Shko ti…

0
618
Ernest Koliqi

Ernest Koliqi

Shko ti…

Mbasi qi stina po rrshet tatpjetë
e fort un tutem se atdhén n’kët jetë
me sýt adhruesa,
qi pajadá
ia çmuen hirin
s’kam për ta pá,
shko, ti, lum bija, n’at Shkodrën time
kúr n’terr do t’sosem
me trup e andrrime:
atjè si t’gjindesh, sýt e mij n’báll
t’andin do t’hapen:
n’tý kam m’u ngjáll.
Për mue ti Shkodrën,
për mue sodite;
mallin
e sjellun dhe n’vorr,
shafite.
Shkodra me shpija ndry n’avullija,
t’qetat oborre plot land’ shatorre,
kumbulla e manda, pjergulla e tanda,
sodit me at afshin qi kishe un gjáll –
me mall t’im n’zêmër
me sý
t’mij
n’báll.
Jehona e së shkuemes
Me réze t’derës qi t’parvet t’onë
dorën u a njofti,
zgjo nji jehonë
përtîse n’skutat mâ t’mshefta t’shpís
qi flên
tu’andrruemun ditt e lumnís.
T’mdhajat dritore hapja çardakut
me ersín le t’ngîhet
t’lulemustakut
qi prej oborrit nëpër múr zgjatet
e mbrenda gêmat me i shtîm
orvatet.
Dhuratat e vjetra
Shko drejt te dhoma
ku gjyshja e jote –
nji zoj’ bujare dhe njerziplote –
mue gjí tue m’dhânun,
n’prêhen tue m’rritun,
dashtnisht
m’a rreshku shpirtin e mitun
me nji të zjarrshëm
et bukurije
qi m’dhuroi ândje,
epshe lavdije,
por dh’e përsolli krejt jetën t’ime
me psime t’holla e
t’thella shqetime.
Thith at erë arkash paje e musandrash,
kujtim i âmbël nusesh e dhandrrash,
stinash hirplote t’kohës së shkueme
kur n’djepa tundej nji brezní e lume.