Në kujtim madhështie të 142 Vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit – 10 Qershor -1878

0
444
Naxhije Doçi - punim dore

Naxhije Doçi - shqipe Naxhije DoçiPrishtinë

ZEKË BAJRAKTARI I PARË
LUFTËTARË PRIJATAR

Zekë Bajraktari i Parë
i Suharekës (Therandës) trime,
paragjyshi im plisbardhë
me vendim të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
të Vitit Zulmëmadh 1878
luftëtar-prijetar
në ballë të trimave vullnetarë shqiptarë
të Bajrakut të vet
për shqiptarinë e trashëguar
lashtësi e dëshmuar.

Përbetuar në besën jetike
dhe gjakun rrëke
syrin pishë me hejun rrufe
në shpartallim pushtuesish të pështyrë,
turkun hienë e vjetër e dhelpër
dhe Sërbinë e Malin e Zi
gllabërues të rinj në epërsi
nga përgëdheljet satanike
të Kongresit mëkatar
të Bërlinit.

Poezi nga libri “JEH MOTESH” – Naxhije Doçi – Prishtinë – 2019


Në kujtim madhështie të 142 Vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit – 10 Qershor -1878

Naxhije DoçiPrishtinë
ZEKË BAJRAKTARI I PARË I BAJRAKUT TË SUHAREKËS PJESËMARRËS NË KUVENDIN E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT ME 10 QERSHOR-1878

Zekë Bajraktari i Parë i Bajrakut të Suharekës (Therandës) ishte pjesmarrës në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që u mbajt në Prizren më 10 qershor 1878. Në këtë Kuvend, që ishte ndër ngjarjet më të lavdishme të popullit shqiptar, për t’u liruar nga robëria e gjatë otomane, morën pjesë përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare. Në të ishte bërë lidhja e besës dhe betimi i dhënë për ruajtje të tërësisë territoriale dhe për formimin e shtetit kombëtar shqiptar.

Zekë Bajrakltari i Parë ishte i lindur në Suharekë në dekadën e parë të shekullit XIX dhe ishte i vetmi fëmijë djalë, prej gjithsej pesë fëmijëve të Sinanit të Dytë të Bajrakut të Suharekës. E kishin shpëtuar të tjerët si foshnje në djep, nga zjarri që ia kishin vënë kullës pushtuesit osmanë si hakmarrje për organizim të luftave që kishte bërë Bajraku i Suharekës kundër tyre. Dhe një gjë e tillë nuk kishte ngjarë vetëm njëherë, por sa që herë ishte luftuar dhe kundërshtuar me organizime.

Zekë Bajraktari i Suharekës, në mbamendjen e pasardhësve të vetë kujtohet si burrë me një zhvillim të dalluar fizik. Ishte edhe trim i dalluar dhe organizues i luftave vullnetare në bajrakun e vet kundër osmanëve, si edhe kundër serbo-malazezve gllabërues të tokave shqiptare. Si prijetar i mishëruar me popullin, por edhe si luftëtar dhe si familjar i dalluar, gëzonte një respekt të veçantë në Bajrakun e vet, e edhe më gjerë.

Zekë Bajraktari i Parë i Therandës kujtohet dhe çmohet nga pasardhësit edhe për mbajtje të fjalës dhe për respektim të besës së dhënë. Përpara do ta jepte jetën se sa ta thente fjalën dhe besën e dhënë. Nëse ndokush nga njerëzit e bajrakut të tij e thente fjalën e dhënë, apo i shkelte rregullat e miratuara në Kuvende burrash, i priste ndëshkim-përmirësimi nga Zeka i Parë. Këto dëshkime kishin për qëllim krijimin e rregullit për organizime dhe për jetë më të mirë për të gjithë.

Zekë Bajraktari i Parë i Suharekës mbahet në mend edhe si pajtues i dalluar i gjaqeve ndër shqiptarë të Bajrakut të vet dhe më gjerë. Thonë se Zekë Bajraktari kishte dhënë edhe tokë familjare (ara e livadhe) për t’i pajtuar njerëzit e Bajrakut të vet, që të mos vriteshin ndërmjet veti. Nuk kishte dashur që të shpenzoheshin energjitë fizike dhe forcat mendore brendashqiptare për ta vrarë vllai-vëllain.

-Vendi është i robëruar nga pushtuesi osman, që i shkel tokat shqiptare dhe që vret shqiptarë për t’i zhdukur nga faqja e dheut, prandaj ne duhet bashkuar forcat për të luftuar kundër tij – komentohet të kishte thënë Zeka i Parë në log të kuvendit. Për trimërinë dhe për veprat e mira njerëzore të Zekë Bajraktarit të Parë, në familjen Bajraktari e edhe më gjër, deri vonë u kanë kënduar foshnjeve djemë në djep, që t’u bëheshin trima dhe të besës si Zeka i Parë i tyre:

Nina nana more djalë
M’u bafsh trim si Zeka i Parë
M’u bafsh Lis si gjyshi plak
Fjalë e besë m’i paq bajrak.

Fragment nga libri: “Destan Bajraktari folklorist letrar dhe atdhetar”-Naxhije Doçi

Prishtinë – 2009