MERREM – poezi nga Faslli Haliti

0
336
Faslli Halti

FASLLI HALITI

MERREM

Merrem me veten time.
Me syrin tim.
Ka rënë shume përqindja e shikimit të syrit.
Do ta çoj për vizitë te Asklepa,
Te Perëndia okulist,
Te okulisti
Mitologjik.

Do të ma rrisë perëndia okulist,
Përqindjen e shikimit,
Patjetër
Do të ma rrisë.
Dhe unë
Do të shoh qartë,
Do të dalloj me saktësi,
Kush e ka të pastër pasurinë,
Kush e ka të pistë,
Kush u pasurua,
Duke vjedhur,
Kush, duke vrarë njerëz;
Kush u pasurua
Me tregtinë e mishit e bardhë,
Adoleshent,
Cilët pseudodemokratë
I kthyen në çifligje tenderët,
Kush e ktheu vjedhjen
Në prodhim,
Kush u bë profesor i korrupsionit
Dhe e patinoi me dollarë dhe euro shtëpinë;
Kush u bë arkitekt i krimit…
Dymijë herë do të ma rrisë Asklepa
Përqindjen e shikimit.

Dhe unë s’do të jem më
Një Plut i verbër
Padyshim.
Unë do të shoh fare mirë
Dhe s’do ta ndaj qorrazi pastaj
Si Pluti pasurinë,
Do të shoh qimen në syrin e tjetrit,
Do të shoh trarin në syrin tim.

S’merrem me të tjerët,
Merrem
Me veshin
Tim .
Ka rënë shumë përqindja e dëgjimit të veshit.
Do ta çoj tek otorino,
T’i mjekoj daullen,
T ‘i mpreh
Timpanin,
T’i mpreh dëgjimin,
Që të dëgjojë më qartë
Ç’thonë të stresuarit,

Të varfrit.
Ç’thonë
Ata të minimumit
Dhe nën minimumit të jetesës.
Ç’thonë të papunët,
Pensionistët,
Veteranët,
Ç’thonë shitësit e trotuareve,
Ç’thotë firma «Gabi»,
Ç’thonë prostitutat,
Për tutorët e tyre,
Ç’thonë
Për tutorët
Që ngrenë vila
Me seksin e tyre të njomë?,
Ç ‘thonë të droguarit
Për drogmen­ët që i droguan
Dhe me drogimin e tyre,
Pallate dhe vila ndërtuan,

Ç’thonë ata që flenë barakave, nën ura,
Të dëgjojë ç’thonë zonjat
Për peliçet, gëzofët, shampot,
Arturinat, gjerdan­ët, parfumet;
Të dëgjojë përkëdhelitë
Që zonjat iu bëjnë maceve, qenve,
Të dëgjojë këngët që këndojnë
Kur i lajnë qentë, macet

Me shampo,
Kur i shkumojnë,
Kur i veshin,
Zhveshin,
I ndërrojnë.
Të dëgjojë lutjet e lypësve,
Si luten lypësit,
T’ua mbush duart
Me lotët e mi të florinjtë
Të dëgjojë
Si qeshin,
Si tallen
Me lutjet e lypësve zotërinjtë.

Migjen!
Lindën përsëri lypësit te ne,
Lindën përsëri zonjat
Dhe zotërinjtë,
Pallatet e larta
«Ku s’arrin zani i lypësisë»
Është pasuruar
Si askurrë Shqipëria,
Migjen,
Me lypsa dhe klerikë,
Me kisha,
Tyrbe dhe xhamia.

Qenka pa sy, pa veshë Perëndia…!