PËR HIR TË DASHURISË

0
547
Pajtim Xhelo

Tregim

Muzgu sapo zbriti shkallët e fundit për të hyrë në natën e ftohtë e të errët të janarit. Dritat e zbehta që zgjatnin zverkun mbi degët e pemëve të trotuareve dukeshin si llampa neone që po përdornin grimcat e fundit të gazit , duke i dhënë qytetit verior një pamje të mekur , pa jetë. Para perëndimit të diellit nëpër qiellin e tkurrur u rrotulluan ca re të çuditëshme që trembën njerëzit nga ndonjë furtunë e papritur, po muzgu i largoi shpejt ato për t’ia lënë natës qytetin të qetë.

Ato re e kishin trembur Katerinën që nxitoi hapat për të arritur në shtëpi para se të niste ndonjë shi i rrëmbyer.Kishin festuar ditëlindjen e shoqes së punës, Tanës në një nga lokalet më të bukur të qytetit,po siç ndodh rëndom në kësi rastesh koha nuk ndihet dhe sikur e kishin tepëruar diçka, i ishin afruar mbrëmjes Ajo ecte me kokën ulur për t’iu shmangur ndonjë grope të hapur nga shembja e pllakave, gjë që po ndodhte rëndom kohët e fundit ngaqë Kryebashkiaku i qytetit kish kohë i shtruar në një nga klinikat e kryeqytetit, i diagnostikuar me një sëmundje të pashërueshme. Duke iu ruajtur gropave Katerina desh u përplas me një kalimtar, i kërkoi atij të falur pa ia hedhur fare sytë dhe vijoi rrugën, po një zë që iu duk shumë i njohur e bëri të ndalonte hapin sërish. Një çast qëndroi ashtu, e palëvizur, pa u kthyer, e lëkundur nga një mëdyshje ngacmuese.

– Kate, nuk po më njeh?
Gruaja e re nuk lëvizi. Desh të dyshonte mos i kishin bërë veshët. Dikur kish dëgjuar nga gjyshja e saj që shpesh njeriu dëgjon zëra që i përkasin një bote tjetër, një forme tjetër jete dhe në këto raste nuk duhet të reagosh, duhet t’i shpërfillësh, sepse të ikën mendja.U bë gati të hidhte hapin, po zëri u dëgjua sërish, i qartë, i sigurt… Ishte zëri i Atij.
– Kate, nuk më njohe me të vërtetë?

Ajo u kthye me rrëmbim, i hodhi një vështrim të çoroditur dhe vetëm tha:
– Ti??
Tjetri u mat të hapte krahët për ta përqafuar, po gruaja zgjati dorën që ta mbante të larguar.
– Të tjerët më thërrasin Rina – i foli me një fije zëri – Emrin Kate e kisha harruar- heshti pakëz dhe me sytë përtokë e pyeti – Po ti nga bota e përtejme po vjen?

Tjetri qeshi.
– Jo Kate, nga ajo botë nuk është këthyer askush.
– Ne të dinim të… – Ajo nuk e mbaroi dot fjalën dhe u drodh lehtë, si të ish përmendur nga një kllapi.
– Të vdekur – plotësoi ai – Mos u druaj ta thuash. Ndenja një vit në komë. Në jetë më këtheu një murgeshë franceze, që, si më nxorri nga spitali më çoi në shtëpinë e prindërve të saj që nuk ishin më në këtë jetë.

Katerina i kapi me drojtje dorën dhe e ndërpreu:
– Martin, më thuaj të lutem, je ti? Gjithçka po më duket e pabesueshme, nuk jam e sigurt në s’po shoh ëndërr. Kanë kaluar tre vite. Përse nuk erdhe që kur dole nga spitali?
Martini nuk u përgjigj menjëherë; e ndjeu thellë shqetësimin e Katerinës dhe tronditjen që po përjetonte gruaja e re, para së cilës ishte shfaqur fantazma e një njeriu që dihej i vdekur që prej tre vitesh. Ai e kapi lehtë për supesh, e afroi nga vetja dhe ndjeu të dridhurat e gjithë trupit të saj. E mbajti shtrënguar për disa minuta, pastaj u kujtua që Katerina tashmë i përkiste një burri tjetër prej disa muajësh dhe e shkëputi me kujdes, pa i rënë në sy.

