DY BOMBA NË KLAGENFURT?!

0
729
Hashimi dy bomba në Klagenfurt

Adnan Merovci, flet për Granatat e dorës të Hashim Thaçit ne vitin 1999 në Paris.
(Youtube, 22. Dec, 2016)

Shkruan: Shefqet DIBRANI / shkrimtar

Adnan Mervoci, i njohur si truproja i Presidentit të Kosovës dr. Ibrahim Rugova, i cili nga vdekja e tij, hiqet sikur të ishte mentor i ideve dhe bëmave politike të dr. Rugovës. Edhe pse struktura të LDK-së dhe bashkëpunëtorë të afërt me dr. Ibrahim Rugovën, i dinë arsyet pse personalisht dr. Ibrahim Rugova, e ka pas larguar Adnan Merovcin, nga stafi i tij, nuk kanë dashur me fole asnjëherë, duke iu hapur mundësi rrëfimeve kontraverse dhe të dëmshme, por na mban shpresa se ai t’i shpjegoj këto arsye në ndonjë libër tjetër.

Në anën tjetër janë të njohura disa raporte të afërta me Hashim Thaçin, një simpati gjithsesi. E siç është bërë zakon të flitet, madje me gisht tregues drejt pasurisë së tij marramendëse diku në periferi të Prishtinës, që do të mjaftonte për tu hetuar, por edhe në sinqeritetin e rrëfimit të tij. Por dyshimi sforcohet me mënyrën e rreshtimit në strukturat e afërta të Isa Mustafës?! Ndoshta ka dashur për t’ia mbuluar bëmat e Isa Mustafës kundër LDK-së dhe Ibrahim Rugovës, ndoshta për t’ia bërë më të pranueshme veprimet antidemokratike, të cilat janë shprehur kundër themeluesve dhe elitës intelektuale, kundër Degëve të LDK-së në Diasporë dhe më e keqja edhe kundër Familjes Rugova, të cilën tashmë dihet se e kanë lëçitur tërësisht?!

Në librin e tij të famshëm “DY HAPA PARA RUGOVËS?!”, botuar në vitin 2012 nga Shtëpia Botuese “A.mer.kos”, pa qenë fare shkencëtar shkruan “Rrëfime autentike për rugovizmin”, por nëse edhe Adnan Merovci si anëtarë i KP të LDK-së, ka votuar për shkarkimin dhe linçimin e Vjosa Osmanit nga strukturat udhëheqëse në LDK, të mos flas më as për dr. Rugovën dhe as të mos përrallisë për Rugovizëm, se të dyja bashkë nuk shkojnë.

Ndonëse titulli origjinal librit është “Në hap me Rugovën”, rrëfimet e tij duken sikur janë të porositura, prandaj edhe krijohet përshtypja sikur ky iu paska prirë veprimeve politike, madje paska qenë jo truproje, por mentori i dr. Ibrahim Rugovës?! Libri ka pasur edhe disa promovime, nga strukturat e LDK-së, por nuk kam informacione sa është kundërshtuar në disa devijime të qëllimta?

Një ngjarja paska ndodhur në vitin 1999, në Aeroportin Ndërkombëtar në Klagenfurt të Austrisë. Sipas rrëfimit autentik, Hashim Thaçi, atëherë përfaqësues i UÇK-së, i paska nxjerr dy bomba nga xhepi për t’ia “ftohur morrat” Adnan Merovcit, i cili si truproje e tyre, paska dashur bombat tua lëshojë në dorë prof. Fehmi Aganit dhe dr. Ibrahim Rugovën?! Mjaftë e çuditshme, shumë e tmerrshme, tepër kriminale! Këtë rrëfim Adnan Merovci, e ka ritreguar edhe në një emision televiziv te Besim Dina, (shih. Youtube, 22.12.2016), fragment që lundron kudo nëpër internet.

Ndonëse Adnan Merovci, aty përpiqet të shpjegoj guximin dhe sakrificën e Hashim Thaçit, por në esencë nxjerr në pah, krejt lakuriq karakterin e tij, me të cilin tashmë do të merret edhe Gjykata Speciale, e cila edhe nëse nuk ka asnjë argument tjetër, nga rrëfimi autentik i Adnan Merovcit, mund të konstruktojë akuzë, se për tu bërë Hashim Thaçi personalitet në jetën politike të Kosovës, karriera e tij paska kaluar përmes mënyrave jo demokratike. Ky rrëfim, mesa di nuk është demantuar nga askush, madje as nga vet Hashim Thaçi, as nga kabineti i tij, as nga Shoqatat e Luftës, as nga PDK-ja dhe as nga përkrahësit e tij të shumtë, përkundrazi në internet dhe media hasim vetëm lëvdata, për trimëri dhe sakrifica.

