Koha.net, 7 Gusht 2016
Gjeografi Florim Isufi, ndër më të zëshmit kundër mënyrës se si është demarkuar kufiri i Kosovës me Malin e Zi, ka publikuar një rezultat të ri pas analizimit të hartave kadastrale.
Sipas tij, kur Mali i Zi kishte dërguar koordinatat për territorin e vet më 2013, kishte 6600 hektarë më pak se sa që ka tash.
Lexojeni të plotë, e pa ndërhyrje artikullin e Isufit:
Sot kemi lajme sa të mira aq edhe të këqija. Pas pretendimeve kryesisht nga ndërkombëtarët se më 2007 janë dërguar koordinatat e kufijve të ri, që kanë përgatitë shpalljen e pavarësisë së Kosovës në Eurogeographics, Besa Luzha, Florim Isufi dhe Shpejtim Bulliqi kërkuan datasetin zyrtar për Kosovën dhe Malin e Zi (Mali i Zi ka dërguar koordinata më 2013).
Për fat të mirë këto datasete mund të qasen dhe shkarkohen falas. Duke analizuar të gjithë këto informata dhe duke shkarkuar të gjitha të dhënat nga Eurogeographics kemi konstatuar se diçka nuk është në rregull.
Nga analizat e bëra kemi konstatuar se:
1. Hartat janë digjitale në formatin vektor në stilin poligon,
2. Mund të llogaritet gjatësia e kufirit për secilin shtet
3. Mund të llogaritet sipërfaqja për secilin shtet
4. Dy shtetet janë të prezantuara me hartat e tyre si Kosova ashtu edhe Mali i Zi.
Pastaj kemi konstatuar se sipërfaqet e dy shteteve nuk përputhen me ato që i kanë zyrtare. Shqetësuese është sipërfaqja e Malit të Zi, që aq me këmbëngulje u mbrojt me 3 gusht. Sipërfaqja e Malit të Zi bazuar në hartën zyrtare të dërguar në Eurogeographics rritet për 66 km2 apo për 6600 hektarë, aq sa Kosova i humbë sipas hartës numër II të prezantuar nga ne me 3 gusht, apo aq sa humb sipas hartës së zonave kadastrave të vitit 1974.
Nëse analizohet harta zyrtare e Malit të Zi të dërguar në Adriatik Atllas nga qeveria e Malit të Zi me hartën e Eurogeographics, po ashtu të dërguar nga qeveria e Malit të Zi, del se ka dallim në sipërfaqe për 6600 hektarë.
Kjo dëshmon se Mali i Zi që nga viti 1945 deri në vitin 2015 ka pasur 13.812 km2, ndërsa pasi t’i përfundojë të gjitha demarkimet dhe sipas hartës së dërguar në Eurogeographcs, Mali i Zi do t’i ketë 13.878 km2.
Ja kështu, Kosova humbë sipërfaqe, ndërsa Mali i Zi fiton në dëm të Kosovës.
Këtë mund ta vërtetojë kushdo që ka qasje në Gjeo-data – Bazën e Eurogeographics ose në Adriatik Atllas. Për hartën e Eurogeographics kanë dalë me deklarata përkrahës edhe disa ndërkombëtarë. Është për çudi pse edhe qeveria nuk i vërteton këto fakte. Mos me vetëdije po e anashkalon këtë fakt. Kjo është kot, sepse pas disa viteve Mali i Zi zyrtarisht nuk do t’i ketë 13812 km2, por 13878 km2, apo 6600ha më shumë.
Harta që Mali i Zi e ka dërguar në Eurogeographics në vitin 2013, me 6600 hektarë më pak se sa ka pas demarkacionit
Harta që Kosova e ka dërguar në Eurogeographics në vitin 2007, një vit para shpalljes së Pavarësisë
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.