HESHTJA SI NDRIÇIM HYJNOR DHE SI AKT POETIK

0
774
Sytë e heshtjes - kopertina

Sherafedin Kadriu

(Meditime për veprën “Sytë e heshtjes” të Anton Nikë Berishës botuar në Shtatë shpalimet për Nënën Tereze, Faik Konica & Kuvendi françeskan, Prishtinë – Gjakovë 2019[1])

Kritiku letrar duhet ta lexojë shumë herë librin për të cilin gjakon të flasë.
Milan Kundera

E kam njohur madhështinë e emrit të Nënës Tereze gjatë viteve të okupimit klasik të Kosovës duke qenë anëtar i kryesisë së degës së Shoqatës humanitare bamirëse “Nëna Tereze”, në Gjilan. Sot e njoha edhe bukurinë e heshtjes dhe të lutjes së saj në heshtje, duke lexuar përmbledhjen “Sytë e heshtjes” të Anton Nikë Berishës.

E kush mund ta dijë aq mirëfilli, nëse është heshtja lutje apo lutja heshtje siç e dinte dhe e përjetonte Nëna Tereze. Në mos të dyja janë të ngjizura me njëra – tjetrën, duke përjashtuar konceptin gjuhësor të të mosfolurit, ose të të folurit pa zë. Ndoshta të këtillë duhet konceptuar heshtjen e Nënës Terezë, – heshtje që vepron me tërë qenien e saj për arsye se mu kur heshtet, lidhen dy kategori veprimesh: njerëzorja me hyjnoren. Pra, jam shumë i sigurt se të krijosh duke pasur për bazë mendimet – thëniet, më mirë lutjet e Nënës Terezë, është guxim i madh.

Çfarë mund të thuash më shumë, më etike dhe estetike seç ka thënë ajo e shpirtëzuar me Hyjin? A mund të heshtësh siç ka heshtur Nëna e Njerëzimit, duke pritur ngjizjen me fjalën e Hyjit?! E vështirë, mjaft e vështirë. Heshtja e ndriçimit hyjnor nuk është qetësia, por veprimi që nis me lutjen, se duke u lutur beson, duke besuar dashuron, duke dashuruar shërben dhe duke shërbyer e paqëson zemrën. E ku ka më të paq se zemra e Hyjit? Së këndejmi, në rolin e lexuesit, kërkova lumturinë e Hyjit në vargjet heshtjeje dhe shpesh e gjeta. Më shpesh sesa mund ta ketë besuar dhe synuar vetë poeti, sepse vargjet e kësaj poezie janë fjalë që heshtin në lëvizje. Ndërsa, lëvizja është tej shpirtërores, tej psikologjikes: merr trajtë hyjnore.

Heshtja është hiri i Hyjit,
ngrohtësi e pashuar dashurie
e ngjeshur me misteret e Tij,
që nëpër qiell e në tokë
përhapet me shkëlqimin e yjeve
të qëndisur me bardhësi resh–
gjakim i ëndrrave të etura;
është joshje që nuk resht […]

Për komunikim thellësor me lexuesin, “Syve të heshtjes” u mjafton emri i Nënës Tereze bashkë me frymën e bukurisë së saj, kur flitet pa zë. Mund t’i shtohet vetëm edhe Fjala paraprake e autorit, se janë mësimet nga tekstet e Nënës Tereze për heshtjen dhe rëndësinë e saj që janë gërshetuar e shtrirë në tekstin poetik. As mua dhe as të tjerëve, nuk u duhet tjetër, veç heshtjes së vetes sonë, për të bredhur fjalëve befasuese, të ndjeshme e të qëmtuara ngulshmërisht dhe të thella figurativisht.

“Sytë e heshtjes” është nga ato shumësi metaforash të rralla që ndërtohen nga kontrasti, që i gjejmë në poezitë më të arrira artistikisht. E zakonshmja, sytë janë për të parë dhe për të qarë. Po ç’i bashkon ata me heshtjen? Mu shikimi dhe loti. Kur sytë heshtin, mu atëherë ata veprojnë, zhbirojnë, si sytë e Nënës Tereze që s’kish rast varfërie e për të cilën s’kish qarë. Po këtu, nuk përfundon veprimi, sepse heshtja nuk është gjysmëvdekja, është besimi në pritjen e fjalës së Hyjit, që vjen e drithëron zemrën e njeriut.