– Dy vite nuk dija se cili isha, nga vija dhe si më kishin shtruar në atë spital. Ngadal, ngadalë më erdhi kujtesa, në fillim për gjëra të shkëputura, pastaj m’u kujtua gjithçka. Ja ku erdha më në fund te të gjallët, Kate.
Gruaja nuk tha asgjë.
– E di që është vonë- vijoi Martini – Mësova që je martuar me Pirron. Ti nuk ke faj. Sikur të mundja tI ktheja gjërat në kohë, sa do ta doja këtë , zemra ime.
Kokëulur, mes lotëve që po i zinin fytin, ajo pëshpëriti :
– E ku ta dija unë se një i vdekur mund të ngjallej? Këtë nuk ma tha njeri Martin. Të kërkoj të falur. Më duhet të nxitoj,jam shumë vonë dhe ata të shtëpisë do të jenë shqetësuar e mund të kenë dalë te rrugica të më presin
I dha dorën dhe u fsheh sakaq te kthesa e rrugicës së shtëpisë.
Pirroja po e priste para shkollës 9 vjeçare. I hodhi krahun supeve dhe e afroi butë , e puthi dhe si pati ndiesinë që Katerina nuk qe në humorin e duhur, e pyeti:
– Pse rri e truar thëllëza ime? Pasdrekja nuk kaloi si duhej?

Katerina nuk u përgjigj; ajo nuk kish mbledhur akoma veten nga takimi me Martinin. Nuk dinte si të vepronte. Ti tregonte për atë që kish përjetuar? Po sikur i shoqi të bëhej xheloz, të dyshonte në besnikërinë e saj? Jo, gruaja nuk duhet ta bënte atë kurrësesi. Kjo mund të trondiste marrëdhëniet e saj me të shoqin. Ishin dashur dy vite të gjata që Katerina t’i mbushte mendjen vetes se Martini tashmë i përkiste një bote joreale, kurse ajo duhet të jetonte te kjo bota tjetër që e prekte dhe duhet ta shijonte si gjithë të tjerët. Në fund të fundit Gjergji ishte njeri i mirë dhe e kish dashur që kur ishin në bangat e shkollës, kish vijuar ta donte edhe kur ajo u lidh me shokun e tij të ngushtë, Martinin, veç e pat respektuar vendimin e saj për të përzgjedhur midis tyre shokun e tij.
– Më dhëmb pak koka – ia ktheu shkurt – Që në mëngjes kështu isha sot, po në ditëlindjen e Tanës nuk mund të mos shkoja.

Kur kishin arritur tashmë te shkallët e shtëpisë, e pyeti : – Po ti si kalove sot?
Ndërkohë vjehra që kish dëgjuar zërat dhe hapat e tyre u dha te dera dhe si i puthi të dy, i ftoi të uleshin në tavolinën e ngrënies ku gjella e porsahequr nga zjarri po lëshonte fjolla avulli dhe pëhapte aromën aq të dashur të erëzave që ajo grua dinte t’i përdorte me një mjeshtëri të habitëshme. Gjithë njerëzit e Gjergjit mezi prisnin që të uleshin sa më shpesh në sofrat e shtruara nga ajo grua. Edhe Katerina nuk kish shpëtuar nga kjo magjepsje, po sonte mendimet e nakatosura keq ia kishin larguar të gjitha dëshirat. E vjehra e vuri re menjëherë këtë dhe po e shihte e merakosur.

– Bëj një dush, do të ndihesh më mirë – i tha Gjergji kur u ulën.
– Atë do bëj. Për të ngrënë nuk mund të fus dot asgjë në gojë, se e kam stomakun të përzier nga ëmbëlsirat e lokalit. Pas dushit do shtrihem. Mbase më pushon dhimbja e kokës e më ze gjumi.

Ashtu bëri, po gjumin ia kish larguar koha e vjetër, pendimi, që po trokiste pa të drejtë në shpirtin dhe në ndërgjegjen e saj. Cili ishte faji që kish bërë?Mos duhet të vishej me të zeza si motra e Martinit dhe ta mbyllte jetën e saj që në moshën 22 vjeçare? E kish pritur më tepër se dy vite, me shpresën mjerane, që sa vinte e venitej,se mos një ditë fare papritur, si në përrallat, ai do të fanitej si Kostandini i hipur në një kalë e do të trokiste te dera e Katerinës për të mbajtur besën e dhënë kur ishte gjallë. As kjo nuk ndodhi në dy vitet e gjatë e torturues. E motra veshi të zezat për mort që në fillim, kur Gjergji u këthye dhe i bëri me dije se Martini kish ikur nga kjo jetë para syve të tij, ndërsa Katerina i jepte zemrës krahët e mistershëm të pritjes së tejzgjatur, i jepte mendimit fuqi të pashterëshme për të depërtuar në punët e fshehta të Zotit, duke iu lutur Atij çdo ditë që t’i ndriçonte rrugën e durimit.

