KU JANË “NDERI I DIBRËS”?!

0
383
Petrupoli, Athinë

Thirrje

Vërtet ku janë, ku janë strukur e gjuha u ka zënë lesh e gojën e kanë tapos, pse s’flasin, pse z’ bërtasin?
Dibra do të mbytet…
A ka kujë më të madhe?
Ka vajtojcë që ta qajë?
Akoma nuk e keni dëgjuar?
E tha “I gjati”
Akoma nuk e keni lexuar?
Në radhë, me kurriz nëntëdhjetë gradë përkulur, janë derdhë “kapuçonët e zinj” ti bëjnë jehonë Edi Ramës, të na tregojnë se sa e lumtur do të jetë Dibra nën ujë…
Nëpër gazeta, nëpër portale, ekraneve të televizioneve, kombëtarë, tokësorë e satelitorë…
Kaq servilë nuk ka parë Shqipëria…
Pa emër…
Pa nder…
Pa dinjitet…
Vërtet ku janë?
Asnjë zë nuk pipëtin, ASNJË!
Po kërkoj në internet ata që janë shpallur “Nder i Dibrës” apo si i thonë “Qytetar Nderi”.
Ka, mos thoni se nuk ka…
I pari më del Berisha…
I dyti më del Gazidede…
I treti më del Zhulali…
I katërti më del Nishani…
Partiakë, pushtetarë, në të gjallë e në jetë tjetër…
Sa herë ndonjë kryetar partie, kryeministër, president, i majtë apo i djathtë shkon në Dibër i dalin përpara me tabaka në duar, i shtrojnë sofrën e madhe, e ngjisin në tribunë dhe me ceremoni i japin titullin “Qytetar nderi”…
i Peshkopisë…
i Bulqizës…
i Dibrës rreth dhe asaj qark.
Por edhe i krahinës… katundit… fisit… shoqatës…
Më del në internet edhe Rama, por ai paska refuzuar ta marrë…
Çudi!?
Mbase, se për Të, tash e tutje Dibra nuk do të ekzistojë, do të jetë nën ujë, e mbytur përgjithmonë…
E “Qytetar nderi i Gjolit” nuk shkon, është bidat mbi bidate…
Dhe Ai, mjeshtër i kërcimeve dhe driblimeve, e drodhi…
Nuk e pranoi…
Mos të zbres në zero…
Ka, me kokrra, që kanë folur e flasin për ti dalë zot Dibrës, për mos ta lënë atë të mbytet, të zhduket me njerëz që ikin, me varre që mbyten, me vlera arkeologjike që nuk do të zbulohen kurrë…
Ka, do të përmend njërin, Profesor Doktor Adem Bungurin, arkeologun dibran që thërret: SI ARKEOLOG I THEM ME BINDJE JO SKAVICËS!
Do të përmend edhe një tjetër, historian, njohës i mirë i vlerave historike të Dibrës, Ali Hoxha Ish-Kryetar i Shoqatës etno-kulturore “Çidhna dhe Kastriotët” që tash më shumë se dhjetë vjet thërret: SHITJA, PËRMBYTJA DHE ASGJËSIMI I DIBRËS – TRADHTI KOMBËTARE…
Ka edhe të tjerë. Do ti gjej në arkivin tim e në internet e do ti sjell…
“QYTETAR NDERI”!… është meritë për punën që kanë bërë, për vlerat e punës së tyre shkencore, shoqërore, letrare, artistike që kanë përcjellë ndër vite…
Sot atyre u takon të ngrihen në këmbë, ti venë supin, ti bëhen çandër Dibrës, mos e lënë të mbytet…
E kanë detyrim…
Dibra sot ka nevojë për dibranë të të gjitha fushave…
Mos presin që uji i qelbur i gjolit të Skavicës tu kalojë nën hasër, tu lagë bythën e të detyrohen ta ngrenë atë drejt diellit me shpresë tu thahen benevrekët…
Do të jetë vonë…
“Bythë lagur” do të na quaj historia…
Unë se pranoj !
Po ju “Nderi i Dibrës” e pranoni?

Abdurahim Ashiku
Athinë, 3 korrik 2020