“Turqia nuk është më një aleat i besueshëm”

1
898

Nga: Steven A. Cook & Michael J. Koplow / 12 gusht 2016

Mbledhja e kësaj jave mes presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan dhe atij rus, Vladimir Putin, si dhe buja e shkaktuar prej saj përsa i përket zgjerimit të marrëdhënieve dypalëshe janë shenja më e fundit e ftohjes së marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë, që nga përpjekja e dështuar për grusht shteti muajin e shkuar.

Shtetet e Bashkuara dhe Turqia kanë kaluar shumë ditë të vështira më parë, siç kanë qenë ato pas pushtimit të Qipros nga ana e Turqisë në vitin 1974, apo pushtimi amerikan i Irakut nga forcat e armatosura amerikane, megjithatë liderët amerikanë dhe ata turq kanë ditur si t’i rregullojnë marrëdhëniet mes tyre. Por kësaj here, me ç’duket ka për të qenë ndryshe.

Që nga koha e bashkimit të Turqisë në NATO në vitin 1952, Shtetet e Bashkuara dhe Turqia kanë kontribuar në sigurinë dhe interesat e njëra-tjetrës, duke bërë që lidhjet mes tyre të përforcohen edhe më shumë prej vlerave të përbashkëta, ndërkohë që Turqia bënte sa vjen e më shumë hapa drejt demokracisë.

Forcat e SHBA-ve dhe armët nukleare taktike të vendosura në bazën ajrore të Inxhirlikut në Turqi treguan vendosmërinë e Amerikës për sigurinë në Turqi, si dhe mbështetjen e Ankarasë për një rend botëror të prirë prej Uashingtonit.

Por, këto ditë, Shtetet e Bashkuara dhe Turqia po tregojnë se e kanë disi të vështirë që ta shohin njëra-tjetrën në sy. Dy vendet ndihen në vështirësi përsa i përket problemit të Sirisë dhe për largimin sa më parë të liderit sirian, Bashar al-Asad; në marrëdhëniet e tyre me kurdët sirianë, të cilët kanë dëshmuar se janë aleatë më të besueshëm se turqit, përsa i përket luftës me Shtetin Islamik; për sovranitetin territorial në Irak, si dhe për sanksionet e nevojshme ndaj Iranit.

Megjithëse zyrtarët amerikanë pohojnë në privatësi se z. Erdogan është “i luhatshëm”, ata i kanë dhënë atij një vend të konsiderueshëm në politikat e Shteteve të Bashkuara. Frika e tyre është se trysnia publike do të sjellë për rrjedhojë më pak bashkëpunim me Ankaranë, veçanërisht në çështjen e Sirisë.

Asnjë çështje nuk i demonstron më së miri këto përplasje se sa situata dramatike e përjetuar në bazën ajrore të Inxhirlikut. Kjo bazë, e cila gjendet pak më shumë se 200 milje nga Rak’ka, në Irak, dhe dy herë aq prej Mosullit, i përket një rëndësie jetike, përsa i përket koalicionit kundër Shtetit Islamik.

Mirëpo turqit i detyruan Shtetet e Bashkuara drejt negociatash që zgjatën plot një vit rreth përdorimit të kësaj baze për të goditur të ashtuquajturin kalifat.

Megjithëse ajo iu bashkua më në fund koalicionit, Ankaraja i dha më shumë përparësi luftimeve me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe luftës sa saj kundër nacionalizmit kurd. Gjatë gjashtë muajve të fundit Turqia i ka përqendruar forcat më tepër mbi Shtetin Islamik, por kjo ka ndodhur vetëm pas sulmeve terroriste që ndodhën në Ankara, Stamboll dhe shumë qytete të tjera të Turqisë.

Grushti i shtetit i dështuar ka shkaktuar një nervozizëm të pashembullt në palën turke ndaj Uashingtonit, çfarë e forcon edhe më tepër krizën mes dy palëve. Vetëm pak orë pas nisjes së tentativës për grusht shteti, Shtetet e Bashkuara lëshuan një deklaratë ku shpreheshin se mbështetja e presidentit Obama ishte për qeverinë turke që ishte zgjedhur me rrugë demokratike prej vullnetit të vetë popullit.

Ndërsa një ditë më pas ishte vetë presidenti i SHBA-ve, që doli në deklaratë për shtyp dhe shprehu mbështetjen për qeverinë turke, e cila kishte arritur ta mposhtte me sukses tentativën për grush shteti.