E ëma i rrinte çekan mbi krye, e motra e Martinit po ashtu, Vetëm Tana,,shoqja e fëmijërisë nuk e pyeti kurrë dhe nuk ndërhyri për t’i dhënë ndonjë mendim. Ndërkohë Gjergji priste që vajza të lodhej nga kjo shpresë e pakuptimtë dhe ishte më se i sigurt që një ditë Katerina do të lodhej dhe do vente tek ai.

Një të diel vajza u nis nga shtëpia pa ndonjë synym të veçantë. Ndihej e rrethuar nga një boshllëk qetësues, shpërfillës ndaj gjithçkaje në atë qytet dhe kjo, çuditërisht po e pëkëdhelte ëmbëlsisht në shpirt. Përshëndeti me kokë dy të njohur të rastësishëm dhe kur kish arritur para Bibliotekës së qytetit u ndodh përballë motrës së Martinit, Ajo i dha dorën dhe e përqafoi.
– Ti e di Katerina sa dëshirë kisha unë që të ishim kunata, do kalonim si dy motra, po fati nuk desh dhe ne, njerëzit, nuk jemi aq të fuqishëm sa të dalim kundër fatit që na i cakton tjetërkush,
Tjetra po e dëgjonte jo shumë e vëmendëshme, me një buzëqeshje të hutuar, që dukej sikur e kish marrë hua nga ndonjë fytyrë tjetër. Sidoqoftë, po priste ta dëgjonte deri në fund.

– Ti bëre atë që vajzat e tjera nuk do ta kishin bërë… Prite atë që dihej që nuk do të kthehej më kurrë. Për tim vëlla kështu ishte shkruar, kurse ti ke jetën përpara dhe nuk duhet ta shpërdorosh kësisoj me përfytyrime të paqena të një bote që nuk e kemi parë as në ëndërr. Ti duhet të martohesh me Gjergjin dhe jam e sigurt që Martini do ta miratojë këtë. Nuk ke ku gjen djalë më të mirë. Nuk e kupton që të do aq shumë, sa ka konë që pret me një durim që do patur zili? Ti duhet ta hedhësh këtë hap sa më parë për veten tënde dhe për Gjergjin.

Në heshtje, Katerina i dha të drejtë, vetëm lëvizi kokën në shenjë pohimi dhe të dyja vijuan rrugën që kishin nisur para takimit. Pakngapak vajza po e merrte veten nga ajo ndiesia e boshllëkut shpërfillës që e kish pështjellë kur kish dalë nga shtëpia. Papritur mendimet i kish nisur te Gjergji që duhet të ishte ulur në kafenenë e tij të përherëshme dhe po pinte më nge kafen e të dielës. Dhe ashtu, si pa e kuptuar, këmbët e çuan atje. Në lokal ishin pak njerëz dhe zhurmët e bisedave treteshin në tingujt magjepës të këngës së famëshme franceze “Tombe la nezhë”. Nën magjinë e atyre tingujve Katerina u ul në një tavolinë bosh pranë dritares dhe porositi një kafe të shkurtër. Hodhi shikimin nga dritarja që ta shijonte edhe më shumë këngën dhe kur ajo kish mbaruar ndjeu që i ulën kafen përpara së bashku me një pije joalkolike. Ngriti kokën për t’i thënë kamarierit që ajo kish porositur vetëm kafe, se patjetër ai e kish ngatërruar me porosinë e ndonjë klienti tjetër, po i mbeti fjala në buzë nga e papritura. Në vend të kamarierit po shërbente Gjergji.

– Ti ? – nuk e fshehu ajo habinë. Pastaj e mblodhi veten dhe bëri shaka – Ke filluar punë si kamarier në këtë lokal?
Gjergji qeshi.
– Epo, meqë jam klient i përhershëm mendova se nuk është keq të punoj të dielave. Të pasur nuk jemi dhe as nuk bëhemi, po të paktën të mbledhim ndonjë lek, se , helbete, edhe do martohemi.

