Nacionalisti Ndue Perlleshi ( 1908-1949 ) ra dëshmor me ëndrrën e pashuar për Shqipërinë Etnike

0
1639
Ndue Përlleshi

Tomë Mrijaj

Para dy vitëve burri i motrës Hil Perlleshi mbasi u kthye nga vizita në Kosovë, më dha një lajm shumë të mirë. Ai ndër të tjera më tha se ishte takuar me Kryetarin e Komunës së Klinës zotni Sokol Bashotën, i cili i kishte folur me shumë respekt për Legjendën e Trimërisë, heroin e pamposhtur dhe komandantin sypatrembur Ndue Perlleshin.

Ai shtoi se tregimet historike për këtë hero legjendar i kishte mësuar qysh kur ishte i vogël në odën e burrave, gjatë vizitës që miqët e shumtë të familjes se gjyshit tim Male Bashota vizitonin kullën tonë. Ai kishte një simpati të madhe për historinë e lavdishme të Ndue Perlleshit dhe familjen e madhe të tij.

Në fund të bisedës së ngrohtë mes nesh, Kryetari i Komunës zotni Bashota, tha se do të bënte çdo përpjekje të mundshme për të vendosur në vendin e merituar figurën e nderuar të personalitetit të shquar, luftëtarit Ndue Perlleshit.
Biseda e ngrohtë me burrin e fjalës zotin Bashota, për të rivlerësuar dhe vendosur në piedestalin e nderit heroin Ndue Pelleshin, i kishin lënë shumë mbresa dhe përshtypje të mira. Kështu e përfundoi me mua bisedën burri i motrës Hil Perlleshi.

Dhe erdhi dita dhe momenti final, kur Kryetari i Komunës së Klinës zoti Bashota e bëri realitet fjalën e dhënë para familjes Perlleshi. Edhe gjatë udhëtimeve të mia të shpeshta në Kosovë, unë kam parë nga afër ndryshimet e mëdha, që ka pësuar Komuna e Klinës, duke u kthyer në një qytezë të bukur në gjithë krahinën e Lugut të Drinit.

Të gjithë e mbajmë në kujtesë me shumë respekt figurën e zotit Bashota, si prijës në luftë kundër kolonizatorëve serbë. Sot në ditët tona, ai është një aktivist i palodhur dhe drejtues i aftë në rimkëmbjen dhe ndërtimin e së ardhmes në komunën që ai drejton prej disa vitesh.

Komuna e Klinës, nën drejtimin e zotit Bashota dhe stafit të tij, ka miratuar vendimin zyrtar, që me datën 17 gusht 2016 (mbas 67 vjetëve të vrasjes së heroit kombëtar Ndue Perlleshit), të inagurojë në qendër të qytezës shtatoren kushtuar heroite të pavdekshëm.

Sot dhe në të ardhmen Lugu i Drinit me krahinat tjera që e rrethojnë Komunën e Klinës, do ti jenë mirënjohës për gjithmonë Kryetarit zotit Sokol Bashota, i cili e mbajti fjalën e burrit, duke vendosur në vendin e merituar figurën e madhe të lënë qëllimisht në harresë të heroit kombëtar Ndue Perlleshit.

Ndue Përlleshi lindi në Paskalicë, fshat në Lug të Drinit, më 1908. Ishte biri i Gjonit dhe Prenës nga Nepolja e Lugut të Baranit. Shkrim e lexim mësoi në Zllakuqan, në shkollën e kishës që ishte hapur që më 1897 nga Atë Shtjefën Gjeçovi.
Ndou ishte aktiv në jetën politike të kohës. Që nga viti 1939, Ndue Përlleshi u emërua kryetar i Komunës në Vogovë të Hasit, që gjendej në vijën kufitare Kosovë – Shqipëri.

