ELIOT ENGEL FLET SHQIPTARISHT

0
422
Ramiz Lushaj - Eliot Engel flet shqiptarisht

Nga Ramiz LUSHAJ

1.
Kongresmeni amerikan Eliot Engel prej të shtatës ditë të marsit 2019 hyri në të 43-tin vit të jetës së tij në politikën e madhe amerikane, i cili është nji emër shumë i njohur e fort i nderuar për Shqiptarët. Ish-kryeministri i Shqipërisë, dr. Berisha, e vlerësimon shprehimisht:”është, besoj unë, kongresmeni që në jetën e tij i ka përkushtuar më shumë se kushdo tjetër punë, kohë, dashuri këtij vendi dhe këtij kombi. Isha dhe jam gjithmonë shumë i kënaqur sa herë që e takoj, një mik të madh, të çmuar, i cili, e them me bindjen më të madhe, se ka qenë fat për shqiptarët…” (Tiranë, 02.09.2016), ndërsa kryeministri i Kosovës, Haradinaj, e mirëpërcaktimon lartnisht: “për dekada, deri në përmasa heroike, u angazhua për Çështjen e Kosovës dhe të Shqiptarëve”(Prishtinë,04.01.2019).

Eliot Engel ishte djalosh 30 vjeçar, i lindur e i rritur në rajonin administrativ (borough) të Bronx-it të qytetit të New Yorkut, i diplomuar për histori e drejtësi (1969-’73), me angazhime në mësuesi e në jetën publike e shtetërore, kur u zgjodh për herë të parë (1977) asambleist i shtetit të New Yorkut, një nga shtetet federale ma të fuqishme në SHBA. Ai duket se ishte i lindur për politikën, sepse politika u bâ pasioni, profesioni e misioni i tij, ndaj u zgjodh suksesshëm asambleist në 12 vite, në 6 legjislatura rradhazi (nga e 182-ta në të 187-tën).

Eliot Engel, sivjet, hyni edhe në të 31-tin vit të jetës së tij politike i zgjedhur Kongresmen Amerikan, prej nëntorit 1988, në kohën e Presidentit Regan, pasi e mirë-kreu në mbi nji dekadë “shkollën politike” si asambleist i shtetit të New Yorkut, sikurse edhe shumë kongresmenë e senatorë amerikanë njujorkezë në shekujt e fundit. Përveç kongresmenes të SHBA në shtetin e New Yorkut, Nita Lowey (që fitoi më 1988 ndaj kongresmenit amerikan me origjinë arbëreshe, Xhozef Dioguardi-i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane) astenji tjetër kongresmen, ndër 27 kongresmenët amerikanë të sotëm në shtetin e New Yorkut, nuk ka arritë të fitojnë në të gjitha legjislaturat rradhazi, në 16 legjislatura, sikurse kongresmeni amerikan Eliot Engel (1988-2019).

Eliot Engel është politikan i sukseseve elektorale të vazhdueshme në karrierën e tij politike progresive. Ai ka fitue gjithmonë, në katër dekada politike, edhe në garë elektorale brenda partisë së tij (PD), edhe në zgjedhjet në zonat e tij elektorale në New York. Ai ka tashma një elektorat të qëndrueshëm, meritueshëm, besatueshëm.

Eliot Engel, në garën brenda Partisë së tij Demokratike, në gusht 2012, fitoi me 92 për qind ndaj rivalit të tij demokrat, kurse në garën e fundit, me 26 të qershorit 2018, i pati përballë tre rivalë demokratë e fitoi ndaj tyre me 73 për qind të votave. Partia Republikane (PR), tuj e pá epërsinë e tij të madhe elektorale brenda partisë së tij (PD) e përllogariti sfiden me humbje elektorale ndaj nuk i vuni atij kundërkandidat në Zgjedhjet e 6 nëntorit 2018 për në Kongresin Amerikan, kështuqë ai konkuroi i vetëm-i sigurtë, fitoi thellë-si gjithmonë.

Eliot Engel në të 22 elektoriadat e tij në popull ka fitue me shifra të larta përqindjeje në zonën e tij elektorale. Përveçse më 1977 e 1988 nuk râ kurrnjiherë tjetër nën 61-79 për qind. Përkundrazi. Ia ka mbrri të fitojnë edhe me 80 për qind (1980) kur ishte asambleist i shtetit të New Yorkut. Në disa zgjedhje për kongresmen për New Yorkun (në distriktet 19, 17, 16) ka fitue me 81 deri 89 për qind (1992, ‘96, ‘88, 2000, etj.).
Edhe në elektoriadën e ardhshme (2021-’23) pritet që Eliot Engel të fitojnë suksesshëm duke i ngjitë shkallët e rekordeve politike në SHBA si një ndër kongresmenët ma kohëgjatë në politikë, pa asnjë humbje në elektorida, me mandatime pandërprerje në Kongresin Amerikan.

Kongresmenit veteran i politikës, Eliot Engel, mbi tri dekadat kohore të tij në Kongresin Amerikan; anëtarësia ndërvite në gjithato Grupe Parlamentare (Kongresit) të partisë së tij (PD); zgjedhja e tij në disa Komisione/Komitete të Kongresit (antar e, prej qershorit 2012-nënkryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme; në Nën-Komisionin për Europë e EuroAzi; prej 2007-tës demokrati kryesor në Nënkomisionin për Hemisferën Perëndimore të Kongresit dhe zani kryesor i Komisionit për Amerikën Latine e Karaibet; antar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut; kryetar i Grupit të përbashkët të kongresmenëve republikanë e demokratë për Çështjet Shqiptare në Kongres), i shërbyen si tjetër “shkollë politike” e mirë për lartësimim e figurës së tij politike e diplomatike; për t’u zgjedhur unanimisht prej 3 janarit 2019 kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Kongresin Amerikan.

Kjo zgjedhje e tij e sivjetme kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan ka randësi të trefishtë: për vet kongresmenin Eliot Engel; për Komisionin e Kongresin Amerikan; për Ne-Shqiptarët në gjashtë shtete të Ballkanit e në komunitetin shqiptaro-amerikan në New York e Amerikë.

Kjo zgjedhje e tij është përshendetë masivisht nga politikanë të karrierës të të gjithë krahëve politikë, nga masmedia e shoqëria civile shqiptare, nga qytetarë shqiptarë të thjeshtë në të dy anët e Atlantikut, ndërsa mediat serbe në Beograd (janar 2019) kanë shkruar se Engel është “mik i Kosovës e lobues i saj”, “mbështetës i madh i Ushtrisë së Kosovës”, etj.

Presidenti i Kosovës, Thaçi, e ka vlerësue gjithnji kongresmenin Engel si një “mik i dëshmuar i Kosovës, …për mbështetjen e vazhdueshme, përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm për afirmimin dhe avancimin e Kosovës në të gjitha rrafshet” (Prishtinë,25.09.2018) çka e shpreh dhe në mesazhin e urimit: “Ju keni qenë njëri ndër personat kyç për Lirinë, Pavarësinë dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës” (Prishtinë, 04.01.2019). Presidenti i Shqipërisë, Meta, gjatë një takimi në Amerikë me kongresmenin Engel (SHBA, 7 shkurt 2019) e vlerësoi atë ”për rolin e tij të pazëvendesueshëm, jo vetëm në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, por veçanërisht për angazhimin e tij të pakursyer për çështjen shqiptare në momentet më të vështira historike për Kombin, çlirimin e pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO” dhe, theksoi se, jemi “me fat që kemi në Kongres një personalitet të tillë me memorie të fortë historike, por edhe vizion gjithmonë të kthjellët për të ardhmen e rajonit tonë”.

2.
Eliot Engel është i lindur hebre, i përket fisit ma të madh e ma të fuqishëm të botës–Fisit të Hebrenjve, të cilët janë ndër lobuesit e mbështetësit ma të mëdhenj të Çështjes Kombëtare Shqiptare në SHBA, sidomos për Lirinë, Pavarësinë e Shtetësinë e Kosovës në këto tre dekadat e fundit.