Edhe Katerina u ndie mirë dhe i tha të ulej. Ndenjën gjatë, pa u kujtuar asnjeri që të fliste për largimin. Ndonjëherë ato që nuk ndodhin kur ti i ke pritur për kohë të tëra, në një çast të vetëm bëhen natyrshëm, thjeshtë, pa u shtirë, pa u munduar.Shumicën e rrugës ata e kishin të përbashkët dhe kur do ndaheshin, Gjergji e pyeti në se kish dëshirë të takoheshin atë mbrëmje. Vajza kish pranuar.

Kështu akulli i viteve ishte shkrirë për të rrjedhur më pas i qetë në udhën e duhur.
Aty rreth mesit të natës Gjergjit i doli gjumi dhe ndjeu që edhe e shoqja ishte zgjuar. E puthi, i ledhatoi flokët e dendur që ishin shpërndarë shkujdesur në jastëk dhe e pyeti:
– Nuk të ka pushuar akoma dhëmbja e kokës?Po ngrihem të të sjell një paracetamol – Ai u mat të ngrihej, po Katerina e ndaloi me dorën mbi sup.
– Jo, nuk më duhet, dhëmbja më shkoi po gjumi nuk po më ze.

Gjergji e tërhoqi lehtë drejt vetes dhe nisi ta puthte e ta ledhatonte me etje të pangopur. Ao në fillim nuk e kundërshtoi, po kur ndjeu që Gjergji ishte i vendosur ta çonte deri në fund etjen dhe urinë e tij për dashuri, iu lut :
– Mos Gjergj, nuk mundem , nuk të përgjigjem dot sonte.
Po djali nuk hiqte dorë kollaj.
– Dashuria do të sjellë gjumin që të është arratisur – i tha. – Sonte jo, sonte nuk ma sjell asgjë gjumin.- Ajo u mundua të dukej e qetë dhe u largua në skaj të krevatit. Edhe Gjergji u bind jo me shumë dëshirë dhe u përpoq t’i jepej sërish gjumit.

Katerinës nuk i hiqej nga mendja fytyra e dobësuar e Martinit. Ashtu, vagët iu kujtua viti i tmerrshëm 1997 që kish shkaktuar jo pak tragjedi personale dhe familjare te shqiptarët. Ata të dy kishin mbetur pa punë, sepse në Polici qe bërë reforëm e thellë. Në të vërtetë zgjedhjet ishin fituar nga partitë e majta dhe si ndodhte rëndom në Shqipëri, të djathtët duhet të dilnin në asistencë. Martini dhe Gjergji kishin vendosur të largoheshin me një anie peshkimi për në Spanjë, po dy javë më pas Gjergji ishte kthyer vetëm, duke dhënë edhe lajmin e hidhur se Martini ish rrëzuar nga një shkëmb i lartë në bregdetin e Korsikës dhe kish ndrruar jetë. Në familjen e Martinit u pritën ngushëllimet, po trupi i tij nuk u soll kurrë dhe varrim nuk pati asnjëherë. Si të gjithë që i lënë lamtumirën kësaj bote edhe ai nisi të mbulohej nga një perde e hollë harrese, që sa shkonin ditët, aq më tepër bëhej gri.
Po tani që Martini ishte kthyer përsëri në botën e tyre, në jetët e tyre si do t’i vente halli?
“Përse Gjergji dha lajmin e vdekjes së tij, kur Martini paska qenë gjallë? Çka ndodhur midis tyre atje në atë ishull të mallkuar, në Korsikë?”

Kjo pyetje nuk ia lejonte mendimin të udhëtonte më tej… Aty mbeti deri në agimin e ditës së re.
Në mbrëmje Gjergji u kthye vonë në shëpi. Tha se kishin patur një ngjarje të rëndë dhe ishte i lodhur. Kur ishte duke ngrënë darkë, sikur të ish kujtuar papritur tha:
– E dini, sot më ndodhi diçka e pabesueshme, takova Martinin që ne të gjithë e dinim të vdekur.- Heshti një hop pa i parë ato në sy dhe vijoi – E kishin shpëtuar dy barinj korsikanë që e kishin çuar në një spital pa ndjenja e pa vetëdije. Mezi kish rimarrë kujtesën edhe pse jo plotësisht. Nuk mbante mënt asgjë, as rrëzimin nga shkëmbi, as anien që na zbriti në Korsikë… Asgjë, sikur t’i kish lënë në ndonjë tjetër jetë, në ndonjë tjetër planet.