Vendi kyç që iu dha Ndout të ri, bëri që ai të njihej për së afërmi me personalitetet e jetës politike dhe luftarake si: Kapidanin e Mirditës Mark Gjon Markun, vëllezërit Kolë e Pashuk Biba, Xhafer Devën, Muharrem Bajraktarin, Abaz Kupin, që ishin në përgatitje për të përballuar erërat e Lindjes që kishin filluar të fryjnë në Shqipërinë e Jugut.

Më vonë Ndue Përlleshin e shohim kryetar në komunën e Becit, komunë në prefekturën e Gjakovës, ku pati rastin të njihej me shumë personalitete të atyre viseve, si: Mehmet Agën e Rashkocit, Demë Ali Pozharin, familjen e madhe të Zhel Hasanëve, Elez Myrtën e sa e sa të tjerë. Më vonë, deri në fund të vitit 1944, e shohim kryetar në komunën e Budisalcit. Në këtë kohë vjen brigada e VII partizane me komandant Shaban Haxhiun, i cili e njihte shumë mirë aktivitetin e Ndue Përlleshit.

Në Veri të Shqipërisë, Pashuk Biba, Muharrem Bajraktari e të tjerë, kishin likuiduar disa komunistë shqiptarë. Ndou me shumë shokë u takua në kullën e Ukë Bekës në Krushevë të Madhe me brigadën e Shaban Haxhiut. Me të hyrë brenda, parulla përshëndetëse e partizanëve ishte: – Vdekje fashizmit – Liri Popullit! Por Ndou, që e dinte se çfarë fshihej pas asaj parulle, nuk u përgjigj. Ai me shpejtësi nxorri revolen dhe ia drejtoi komandantit. Të pranishmit ndërhynë me të shpejtë. Që nga ai moment Ndou filloi jetën e kaçakut. Çeta e tij u rrit shumë shpejt. Në malet e Dollcit u takua me çetën e Ukë Sadikut. Me çetën e Ndout ishte edhe Marije Shllaku, dikur sekretare e Iliaz Agushit dhe Xhafer Devës. Ajo u bë shembull i rezistencës për bashkimin e trojeve.

Çeta e Ndue Përlleshit, së bashku me vëllezërit e tij Zefin, Hilin dhe bashkëluftëtarët Ndrec Nikollën, Zef Sokolin e shumë të tjerë bashkëpunoi me Ukë Sadikun, Shaban Polluzhën, Prof. Ymet Berishën, Qazim Bajraktarin, Alush Smajlin etj.
Shembull i rezistencës së forcave kaçake ishte lufta në Trestenik të Drenicës më 21 shkurt 1945 dhe vrasja e dy kreshnikëve të Drenicës, Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës.

Me datën 4 dhe 5 gusht 1945 u mbajt kuvendi i Dobërdolit, në Llugë të Dan Pjetrit, ku u mblodhën 2000 luftëtarë e prijës të çetave kryengritëse të rajoneve të ndryshme të Kosovës, Shqipëria e Veriut, Sanxhaku dhe Rozhaja. Aty gjindeshin krerët e lëvizjes për çlirimin e trojeve etnike shqiptare dhe bashkimin e tyre në një shtet si: Ndue Përlleshi, Ukë Sadiku, prof. Ymer Berisha, Qazim Bajraktari, Marije Shllaku, Mehmet Aga i Rashkocit, Alush Smajli, Dem Ali Pozhari, Prek Shyti nga Prizreni, përfaqësuesit e Muharrem Bajraktarit – Kruma e Luma, Pashuk Biba, Shaban Boshnjaku nga Pazari me 800 luftëtarë, krerë nga Drenica, Llapi, Gollaku, Gjilani, Shala e Bajgorës, Ferizaj, Kaçaniku, Rugova, Podguri etj. Pranë Dardhës së Madhe valonte flamuri me shkabën dykrenare, tetë metra i gjatë, të cilën e kishte sjellë Alush Smajli i Llazicës. Kuvendin e ruenin luftëtarët e Ndue Përlleshit, Alush Smajlit dhe Qazim Bajraktarit, të udhëhequr nga Smajl Hajdarii Gjurgjevikut të Madh dhe vëllai i Ndue Përlleshit, Zef Përlleshi.