Tre nga kongresmenët hebrenjë, emra të nderuar të botës e kohërave shqiptare, e kanë kryesuar Komisionin për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan: Benjamin A. Gilman (1995-2001), Tom P. Lantos (2007-’08) dhe Eliot L. Engel (2019-‘21), të cilët për meritat e tyre kontributore janë nderuar më 12 qershor 2004 nga Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, me dekoratën e lartë “Medalja e Artë e Lirisë”. Duhet thanë se këta tre kongresmenë amerikanë hebre për Çështjen e Kosovës zërin, hapat e meritat i kishin bashkë në Kongresin Amerikan. Me rezolutat, fjalimet, deklaratat, komentet, artikujt e tyre për Kombin Shqiptar, për Shqiptarët, mund të botohen libra më vehte.

Kongresmeni amerikan demokrat, i ndjeri Tom Lantos i Kalifornisë (1928-2008), ishte ndër të parët personalitete të larta amerikane e ndërkombëtare euro-atlantike që e vizitoi qysh në maj 1990 Kosovën e Shqipërinë, që e njohu ma shumë Amerikën e Botën me gjendjen e rëndë të Kosovës nën pushtetin shovinist millosheviçian; për strehimin e mbrojtjen e hebrenjve në Shqipëri para e gjatë Luftës së Dytë Botërore, etj. (Prej 2010-tës një shesh në qytetin e Gjakovës e mban emrin e tij). Kongresmenët amerikanë, demokrati Tom Lantos e republikani Benjamin Gilman, qysh më 1992 banë thirrje me anë të një Rezolute të Kongresit Amerikan për njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Tom Lantos, 27 vjet kongresmen, do të deklaronte më 2007 në Kongresin Amerikan: “Për Kosovën nuk do të ketë Liri pa Pavarësi. Dhe për Bashkësinë Ndërkombëtare nuk do të ketë asnjë zgjidhje tjetër të pranueshme përpos Pavarësisë”.

Kongresmeni amerikan republikan, i ndjeri Benjamin A. Gilman i New Yorkut (1922-2016), pilot amerikan i LDB në Japoni, 30 vjet ligjvënës (1973-2003), qysh në prill 1990 filloi lidhjet e tij me Kosovën…Më 1994, Gilman, ishte sponsori i një Rezolute të Kongresit Amerikan, ku i bahej thirrje Presidentit Amerikan Bill Klinton që të hartohej një Raport për Kosovën duke kërkue miratimin e rekomandimeve për mbrojtjen e Të Drejtave të Shqiptarëve të Kosovës, duke përfshi edhe mundësinë e vendosjes të nji Protektoriati Ndërkombëtar për Kosovën sëbashku me OKB e BE-në. Ai ka marrë pjesë e mbajtë fjalime edhe në demonstratat e shqiptarëve në New York e në Washington D.C. E ka mbrojt’ dhe Universitetin e Tetovës nga sulme goditëse të Qeverisë së atëhershme Maqedonase të kohës së Gligorovit. Kongresmeni Gilman, më 27 janar 2000, do të thoshte për Kosovën:-“Kemi fituar Luftën, por nuk kemi fituar ende Paqen…”.

Ndër të parët hebrenjë në politikën e madhe amerikane, që u morën aktivisht me Kosovën dardane, me çështjen kombëtare shqiptare, është edhe senatori demokrat i Marylandit, 75 vjeçari i sotëm, politikani veteran amerikan Benjamin L. Cardin (Ben Cardin), që i ka 32 vite senator i Amerikës (1987-2019), i cili edhe në qershor 2017 ishte sponsor i një Rezolute në Senatin Amerikan që kërkonte ndalimin e ndikimit të Rusisë edhe në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni, të cilat i cilëson “zona të rrezikuara” e, ndaj, i kërkon Shtetit Amerikan të akordojnë 250 milionë dollarë USD fonde ndihmë për mbështetjen e fuqinë e tyre, për asistencë në mbrojtjen e mekanizmave zgjedhorë nga sulmet kibernetike, në luftën kundër korrupsionit, në forcimin e shtetit të së drejtës.

Një prej tyre, prej fillimit e deri më sot, është dhe kongresmeni amerikan hebre, veterani i politikës, 71 vjeçari demokrat Jerrold Nadler, mik i mirë i Shqiptarëve, i cili ishte në 15 vite i zgjedhur asambleist i shtetit të New Yorkut dhe prej 27 vitesh kongresmen amerikan i SHBA për New Yorkun.

Një tjetër, ndër miqtë e kongresmenit Eliot Engel në misionin e tij të madh për Kosovën, ishte dhe shkrimtari amerikan hebre, “ndërgjegje e njerëzimit”, Elie Wiesel, i mbijetuari i Holokaustit (i ngjashëm ky me holokaustin serbo-sllav mbi Shqiptarët e Kosovës), Nobelist i Paqes (1986), i dekoruar nga Amerika, Mbretëria e Bashkuar, Izraeli, Franca, etj., i emëruar më 1978 nga Presidenti Amerikan Carter në detyrën kryetar i Komisionit Presidencial për Holokaustin. Ai e ngriti zërin për Kosovën përballë botës, në masmedia amerikane e ndërkombëtare, në takimet me presidentët amerikanë, si me Bill Klinton e të tjerët. Ai thoshte proverbialisht: “Duhet ta ruani kujtesën, ju duhet të jeni të ndershëm, ju duhet të jeni të vërtetë”.

Hebrenjtë janë të fuqishëm gjithanshmërisht edhe në SHBA, pasi Amerikën, pas Izraelit, e kanë dhe “shtëpinë e vet”. Shteti hebraik i Izraelit i ka gjithsej 6.7 milionë hebrenjë (2018) dhe pothuaj kaq janë dhe në SHBA: mbi 5.8 milionë hebrenjë. Nga 8 milionë hebrenjë të shpërndarë e me ngulime në 98 shtete, në të gjitha kontinentet, mbi 70 për qind e tyre janë aktualisht në SHBA. Në botën e sotme hebrenjtë po rriten shumë numerikisht në Izrael, Amerikë e kudo në Planet (kanë lindshmërinë ma të madhe në Perëndim); po fuqizohen pandalshëm nga ana ekonomiko-financiare dhe politike; po arrijnë moshë mesatare nga ma të lartat në botë (mbi 80 vjeç për burra edhe gra) etj. Pra, kjo, origjina dhe qenia e kongresmenit Eliot Engel hebre, i jep kredite të mira me pluse e impulse, i jep atij garanci e fuqi të pushtetshme e të pashterrshme në udhët e peshën e tij politike amerikane e globale, si dhe në të mirë të integrimeve e progresit të Shqiptarëve të ndamun padrejtësisht në gjashtë shtete të sotme ballkanike.

Eliot Engel është njeri i besimit të madh shpirtëror, i përket fesë më të lashtë të botës, fesë të Jehudizmit (Jahudive, si iu thonë në Mesdheun europian), fe-e cila i identifikon ma së miri e i mban ma së forti hebrejtë e Izraelit, të Amerikës e të Botës. Sot, në Amerikë, hebrenjtë e politikës, që praktikojnë fenë jahudi (pa i përllogaritë ata/disa të origjinës hebraike, si, p.sh., ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madelene Ollbrajt–“Gruaja e hekurt” për Lirinë e Kosovës) po kanë rritje të ndjeshme politike. Kjo duket edhe në elektoriadat amerikane të fundit. Senati Amerikan i ka 9 hebrenjë (8 të Partisë Demokratike, 1 i pavarur). Në Kongresin e 114-të të SHBA (2015-’17) ishin gjithsej 19 kongresmenë hebrejë jahudi, ndërsa në të 16-tin Kongres (2019-‘21) janë 28 kongresmenë hebrejë jahudi, nga të cilët 25 demokratë e 2 republikanë. Në shtetin e New Yorkut janë 1 senator hebre (Chuck Schumer) dhe 5 kongresmenë hebrenjë (Eliot Engel, Nita Lowey, Jerry Nadler, Lee Zeldin, Max Rose).

