VËSHTRIME
Flaka Surroi, 27 qershor 2020 – © KOHA.
Në pako me marrëveshjen eventuale në Washington ka mundur ta përfshinte edhe prishjen e Speciales – për shkak se dy të tretat e minoriteteve do t’ia siguronte Vuçiqi, i cili e kontrollon Listën Serbe, kurse dy të tretat e shqiptarëve do t’i kishte të sigurta, duke e marrë parasysh se thuajse nuk ka parti në Kuvend, që nuk e ka bile një të ftuar nga Haga, ndërkohë që LDK-së do t’ia “falte” postin e kryetarit të shtetit
E megjithatë, siç ndodh rëndom te ne, ky problem kaq serioz, të cilin nuk jam e sigurt se kjo Qeveri po di ta menaxhojë, mbeti këtë javë krejtësisht në hijen e një ngjarjeje të paralajmëruar prej kohësh, por që erdhi në një formë krejtësisht të papritur dhe të paparashikuar: Prokuroria e Dhomave të Specializuara bëri të ditur se ishin ngritur aktakuzat kundër Thaçit, Veselit dhe disa të tjerëve, me akuzën për vrasjen e 100 vetave, ani që aktakuza nuk ishte konfirmuar nga gjykatësi i procedurës paraprake.
Arsyetimi në komunikatë qe që kjo ishte ndërmarrë si masë për parandalimin e shfuqizimit sekret të Gjykatës Speciale nga Thaçi e Veseli.
Reagimet
E besoj se që të gjithë, pos ata që e kanë ditur se do të ketë aktakuzë, u zunë të papërgatitur me një kumtesë dhe veprim të këtillë. Specialja kishte paralajmëruar aktakuzat e para për në muajin korrik 2020 dhe tashmë dihej se një numër i caktuar njerëzish ishin marrë në pyetje në Hagë apo edhe në Kosovë në lidhje me pretendimet e senatorit zviceran, Dick Marty, që edhe ishte baza për krijimin e Speciales.
Veseli doli i pari në konferencë për shtyp dhe e bëri të qartë se aktakuza ishte e padrejtë dhe se me të po njollosej UÇK-ja. Thaçi nuk u ndie i gjallë – tashmë ishte nisur në Vjenë prej nga duhej të shkonte në Washington për takimin e aranzhuar nga Grenelli. E anuloi udhëtimin dhe me gjasë mbeti në Vjenë. U lajmërua dje me një postim populist në FB dhe tha se do të mbante konferencë për shtyp të dielën mbrëma. Se a do të japë dorëheqje apo jo, mbetet të shihet.
Pra, shumica e reagimeve ishin kundër Speciales dhe, si thuhet, “përpjekjes për barazimin e krimeve të bëra nga shteti serb dhe krimeve eventuale nga UÇK-ja”, duke krijuar një atmosferë të pakëndshme të mbështetur mbi dy premisa të gabuara. E para, është se Specialen e ka themeluar, me shumë vonesë, Kuvendi i Kosovës. Tashmë është thënë sa herë, se po të ishte themeluar një degë për krime lufte brenda Gjykatës Supreme qysh nga fundi i luftës, shumë nga rastet që janë lënë të patrajtuara ishin zgjidhur që moti, dhe tash nuk do të ballafaqoheshim me kësi situate.
E dyta është se fakti që tashmë të akuzuarit kanë qenë eprorë të UÇK-së nuk do të thotë se do të gjykohet UÇK-ja, porse mund të gjykoheshin ata si individë, të cilët assesi nuk mund të barazohen me krejt UÇK-në.
Ta kujtojmë, Kosova ka 48 mijë veteranë të UÇK-së, së paku aq i kanë pranuar komisionet përkatëse, me gjithë mashtrimet që i kanë bërë. Sipas IOM-it që kishte bërë regjistrimin e ish-ushtarëve para themelimit të TMK-së, kishin qenë 25 mijë ushtarë. Pra dy, tre, pesë a dhjetë komandantë nuk e nënkuptojnë krejt ushtrinë. Situata e nënkupton se duhen dhënë përgjegjësi nëse e kanë për veprimet e tyre individuale, ose grupore, për interesa të ngushta personale a grupore, e jo për interesin e përgjithshëm.
