– nga K.P. Traboini
Petër Elezi ishte një nga mësuesit e gjuhës shqipe në shkollën e mesme pedagogjike “Ndrec Ndue Gjoka” në Tiranë, e vendosur kjo, aty ku kishte qenë më parë Liceu i vjetër Artistik e më pas Muzeu i Shkencave të Natyrës, në rrugën e Kavajës. Në vitin në vazhdim na e hoqën prej andej e na vendosën në Qytetin e Nxënësve, aty ku shumëkush e quante kazermat e Ali Rizait. Kjo e fundit ishte një ndërtesë e madhe me shtrirje lindje perëndim, me pamje nga jugu dhe nga pas kishte kodra të buta. Në vitin e parë të shkollës e kisha parë profesor Petër Elezin, një burrë i vjetër, i shkurtër e babaxhan, por nuk ishte mësues në klasën tonë, u jepte mësime viteve të dyta. Aty kishte nxënëse shkodrane, Esma Musaja, që këndonte bukur këngën “Bishtalecat palë e palë”.
Esmaja dhe unë ishim të vetmit nxënës nga Shkodra në atë shkollë. Për atë nxënëse, profesori i vjetër, që ishte i martuar por nuk kishte fëmijë, kishte konsideratë të veçantë, sa qarkullonin fjalë se Esmanë shkodrane që këndonte bukur mësuesi dëshironte ta adaptonte si fëmijën e vet, gjë që nuk ndodhi. Më pas një kërkesë të tillë ia kishte bërë edhe nxënësen së klasës sonë Zenepe Çekrezi-Luka, siç shkruan gazetarja e njohur në librin e vet me kujtime “Kjo është jeta ime”. Në vitin e dytë, kur shkolla kaloi në në Qytetin e Nxënësve, rasti e solli që mësues Pjetri të më jepte disa orë mësimi në lëndën e gjuhës.
E kishte zakon që kur bënte apelin i vështronte nxënësit me kujdes, kështu ndodhi dhe me mua. Atij ju duk i çuditshëm mbiemri im, ndaj ndaloi e mu drejtua duke më thënë se ti qenke nga Hoti i Dedë Gjon Lulit. Unë natyrisht u ndjeva mirë e i thashë se atje ka lindur babai im që ka qenë mësues. I bëri përshtypje mesa duket ky fakt dhe që atëherë më fliste me respekt, por edhe me një buzëqeshje të çiltër që ishte karakteristike e tij. “Traboin”, më thoshte, “nuk janë topat e Ulqinit po janë djemtë e Traboinit”. Në të vërtetë ishte një mësues i rreptë sa i përket përgatitjes dhe kërkesave mësimore. Nuk ta falte notën.
Por as nuk ta hante hakun kurrë. Gjithsesi në sytë e nxënësve ishte i rëndësishëm edhe për faktin se gramatika na dukej e vështirë, kësisoj edhe vetë lënda i jepte autoritet në mes të nxënësve. Fliste pak por me fjalë të goditura. Këshilli Pedagogjik i kishte caktuar të drejtonte këndin letrar të shkollës, që ishte vendosur në katin e parë, sapo të hyje në krahun e djathtë. Duke parë kujdesin që tregoja për bukurshkrimin, më tha se po më caktonte një detyrë të rëndësishme dhe si nga Traboini që je, edhe djalë mësuesi, do ta kryesh më së miri. Kësisoj me profesor Petrin u lidha diçka më shumë se me mësuesit e tjerë. Herë pas here do të shkruaja përshkrime a hartime për ti vendosur tek këndi sepse edhe hartimet që bëja i kishin pëlqyer shumë.
Ty të kemi shkrimtarin e shkollës më thoshte me humor dhe qeshte butësisht e mirësisht. Në të vërtetë ishte një punë jo e lehtë të bëje një shkrim që ta lexonte gjithë shkolla, por nuk kisha çfarë të bëja. Më thërriste gjithmonë me mbiemër, e asnjëherë me emër. Kjo më pëlqente e me jepte një lloj krenarie për prejardhjen. Isha 16-17 vjeçar, në një moshë ku njeriu dëshiron ta vlerësojnë. Vinte vjeshta e profesori më thoshte Traboin, për tre ditë dua përshkrimin e vjeshtës. Pastaj viti i ri, pastaj 4 shkurti, pastaj dita e pranverës, pastaj 5 Maji e si të thuash unë ushtrohesha kësisoj nga ana letrare.
Shkrimet i lexonte me vëmendje, mi korrigjonte nga ana gjuhësore, por edhe letrare e me thoshte shkruaja tani në të pastër e vendose. Por kur shkoja ta vendosja vinte edhe vetë. Kishte një përkujdesje të çuditshme dhe të gjitha gjërave u jepte seriozitet. Aq sa mua më dukej diçka solemne vendosja e një përshkrimi në tabelën e këndit letrar. Mbaj mend se kishim edhe mësues të tjerë që sot i kujtoj me shumë mirënjohje si Vangjeli Comora, për të cilën kam shkruar një kujtim, Sul Haxhihyseni, Kamber Xheria, drejtori Gani Daiu, Jolanda Xhomo, Hajro Babameto, Liri Bellova, Islam Sharofi, Ramazan Driza mësues i fiskulturës dhe mësuesen e vjetër të punës së dorës Liri Dodbiba.