Kjo duhet të kishte qenë më se e mjaftueshme për liderët turq, që të mos kaploheshin prej teorive të konspiracionit që qarkullojnë rëndom në shtypin turk dhe në rrjetet sociale, të cilat pretendojnë se Shtetet e Bashkuara kanë qenë të përfshira në tentativën për grusht shteti.

Një numër tmerrësisht i madh turqish mendojnë se Shtetet e Bashkuara janë po ashtu fajtore, sepse ato nuk po respektojnë marrëveshjet për ekstradimin ndërmjet tyre, duke mos e dorëzuar Fethullah Gylenin, klerikun turk, i cili jeton në Pensilvani, por që Ankaraja e akuzon si arkitektin e planifikimit të atij grushti shteti.

Në vend që të mbrojë marrëdhëniet e Turqisë me Shtetet e Bashkuara, z. Erdogan ka akuzuar njërin prej gjeneralëve të forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara, z. Joseph Votel, duke deklaruar se ai ka qenë një nga mbështetësit e pjesëmarrësve në grushtin e shtetit. Gazetat proqeveritare i kanë akuzuar gjeneralët amerikanë si bashkëpunëtorë të puçistëve në Turqi.

Madje shtypi turk nuk e ka kufizuar aspak veten, por ka shkuar edhe më tej, duke pohuar se pas tentativës për rrëzimin e rendit aktual në Turqi fshihet ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit, Henri Barkey. Kjo për arsyen e vetme se z. Henri Barkey, së bashku me shumë studiues të tjerë të Qendrës Ndërkombëtare për Kërkimin Shkencor “Woodrow Wilson”, kanë qenë në Turqi atë ditë, duke zhvilluar një konferencë shkencore.

Reagimit të Shteteve të Bashkuara nuk i ka munguar një fije nervozizmi dhe mungese besueshmërie, por nuk ka shfaqur as edhe një shprehje të vetme të protestës publike ndaj qëndrimit të Ankarasë. Mund të ketë vetëm një arsye për ta mbyllur një vesh ndaj sjelljeve të Ankarasë, siç është fakti se Turqia shihet si një faktor i pazëvendësueshëm, përsa i përket përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme dhe atë Qendrore. Jo, nuk është aspak i tillë.

Sulmet e ndërmarra prej bazës së Inxhirlikut janë të rëndësishme. Bombardimi i Shtetit Islamik përbën përparësi për palën amerikane, përderisa është ajo që po u siguron armatime rebelëve sirianë. Mirëpo të dyja këto misione mund të ndërmerren edhe nga tjetërkund.

Akuzat e pabaza që i bëhen Shteteve të Bashkuara tregojnë se z. Erdogan mund të pezullojë aktivitetin e amerikanëve në këtë bazë thjesht dhe vetëm për hir të të treguarit që ai mund ta bëjë diçka të këtillë.

Hartimi i një plani të ri për një zhvendosje të mundshme të forcave e saj jashtë Turqisë, ndoshta duke përdorur fushat e lira të aviacionit në Qipro, Jordani, apo në rajonin kurd në Irak, do të ishte njëfarë hapi i rëndësishëm për të ardhmen për Shtetet e Bashkuara.

Ky duhet të jetë një çast që i bën më të qarta gjërat për politikëbërësit amerikanë, duke bërë të ditur se Turqia dhe Shtetet e Bashkuara nuk ndajnë më të njëjtat vlera dhe interesa të përbashkët. Në vend të bërjes një sy qorr e një vesh shurdh ndaj teprimeve të turqve dhe shpresimit se z. Erdogan do të kthejë, mendojmë se ka ardhur koha për të kërkuar për aleatë më të besueshëm.

*) Analizë nga Steven A. Cook & Michael J. Koplow, botuar në Wall Street Journal.
Z. Cook është drejtues projektesh studimore për Lindjen e Mesme dhe Afrikën pranë Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë. Ndërsa z. Koplow drejtor i përcaktimit të politikave në Forumin e Politikave “Izrael”
.

1 KOMENT

  1. Turqia ka qene e besueshme kur e udheheqnin gjneralet SHQIPTAR, tani ky vend pismiletik udhehiqet nga gjeneralet tyrqelikomongolikoidiotik… edhe

    DARWIN U KRY

Komentet janë mbyllur.