Pas kuvendit të Dobërdolit u bënë shumë takime me popullatën e vendit për organizimin dhe mobilizimin rreth organizatës “Besa Kombëtare”. Ndue Përlleshi, Ukë Sadiku, Qazim Bajraktari, Mehmet Aga i Rashkocit dhe prof. Ymer Berisha u nisën për një mbledhje të përbashkët me krerët e Shqipërisë së Veriut, diku në malin e Pashtrikut. Çeta e Ukë Sadikut mbeti nën udhëheqjen e vëllait të Ukës, Shaban Sadiku.

Në Fushëgropë, mes maleve të Çelisë së Jellovcit, brigada famëkeqe e Kotorrit kishte rrethuar Çelinë ditën e tretë të Bajramit. Gjatë luftimeve të ashpra aty mbetën të vrarë 23 luftëtarë dhe 9 të plagosur rëndë. Nga çeta e Ndue Përlleshit ishte plagosur rëndë heroina e vetme vajza shkodrane Marije Shllaku dhe u vranë në fushë të betejës deshmorët Zef Sokoli me djalin e tij, Markun 17-vjeçar.

Çeta e Ndue Përlleshit kishte mbetur të veprojë thuajse e vetme, me pak luftëtarë dhe shumë e ndjekur nga OZN – 1. Më 8 shkurt të vitit 1948, së bashku me dy shokët e tij, Ndrec Nikollën e Shaban Demën u rrethuan nga OZN – 2. Ata mbas disa orë luftimesh mbetën të vrarë dy shokët e tij Ndrec Nikolla dhe Shaban Dema, ndërsa Ndou i plagosur qëndroi në mesin e pyllit deri në orët e para të mëngjesit, ku me një breshëri plumbash çan rrethimin duke lënë në fushë të betejës shumë të vrarë e të plagosur nga partizanët vullnetarë. Atë mëngjes komandanti i OZN-ës pushkatoi në vendin e ngjarjes të riun Pren Gojani nga fshati Dugajev, i cili ishte nga fisi i Ndue Përlleshit, me pretekst se i kishte hapur rrugë këtij të fundit.

Ndou, me plagë të rënda arrin në shtëpinë e tij. Kur po i mjekonin plagët, aty arrin kryetari i komunës së Jagodës, Jank Boriçi, i cili hedh një bombë brenda në shtëpi. Ndou me shpejtësi e kap dhe ia kthen mbrapsht. Bomba pëlcet dhe plagoset rëndë Janku. Që të mos kapej nga partizanët, Ndou largohet menjëherë dhe shkon te Ibish Sokoli, vëllai i Zef Sokolit, të vrarë në Çelinë e Jallovcit.

Tek Ibishi qëndron, deri sa shërohet. Nga aty kalon në Llapçak, tek Pren Gjoka, që ishte një shok i tij. Ky fshat i takonte komunës së Istogut. Qeveria Jugosllave, kur merr vesh se Ibish Sokoli e kishte strehuar Ndue Përlleshin, e dënon Ibishin me 8 vjet burg dhe gruan e tij me 6 vjet.

Në fshatrat e Lugut të Drinit ushtria sllavo – komuniste e torturoi popullatën e kësaj ane në mënyrën më çnjerëzore dhe shumë vetë pësuan dënime me burgje të rënda.

Pas një qëndrimi në familjen e Pren Gjokës, Ndou duke parë se Partia Komuniste kishte depërtuar thuajse në çdo krahinë të Kosovës, largohet me disa bashkëluftëtarë për në Shqipëri, ku bashkohet me çetën e Ndoc Mirakës në viset e Pukës, të cilët vepronin në atë territor.

