PËRSE PO HESHTIN PROTAGONISTËT?

0
479
Ibrahim Kelmendi

Ibrahim Kelmendi

1.
Qysh në vitin 1979, kur patën ndodhur arrestime në Kosovë, jam munduar të nxis diskutime, kush duhet të ketë pasur rrol në dekonspirim dhe spiunim, – pos operativëve të ShSSh (Shërbimi i Sigurimit Shtetëror, siç quhej UDB-ja pas reformimit), – për burgosjet aq numerike. Atëherë patëm një përvojë të hidhur me arkivin e Grupit Komunist “Zëri i Kosovës”, që e kishte formuar Riza Salihu i Mushitishtit të Suharekës, me qëndrim në Gjermani. Maksut Saramati, nënkryetar i Grupit, në prani edhe të Hysen Gegës dhe timen, ia pat kërkuar Riza Salihut formularin e anëtarësimit të Bashkëshortes, të cilën Maksuti e kishte anëtarësuar në Grup, pa e pyet e informuar fare.

Ajo ishte amvise dhe jetonte në Kosovë. Ndodh t’i arrestohet dhe gjatë hetimit në burg të Prizrenit, hetuesit ia paraqesin asaj formularin origjinal të anëtarësimit në Grup Komunist. Ajo thotë të vërteten, se nuk e kishte pa, plotësuar e firmos. Konstatohet menjëherë se kaligrafia dhe nënshkrimi në formular nuk përputhen fare me kaligrafi të dorëshkrimit të Bashkëshortes se Maksutit. E lirojnë nga burgu hetues. Tani, kur Maksuti kërkonte origjinalin, Riza nuk e kishte t’ia tregonte, pos kopjes së tij. Riza qe arsyetuar se e ruante në vend të sigurt. Maksuti ia pat kthyer, se i ruante formularët origjinal të anëtarësimit te UDB-ja, meqë formularin origjinal ia kishin prezantuar Bashkëshortes së tij gjatë hetimi në burg të Prizrenit.

Jam munduar herë pas here të nxis diskutime për burgosjet e atëhershme, që ndërlidheshin me atë Grup, si Ibrahim Shala, Emrush Xhemajli dhe të tjerë. Nuk kanë pas gatishmëri as të më japin kopje të aktakuzave e aktgjykimeve të tyre, e lere më të diskutojmë. As arsyet e heshtjes nuk i kanë paraqit!

2.
Para ca vitesh, në kuadër të përgatitjes se një monografie për Klubin Shqiptar në Dyseldorf (Gjermani), pata caktuar termin për intervistë me ish-sekretarin e parë të ambasadës jugosllave në Gjermani, Shefqet Hashanin, sepse ai kishte ndihmuar që imigrantët tanë në Dyseldorf dhe rrethinë të mos frikësoheshin për angazhim në atë Klub. Në maj 1982 Shefqeti qe burgosur në Beograd dhe dënuar 8 vjet burg. Gjatë bisedës së “lirë”, – Shefqetin nuk e informova se po e inçizoja, që të fliste pa vetë-censurë. Ai ndër të tjera informoi për spiunimin që i kishte bërë Selatin Novosella Adem Demaçit në vitin 1975. Shefqet Hashani ka qenë atëherë njëri nga 5 shefat e drejtorive të UDB-së së KSAK-së. Në fund të bisedës së “lirë” e informova për inçizim të fshehtë. Më tha që mund ta ruaja e ta citoja.

Pasi shkova në Kosovë pyeta Adem Demaçin, për ta verifikuar atë informim të krye UDBashit Hashani. Ademi sqaroi se Shefqeti kishte thënë të vërtetën. Por, kur e kritikova Ademin, përse po bashkëpunonte aq shumë me Selatinin, edhe pse e dinte se e kishte spiunuar, Ademi pat bërë arsyetimin tipik të tij: “Selatini, për të la mut me shurrë, po angazhohet e po kontribuon shumë me botim të librave…” [Parafrazim.]
Kot jam përpjekur të nxis diskutim për atë tematikë. Në fakt, Selatini nuk e kishte spiunuar Ademin, por kishte shpif: “Baca Adem prapë ka formuar organizatë ilegale”, edhe pse Baca Adem nuk kishte formuar. As nuk u diskutua asnjëherë, kujt i duhej viktimizimi i Adem Demaçit në vitin 1975, pa bërë asnjë veprimtari të kundërligjshme?

3.
Edhe për simulimet e Sabri Novosellës – si ai ekzistimit të organizatës Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi dhe viktimizimi i shumë vetave si anëtarë të asaj organizate, që janë dënuar me shumë vite burg, nuk po diskutohet, edhe pse me librin që botova (“Gjurmë dhe fërkeme”), ofrova aq shumë fakte.

