shëndetshëm, më të bukur, mes të cilit, gjoja unë bolsheviku, bëja dashuri me motrën e tij të bukur, Serveten? Po tani po e dallonte ende më qartë, më mirë. Ai po vjen tërbimshëm drejt meje, tha me vete Radja? Edhe pse tisi violë i brymës e bënte flu figurën e kalit dhe kalorësit, përsëri dallohej se ai që vinte së katrash drejt Rade Dakës ishte djali i madh i Sefi kulakut. Nuk kishte më asnjë dyshim.

Radja u tulat në hendekun e thellë, buzë arës, po aty ku ishte dhe më parë, kur ende nuk ishte varur dielli mbi kodrën e pyllit të Spolatës. Njeriu mbi kalë kapërceu hendekun e thellë e të gjerë të arës dhe u fut dhe çau përmes misrit duke e ngarë me shpejtësi skëterre kalin. Ai i ra mespërmes arës me kalë dhe Rade Daka me të dëgjuar krismën e degëve të misrit që thyheshin nën këmbët e kalit doli vringthi nga hendeku. Djali i madh abrash, i kulakut doli në krye të arës aty ku ai do të kthente prapë kalin që ta përshkonte edhe një herë tejembanë misrin, gjethet e të cilit luanin hareshëm me flladin e blertë të mbrëmjes, hare të cilën djali i kulakut nuk e duronte dot e fshikulloi kalin që të shtonte shpejtësinë me qëllim që të mos mbetej degë misri në këmbë, por të rrëzohej rrafsh me tokën si një rrogoz jeshil.

I biri i kishte thënë të atit se, misri në arën e Rade Dakës po harbonte si për inat të tyre dhe se gjoja ai aty do ta vriste qenin bolshevik. Atëherë i ati Sefi Dushi i shpallur kulak i dha leje të birit që para se ta vriste, t’i rrafshonte misrin bolshevikut, t’ia shtronte përtokë si një qefin të gjelbër ku ai do të shtrihej gjatë e gjerë, i mbytur në gjak të kuq bolshevik.

Dhe i biri, nuk ia bëri dysh fjalën të atit. Kur djali i kulakut, po dilte në krye të arës, ktheu kokën dhe pa vazhdën e degëve të misrit të shtrirë përtokë, u kënaq … Atëherë, Rade Daka, nuk u përmbajt më, u ngrit lingthi në këmbë, duke i thirrur gjer në kupë të qiellit si Akili Hektorit… Ah kulaku i mutit, ti ma thyeke misrin mua. U turr përpara drejt tij, kapi kalin prej freri dhe e rrëzoi djalin e kulakut nga kali, e vuri poshtë duke e qëlluar me grushte në fytyrë, pikërisht me atë grusht thundër që kishte shtypur plisat e arës, ia përsheshi keq turinjtë. Djali i kulakut u la në gjak. Por duke qenë i fuqishëm, ai arriti të ngrihej dhe e vuri poshtë bolshevikun.

Ndërkaq unë së bashku me Zanin, vëllain e Rades pamë se ngjarja po merrte trajta tragjike, u afruam që t’i ndanim.

Kur vëllai i Rades, Zani që ishte si një dem i zi, i fuqishëm pa se, djali i kulakut e vuri poshtë të vëllanë dhe, po e qëllonte me grushte, po e mbyste në gjak, u lëshua egërsisht mbi të, u mat ta qëllonte me çomange pas kokës, por unë ia kapa që prapa çomangen sa një granatë dore dhe e pengova që ta qëllonte, goditje kjo që do të ishte më fatale se ajo e shpërthimit të një granate. Duke e penguar që ta qëllonte djalin e kulakut, Zani turfullonte si dem i zi i përrallës: lëmë o kusho, ulërinte, lëmë o kusho ta vras këlyshin e kulakut. Unë nuk e lëshova, por e shtrëngova edhe më fort. Djali i kulakut përfitoi nga rrëmuja, u çua menjëherë në këmbë, i hipi kalit dhe çau plumb mes fushës…

Qershor 2014

HELIDON H: FUSHA IME
Ai përfitoi nga rrëmuja, u çua menjëherë në këmbë, i hipi kalit dhe çau plumb mes fushës…