Eliot Engel është një amerikan hebre jahudi i përkushtuem ásht e gjak, fjalë e hap për Izraelin–vendin e origjinës së tij të kahershme, pasi dhe vet Izraeli i quan mërgimtarët e tij të çdo kohe e shteti: “Fëmijët e Izraelit”. Ai ka lindur hebre në një familje hebre të njohur e me traditë humanitare (me gjyshin e tij të ardhur për herë të parë në Amerikë); është rritur hebre me gjithçka hebraike dhe në këtë botë e atë të përtejme do të mbetet hebre, me paraardhës e pasardhës të tij. Po të mos ishte hebre ndoshta nuk do të ishte as ky Eliot Engeli i sotëm e i nesërm. Hebrenjtë, edhe në saje të zotësisë e krijimit të imazhit botëror të tyne, sillen disi si “zotër”, me dituri e qetësi të pazakontë, kanë unitetin e genit, koordinimit e të veprimtarimit të pashoq ndër kohëra mijëravjeçare: “Unitetin Hebre” të ekzistencës, mbijetesës e epërsisë së tyre.

Eliot Engel është mbështetës i zëshëm i Izraelit, i pandashëm me Izraelin, i pandalshëm për Izraelin, i përkushtuem me jetën e tij plot dijeni e energji për Izraelin e vet. Eliot Engel, qyshce kur hyri në Dhomën e Përfaqësuesve të Amerikës, në ma të parin vit, në ma të parat punë të tij, ishte sponsor i nji rezolute të Kongresit Amerikan për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i panadarë i Izraelit (e vijoi kështu/kësisoj deri më 2017), çka edh e lotimi i tij ndikoi sadopak e gradualisht që të çojnë më 6 dhjetor 2017 edhe në firmosjen e Aktit Presidencial të kësaj njohjeje nga Presidenti Amerikan Donald Trump duke pasë kundërshti të mëpastajme nga OKB me votë kundër nga 128 shtete, nji prej tyne dhe Shqipëria jonë.

Edhe pas kësaj, një grup ligjvënësish amerikanë, ndër ta, sigurisht e patjetër, edhe Eliot Engel, shprehën në dhjetor 2017 mbështetje për Presidentin Amerikan Trump dhe pakënaqësinë e tyre për votën kundër në OKB, etj. Eliot Engel edhe herë tjetër, më 1995, ishte sponsori i Rezolutës së Kongresit Amerikan (të miratuar me shumicë dërmuese të votave) lidhur me aktin e zhvendosjes së Ambasadës Amerikane në shtetin hebraik të Izraelit, prej nga Tel-Avivi për në Jeruzalem, jo ma vonë se me 31 maj 1999. Engel ishte sponsor edhe i Rezolutës së Kongresit Amerikan (v. 2006) që i dënonte sulmet palestineze me raketa (nga Hamasi, etj.) ndaj civilëve izraelitë, etj. Pra, çështja e prushtë, e thuktë, mbishekullore, e Izraelit hebraik e demokratik, është një nga çështjet madhore, ideale, përparësore të jetës së tij, një çështje me sakrifica, sfida e realitete kontributore edhe të tij. Mbetemi me shpresim plotor që kongresmeni Engel do të lobojnë me kongresmenët e senatorët hebrenjë amerikanë, që edhe Izraeli ta njohin shtetin e ri të Kosovës dhe bashkarisht të ndikojnë fuqishëm e pandalshëm në politikën botërore për Kosovën.

Në se ka ndonjë shtet tjetër, pas Amerikës e Izraelit, që kongresmeni amerikan Eliot Engel ka dhanë ma shumë: kjo është nji dhe vetëm nji: kjo është vetëm Kosova, për të cilën ka dhanë gjithçka ka mundur dhe gjithçka ka ditë nga ndërgjegjia e tij qytetare amerikane, nga karriera e tij politike, nga besimi jahudi hebre, nga dashuria për Kosovën. Eliot Engel, edhe para një viti, prej Prishtine (nëntor 2018) do të deklaronte botnisht: “Kosova është shtëpia ime e dytë”.

Çdo mik i Amerikës, çdo vëzhgues i politikës së kohës, me siguri e ka vënë re se politikanët e lartë shqiptarë në dy shtetet shqiptare: Shqipëri e Kosovë, nga trevat etnike shqiptare në Maqedoni, Malin e Zi e Luginën e Preshevës, sa herë shkojnë për vizita zyrtare në SHBA, në ma të parin personalitet të madh amerikan, ndër të parët zyrtarë të lartë amerikanë, që i takojnë zyrtarisht e miqësisht, është kongresmeni Eliot Engel, sepse ai është një tjetër “derë e hapur për Shqiptarët”, prej nga shpeshtas i çon mirësisht dhe në/nëpër “sallone të politikës së madhe amerikane” të kohës së sodit. Ali Ahmeti, kryetari i BDI-së,–i partisë në pushtet, i partisë parlamentare kryesore shqiptare, e cilëson kongresmenin Engel, si “miku i madh i të gjithë Shqiptarëve…me kontribut të madh për Çështjen Shqiptare në Ballkan”.(Shkup, 3 korrik 2015).

Sigurisht, në vite e dekada të fundit, kur flasim për kontributet e Amerikës për Shqiptarët, veçanërisht për Lirinë e Pavarësinë dhe për Shtetësinë e Kosovës, e kemi në vizionin tonë, në vlerësimin e nderimin tonë, edhe emrin, portretin, veprimtarimin e veprat e mira të kongresmenit amerikan Eliot Engel, siç shprehimon dhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Ruçi, në një mesazh përshendetjeje:“Populli Shqiptar sheh në personalitetin tuaj mbrojtësin më të spikatur të çështjeve të Shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës për më shumë se tri dekada…”(Tiranë,05.01.2019).

Eliot Engel është nga liderët e lartë amerikanë që e sheh Kosovën me mendje e zemër (e ka në mendjen e zemren e tij), në vazhdueshmëri e përditshmëri, në të gjitha anët e me të gjitha hallet e arritjet e saj, sikur të ishte një shqiptar i vërtetë. Apo, siç e thotë kryeministri i Kosovës, Haradinaj: “për popullin e Kosovës emri i Engel është ikonë e miqësisë së përjetshme me ShBA”(Prishtinë, 4.01.2019). Ai, Eliot Engel, për Çështje të Kombit Shqiptar, për arritje e problematika panshqiptare, flet shpirtërisht, parimisht e institucionalisht në Kongresin Amerikan e kudo tjetër: flet Shqiptarisht.

3.
Kongresmeni amerikan Eliot Engel, “një ndër figurat më emblematike dhe historike për ne Shqiptarët si dhe për botën demokratike të rajonit tonë”, siç e cilëson (New York, 06.07.2018) atdhetari, biznesmeni e filantropisti Lazim Destani–Nderi i Kombit nga Tetova në Maqedoni, renditet ndër politikanët veteranë të Amerikës së sotme të shek. XXI.

Mbi 72 vjeçar, i 17 shkurtit 1947, i lindur në Bronx (Bronks) të New Yorkut. E çka do me thanë kjo moshë për Eliot Engelin: veç diçka e shenjueme në kartën e identitetit të tij, në CV e skeda të ndryshme. Ai është plot energji, krejt vitalitet. Trup atleti. Me mendje shkenctari të politikës. Lëviz në realitete bashkëkohore amerikane e ndërkombëtare si “mal” me përvojë jete, politike, diplomacie e, pse jo, dhe kulturore e fetare. E ka një kujtesë të mirë. Është nji qytetar e politikan tipik amerikan, tipik hebre.

Eliot Engel është në nji “moshë të artë” për karierë e poste të larta politike në Amerikë, si ky i tashmi i kryetarit të Komisionit për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan. Nuk do me thanë gja mosha për politikanë të fizikut e kalibrit të Eliot Engelit. Ka pasë Amerika edhe ma të vjetër. Ishte senatori 100-vjeçar i Karolinës së Jugut, Strom Thurmond (1902-2003), dikur kandidat për President i Amerikës, i zgjedhur senator për rreth nji gjysëm shekulli (1956-2003) e më 2001 ishte dhe kryetar i Senatit Amerikan, mik i Mbretit Leka I Zogu, i cili më 11 tetor 1972 i pati kërkue Senatit Amerikan që në Rekordet (Rekords)–organ zyrtar i Kongresit Amerikan, të botohet (dhe ashtu ndodhi) Kuvendi e Marrëveshja e Madridit (1972) që ishte për bashkimin e të gjitha forcave politike të emigracionit politik e jopolitik shqiptar nën moton e Mbretit Zog I “Atdheu mbi të gjitha”. Amerika e ka dhe Presidentin e sotëm, Donald Trump, rreth 1 vit ma i madh se kongresmeni Engel. Edhe New Yorku i ka disa kongresmenë në moshë ma të madhe se Eliot Engel, si Neta Lowey 81 vjeçe, Serrano 75 vjeç, Peter King 74 vjeç, Maloney 73 vjeç, Nadler mbi 72 vjeç.

