Në vendin tonë janë konfirmuar deri më tani 1464 raste me koronavirus. Aktualisht vijojnë të jenë aktivë 289 raste, ndërsa pjesa më e madhe është shëruar.
Megjithatë, gjatë 24 orëve të fundit u konfirmuar 48 raste me koronavirus, numri më i lartë brenda një dite, që prej fillimit të epidemisë në vendin tonë.
Por nga janë infektuar këta persona?
Ministria e Shëndetësisë njoftoi këtë të shtunë se ditët e fundit është vënë re një rritje e numrit të rasteve në aktivitete biznesi dhe institucione të ndryshme. Gjithashtu, këto raste janë konfirmuar pas pjesëmarrjeve në ceremoni mortore dhe grumbullime të tjera.
Në fakt, edhe vetë Qendra Spitalore Universitare është kthyer në një vatër kryesore të infeksionit të Covid-19. Prej fillimit të epidemisë, rastet këtu ishin sporadike, por gjithçka ndryshoi pas 27 majit, kur shërbimi i mjekësisë interne u kthye në përhapës të infeksionit.
Një infermiere e vetme arriti të infektojë mbi 35 persona të tjerë, mjekë, infermierë dhe pacientë. Nga QSUT, sëmundja është përhapur në Lushnje, Mat dhe Gjirokastër.
Ministria apel që të zbatohen masat
Ministria e Shëndetësisë ka apeluar që të zbatohen masat e rekomanduara, siç është distanca fizike, përdorimi i maskave në shërbim, higjiena persona, dezinfektimi i ambienteve, ajrosja e tyre etj.
Këtë të shtunë, ministria tha se inspektorët e Task-Forcës anti-Covid do të vijojnë kontrollet nëpër institucione apo bizneseve të tjera të çfarëdo lloji për të parë nëse zbatohen protokollet e sigurisë. Moszbatimi i tyre është një ndër arsyet kryesore pse numri i të infektuarve është rritur ndjeshëm.
Gjithashtu, u tha se policia do të vazhdojë kontrollin e vazhdueshëm për zbatimin e karantinës të qytetarëve të konfirmuar pozitiv që janë pa shenja dhe që duhet të respektojnë detyrimin për të qëndruar të izoluar.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve.
Marrë nga Nacionale.Info