Rrëfimi për ato dy bomba, mund të bëhet film artistik, pasi ngjarja nuk ka ndodhur në Malet e Kosovës, por në një Aeroport Ndërkombëtar, i cili sipas rrëfimit krijohet përshtypja se delegacioni i Kosovës nuk iu paska nënshtruar kontrolli zyrtar që aplikohet kudo nëpër aeroporte. Ndërsa për ata që kanë udhëtuar nëpër aeroporte të shumta, madje edhe nëpërmes Klagenfurtit, ky rrëfim duket një gallata e madhe, e turpshme dhe qe besa mjaftë akuzuese për karakterin e Presidentit të tanishëm të Republikës së Kosovës, me të cilin do të merret Gjykata Speciale.

Fatkeqësisht, emisione me akuza të rënda kundër UÇK-së, dhe kundër drejtuesve të UÇK-së, janë realizuar dhe janë emituar në Paqen e Kosovës, madje me autor të dashur e respektuar nga vet Hashim Thaçi, nga strukturat e PDK-së dhe nga Organizata të dala nga Lufta. Autor të emisioneve televizive, të deklaratave publike, janë figura publike, kryesisht nga ai brezi i Integralistëve Jugosllav, të cilët menjëherë pas lufte janë sistemuar dhe koncentruar kudo nëpër mediat private e publike në Kosovë. Madje një autor i emisioneve televizive, ku akuzohet UÇK-ja, po sidomos strukturat drejtuese, duke mos kursyer as Hashim Thaçin e Kadri Veselin, është shpërblyer me postin e deputetit nga vet PDK-ja.

Po ashtu Gjykata Speciale, është votuar nga deputet e atij legjislacioni që ishin pjesë e Kuvendit të Kosovës, duke i përjashtuar vetëm deputetët nga radhët e VETVENDOSJES, kundër të cilëve, po nga deputetët votues, artikulohen akuzat më banale të mundshme. Si duket rrëfimi i Merovcit është bërë kur i ka pasur punët mirë me Hashim Thaçin, por përsëri është i frikshëm, rrëqethës dhe akuzues, madje ka mundësi të përballet vet rrëfimëtari para Gj.S. në Hagë?!

E nëse i mbledhim akuzat publike që janë sajuar kundër UÇK-së, nuk ka popull që ka rrëmuar në themelet e lirisë më shumë se sa vet ne shqiptarët, prandaj akuzat kundër ndërkombëtare, por edhe kundër vet Serbisë, duket të jenë bajate, pa e shikuar vetën në pasqyre. Ndërsa një urti popullore na mëson se “Qeni i keq ta sjell ujkun në vath”. Në vend se shoqëria jonë patriotike dhe luftarake të ishte e vetëdijshme, sikurse edhe strukturat e shumta të UÇK-së, të mos involvoheshin në politikë, por të ndihmonin shtetin duke spastruar skemën politike nga elementi i spiunëve, bijve të udbashëve dhe analfabetëve, jo me vrasje fizike, por me Vetting për pastërti, nuk do të detyrohej Aleati Ynë kryesor – Amerika t’ia kthente shpinën Presidentit të Kosovës dhe të krijohej ky raport kaq i keq edhe me Bashkimin Evropian.

Le të bëhen të gjitha matematikat e nëntokës por fati i Kosovës është dorëzuar në një Qeveri e cila ndikohet e varet nga vota e “Listës Srpska”. Prandaj ky reagim imi, le të jetë një apel intelektual për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin dhe të gjitha strukturat e Organizatave të dala nga lufta, për të reflektuar pozitivisht karshi realitetit politik e diplomatik, i cili me fajin tonë është degraduar shkallë – shkallë në këto njëzet vjetet e shkuara. Pra le të gjykojnë me gjakftohtësi për t’iu hapur udhë proceseve. Andaj në këto rrethana do të ishte mirë që Presidenti i Kosovës, ta përmbyllte karrierën e tij politike duke dhënë dorëheqje, sikurse edhe z. Kadri Veseli, që duhet sa më shpejt të jap dorëheqje nga drejtimi i PDK-së, për t’iu hap udhë reformave dhe për ta shpëtuar PDK-në dhe Kosovën.

Në këtë vazhdë, është detyrë patriotike, të gjitha figurat udhëheqëse që kanë të ngritura akuza të largohen nga skena politike, bile bashkë me spiunët, bijtë e udbashëve dhe strukturat titiste të LKJ-së, që i kemi kudo në partitë politike dhe institucionet e ndjeshme të drejtësisë e sigurisë kombëtare në Kosovë.

E përsërisë kërkesën e kamotshme se Kosova duhet të kalojë nëpër një proces Vetting-u, e kundërta do të jetë me pasoja fatale për Kosovën!…

St. Gallen, 28.06.2020.