Nga KOLEC P. TRABOINI, Traboini, Ese
Enver Bytyçi me titullin Dr. kërkon të na mësojë në shqiptarëve europianë, kurrqysh pa ja kërkuar, si të bëhemi dylberë-dashamirë të Stambollit. Na ruaj zot prej doktorëve të tillë, që as Anton Zako Çajupit të madh nuk i kanë rënë në hatër me Adhamutin e tij; “kërre një sy të shpëtosh tjetrin”. Për të mos ua besuar këtij takëmi as macen e shtëpisë, sepse edhe atë do t’ia dorëzojnë në zgërlaqje e delir ndonjë turk memuri, e do na e lenë edhe macen me barrë. Bah, more Doktor. Po na le pa erz e pa nder, lum miku. A thua nuk kemi boll këta kopilat e sulltanëve, e u dashka të kollokrepsemi bythë e breke me turqit e Erdogan Sulltan jaranit, apo soj sorollopin të tyre?
Le ta lexojmë se pari të ndriturin mendim të dr. Enver Bytyçit në shkrimin e tij “Turqia qemaliste properendimore është aleati ynë strategjik”:
“Ndërkohë – thotë ky zotëri me doktoraturë – besoj se diskutimet mediatike e në rrjetet sociale për islamin, objektet e kultit islam, ndikimin e Turqisë, ose të asaj çfarë ka ndodhur gjatë sundimit osman në trojet shqiptare janë joproduktive dhe nuk e ndihëmojnë formulimin e një qëndrimi korrekt, të paanshëm dhe bazuar në produktin e sotëm me shtetin turk. Nëse Erdogan do të ndryshojë kursin e nisur pas 15 korrikut dhe do të projektojë një udhëtim të pakthyeshëm euro-atlantik, atëherë Shqipëria, Kosova, shqiptarët do të duhet të bëjne të gjitha përpjekjet për të forcuar lidhjet politike, ushtarake, arsimore, shkencore, ekonomike e kulturore me Turqinë. Diskutimet dhe paranojat historike të para një shekulli nuk ndihëmojnë në këtë drejtim.”
Këto që më sipër paraqitëm, e zeza mbi të bardhë, i ka prodhuar mendja e ndritur e doktorit që na sugjeron se as me pak e as më shumë, por të harrojmë e të fshijmë me një të rënë të lapsit gjenocidin më të madh turko-osman që ka parë Europa në pesë shekuj mbi një popull, mbi pasardhësit e Gjergj Kastriotit. Me të vërtetë bash aty është thembra e Akilit të gjithë turkoshakëve në Shqipëri, Kosovë e në Maqedoni. Për ta mbyllur atë kapitull mizor, për ta shuar e harruar historinë, Turqia ka hapur bankat e thesarët dhe ua mbush xhepat mirë e mire nëpërmjet të ashtuquajtura fondacione me të vërtetë fantazmë.
Tani le të marrim mundimin e po shtojmë edhe ne dy fjalë, se pa një përgjigje të thukët nuk mund ta lëmë turkofilinë mjerane të Dr. Enver Bytyçit.
Më gjithë respektin që kemi për titullin Dr. të na falë Enver Bytyçi, por këto që thotë e shkruan çojnë ujë në mullirin zullapëve të turkoshakizmit primitiv. Ne pasardhësve të Gjergj Kastriotit as na duhet e as ia ndjejmë nevojën Turqisë tënde. (Bëre derr e arinë/ ç’deshe që bëre Turqinë – A.Z.Cajupi). Nëse ti vërtetë ia ndjen nevojën, lum miku, bukur mirë shtoje e trashëgoje këtë miqësi pa ndalim, jemi shoqëri e hapur me kufij të hapur, shko edhe në Turqi, megjithëse se duket bukur mirë se ke vajtur kur ke qenë në Ministrinë e Kulturës Shqiptare për të marrë mësime anadollake, e ndoshta jo pak herë. Bëj po deshe dhe krushqi, por ti nuk ke tagër me fol në emër të popullit shqiptar, të paktën atyre që la Gjergj Kastrioti pas vetes. Dhe nuk besoj se ju keni qenë nga ata që e kanë frymëzuar mediokritetin qeverisës për futjen e Shqipërisë në Kotecin e Vendeve Islamike, se kjo do të përbënte një turp e tradhti kombëtare, sepse bie ndesh me interesat e vendit dhe dëshirat e shqiptarëve për prosperitet perëndimor.
