Kur fshihet edhe elita e shoqërisë, po populli çtë bëjë?

0
313
Debati - Kuvend

Mentor Kikia

Sot ndodhi diçka e rëndë!

Kuvendi i Shqipërisë po diskuton disa ndryshime kushtetuese, të cilat kanë në fokus dy pika shumë të nxehta për demokracinë: Hapjen e listave të kandidatëve dhe ndalimin e koalicioneve partiake para zgjedhjeve. Për këtë arsye u kishte dërguar ftesë akademikëve dhe profesoratit të universiteteve. Nuk dimë emra, pasi nuk janë bërë publikë. Por kësaj ftese iu përgjigj vetëm një pedagoge. Të tjerët e bojkotuan, apo refuzuan, ta quajmë si të duam.

Ata mund të kenë çfarëdolloj arsyeje dhe ju mund ti justifikoni. Por unë nuk i justifikoj. Përkundrazi, e cilësoj këtë veprim, si dëshmi të një krizë të thellë që ka prekur shoqërinë tonë deri në majë të kokës, tek “truri i vogël”.

Kjo klasë është elita e shoqërisë, është ajo që përbën jo më shumë se 3-5 % të saj. Shpesh ne ankohemi se në këtë vend vendimet i marrin të marrët dhe të mënçurit nuk pyeten. Se elita është lënë mënjanë, se Shqipëria ka rënë në dorë të batakçinjve etj etj.

Por, kur këtë të mençurit e shoqërisë, ftohen të japin mendimet e tyre për një gjë shumë të rëndësishme, ata refuzojnë. Refuzojnë të gjithë, si të kishin qenë të organizuar.

Përse e bëjnë?

Do të doja ta dëgjoja nga ata vetë, por nuk i kemi. Atëherë duhet të hipotezojmë.
Refuzuan sepse nuk kanë besim? Sepse mendojnë se, çfarëdo që të themi ne, ata do të bëjnë çfarë duan vetë dhe mendimin tonë e duan vetëm për fasadë?

Refuzuan sepse janë thjeshtë indiferentë?

Sepse ndjehen mirë në qoshen e tyre dhe nuk duan të ngatërrohen me politikën, e cila e ndërron gunën sipas stinëve?

Mundet të jenë të gjitha këto nga pak arsye. Por sido të jetë, kjo është dëshmi e një një gjendjeje të rëndë. Çdo ditë ne dëgjojmë një referen përgjërues, të njerëzve që dyan ndryshim. Por kush do të sjellë ndryshimin? Ai që shet në treg? Ai që punon arën tani në pisk të vapës? Ai që punon në ndërtim? Ai që punon në administratë dhe e kërcënojnë me vendin e punës?

Jo, ndryshimin e prodhon elita e shoqërisë. Idetë e mëdha i prodhon ajo, dhe pjesa tjetër thjeshtë i shkon pas.

Por kush dhe ku është elita jonë? A është elitë kjo, që kur e ftojnë të janë mendimin për çështjen e hapjes ose jo të listave të kandidatëve struket si struci?

Këta njerëz mund të kenë një mijë arsye, por ata duhet të dinë një gjë: Ata nuk i përkasin thjeshtë vets dhe familjes së tyre. Ata janë inteligjenca, janë truri i shoqërisë dhe i kombit dhe si të tillë kanë për dytyrë të flasin kur të tjerët nuk dinë, apo nuk munden. Atyre nuk u takon tu ikin përgjegjësive.