OVL e UÇK-së insiston se Specialja duhet të zhbëhet dosido – dhe e vetmja mënyrë për ta bërë këtë është që të ndryshohet Kushtetuta, fakt i cili ka nevojë për dy të tretat e votave të shqiptarëve dhe dy të tretat e minoriteteve në Kuvend. Pas publikimit të ekzistencës së aktakuzës, kjo duket thuajse e pamundur tash.
Pas deklaratave të shteteve të huaja në lidhje me veprimin e Prokurorisë, tentimi i ri për prishjen e Speciales nuk është opsion.
Faktet
1. Aktakuza dëshmon se Thaçi u bë i shantazhueshëm që nga çasti kur doli raporti Marty, në të cilin ai ishte personazhi kryesor. Jo rastësisht, tash po vërtetohet, mu në atë kohë nisi procesi i “bisedimeve teknike” me Beogradin në Bruksel, të cilin, do të mbajmë mend, e nisi ai, krye më vete më 8 mars 2011, kur e dërgoi Edita Tahirin që të takohej me Borko Stefanoviqin – pa marrë leje paraprake nga Kuvendi;
2. Derisa ishte kryeministër shkoi për t’u takuar me Daçiqin, dhe më 2013 e nënshkroi copën e letrës që e themeloi autonominë territoriale të serbëve në Kosovë;
3. Kur nuk mundi ta formonte qeverinë sipas qejfit më 2014-n, e bëri mishmash Kushtetuesen dhe ia prodhoi një aktgjykim skandaloz sipas të cilit, vetëm partia e tij mund ta krijonte Qeverinë, me kusht që e gjen dikë që i nënshtrohet. E gjeti te LDK-ja, së cilës ia dha kryeministrinë, kurse për vete e mbajti postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, me kushtin që më 2016-n të zgjidhej kryetar i shtetit. Dialogun nuk e lëshoi, se tash e kishte të “detyrueshme” të shkonte si ministër i Jashtëm.
4. U zgjodh kryetar me presionin që e ushtroi Mustafa ndaj deputetëve të vet, si dhe me dhuratat – poste diplomatike për ca deputetë apo kushërinj të atyre që ia dhanë votën.
5. Me t’u bërë kryetar, vendosi ta udhëheqë dialogun vetë. Nuk e pyeti askënd dhe natyrisht se nuk kërkoi pëlqim nga Kuvendi. Thoshte se Kushtetuta është e qartë, se ai e përfaqëson shtetin jashtë, pra për pasojë, mund të negociojë.
6. Shkoi në Bruksel me dhjetëra herë. Thuhej se kishte pasur edhe takime të fshehta me Vuçiqin, por ec e bjeri në fije nëse ka qenë e vërtetë ose jo. E mbylli zyrën e vet për komunikim me publikun dhe nuk jepte as përgjigje e as qasje në dokumente zyrtare. Deri në fund të mandatit të Mogherinit, doli mbi tavolinë opsioni i këmbimit të territoreve, ndërkohë që i zbuloi konferencat për shtyp që i mbante thuajse çdo ditë, ku do ta elaboronte çështjen e dialogut: marrëveshja do të jetë e dhimbshme; unë do ta kthej Luginën në Kosovë, por Kosova nuk humb territor; duhet bërë koncesione, marrëveshja duhet të arrihet deri në fund të vitit, etj., etj.
Po të ishte varur e gjithë kjo punë nga Mogherini, marrëveshja për këmbim territoresh mbase edhe ishte nënshkruar. Porse Kosovës i doli në ndihmë Gjermania, dhe kësaj ideje, përkohësisht, iu prenë krahët.
7. Në atë kohë nisi të thoshte se negociatat duheshin udhëhequr nga Amerika, sepse BE-ja po dëshmohej e kotë. Jo rrallë shkoi në Amerikë dhe nuk e dimë se me kë u takua dhe çfarë foli. Porse fakti është se në administratën Trump, me gjasë, e gjeti vendin për ta eksploatuar idenë për këmbim territoresh. Trumpit i nevojitej një fitore në politikën e Jashtme, me zgjidhjen e nyjës së Kosovës, të cilën e kishte bërë lëmsh Thaçi me “negociatat e veta”; Vuçiqi paraqitet pacifist dhe do të na e merrte veriun, kurse Thaçi do t’i merrte tri katër fshatra të Luginës dhe do ta shpëtonte veten nga Specialja.
8. Zgjedhjet e 6 tetorit ia prishën planet. Kurti kryeministër nuk ishte njeri që ky mund ta manipulonte. Në bashkëpunim me militantët e tij në LDK, e rrëzoi Qeverinë, duke e përdorur argumentin e “antiamerikanizmit” që u “koçit” te tarifa e reciprociteti – një argument absolutisht kot.