Eliot Engel është kongresmen amerikan me peshë politike i SHBA edhe nga fakti se shteti federal i New Yorkut i ka 27 kongresmenë (6 prej tyre republikanë) duke u rendit i treti á i katërti për nga numri i kongresmenëve amerikanë: vjen pas Kalifornisë me 53 kongresmenë (7 prej tyre republikanë) e Teksasit me 36 kongresmenë (13 prej tyre republikanë). Edhe shteti Florida i ka 27 kongresmenë (14 prej tyre republikanë). Këto katër shtete federale kanë ndikime politike, ekonomike e kulturore në SHBA deri dhe në elektoriada (shpesh, edhe përcaktimore rezultatesh në Zgjedhje Presidenciale).

Eliot Engel ka peshë të (pa)dukshme në Partinë Demokratike Amerikane. New Yorku– një nga shtetet federale ma me peshë në SHBA (nga ekonomia njujorkeze, “financat manhataniane”, popullsia e tij, vendndodhja e disa institucioneve ndërkombëtare, vendbanimi i politikanëve të mëdhenj amerikanë e botërorë, etj.) duket se është nën pushtetin politik të demokratëve, pasi dy senatorët e këtij shteti dhe 21 nga kongresmenët e tij janë demokratë. Tashma, sivjet (2019-’21), demokratët kanë marrë dhe pushtetin e shumicës në Kongresin Amerikan. (Po kjo nuk do të thotë se Republikanët nuk kanë peshën e fuqinë e tyre të madhe e të shquar në New York e Amerikë dhe në Botë, pasi dhe nga 20 Presidentët e Amerikës në dy shekujt e fundit (1901-2019) janë 12 prej tyre republikanë (PR): Roosevelt (i 26-ti president), Taft (27), Harding (29), Coolidge (30), Hoover (31), Eisenhover (34), Nikson (37), Ford (38), Regan (40), George H. W. Bush (41), George W. Bush (43) e Donald Trump (i 45-ti President)). E thanun ndryshe figurativisht, krahasimisht, politikisht, po mendoj se dy partitë politike në Amerikë: Republikane e Demokratike, janë dhe si “dy duart e dy kambët politike” të Amerikës.

Në New York (në Chappaqua) jeton e veprimtaron (ndër)kombëtarisht dhe Familja Presidenciale Klinton, dy personalitete epokale: Bill Klinton e Hillary Klinton, dy nga miqtë e mëdhenj të Shqiptarëve, me të cilët ka një miqësi të veçantë edhe kongresmeni demokrat Eliot Engel, që shpesh herë bisedat e tyre ndërveti kanë çue deri në vendimmarrje amerikane për Kosovën e Shqipërinë, për çështje shqiptare në Ballkan, sidomos para e gjatë Luftës në Kosovë. Presidenti Amerikan Bill Klinton, më 24 mars 1999, disa orë para fillimit të Luftës në Kosovë, pati një bisedë speciale e koinfedenciale me kongresmenin amerikan Eliot Engel, mik i madh i Kosovës.

Kongresmeni veteran, demokrati Eliot Engel, është njeri e politikan miqësor jo vetëm me demokratët e Kongresit, Senatit e Shtëpisë së Bardhë, por edhe me presidentët republikanë të Amerikës, edhe me senatorë e kongresmenë republikanë, me Sekretarët republikanë të Shtetit Amerikan (për çka ka marrë ka’i’herë kritika politike e mediatike dhe nga të Partisë së tij Demokratike), por kjo mirësjellje politike parimore e ka’i’herë pragmatiste i ka ndihmue për mirë atij. Engel mbetet gjithnji i mendimit praktik e i bindjes së tij politike, se:“pavarësisht se kush është në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti dhe Kongresi duhet të punojnë bashkë në mënyrë që t’i kryejnë punët për popullin amerikan”(“Daily News”, 28 shkurt 2017).

Kongresmeni Engel ka qënë një nga përkrahësit politik kontributor (sponsori kryesor ishte senatori republikan Bob Dole) i Ultimatumit të 25 Dhjetorit 1992 (“Paralajmërimi i Krishtlindjeve”) i Presidentit republikan Amerikan Xhorxh H. W. Bush (1989-’93) drejtuar Millosheviçit të Serbisë së Madhe për “Vijën e Kuqe” për Kosovën.

Engel, sipas “Roll Call” (gazetë e Capitol Hill, tetor 2017) është një avokat i vjetër në ligjëvënësin amerikan për shqiptarët e Kosovës. Ai ishte ndër ligjvënësit e parë që u bëri thirrje administratës së Klintonit, që të ndërhyjë në Luftën e Kosovës kundër forcave ushtarake e policore të Presidentit Sllobodan Millosheviç. Ai, më vonë, së bashku me kolgët e tij miq të shqiptarve në Capitol Hill, shtyu Administratën Bush, që Shtetet e Bashkuara të njohin Kosovën, kur shpalli Pavarësinë e saj, në 17 Shkurt 2008.

Kongresmeni Engel i ka kërkuar shpjegime e llogari edhe administratës demokrate të Departamentit Amerikan të Shtetit (DPA), si më 2 mars 2012 në Komisionin e Politikës së Jashtme të Kongresit Amerikan donte shpjegime-shtesë për Kosovën nga Sekretare e Departamentit Amerikan të Shtetit, Hillary Clinton (2009-’13) ku, mes tjerash, ai, theksoi: “Po shpresojë se SHBA-ja do të kërkoj mënyra shtesë për ta mbështetur edhe më tutje Kosovën në këtë proçes, përfshirë këtu Programin e Mijëvjeçarit dhe duke shtuar presionin për ardhmërinë e Kosovës në BE” dhe, për ma tej e ma shumë, ai donte siguri nga DAP se “Serbia do t’i zbatojë detyrat që ka marrë me rastin e arritjes së Marrëveshjeve me Kosovën”.

Kongresmeni amerikan Eliot Engel iu ka drejtuar shpesh me letra zyrtare, ka folur gjithato herë në takime të drejtpërdrejta të planifikuara, kërkuara apo rasti, edhe me dy presidentët demokratë amerikanë të dekadave të fundit, Bill Klinton (1993-2001) e Barak Obama (2009-’17), lidhur dhe me çështje panshqiptare në Ballkan, në Kosovë e Shqipëri, Maqedoni e Malin e Zi, Luginën e Preshevës.

Edhe Pacolli, zv/kryeministër e ministër i Jashtëm i Kosovës, jep vlerësime lartnore e meritore duke cilësue përcaktimisht se kongresmeni Eliot Engël është një “zë i hershëm dhe i fortë për Kosovën” (07.11.2018), se “Engel ishte me ne, kur miqtë nuk ishin të shumtë, Engel ishte pranë nesh, kur e ardhmja e jonë nuk ishte edhe aq e sigurtë. Engel ishte me ne në luftë, në paqe, në okupim, në liri.Për Kosovën, Engel është hero i cili bashkëndjeu me të gjitha momentet tona, njëherësh maratonist i politikës përkrahëse të SHBA-ve, për popullin dhe shtetin më proamerikan në botë”(Prishtinë, 04.01.2019).

Kongresmeni Engel i shkruante letër Presidentit Obama e përfaqësuesve demokratë e republikanë të Senatit Amerikan (25 korrik 2010) për dyfishim e përpjekjeve për njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga miq e aleatë të Amerikës në Botë.