4.
Për simulimet e Abdullah Prapashticës, – edhe pse si kadet, pothuajse në moshë adoleshente, në shkollën speciale për UDBashë në Novi Sad, – për themelim të Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi, gjithashtu nuk po diskutohet (propagandimet e krerëve të asaj “partie” nuk janë diskutime e shtjellime). Viktimat e burgosura dhe të dënuara, si anëtarë të asaj partie, nuk po reflektojnë, nëse vërtet ishin anëtarë apo vetëm viktima. I njëjti Avdullah, duke qenë edhe kryeshef i drejtorisë së UDB-së në Prishtinë, për mbikëqyrje të Universitetit në Prishtinë, shpif sikur ai dhe partia e tij ishin organizues të demonstratave të Pranverës 1981. Protagonistët e atyre demonstratave, që kanë vuajt shumë vite burgje, nuk po i kundërvihen shpifjeve të UDBashit Avdullah Prapashtica. As nuk po diskutohet “bashkimi” (komploti) i tij me Sabri Novosellën, me 17 shkurt 1982, në Turqi.

5.
Ende nuk është diskutuar komploti i datës 9 majit 1982, kur Xhafër Shatri, “në emër” të Organizatës Marksiste-Leniniste të Kosovës, – e cila nuk ekzistonte kur po e “përfaqësonte” Xhaferi, – nënshkruan bashkimin në Lëvizje që e kishin formuar UDBashët Sabri Novosella e Avdullah Prapashtica, më 17 shkurt 1982. Edhe vet udhëheqësi i OMLK-së, Mehmet Hajrizi, në librin e tij për OMLK, shkruan se OMLK-ja e kishte mbyll ekzistencën e saj me 17 Janar 1982, kur Kadri Zeka ka vendos bashkimin me organizatat që përfaqësoheshin në atë vendimmarrje…

6.
Ndodhi “arratisja” e Xhavit Halitit në vitin 1985 dhe vendosja e tij në Zvicër. Përmes Emrush Xhemajlit dhe Ali Ahmetit ai u sistemua në Lëvizje. Nuk u morën parasysh protestat e mija, e sidomos të Muhamet Elshanit (Osdrim i Pejës/Hamburg), që e njihnim Xhavit Halitin e viteve të 1970-ta si krye-kriminel ordiner në Komunë të Pejës. Ata arsyetonin se Xhaviti ishte veprimtar i “ilegales” në Kosovë dhe i burgosur politik. Lutjes time për informacion, kur dhe kush e kishte angazhuar Xhavitin në “ilegale” dhe përse vërtet ishte burgosur, asnjëherë nuk iu dha askush përgjigje! Edhe Xhaviti, pavarësisht se mashtronim njëri-tjetrin të ishim shokë, nuk ma dha kopjen e aktakuzës apo të aktgjykimit.

7.
Në vitin 1996 shumë veta në Kryesi dhe Këshill të Përgjithshëm të Levizjes/Dega në emigracion, u bindëm se Xhavit Haliti dhe Azem Syla po shpërdoronin besimin e Kryesisë së Lëvizjes, që i kishte caktuar ata dhe Ali Ahmetin në Sektorin e rëndësisë së veçantë, i cili ishte një si “shërbim teknik” për të ndihmuar konsolidimin e UÇK-së në Kosovë. Ai shpërdorim u problematizua edhe në Këshill të Përgjithshëm të Lëvizjes. Fatkeqësisht nuk qe në gjendje ta zgjidhte.

Edhe tani heshtin protagonistet që toleruan sabotimet dhe komplotet e tyre, siç ishin ish-anëtarët e Kryesisë, deri në maj 1998, dhe disa anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm, që u bënë argatë të komplotistëve Xhavit Haliti dhe Azem Syla. Përse?

8.
Edhe Kryesia që doli pas Mbledhjes së Gjashtë të përgjithshme (maj 1998), – Kryetar Bedri Islami, anëtarë Jashar Salihu, Ali Ahmeti, Bardhyl Mahmuti, Sejdi Gega, Agush Buja dhe unë, – nuk qe në gjendje t’i riparonte komplotet që kishin bërë Xhavit Haliti dhe Azem Syla, në ndërkohë duke iu bashkangjitur atyre edhe Hashim Thaçi dhe as t’i disiplinonte që të mos vazhdonin me sabotime, komplote e plaçkitje të financave. Megjithatë vazhdojnë të heshtin. Ndërsa unë si unë, si demaskues i diskreditues i tyre, në dukje kritizer, po keqkuptohem sikur jam zë i vetmuar, edhe pse në mbledhjet e Kryesisë dhe të Këshillit të Përgjithshëm i kemi konstatuar komplotet që ajo bandë ia kishin bërë e po ia bënin Lëvizjes dhe UÇK-së.

9.
Në maj 1998 që organizuar një takim komplotist në Oslo të Norvegjisë (në zyrat e Fatmir Zymerit). Protagonist Xhavit Haliti, Ahmet Krasiniqi, Adem Demaçi, Agim Mehmeti… Synimi i tyre: bashkimi i UÇK-së dhe FARK-ut. Kush i kishte autorizuar këta protagonistë për atë takim? Çka vendosen? Çka u realizua nga ato që vendosen? Vazhdojmë të heshtim, pos ndonjëherë ca zërave të protagonistëve, që ndihen të detyruar të dezinformojnë e mbrohen për atë komplot që na e kanë bërë!