Sipas disa shënimeve të botuar në “Shejzat” e Ernest Koliqit në Romë dhe në “Albanien Liber”, shkruhej: “Ndue Përlleshi së bashku me Ndoc Mirakën dhe Ndue Fushën, u vra nga forcat partizane të Shqipërisë në Bjeshkët e Iballes, në vendin e quajtur Boset, me datën 29 gusht të vitit 1949. Ata një ditë më parë ishin nisur të largoheshin (arratiseshin) për në Greqi. Largimi pengohej pasi në urën e Bërdhetit në Pukë ishte plagosë rëndë bashkëluftëtari i Ndue Përlleshit, Elez Myrta nga Kosova“.
Komandanti trim N. Perlleshi, nuk pranoi në asnjë mënyrë të lejë vetëm në frontin e luftimit shokun e plagosur rëndë gjatë përleshjeve me forcat komuniste. Mbasi i lidhin plagët e rënda tre bashkëluftëtarët Ndue Perlleshi, Ndoc Mirakaj dhe Ndue Fusha e marrin në krah të plagosurin dhe nisen drejt kullës më të afërt.

Ata e lënë në besë të shqiptarit luftëtarin e plagosur, i cili nuk mund të levizte. Dhe kjo familje fisnike shqiptare, me tradita nderi dhe burrërie i shpëtuan jetën një luftëtari të pamposhtur nacionalistit Elez Myrtës.
I plagosuri qëndroi në këtë kullë deri sa u shërua dhe u përcoll në besë nga meshkujt trima të familjes, deri sa ai mbërriti në vendlindje e tij në fshatin Batushë të Kosovës.

Tre luftërët nën flakën e bastisjeve dhe shkatërrimit të shtëpive nacionaliste nga komunistët e diktatorit Enver Hoxha, u kthyen në Boset të Pukës për t’u shlodhur dhe më vonë për të marrë rrugën e arratisjes drejt Greqisë.
Por për fat të keq, dikush kishte treguar pranë forcave të Sigurimit, se Ndue Perlleshi, Ndoc Mirakaj dhe Ndue Fusha, janë të strehuar në bazën e mëparshme të nacionalistëve antikomunistë në Boset.

Por sa mbërrin në bazën e tyre, forcat e ndjekjes së Sigurimit i vrasin menjëherë të tre nacionalistët, ku tre të vrarit i marrin zvarrë deri tek kulla e Kolë Bib Mirakës në Iballë të Pukës.

Të nesermen me urdhër te Enver Hoxhës Ndoc Mirakën dhe Ndue Fushën i nisin për në Sh’Pal të Mirditës të lyer me voj guri dhe i djegin para mirditasve, në shenjë hakmarrje për Bardhok Bibën, i cili ishte vrarë me 7 gusht 1949 në Qafë të Valmirit.
Për trupin e pajetë të deshmorit Ndue Perlleshit komunistët e Tiranës, kishin dhënë urdhërin që ta varrosin në qytezën e Pukës, ku ende nuk i dihet varri, për arsye se mbi eshtrat e tij janë ndërtuar objekte të ndryshme.

Profesor Lukë Çuni shkroi e dërgoi nga Melbourni i Australisë në redaksinë e gazetës “Shqipnija e Lirë”, poezinë që ia kushton të ndjerit Ndoc Mirakaj dhe shokëve të tij, nga e cila po veçojmë disa vargje:

Çka kan malet qi gjimojnë?
Djelt e Shqipes ç’po luftojnë!
Ç’po luftojn’o n’at Boset,
Ndoc Mirakaj me shok’t’vet.

Ball për ball me klysh t’Rusisë,
N’dor Flamurin e Lirisë,
Amanet dorzim q’i – a bani,
Mark Gjomarkaj Kapidani.

Ndue Përlleshi i Lugut Drinit,
Asht për be m’Zanë Lubotinit,
Asht për be me lot ndër sy:
O vras veten, o des me ty”…