Kongresmeni Engel, në krye të 20 kongresmenëve demokratë e republikanë, i shkruante letër Presidentit Amerikan Barak Obama (17 shkurt 2011) që Kosova e Ballkani Jugor të jenë përparësi e SHBA-ve.

Kongresmeni Engel ishte firma e parë në listën e 40 kongresmenëve republikanë e demokratë që i shkruanin letër Presidentit Amerikan Barak Obama (11 shkurt 2014) për integrimin e Maqedonisë e të Malit të Zi në NATO, që Kosovës t’i ofrohet një vend në Partrenitetin për Paqe, etj

Kongresmeni demokrat Eliot Engel, si lotues i madh amerikan për sigurimin e mbështetjes amerikane e ndërkombëtare për Pavarësinë e Kosovës, pati ndikim e bashkëpunime të tij (edhe për çështje të tjera panshqiptare në Ballkan) edhe me Presidentin republikan Amerikan Xhorxh W. Bush (2001-’09).

Kongresmeni Eliot Engel, pavarësisht kritikave, ndonji dyshimi politik publik e qëndrimeve vetiake e institucionale, partiake e politike ndaj Presidentit aktual Amerikan Donald Trump, ka pasë e ka ndikime e bashkëpunime të tij për interesat gjeo-strategjike të Amerikës në Ballkan, kryesisht e zyrtarisht nëpërmjet Sekretarëve të Shtetit Amerikan, Tillerson e Pompeo, çka do të jetë ma e domosdoshme dhe e shpeshtë me zgjedhjen e tij në krye të Komisionit për Politikën e Jashtme të Kongresit Amerikan. Engel e ka ngritë zanin edhe në muajt e fundit tek Presidenti Trump me letrat e tij zyrtare duke kërkue drejtësi për viktimat e Luftës së fundit në Kosovë e dënimin e kriminelëve serbë (29 dhjetor 2018); për antarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO (7 shkurt 2019), etj.

Eliot Engel, kësisoj, kështu, ka një peshë e rol të ndjeshëm në politikën amerikane për shkak të kohës, përvojës, funksioneve e detyrave në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA; edhe për shkak të qëndrimeve të tij të drejta e të shpeshta për Kosovën e Shqipërinë, Maqedoninë e Malin e Zi e Luginën e Preshevës (si dhe për çështje e problematika në Amerikën e Jugut, Europë, Azi, Afrikë, etj.); për shkak të miqëve të tij të shumtë në të gjitha kontinentet e botës; disi edhe për shkak të numrit të madh të kongresmenëve në New York; sigurisht edhe për shkak të njohjeve e lidhjeve vetjake, partiake, origjinës së tij nacionale, etj. me kongresmenë e senatorë demokratë e republikanë, me ish-presidentë të Amerikës, me personalitete të larta të Amerikës që kanë shërbyer apo shërbejnë në Senat e Kongres, në Departamente Amerikane të Shtetit e në Shtëpinë e Bardhë.

4.
Eliot Engel, tashma, nga një emër i mirënjohur nju-jorkez e amerikan, me nismat e tij edhe ndërkombëtare e, veçmas pas zgjedhjes së tij, nënkryetar e tashti, kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan, është bâ edhe një emër planetar i politikës globale në Amerikën e Veriut e të Jugut, në Karaibet, në Euro-Azi, Afrikë, etj.

Eliot Engel, si një amerikan i vërtetë, si nji politikan i përvojës së gjatë e të madhe, i frontit të parë, i përkushtimit real, është marrë në detyrën e tij të ligjvënësit amerikan edhe me çështje të gjithanshme të vendit të tij–SHBA, si: Reforma Shëndetësore, Siguria Kombëtare, Strehimi, Arsimi, Energjia, të Drejtat e Njeriut (përmirësimi i shëndetit mendor, SIDA, etj.) Politikat Tregtare, Kontrolli i Armëve, Mbrojtja e Mjedisit nga ndotjet, Taksat, Droga, Mbrojtja e Kafshëve, etj., të cilat e kanë bá atë politikan ma universal, i kanë krijue nji lidhje ma të mirë e ma afatgjatë me elektoratin e tij, ia kanë rritë lartësisht figurën e tij qytetare e politike si përfaqësues mbi tredekador në Kongresin Amerikan.

E, megjithatë, ai, gjithmonë, gjithnji, ka gjetë e gjen kohën, vendin e mënyren të merret përparësisht, aktivisht, parimisht, edhe me çështje panshqiptare në Ballkanin Perëndimor, të jetë një misionar e avokat mbrojtës politik e diplomatik edhe për Shqiptarët e Kosovës e të Shqipërisë, të Maqedonisë e të Malit të Zi, të Luginës së Preshevës, etj., ndaj meriton mirënjohje shqiptare edhe ma të madhe. “Në Washington kam qenë i pari, një prej të parëve, që kam bërë thirrje për një Kosovë të pavarur, dhe shumë njerëz më thoshin se kjo kurrë nuk do të ndodhte, se është ëndërr e parealizueshme…dhe ja ku jemi”,-tha Engel në një intervistë ekskluzive dhënë për “Koha Ditore”(Kosovë, 20 shkurt 2018).

Eliot Engel, si kongresmen amerikan, antar e kryesues në komisione, është angazhue përplotmërisht, në pandashmëri e pandalshmëri, në mbi tre dekada, me çështje të Politikës së Jashtme të SHBA. Ai i ka përparësore, në rendin e ditës, së parit-çështje me diell e hanë, të Izraelit në Lindjen e Mesme dhe, së dytit- të Kosovës në Ballkan, për të cilat është sponsor e firmëtar i disa Rezolutave të Kongresit Amerikan etj.; ka lobuar dhe në Departamentin Amerikan të Shtetit, në Shtëpinë e Bardhë, në organizma ndërkombëtare, në disa vende të botës, kryesisht për Lirinë, Pavarësinë e Shtetësinë e Kosovës, etj.

Kongresmeni amerikan Eliot Engel, më 2002, sëbashku me senatorët e New Yorkut, Hillary Klinton e Chuck Schumer, e pothuaj 300 antarë të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, iu bashkuan Rezolutës për dhënien e autorizimit Presidentit Amerikan Xhorxh W. Bush për Luftën në Irak, por ma vonë, pas disa vitesh reflektoi me prononcime e nisma zyrtare publike për tërheqje amerikane nga Iraku, etj. dhe përpjekjet e tij u vlerësuan nga Veteranët e Luftës të Irakut e të Afganistanit. Ai është nisiator e sponsor i një Rezolute të Kongresit (më 1996) për tërheqjen e trupave turke nga Qipro etj. Ai, sëbashku me senatorin demokrat nga shteti federal Iowa, Tom Harkin, janë bashkautorë të Protokollit Harkin-Engel, që trajton kritikueshëm punën e fëmijëve në fushat e kakaos në Afrikën Perëndimore.

Ai është marrë me çështje të ndryshme, të caktuara, problematike, edhe në Ishujt Karaibe–në Haiti e Republikën Domenikane; në Brazil të Amerikës Latine; në Siri e Liban në Lindjen e Mesme; në Irlandë, etj. megjithatë e pavarësisht nga këto angazhime të mëdha ndërkombëtare, kongresmeni amerikan Eliot Engel ka gjetë kohë e mundësi të merret edhe me Kosovën e çështjet panshqiptare në Ballkanin Jugor. Jason Steinbaum, këshilltar e shef i Zyrës për Çështjet Ndërkombëtare të kongresmenit amerikan Eliot Engel, shprehej nja tre vite ma heret në “Klan-Kosova” (16.02.2016) se “angazhimi i tij personal për Kosovën ka qënë puna e tij që i ka sjellë kënaqësinë më të madhe. Engel ka rezervuar për Kosovën më shumë kohë se për çdo vend tjetër”.