E ëma lëvizte nëpër dhomë si e shastisur, pa mundur të thosh asgjë. Katerina e pyeti:
– Erdhi për të të takuar?
– Jo, në fillim nuk më njohu, pastaj, pakngapak u kthjellua, po gjithnjë për kohën para se të niseshim për në Spanjë. Kish ardhur për të filluar punë në Polici.
– Sa mirë, mundi të fliste më në fund e ëma – Do punoni bashkë përsëri, si dikur.

Gjergji nuk tha asgjë. Me bisht të syrit vuri re të shoqen, po fytyra e saj ishte pa asnjë shprehje. Si ishte e mundur kjo shpërfillje për dikë që e ke dashur dhe e ke pritur gjatë? Çpo ndodhte me Katerinën? Që në fillim ajo nuk tregoi asnjë shenjë habie… Njëlloj sikur të kish dëgjuar nga goja e tij që qeni i gjitonit që kish humbur para disa ditësh ishte rikthyer.
Sonte ndihej ai i lodhur dhe kërkoi leje që të binte herët në krevat për të fjetur.
Ditët që vijuan kudo në ambientet e qytetit bëhej vetëm biseda e rikthimit të Martinit. Në përgjithësi njerëzit mendonin se kish ndodhur ashtu si flitej , se Gjergji e kish kujtuar të vdekur dhe ishte larguar. “YMËRGJATI NUK BËHET YMËRSHKURTËR” …Kështu përfundonin të gjitha bisedat. Kish edhe dyshues, për të cilët Gjergji e kish lenë me qëllim, se e dinte që ishte akoma i gjallë dhe këtë e kish bërë për t’i marrë të fejuarën. Akoma më keq dyshonin të tjerë… Gjergji e kish hedhur vet nga shkëmbi, duke pandehur se kish vdekur dhe ishte kthyer, due patur tashmë rrugën të lirë për Katerinën.

Kuptohet, si për të gjitha ngjarjet e bujëshme në qytetet e vogla përfytyrimet marrin krahë në pëmasa të pamendueshme, vetëm se zgjasin pak, derisa ndodh ndonjë ngjarje tjetër. Pastaj e mëparëshmja harrohe.

Në punë Katerina e ndiente veten në siklet. Kish përshtypjen se të gjithë pëshpërisnin pas shpine dhe kjo e acaronte, po nuk kish çtë bënte, nuk i ndalonte dot. Edhe në rrugë i dukej sikur e shihnin të gjithë gjykues të padrejtë, po as këtë nuk e ndalonte dot. ” Do kalojë si çdo gjë tjetër.” ngushëllohej ajo. Në shëpi ishin kthyer të tre në shurdhmemecë, flisnin vetëm për gjëra të kota, për gjellët, për energjinë elektrike që ndonjëherë mungonte për orë të tëra. Martinin nuk e zinte askush në gojë, sikur emri i tij t’u shkaktonte alergji të pashërueshme.Duke e mbajtur larg mendonin se ndiheshin më rehat. Vetëm një natë,kur u kthye vonë në shtëpi, Gjergji tha : – Ishim në një ngjarje të rëndë në Rubik bashkë me Martinin..

Katerina nuk foli, kurse e ëma tha e gëzuar: – Sa mirë që jeni përsëri si dikur! Martini, besoj, duhet të jetë i kënaqur.
Gjergji u përgjigj thatë: – Sigurisht.
Kishin kaluar mbase dy muaj nga këthimi i Martinit, po në shtëpinë e tyre emri i tij nuk përmendej, njëlloj si atëhere kur ai dihej i vdekur, thuajse ishte harruar.

Po Martini nuk kish harruar asgjë. Tashmë i kujtonte të gjitha hollësitë, si ishin grindur në ishullin e Korsikës, sepse ai ngulte këmbë të shkonin në Spanjë ku i priste një shok i tij nga Saranda që ishte atje që në 1990 me hyrjen masive në ambasadat e huaja në Tiranë, si e kish qëlluar me grusht Gjergji dhe ai qe rrokullisur nga ai shkëm gjigand. Kaq, po kjo mjaftonte që ai të ndihej i fyer e i mohuar, i braktisur në mëshirë të fatit nga njeriu që e kish quajtur deri atëhere më tepër se vëlla. Kur ishin vetëm të dy, Gjergji përfytyronte skena të ndryshme se si mund të hakmerrej kundër njeriut që i kish përkëmbur dinjitetin, e kish ngrënë në besë. Nuk kish as dyshimin më të vogël që gjithçka e kish bërë për t’i marrë Katerinën. Ai duhet të hakmerrej tani për ta rifituar atë që i kishin rrëmbyer me dinakëri… Këtë duhet ta bënte PËR HIR TË DASHURISË.