Ti mbase harron por ne jo, se historia është pjesë e identitetit të çdo kombi dhe ti po kërkon të shuhet historia e kujtesa e popullit, e të bëhemi bythë a brekë me turqit, me ose pa Erdoganin. Ti bën sikur nuk di se ne kemi një rrugë, e vetëm një rrugë, atë të Europës e jo të Azisë. Turqia të rrijë në punë të vet e të zgjidhë problemet e veta me kurdët, që po i mban nën zgjedhë që 600 vjet, duke i përgjakur, duke u mohuar gjithçka kombëtare, duke vrarë e prerë siç kanë bërë të parët e tyre turko-osman edhe mbi ne shqiptarët. E kemi të trashëguar historinë e popullit tonë, nuk e harrojmë se pushtuesit turko-osmane kishin si armë jo thjeshtë shpatën e topin, por kryekreje kokëprerjet, përdhunimet masive dhe mizorinë duke e kthyer Arbërinë në tokë të djegur.
Ky ka qenë qëllimi i tyre i vërtetë që na e fshehin doktor-profesorat e albanologjisë mediokre; ndërrimi i identitetit e mbjellja e një geni të ri aziatik në trojet arbërore. Çfarë pjesërisht për fat të keq ja kanë arritur. Nëse e studiojmë historinë si histori, e jo si ideologji fetare apo interesash të të huajve që kanë qëllime ekspansioniste, kjo ka ndodhur dhe mjaft prej atyre me doktorata si puna juaj përpiqen ta fshehin. Por edhe shtat pash nën dhé ta fshehësh të vërtetën e popullit shqiptar, ajo del më së voni. (Se ka shqiptarë që nuk i binden turkut e nuk sillen si qen të rrahur të tij! – shënimi im AÇ).
Ne shqiptarët e Gjergjit të madh nuk i mohojmë të parët tanë. Ne shqiptarët e Gjergjit të madh jetojmë në trojet tona e mbi një tokë të përgjakur. Nëse ti e do të tjerë të zgjuar vonshëm (se as Ahmet Zogu dhe as Enver Hoxha sado mizorë të kenë qenë, nuk e linin të harlisej rasati anadollak), nëse pra e ke të programuar mendjen e shpirtin në Azi me turq-selçukët, udhë të mbare, o kumbarë, se ne këtu i kemi rrugët e ndara. Por atë titullin Dr. po deshe merre me vete, përtej Bosforit, veç këtu në trojet e Gjergj Kastriotit mos e lër. Se hama dreq orën, nuk i duhet kurrkujt, as fshatit tënd ku ke lindur, që nuk ka asnjë pikë lidhje me halldupët e sulltanëve të djeshëm apo të sotëm.
Kjo është vetëm zgjedhja jote personale për arsye që ti vete e di, por edhe ne dimë të hamendësojmë. Dhe mos nxij letra kësisoj. Për veten tënde them, pa ne shqiptarëve me shpirt europian e jo turkoman, nuk na bën kurrfarë gjëje veç na shton vendosmërinë në rrugën tonë drejtë asaj ku natyrshëm bëjmë pjesë, Europës perëndimore, kulturës e dijeve e jo terrinave të lindjes që me mizoritë tyre tashmë u janë kthyer mesjetës. Me të tilla postulate, sikur ti kenë shkruar kallamarët e sulltanëve, kemi veç një fjalë për të thënë: Udhë e mbarë o kumbarë, por me këto mendime të përndritura osmanike kurrë më mos ardhsh në trojet tona.
Pa pikë respekti për të gjithë ata që kërkojnë të na shkruajnë një histori tjetër, e jo atë që me sakrifica të panumërta e një qëndresë të pashoqe e kanë shkruar të parët tanë.
10 gusht 2016