Ardhja e kongresmenit Eliot Engel në krye të Komisionit për Politikë të Jashtme (që ka në këtë mandat të ri 47 antarë-26 demokratë e 21 republikanë, me nënkryetar republikanin Mike McCaul nga Teksasi) përkon me angazhime të mëdha prioritetare e globale të SHBA në botën e sotme si marrëdhaniet e Amerikës me Kinën, Rusinë, Iranin, Korenë e Veriut, Lindjen e Mesme, Turqinë, etj., ndaj Ballkani, Çështjet Shqiptare në Ballkanin Perëndimor, kanë ma pak fokusime përkushtimore, trajtime shumëplanëshe e zgjidhje të menjëhershme e finale; janë disi në periferi të politikës së madhe amerikane, por kurrsesi jashtë vëmendjes përditësore e afatgjatë diplomatike, politike, ushatarake e ekonomike amerikane.

Për ma tepër e ma mirë, tashma, prania, qënia e kongresmenit Engel kryetar i këtij Komisioni të randsishëm përban siguri ma të lartë e ma të plotë, që siç e thotë personaliteti shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari – Nderi i Kombit: “çështjet që u interesojnë shqiptarëve nuk do të lihen në harresë dhe që SHBA nuk do ta largojë vëmendjen nga rajoni ynë” dhe Engel “nga detyra e re, do të ketë më shumë fuqi e mundësi për të na ndihmuar në punën tonë…” dhe, ai, “nuk do të ketë nevojë t’i lutet dikujt tjetër për të vendosur temat shqiptare në kalendarin e punës të Komitetit…”(“Dielli”-Amerikë;“BotaSot”-Kosovë-Europë;Limit.al-Shqipëri, 14 nëntor 2018).

Komisioni për Politikë të Jashtme i Kongresit Amerikan, me kryetar aktual mikun e madh e të shquar të Shqiptarëve, Eliot Engelin, merret edhe me çështje të caktuara të politikës së jashtme amerikane për Ballkanin Perëndimor (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi…) që kanë të bajnë me paqen, demokracinë, sigurinë, ekonominë, etj. Disa prej tyne: financimi për praninë e domosdoshme ushtarake amerikane në Kosovë; ndihma e jashtme për dhjetra programe të ndryshme amerikane, si Programi i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit-MCC (që me ndihmen e kongresmenit amerikan Engel u përfshi parvjet dhe Kosova me 49.6 milionë USD), etj.; projektet ushtarake në Shqipëri, që janë në vazhdimësi e në rritje; projektet e USAID (Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar) që ka dhanë ndihma të mëdha për vendet e rajonit të Ballkanit: në Shqipëri mbi 500 milionë USD përgjatë viteve 1992-2019; në Kosovë 40.5 milionë USD për v.2017; në Maqedoni 22.4 milionë USD për v.2017, në Serbi 14.3 milionë USD për v. 2017 (ku përfito dhe Lugina shqiptare e Preshevës me tre komunat e saj); në Malin e Zi 1.2 milionë USD për v.2017; financimet lidhur me dislokimin e trupave amerikane edhe në Ballkanin Perëndimor; Akti për Ndihmën e Jashtme e legjislacione të tjera që kanë të bëjnë me promovimin e demokracisë, zbatimit të të drejtës ndërkombëtare; etj.

Sigurisht, mendoj, se edhe Komisioni për Politikë të Jashtme në Kongresin Amerikan, Kongres i dekoruem nga Presidenti i Kosovës dr. Ibrahim Rugova me “Medalja e Artë e Lirisë”(2004), përveç të tjerave, duhet të hedhin ma shumë dritë, të rrezatojnë ma shumë qartësi publike edhe për Shqiptarët lidhur me bisedimet e marrëveshjet Kosovë-Serbi, si rasti i Thaçit për çështjen e kufijve me Serbinë, etj. si dhe mundet (ndoshta) me i kushtue ma shumë vëmendje konkrete Çështjeve Shqiptare edhe në Luginën e Preshevës, në Sanxhak (Tregu i Ri) që janë nën Serbi, etj. pasi Shqiptarët janë kombi ma pro-amerikan në botë.

5.
Eliot Engel, përgjatë kohës që ishte asambleist i shtetit të New Yorkut dhe, deri më tashti, kongresmen i SHBA për shtetin e New Yorkut, u njoh nga afër e për mirë edhe me shqiptarë të Mërgatës së Vjetër e të Re, kryesisht në qytetin e New Yorkut (me pesë rajonet: Bronx, Manhattan, Brooklyn, Queens, Staten Island), të shtetit të New Yorkut, të “Treshtetshit” (New York, New Jersey, Connecticut), në kryeqytetin federal amerikan Washington D.C. e kudo tjetër në Amerikë.

Eliot Engel u njoh me shqiptarë të të dy Luftërave Botërore e Ballkanike dhe të Luftës së fundit të Kosovës; me të kohërave të rregjimeve të ndryshme në Ballkanin Perëndimor; të pleqnive të moçme të odave e kuvendeve dhe të botës akademike; të punës së ditës e të bizneseve të vogla e të mëdha; të besimit e mirënjohjes; të cilët (me qindra prej tyre) ishin apo janë dhe bashkëqytetarë e ndër votuesit e tij të parë e të vazhdueshëm në brezni të tyre e, shumë sish, u banë miq e bashkudhëtarë të tij të përhershëm në elektoriadat në distrikte të Bronxit me rrethina, në veprimtaritë e përbashkëta e pambarim për Amerikën dhe Kombin Shqiptar në Ballkan.

Kongresmeni amerikan Eliot Engel shpesh e ka përmend publikisht miqësinë e tij me Shqiptarët në Amerikë e kudo në hapësirat etnike shqiptare në Ballkan, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Malin e Zi, etj. Ai, në një rast zyrtar, në një veprimtari solemne (Swis Diamond Hotel Prishtina, 1 korrik 2015) deklaroi botnisht, se “është krenar me miqtë e tij shqiptarë dhe i falënderoi ata që e kanë pranuar për mik, në veçanti Harry Bajraktarin”.

Në të paren ditë të korrikut 2015 edhe unë isha në Prishtinë, i pranishëm në promovimin e dy librave të/për Harry Bajraktarin e të veprimtarisë së tij mbarëkombëtare, ku, i ftuari i parë i nderit, kongresmeni amerikan Eliot Engel, aty, në fjalën e tij përshëndetëse, foli shqiptarisht e publikisht: “Kam nderin të kem për rreth 30 vite mik të ngushtë e të përhershëm Harry Bajraktarin…”, i cili më njofti me historinë e problematikat e Kosovës, “një vend për të cilin kisha ditur shumë pak…”. Dhe nga ajo ditë, sipas Engel, “kontributi dhe insistimi i z. Harry Bajraktari për të ngritur çështjen e Kosovës në instancat më të larta në vendimmarrjen amerikane nuk ka ndaluar” dhe përmes Harryt, tha ai, “jam njohur me shumë shqiptarë, qytetarë të ndershëm e të vyeshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët nuk kursyen asgjë nga vetja e tyre për Lirinë e Pavarësinë e Kosovës, të cilën e gëzojnë sot”. (Veprimtari kombëtar Harry Bajraktari është nderue me dekorata të larta: Shqipëria me titullin “Nderi i Kombit” (2014); Kosova me “Medalja Presidenciale e Meritave”(2012); Tropoja (Malësia e Gjakovës) me titullin “Qytetar Nderi”; Gazeta e Alpeve “Tropoja” me Çmimin “Dardania”, etj., etj.).

Në vizitat e shpeshta e historike të kongresmenit amerikan Eliot Engel në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Malin e Zi: prej nga shtatori 1999, pas Lirisë së Kosovës dhe dekterit në shkurt 2018 kur Engel e festoi ditëlindjen e tij të 71-të në Kosovë, ku foli në Parlamentin e Kosovës dhe kreu takime zyrtare në institucionet ma të larta të Kosovës, kam parë të ketë bashkudhëtar të parë e bashkëpunëtor të ngushtë z. Harry Bajraktari, mik besnik, i fismë, fisnik, i përkushtuar, i ditur, i papërtuar në misione e aksione të tilla amerikane e shqiptare, për Kombin Shqiptar. “Që nga Vitet e ‘90-ta, Harry gjithnjë qëndroi pas tij, ndërsa Eliot Engel pas Kosovës dhe Shqiptarëve në Ballkan”-shkruan studiuesi i zëshëm e gazetari veteran, Muhamet Mjeku i Drenicës.(New York. “BotaSot”,27.06.2018).