Pas kohësh, në një vendngjarje u ndodhën vetëm ata të dy. Keqbërësi ia kish mbathur vrapit dhe Gjergji e kish ndjekur për ta kapur. Martini nuk bëri asnjë hap më tej. Ishin vetëm. Nuk kish rast më të mirë për t’u hakmarrë ndaj pabesisë. Një çast u step…Mos ishte edhe kjo që donte të bënte pabesi?Mos po tregohej burracak?

Nuk pati kohë ta çonte deri në fund mendimin. Hajduti ish ndeshur me muret e larta rrethuese të asaj pjese të braktisur të minierës dhe tashmë po vinte përballë tij i ndjekur nga Gjergji. As vet s’e kuptoi si qëlloi mbi Gjergjin dy herë, pastaj qëlloi edhe mbi hajdutin. Truri i përcillte mendimin me shpejtësinë e dritës. Mori dorën e keqbërësit që akoma lëvizi lehtë dhe vendosi mbi pistoletë shenjat e tij kudo. U sigurua që të dy kishin nisur rrugëtimin për në botën tjetër dhe lajmëroi me radio patrullën më të afërt të policisë
Gjithçka u bë e thjeshtë edhe për t’u vërtetuar, edhe për t’u
besuar. Kur e morën në pyetje ai tha :

– Hajduti u hodh mbi mua që nga muri, më mori pistoletën dhe qëlloi me të Gjergjin që po e ndiqte. Ndërkohë unë u lëshova mbi të dhe ia hoqa pistoletën nga duart. U përpoq të merrte armën e Gjergjit, po unë arrita ta qëlloj. Atë që ndodhi më pas ju e dini.
Shefi i Komisariatit vuri re pezmatimin e thellë në të gjithë pamjen e Martinit. Ai dukej i dërrmuar, vështrimin nuk e ngriti për asnjë çast dhe duart i mbante pështetur te gjunjët. Zëri i dridhej.
– Shoqëroje për në shtëpi – urdhëroi shefi një polic të shërbimit – Pa asaj që i ndodhi ai ka nevoj të mbledhi veten. Unë e kam provuar vet çdo të thotë të të vrihet shoku para syve të tu.

Komisioni hetimor, ku doli pas një jave e cilësoi të pafajshëm për vrasjen e hajdutit, sepse u cilësua jo hakmarrje për Gjergjin, po vetmbrojtje.
Kur gjëndja u qetësua disi në familjen e viktimës, Martini shkoi një pasdite për ngushëllim së bashku me motrën e tij..
Pasi kishin kaluar gati tre muaj ai e priti Katerinën kur po dilte nga puna dhe e ftoi për një kafe. Ajo e kundërshtoi prerë dhe kur Martini këmbënguli, i tha :
– Mos mendon se nuk e di që e vrave ti Gjergjin? Për këtë jam e sigurt dhe në se nuk të kallëzoj, këtë e bëj se nuk dua t’iu humbas të dyve, veç mos e merr mundimin të kërkosh të bëhem gruaja e vrasësit të burrit të saj. Kjo s’ka si të ndodhë. Për të falur nuk të fal dot. Ti je vrasës.

Martini nuk mguxoi ta kundërshtonte. Kur ajo u kthye të largohej i tha :
– Ti harron që ai ishte vrasës i pari. Jeta ime është rastësi.
– Këtë nuk e dija – ia ktheu Katrina. Tani po ma thua. Gjithësesi, nuk mund të fal një vrasës, Martin. Do më lëndohej shpirti për gjithë jetën.
Ai i mori dorën dhe i tha butë, thuajse i përlotur :
– E bëra për hir të dashurisë!
– Lmtumirë, mundohu të më harrosh, ashtu si do të bëj edhe unë.
Katerina nxitoi hapat, siç bënte çdo ditë kur i afrohej shtëpisë

Pajtim Xhelo, 26 QERSHOR 2019