Gjithsesi Petër Elezi ishte mësuesi që na dukej më i veçanti si të ishte një iluminist rilindas, ndoshta ndikonte edhe fakti që veç moshës, kishte urtësinë. Mësonim me librat e gjuhës që kishin emrin e tij si autor dhe na thoshte se ishte nga Shelcani i Shpatit të Elbasanit. Më vonë do të mësoja se në Kishën Shën Kollit të Shelcanit ende ishin disa nga punimet e mjeshtrit të shquar të ikonografisë shqiptare Onufri, punuar aty rreth vitit 1554. Nga shkolla pedagogjike “Ndrec Ndue Gjoka” e Tiranës, në vitin e tretë do të kaloja në shkollën Pedagogjike të Shkodrës. Kështu që nuk do ta shihja më mësuesin Petër Elezi veç kur të kishin kaluar mjaft vite.
Pasi kisha kryer studimet në Universitet dhe nisur punë në Kinostudio jam takuar me një ish bashkënxënës të shkollës pedagogjike në Tiranë, Muhamet Muçën. Ai kishte mbaruar shkollën e lartë për aktor dhe e merrnin herë pas here për të lozur në filmat e Kinostudios. Muhameti me tha një ditë se Profesor Petër Elezi është i sëmurë. E pyeta se ku e kishte shtëpinë e me tregoi rrugicën përballë ish Lidhjes së Shkrimtarëve, ajo që sot e quajnë rruga e çamëve. Duhet të ketë qenë fillimi i vitit 1979. Një ditë u bëra për mbarë dhe e kërkova banesën duke pyetur banoret e asaj rruge. Me së fundi e gjeta.
Më doli në portë një grua e vjetër, e gjatë që sapo i thashë se isha një nxënës i kahershëm i profesor Petrit, më ftoi brenda. Dhomat ishin të vogla, shtëpi tipike tiranase, madje gjithë ajo rrugë kishte shtëpi me qerpiç. Profesori ishte në shtrat, i përgjumur, por sapo hymë brenda i tha të shoqes ta ngrinte pak. E shoqja, i vuri një jastëk dhe ai u ngrit paksa. I dhashë të njohur se kishin kaluar rreth 15 vite e unë nuk isha më ai nxënësi pedagogjikas. Por sapo i thashë emrin u kujtua. Ju kujtua mbiemri im që kishte të bënte me një vend historik.U gëzua kur mori vesh se kisha kryer universitetin për gazetari, se kisha botuar libër me tregime dhe punoja në Kinostudio.
Drejtori Gani Daiu me trupën Pedagogjike të shkollës “N.N. Gjoka” Tiranë.
Kur mbarova vizitën, mbaj mend që i tha të shoqes, Harikla, ma sill atë bllokun. Ajo solli një tefter shënimesh ku kishte emra dhe data. Shënoi dhe emrin tim. Këtu tha, kam të gjithë emrat e nxënësve të mi që më kanë vizituar në këtë sëmundje që më vuri në shtrat. Dua ti ruaj në kujtesë të gjitha ata nxënës që nuk më kanë harruar Nuk kaloi shumë kohë dhe një dite ndërsa po shkoja të punoja tek ndërtesa me kontribut vullnetar që po ngrinte Kinostudio, e që ishte ngjitur me rrugën e shtëpisë se mësuesit, me tërhoqi vemëndjen një shpallje mortore. Ju afrova e dallova emrin e mësuesit tim. Në të thoshte se si mbas dëshirës që kishte pas Petër Elezi, varrimi i bëhet në vendlindje, në Shpat të Elbasanit. Por kur pash datën e kuptova se vdekja kishte ditë që kishte ndodhur. Nuk më mbetej veç të shkoja për ngushëllim tek e shoqja që kishte mbetur vetëm.
Atje takova edhe një nip të mësuesit tim, i cili ishte përkujdesur për të deri në fund. Nëpër vite nuk kam arritur të gjej gjëkundi materiale të shkruara për mësues Petër Elezin. Vetëm së fundi më ra ne dore libri “Mësuesit për kombin shqiptar” botim i vitit 1993, ku gjeta të cituar në faqe 392 dhe 411. Në libër sillej një dëshmi e mësuesit Kamber Xherija: “Në korrik të vitit 1940, pushtuesit fashistë mblodhën në Durres, në kampin “DUX”, rreth 800 arsimtarë – që ata i quanin “indocenti albanezi”- me qëllim që ti bajshin për vete dhe kështu të futshin italishten në shkollat tona.