Ngjashmërisht, përkitazi, siç ishte i shquari shqiptar atdhetar kombëtar Jim Xhema–Nderi i Kombit, i lidhur me miqësi personale e familjare dhe në bashkëpunime të frytshme shqiptaro-amerikane me interes kombëtar shqiptar me senatorin amerikan Bob Dole–mik i madh i Shqiptarëve, ashtu është tash tre dekada kohe e veprimtarie dhe Harry Bajraktari me kongresmenin amerikan Eliot Engel.

Ai, Harry Bajraktari, e ka Engelin edhe mik të mirë të shtëpisë së tij në tre brezni në New York të Amerikës e në Vranoc të Pejës në Kosovë (qyshce me babën e tij, Metë Bajraktari e tani dhe fëmijët e tij), por dhe të dajës së tij, Rrustem Geci-Nderi i Kombit, atdhetar kontributor i shumanshëm e i përhershëm për Kombin Shqiptar. Harry Bajraktari-Nderi i Kombit, deklaron: “Për mua është një nder e krenari që e kam njohur e punuar bashkë me Eliot Engel. Ashtu ndihen edhe shumë miq të mi shqiptaro-amerikanë”(New York, 15 nëntor 2018).

6.
Kongresmeni amerikan Eliot Engel, ndoshta si rrallëkush tjetër ligjvënës amerikan që është marrë me çështjet shqiptare në Kongres, i ka tre të mira të tijat e për Ne-Shqiptarët: është njohës i mirë i historisë kombëtare shqiptare, i problematikave e halleve panshqiptare; është i sinqertë në miqësitë e shprehjet e tij të mbështetjes për shqiptarët; është i drejtë në vlerësimet e qëndrimet ndaj Çështjes Kombëtare Shqiptare.
Kongresmeni amerikan Eliot Engel, gjithnji, gjithmonë, e ka parë Çështjen Kombëtare Shqiptare në Ballkanin Perëndimor, sidomos atë të Kosovës, etj., në katër drejtime:

Së parit: të lidhur ngushtë në prognoza e zgjidhje me ngjarjet rajonale ballkanike, kontinentale evropiane, e planetare; sipas interesave gjeo-strategjike, politike e demokratike të Amerikës; sipas zhvillimeve politike e diplomatike të dekadave të fundit; sipas ndërgjegjes së tij prej politikani e diplomati amerikan dhe mik i hershëm e i përhershëm i Shqiptarëve.

Së dytit: nuk i ka parë vetëm (veçmas) Kosovën apo Shqipërinë, por të lidhura edhe me Maqedoninë, Malin e Zi, Luginën e Preshevës, si çështje kombëtare shqiptare në një bllok të vetëm unitetar, sigurisht në kuadrin e integrimeve në NATO e BE, në organizata e organizma të tjera ndërkombëtare (si Kosova në OKB, Interpol, etj. apo Maqedonia e Mali i Zi në NATO, etj.) etj.

Së tretit: është marrë me Çështjen Kombëtare Shqiptare, me zhvillimet e integrimet shqiptare në të gjitha fushat, në të gjitha pamjet, në gjithato problematika të tyre, etj.

Së katërtit: Engel e ka trajtue e ndjekë Çështjen Kombëtare Shqiptare në Amerikë (në Kongresin Amerikan: në Komisione, nënkomisione, seanca dëgjimore, etj.), në Departamentin e Shtetit e Shtëpinë e Bardhë; sikurse dhe në Kosovë e Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi, Serbi, etj; si edhe në mbledhje, kuvende e marrëveshje të ndryshme si në Konferencën e Rambujesë në Francë (1999), ku ishte sëbashku me kongresmenen amerikane republikanen Sue Kelly (1995-2007), nga Ohio e SHBA, e datëlindjes 1936 (sot 82 vjeçe), mike e madhe e Shqiptarëve, e dekoruar nga Presidenti i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, me “Medalja e Artë e Lirisë” (2004); me të cilët (këta dy kongresmenë) ishte dhe një delegacion i NAAC i Shqiptarëve të Amerikës, etj.. “The Washington Post”- e përditshme e kryeqytetit amerikan, vite më parë, shkruante se “kauza e Kosovës është mbajtur gjallë në Uashington falë përpjekjeve të kongresmenit Engel”, të cilin-kjo gazetë- tevona, (2018) e cilëson si një “proshqiptar i madh”.

Kongresmeni amerikan, demokrati Eliot Engel, ishte për herë të parë në Kosovë më 1993, sëbashku me tre kongresmenë të tjerë, si kongresmenia amerikane, republikania Susan Molinari (1990-’97), e cila ma herët (1986-’90) kishte qënë antare e Këshillit të Qytetit të New Yorkut dhe është marrë me Çështjet Shqiptare. Sivjet, së shpejti, pritet dhe një tjetër vizitë e kryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme në Kongresin Amerikan, Eliot Engel, si në Kosovë e në Shqipëri, etj., e cila do të jetë një vizitë zyrtare e një randësie të veçantë amerikano-shqiptare si dhe një tjetër mirënjohje shqiptare ndaj emrit, figurës e veprimtarisë së tij për Çështjet Shqiptare në dekadat e fundit.

Kohë para Engelit, në maj 1990, kryehere, kishin shkue në Kosovë (edhe në Shqipëri) edhe kongresmeni Tom Lantos e ish-kongresmeni amerikan Joe Dioguardi (1984-’89) i origjinës arbëreshe; si dhe në gusht 1990 senatori amerikan Bob Dole (Bob Doll) nga Kansasi me gjashtë senatorë të tjerë amerikanë, etj. Senatori amerikan, republikani Bob Dole (ish-kryetar i Senatit 1995’96), mik i ngushtë i ish-Presidentëve Ford (Zëvendëspresident i tij), Regan, dy Bushëve e i Presidentit Trump, burrë i madh i shtetit amerikan i nderuem nga dy krahët e politikës amerikane, mik i shquar i Shqiptarëve, është dekorue nga Presidenti i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova me “Medalja e Artë e Lirisë” (2004) dhe nga Presidenti i Shqipërisë, Nishani, me Urdhrin Flamuri Kombëtar Shqiptar (2017).

Kongresmeni amerikan Eliot Engel është nënshkrues i Rezolutës së Kongresit Amerikan, në fillim të Viteve ’90-ta, për shprehjen e mbështetjes për Presidentin e zgjedhur të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.

Para një çerek shekulli, në vitin 1994, kongresmenët amerikanë Eliot Engel e Susan Mulinari–mike e madhe e Shqiptarëve, formuan Grupin (Grupimin/Komitetin) e Përbashkët të Demokratëve e Republikanëve për Çështje të Shqiptarëve, të njohur ndryshe si “Albanian Caucus”, të cilin për veprimtarinë e tij, Presidenti i Shqipërisë, B. Nishani, ia ka akorduar dekoraten ma të lartë shqiptare “Urdhri i Flamurit Kombëtar” (2014), si dhe bashkëkryetarit të tij republikan, kongresmenit amerikan Robert Aderholt nga Alabama, Urdhrin e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” (2014).

Kongresmeni amerikan Eliot Engel me dy kolegë të tij kongresmenë Robert Wexler e Alcee L. Hasting, në vitin 2009, iu dërgoi Letër 25 shteteve të botës për njohjen e Pavarësisë së Kosovës (Meksikë, Ekuador, Kili, Salvador, Guatemalë, Haiti, Republika Domenikane, etj.),

Kongresmeni amerikan Eliot Engel ishte lobues dhe e nënshkroi legjislacionin përkatës, pastaj u realitetue nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, çka e mundësoi hapjen e zyrës së parë të USAID-it në Prishtinë, zyra e parë e SHBA-së në Kosovë, (më 6 qershor 1996), e quajtun ndryshe për nga misioni dhe roli i saj edhe diplomatik dhe “ambasadë jozyrtare e SHBA-së për Kosovën”, e cila shënoi vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë, në rrethana krejt të veçanta, në mes të periudhës së zezë të diktaturës gjakatare e barbare kundërshqiptare të Millosheviçit. Eliot Engel, që bani ma shumë se kushdo tjetër për hapjen e kësaj Zyre (Ambasade) ishte në ditën përuruese të saj në Prishtinë dhe vendosi aty lartësisht Flamurin Amerikan, flamur i valvitun mbi Capitol Hill, flamurin e shpresës për Shqiptarët e Kosovës, për Lirinë, Pavarësinë e Shtetësinë e Kosovës.