Heshtja është ndriçimi hyjnor
që të mbështjellë me paanësinë e vet
më të ngrohtë se zjarri flakërues
që degëzohet si shtjellë ere,
dehur nga ngazëllimi, hareja,
ose si vrunduj lifqeresh në stinë shiu
që uji i shumtë ua gjallëron rrjedhën
kur lëshohen me vrull shtratit teposhtë
sa më parë lumin ta mbërrijnë;
është prehja e prushtë brenda teje,

Poema e strukturuar në 33 këngë, në formën soneteve (me 14 vargje), që në përballjen e parë me lexuesin, i ofron atij ndjenjën e së bukurës, një ritëm muzike që rrjedh qetësisht, siç fliste vetë Nëna e Njerëzimit. Tek më pas vjen kuptimi me domethënie edhe për arsyen, edhe për imagjinatën. Poema është poezi e një gjuhe të kërkuar, poetike, përtej rëndomësisë. Gjuhë, e cila në këto krijesa (pamje poetike) nuk është mbërritur lehtë, përkundrazi është rrjedhojë e punës, e përvojës, e qëmtimit dhe e muzës bujare që ka përftuar vargje të këtilla. Ndoshta të gjitha së bashku kanë heshtur për t’u shfaqur si hiri i Hyjit.

E di, që poeti gjë kryesore e çmon jetësimin e fjalëve dhe thurjen e tyre, bërjen poezi ndryshe nga të tjerët. Ç’është e vërteta e përmbush misionin që i ka vënë vetes me gjuhën standarde, rrallë të kompozuar me ndonjë nuancë të gegërishtes. Aty gurra bunon nga toka e kjason gëzimi, aty me pingërrimën e shiut ndrisin shkreptimat etj. etj. Aty krijohen neologjizma edhe që shqipen e pasurojnë, e bëjnë më të pasur, si vorbullon (folje) nga emri vorbull, ose mbiemri shumësor nga emri shumës, ose nga ujëvarë (emër) formon neologjizmin e ujëvartë, si mbiemër etj.

Heshtja është fryma e bukurisë,
hir i amëzimit të pafund të etjes,
ngrohtësi e ujëvartë që e mbroth shpirtin
të dallgëzuar nga e liga, nga shëmtia,
kur pikëllimi e mbulon si re e dendur
e mëdyshja i shtrin rrënjët, helmim shllige
hedhur me rrëmbim kur e vëren rrezikun;
është frymësi jetike, mishërim i mistershëm
i të madhërishmes, ngadhënjim mbi kohët,
që kudo ndodhet rrezaton tek ti e unë,
lumë i dashurisë, liqe i përdëllimit,
që e ujit shpirtin e dobësuar, e përtërin –
jetë i jep magjisë së frymësisë.

Dhe mu për këtë, dhe jo vetëm për gjuhën, në përballje me lexuesin, jo me vështrimin për poezinë e tij, por për heshtjen që është krimbi i dyshimit, autorin edhe mund ta kapë ankthi, se si do të ndjejë lexuesi.

Ky ankth që natyrshëm i shoqëron shkrimtarët e mëdhenj sepse ndjejnë përgjegjësi poetike, estetike, morale e filozofike, jo vetëm në të gjallë të tyre, por për aq sa u jetojnë veprat. E, synimi i të mëdhenjve është i qartë: veprat e tyre të mos kenë ditëvdekjeje. I tillë del Anton Nikë Berisha në krijimtarinë e tij letrare, të pasur e cilësore njëkohësisht.

Struktura e kësaj poeme ta miklon imagjinatën, të kënaqë me mënyrën sesi e përçon atë që synon poeti. Nuk jam ithtar i formës, po as kundër saj, sepse e shoh të ngjizur me kuptimin (përmbajtjen), e strukturimi nuk është forma në poezitë e këtij poeti, – është mënyra e shfaqjes ndryshe e unit prej vetvetes duke shpaluar një projeksion fantastik për heshtjen, jo thjesht për heshtjen, po për sytë e heshtjes për arsye se heshtja pa sy nuk e sheh as errësirën. Mos t’ju habisë kjo thënie! S’ka më keq se të mos shohësh errësirën e thellë, a atë natën pus të zezë. Pak gjë është drita ndonjëherë! Atë edhe mund ta projektosh në imagjinatën tënde.

Kjo është poema për heshtjen, nga më të rrallat që kam lexuar diçka të këtillë, për përsiatjet nga më të ndryshmet për të.

* * *

Si lexues, para se të jesh përballur me përsiatje të këtilla filozofike, psikologjike, gjuhësore, poetike dhe njerëzore e hyjnore, në të njëjtën kohë, zor se ndonjëherë do ta kesh degdisur imagjinatën deri në pafundësi, sepse heshtja që është veprim njerëzor, bunon nga ndriçimi i lëvizshëm hyjnor. E, ec e gjeja fundin hyjnores!

Gjilan, prill 2019

[1] Mbajtur në takimin Tavolina poetike të së shtunës në Gjilan më 27 prill 2019.