Kjo gja dëshmohet ma se miri dhe me përgatitjen e regjistrave të fillores në këtë gjuhë. Ishte Petër Elezi ai që, së bashku me disa shokë të tjerë, si Xhevdet Doda (dëshmor), Halit Ballshi, Sulë Haxhihyseni etj, u vunë në krye të kësaj lëvizje patriotike dhe me guxim të madh u ngrit kundër këtyre veprimeve djallëzore shkombëtarizuese, me të cilët u bashkuan qindra të tjerë e shprehnin haptas urrejtjen e tyre”( nga gazeta “Patrioti”, mars 1993 nr. 7).
Mësuesi i Popullit Petër Elezi me të shoqen Harikla.
Por kohët e fundit kam gjetur edhe dy shkrime të tjera, njëri është në faqen elektronike “Elbasani Arkivi Digital” ku ka një jetëshkrim të shkurtër të mësuesit të Popullit Petër Elezi si dhe një shkrim tjetër tek faqja elektronike e shoqatës kulturore “Shpati”, kujtimet e ish nxënësit të tij Filip Bërdufi për mësuesin Petër Elezi. Një shkrim i plotë ky me referenca që paraqet, pasqyron thuajse tërë veprimtarinë nëpër vite të mësuesit të njohur kudo në trojet shqiptare. Në një pasazh lexojmë vlerësimin që i bën Mësuesit të Popullit Petër Elezi, si themelues i gjimnazit shqiptar të Pejës, shkruar nga Rexhep Dodushaj në librin e tij “Si e gjeta dhe si e lash shkollën shqipe në prefekturën e Pejës”: “…Prej shtatorit të vitit 1941, gjimnazi i Pejës u shëndrrua në gjimnaz shqiptar me në krye Petër Shpatarakun, i cili pasi ngriti shkollat e Vardarit erdhi në liceun e Pejës të cilin e shëndrroi në lice shqiptar nën shëmbullin e liceut të Korçës…”
Po aty lexojmë se krahas punës në shkollë, mësuesi Petër Elezi nuk reshti së punuari me studime të ndryshme. Përveç atyre gjuhësore që janë me dhjetra, ai botoi edhe vështrime historike dhe analiza letrare si “Josif Bageri” ,”Shkolla Shqiptare”, botuar në Konstancë 1943, si dhe “Vepra e Bajram Currit ndër vjersha të J. Bagerit”, botuar gjithashtu në Konstancë 1943. Mësuesi Petër Elezi bën një analizë dhe jep opinionin e tij për një revistë të re letrare, ngritur nga Mitrush Kuteli, Sterjo Spasse, Nexhat Hakiu dhe Vedat Kokona me titullin “Një revistë e re: Revista letrare”, Petër Elezi “Bashkimi i Kombit”, Tiranë 11 shkurt 1944.
Gjeografia e vendeve ku Peter Elezi ka dhënë mësim është mbresëlënëse, e nisi mësuesinë në vitin 1924 në Shtërmen të krahinës së vet, ku qëndroi vetëm disa muaj sepse Ministria e Arsimit e caktoi në shkollën internat të Bërzeshtës, më pas në Përmet, në Kastriot të Peshkopisë, në 1928 transferohet në Delvinë, në vazhdim në Mat, në Tiranë, në shtator 1935 emërohet drejtor i shkollës së Himarës, me pas në Vlorë, në 1939-1941 drejtor shkolle në Tiranë. Në 1941-1944 bashkë me qindra mësues shqiptare shkoi të shërbejë mësues në trojet shqiptare jashtë Shqipërisë.
Prof. Petër Elezi me nxënës shpatarakë në shkollën pedagogjike “N.N.Gjoka” Tiranë.
Me vendosjen e rregjimit komunist në kuadrin e reprezaljeve kundër intelektualeve atdhetare, Petër Elezi arrestohet më 8 qershor 1945 dhe dënohet me 20 vjet burg, shkruan në blogun e tij Filip Bërdufi, por pas 7 muajve lirohet nga burgu. E fillon mësuesinë vetëm pas dy vjetësh në Vlorë e në vazhdimësi në Tiranë. Me të drejtë në një shënim të faqes elektronike të shoqatës “Shpati” thuhet se emri i shkollës së Shelcanit është ndërruar duke i hequr një emër luftëtari e duke venë serish po një tjetër luftëtar, sikur shkollat tona të ishin akademi ushtarake e nuk vihet emri i mësuesit të shquar e atdhetarit të madh Petër Elezi.
Po kjo figurë madhore me kontribute në mësuesinë shqiptare e hartimin e teksteve mësimore të gjuhësisë në dekada, meriton edhe më shumë. Ajo do të nderonte çdo rrugë shesh apo shkolle të Shqipërisë. Kemi shumë militarizime në emërtimet e shkollave duke i lënë fare pak vend mendjeve të ndritura iluminuese si ajo e Mësuesit të Popullit Petër Elezi.