E manipuloi Kushtetuesen për së dyti, që jo vetëm nuk ia shpalli dekretin kundërkushtetues, porse e mundësoi krijimin e një Qeverie të re, që u bë peng i 10 votave të Listës Serbe dhe e cila, kësaj radhe nuk u vonua për t’u themeluar për shkak të luftës për kryetarin e shtetit që duhet të zgjidhet më 2021.
9. Rrugën tashmë e kishte të hapur. Refuzonte ta takonte Lajçakun, me argumentin se vjen nga një shtet që nuk e ka njohur Kosovën, por dikur e takoi, për formë më shumë se përmbajtje, për shkak se tashmë e kishte prerë mendjen për patronazhin amerikan në procesin e dialogut.
10. BE-ja, breshkë kronike, e përgatiste samitin në Paris diku nga mesi i korrikut, por Grenelli u ngut, dhe i thirri Thaçin, Hotin, Vuçiqin e Bërnabiqin që të takoheshin në Washington të shtunën, do të thotë sot – për t’u marrë vesh për ekonomi. Pa precizuar çfarë në ekonomi.
Probabiliteti
1. Skenari i ndërtuar nga fillimi i vitit do të ketë pasur qëllimin të cilin ky nuk e ka fshehur – që të zhbëhet Specialja. Më 2019 i kishte shkruar Pompeos një letër për t’i treguar se sa e padrejtë është Specialja. Kjo, për shkak se tashmë me siguri ishte marrë në pyetje nga prokurorët – të cilën gjë, për dallim prej të tjerëve, nuk e pranoi kurrë publikisht. Kur Pompeo ia ktheu se Specialja duhej respektuar, gjeti tjetër mënyrë për të vepruar.
2. Shkuarja në Washington te Grenelli ka mundur të sillte një marrëveshje që do të mbështetej mbi ekonominë, porse pa harruar se dy nga asetet më të mëdha ekonomike, Trepça dhe Ujmani, janë në veri. Marrëveshja ka mundur të nënshkruhej nga Thaçi, i cili gjithë kohën thirret në Kushtetutën për të argumentuar se kush është shefi, dhe më pas do të kthehej për miratim në Kuvend, me dy të tretat e dyfishta.
3. Njëkohësisht, në pako do të mund ta përfshinte edhe prishjen e Speciales – për shkak se dy të tretat e minoriteteve do t’ia siguronte Vuçiqi, i cili e kontrollon Listën Serbe, kurse dy të tretat e shqiptarëve do t’i kishte të sigurta, duke e marrë parasysh se thuajse nuk ka parti në Kuvend që nuk e ka bile një të ftuar nga Haga. Natyrisht se me LDK-në do të merrej vesh lehtë për prishjen e Speciales, me “faljen” e postit të kryetarit të shtetit kësaj partie. Nuk duhet harruar se para nja dy a tri javësh kishte deklaruar se nuk e mendonte mandatin e dytë në këtë post.
Duke e ditur se me çfarë shpejtësie thirren mbledhjet e Kuvendit sa herë që ky ka nevojë, e gjithë procedura do të përfundonte para se të ngriheshin zyrtarisht aktakuzat, që ishin paralajmëruar për në korrik.
4. Ekziston mundësia që të japë dorëheqje që nesër – krejt varet se si do ta këshillojnë këshilltarët dhe avokatët e tij. Mbase edhe do t’i shtyjë përkrahësit e tij që të dalin e të protestojnë. Porse do të bënte mirë të dorëhiqej, me gjithë prezumimin e pafajësisë dhe me gjithë faktin se aktakuza nuk është konfirmuar ende nga gjykatësi, për shkak se nuk i bën nder Kosovës ta ketë një kryetar të akuzuar për krime lufte.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Serbia nuk eshte e interesuar per dialog. Per kete arsye ishte shumë e kenaqur kur iu bene masat e tarifes 100% dhe Reciprocitetin e qeverise se kaluar. Pastaj kur u hoqen te gjitha pengesat per dialog, Serbia permes BEse dhe Rusise, e bene nje veprim kur u be nje aktakuze e PACERTIFIKUAR, dhe e ben publike pikerisht qe te mos ndodhe dialogu ne te cilin Kosova do te dilte fituese.
Serbia dhe BE ja e unike kunder Kosoves.
Komentet janë mbyllur.