10.
Në korrik 1998 Adem Demaçi caktohet “përfaqësues politik” i UÇK-së dhe u autorizua të hapte zyrë përfaqësimi në Prishtinë. Kot po përsëris kërkesën për informim, kush, kur dhe përse e caktoi, meqë AD vetëm përfaqësues politik i UÇK-së nuk ishte! As nuk kemi përgjigje të shteruar, përse e toleroi regjimi fashistoid i Millosheviqit në Prishtinë, si përfaqësues politik i UÇK-së, kur kishte dhënë urdhër të vritej secili pjesëtar i UÇK-së!

11.
Ende nuk është sqaruar se Konferenca ndërkombëtare që u organizua pikërisht në Rambuje, për ta viktimizuar Kosovën, meqë Serbia fashistoide nuk ishte në gjendje ta shtypte Kryengritjen e armatosur çlirimtare, që e koordinonte UÇK-ja. Ende nuk e kemi sqaruar, cilat shërbime caktuan delegacionin “kosovar” dhe si e përse DGSE-ja imponoi kryesues të delegacionit marionetën e saj, Hashim Thaçi. Pjesëtarët e delegacionit nuk kanë dinjitet të bollshëm për të reflektuar se ishin vetëm figura statike në atë delegacion. Ende nuk kemi kurajë të konstatojmë se më meritori për dështim të asaj Konference ishte fashisti Millosheviq, i cili nuk pranoi të nënshkruante as marrëveshje aq pro-Serbisë, që ia ofruan përkrahësit e saj, organizues të Konferncës, prandaj për rrjedhojë ndodhen bombardimet nga NATO. Ne ende nuk duam ta themi të vërtetën për komplotet e Hashim Thaçit dhe Ibrahim Rugovës gjatë asaj Konference, siç ishte edhe “marrëveshja” mes tyre për formim të qeverisë së përkohshme, me kryeministër Hashim Thaçin…

12.
Vazhdojmë të mos i identifikojmë e shkoqisim mega sabotimet, komplotet e plaçkitjet e ndihmave finanaciare, që janë bërë gjatë lufte nga Ibrahim Rugova, Bujar Bukoshi, Isa Mustafa, Xhavit Haliti, Azem Syla, Hashim Thaçi, duke i koordinuar natën e duke u sha ditën mes tyre, siç thuhet për raste të ngjashme.

13.
As tani protagonistët e kohës nuk rrëfejnë, kur dhe kush e ka anëtarësuar Hashim Thaçin në Lëvizje dhe kush e paskësh zgjedh apo caktuar atë “udhëheqës politik” të UÇK-së, siç po mashtrohet në mënyrë të orkestruar? Gjithashtu, vazhdojnë të heshtin Nait Hasani, Rexhep Selimi e Sokol Bashota, kush dhe kur i kishte kooptuar në UÇK, bile edhe në “shtab qendror”, sa ndihma financiare kanë pranuar nga Fondi “vendlindja thërret” nga viti 1994 deri në prill 1998, kush ishin të tjerë anëtarë të “shtabit qendror”, përse refuzonin përfshirjen “zyrtare” në UÇK edhe të “Grupit të Drenicës”, i komanduar nga Adem Jashari, “Grupit të Llap/Gollakut”, i komanduar nga Zahir Pajaziti dhe “Grupin e Dukagjinit”, i komanduar nga Adrian Krasniqi, sa pjesëtarë i kishin nën komandën e tyre, cilat aksione guerile i kanë planifikuar, urdhëruar e zbatuar vet deri në mars 1998, si u defunksionalizua edhe “shtabi qendror” pas arrestimit të Nait Hasanit, cilin rrol kishte “shtabi qendror” në dekonspirimin e Zahir Pajaziti me shokë, që e vranë në pusi të ngritur nga çpolicia serbe, ku ishte Rexhep Selimi gjatë gjithë ditës së 31 janarit 1997, deri kur ndodhi vrasja e Zahirit, Hakiut dhe Edmondit, etj.

14.
Përse që 30 vjet protagonistët nuk po paraqitin raporte konkrete financiare të Fondit “Bukoshi”, Fondit “Vendlindja thërret” dhe Fondit të Ahenit (Hafiz Gagica dhe Marian Tuna), ku e si janë shpenzuar ato mjete? Përse arkivat e këtyre fondeve, të Lëvizjes, të LDK-së (dhe parive tjera) dhe të UÇK-së, nuk po i dorëzohen Arkivit Shtetëror të Kosovës, që t’i kenë në dispozicion historianët dhe studiues tjerë?
Etj.

[03.07.20, I.K. / Ende nuk i është bërë korrektura drejtshkrimore.]