Kongresmeni Engel ishte në vitin 1996 në Maqedoni (Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë), ku qëndroi dhe në kufirin me Kosovën, pasi donte të hynte aty për të vëzhguar zgjedhjet e atij viti në Kosovë, po Millosheviçi e rregjimi i tij nuk do ia falnin qëndrimet e tij për Kosovën. Eliot Engël pati thanë: “Unë u përpoqa të shkoj në Kosovë dhe Millosheviçi nuk më lejoi të hyja, por unë kam lajme për të, do të jetë një Kosovë e lirë dhe e pavarur dhe nuk do të lejojmë të vazhdojë kështu”. Këtë aktqëndrim millosheviçian ndaj tij, Eliot Engel do ta kujtonte shpesh herë e do të mbante qëndrimet e tij, edhe gjatë vizitave në Kosovën shtet i lirë e i pavarur, edhe më 2017, edhe më 2018, edhe sivjet, së shpejti, më 2019.

Engel e kreu vizitën tjetër të tij më 1999, në Kosovën e porsa dalë nga lufta, kur mijëra familje shqiptare po sakrifikonin për të rindërtue shtëpitë dhe jetën e tyre. Në këtë vizitë zyrtare e shoqëronin një delegacion i Shqiptarëve të Amerikës, si: Harry Bajraktari, Antony Athanas– Nderi i Kombit, e figura të tjera shqiptaro-amerikane.

Kongresmeni amerikan Eliot Engel në dhjetor 2000 shkroi një ndryshim thelbësor në Aktin e Autorizimit të Inteligjencës, i cili e drejtoi Agjencinë kryesore të Zbulimit, për të shkruar një raport publik mbi UÇK-në, në përgjigjet e sulmeve ndaj UÇK-së.

Kongresmeni amerikan Eliot Engel i gëzohet gjithçkaje të mirë shqiptare, çdo arritjeje shqiptare, jo vetëm ato politike e diplomatike, po edhe eventeve ekonomike, ndaj ai mori pjesë në maj 2009 në përurimin e Rrugës Ndërkombëtare Durrës-Prishtinë, të cilën e pa nga ajri në të gjithë gjatësinë e saj dhe hyri kalimtar në tunelin e Kalimashit, ku, ndër të tjera, tha se ky është një “projekt i mrekullueshëm” dhe “Berisha ngjan si Ajzenhauri”, arkitektin politik të kësaj rruge e krahasimoi me ish-presidentin amerikan Ajzenhauri. Ai, Engel, e don çdo pëllëmbë toke shqiptare në Ballkan, ndaj më 2011 do të deklaronte “Veriu i Kosovës është Kosovë”. Ai lëshon shpeshtas deklarata të tilla pro-shqiptare:”Unë do i gëzohem ditës kur Kosova do të jetë anëtare në Bashkimin Evropian dhe anëtare e NATO-s”(Prishtinë, 19.11.2017).

Familja Engel, një familje e nderuar, e shquar, elitare amerikane e hebre, përndryshe: hebrenjë amerikanë, janë e mbeten në jetën e veprimtarinë e tyre edhe nga pro-shqiptarët ma të mëdhenj në Amerikë. Si Shqiptarë të Vërtetë. Flasin e veprojnë Shqiptarëisht. Jo vetëm kongresmeni Eliot Engel, por dhe zonja e tij e nderuar Patricia Ennis Engel apo siç e thërrasin “Pati”, e cila është mjaft e respektuar ndaj shqiptarëve/prej shqiptarëve; merr pjesë në veprimtari të shqiptarëve në Amerikë, por ka qënë dhe në trojet etnike në Ballkan, në Kosovë.

E kam njohur pak, po më kanë folur shumë mirë të tjerët dhe duket sikur rrezaton mirësi e, sigurisht, edhe Shqiptari. Ajo është një njeri i thjeshtë nga madhështia amerikane e shqiptare e Familjes Engel. Edhe tre famijët e tyre: vajza Julia e djemtë Jonathan e Philips, janë pjesë e bisedave shqiptare në shtëpinë e tyre në New York dhe kanë shoqëri të mirë me shumë shqiptarë në Amerikë, Kosovë e Shqipëri, kanë dashuri e nderim për Shqiptarët, për historinë e kulturën panshqiptare.

Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme në Kongresin Amerikan, Eliot Engel, një nga të parët, një nga të përhershmit në mbi 30 vite, një nga ma të fuqishmit (sidmos prej 2019-tës) në politikën amerikane për Çështjen Kombëtare Shqiptare, për Kosovën, Shqipërinë, etj., për kontributet e meritat e tij të mëdha, të shumta e të pandaluna, ka marrë vlerësime mirënjohjeje nga Shqiptarët, nga shtetet shqiptare në Ballkan. Presidenti i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, e ka dekoruar me “Medalja e Artë e Lirisë”, sikurse dhe kongresmenët Gillman, Lantos, Key e senatorët Hillary Klinton, Bob Dole, ndërsa ish-kongresmenin amerikano-arbëresh Dioguardi me “Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit”(2003).

Presidenti i Kosovës, prof. dr. Fatmir Sejdiu, e ka dekorue Joe Biden, senator e Zv/president i Amerikës me “Medalja e Artë e Lirisë”(2009). E gjejmë të rastit e të udhës të nënvizojmë faktin se 6 presidentë të Kosovës, në 20 vite shtet i pavarur e sovran i Kosovës, kanë dekorue vetëm 7 senatorë e kongresmenë amerikanë, (pra veç Rugova e në nji rast Sejdiu), ndërkohë që nuk lanë fjalë, tribunë e zyrë pa folë për kontributet e Amerikës ndaj Kosovës, për mirënjohjet e Kosovës ndaj Amerikës (!)

Edhe Presidenti i Shqipërisë, Nishani, e ka dekorue Eliot Engelin në një ceremoni në New York (2013) me Urdhrin e lartë “Gjergj Kastrioti–Skënderbeu” me motivacionin “Në shprehje të mirënjohjes dhe nderimit të thellë për mbështetjen e vendosur për Shqipërinë, shqiptarët dhe veçanërisht për Pavarësinë e Kosovës”.

Kosova ka editue një pullë postare me figurën e kongresmenit amerikan Eliot Engel, në kohën kur ai ishte në Prishtinë për të ndihmuar në hapjen e zyrës amerikane Millenium Challenge Corp, një agjensi e ndihmës amerikane( New York, Beqir Sina. BotaSot, 8.10.2017).

Kongresmeni amerikan Eliot Engel ka marrë vlerësime e mirënjohje të tjera në Kosovë e në Shqipëri: “Qytetar Nderi” i Pejës, i treti qytet ma i madh i Kosovës (2011);“Qytetar Nderi” i Lezhës (2016); “Qytetar Nderi” në Tropojë; një rrugë në qytetin e Pejës e mban emrin e tij; bashkia e Tropojës me kryetar Besnik Dushaj dhe komuna e Gjakovës me kryetar Ardian Gjinin, kanë marrë nismen që rruga nacionale Gjakovë-Tropojë (që lidh Gjakovën me Malësinë e Gjakovës) të marrin së shpejti emrin e nderuar “Eliot Engel”, etj.

Gazeta londineze “The Guardian” e 16 shkurtit 2018 e bante një përshkrim historik e aktual të marrëdhanieve e kontributit të Amerikës për Kosovën, ku pas Klintonit e Ollbrajtit e rendiste të tretin kongresmenin amerikan Eliot Engel, i cili ato ditë po bante një vizitë zyrtare të suksesshme në Kosovë në 10 vjetorin e Pavarësisë së saj, ndaj ia vnon kryetitullin e një shkrimi: “Kosova, shteti i 51-të i Amerikës”.

Tiranë, 6 prill 2019