Pjetër Dreshaj, model i arsimdhënies

0
1105
Pjetër Dreshaj

Shkruan Gjekë Gjonaj, Buzuku.info

Kaherë e kam menduar dhe planifikuar të pasqyroj në media shqiptare portretin e këshilltarit tim të parë pedagogjik, profesorin e mirënjohur të gjuhës dhe letërsisë shqipe, Pjetër Dreshaj. Jo për arsye miqësie, e për t’i ngritur atij lavdi, por për meritën e tij të pakontestueshme në fushën e arsimit shqip.

I lumturuar nga lajmi se Komuna Urbane e Tuzit i ndau këtij profesori me formim të lartë, me përgatitje gjuhësore, me përvojë mësimdhënie, me kompetencë shumë profesionale dhe me aftësi drejtuese në profesionin e tij Çmimin për “Veprimtari Jetësore” për vitin 2015, po i shkruaj me përkushtim e respekt këto rreshta, në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për kontributin e tij vërtet të madh ndër vite të këtij misonari i cili, mendoj unë, e meriton “Kartën e Mësuesit”.

Nga njohja ime shumëvjeçare me profesor Dreshajn më kanë mbetur në mendje e përherë të gjalla në kujtesën time këshilla, ndihma dhe mikëpritja në fshatin ku jeton, në Dreshaj, jo larg Tuzit. Gjithmonë pedant, siç i ka hije një punonjësi të mirëfilltë të arsimit. I etur për dituri. Njohës i mirë i gjuhës dhe i letërsisë shqipe. Pedagog i zoti. I aftë në mësuesi. Drejtues vizionar i shkollës. Njeri i qeshur. Komunikues. Pozitiv. I gatshëm për këshilla. I dashur dhe i afërt me nxënës, me prindër dhe me kolegë. Korrekt. I drejtë. Parimor e i përkushtuar në profesion.

Si mik i shtrenjtë dhe koleg i babait tim, të ndjerit Gjon, dhe dashamir i sinqertë i familjes tonë, ai më ka futur në rrugën e arsimit. Dashurinë dhe këmbënguljen për të mësuar sa më mirë gjuhën shqipe, ma nguliti edhe edhe mua në shpirt dhe zemër. Është meritë e tij që më bëri për vete për të vazhduar studimet në degën – gjuhë dhe letërsi shqipe, detyrë të cilën e ushtrova brenda viteve 1979 – 1986 në SHF “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu” në vendlindjen time në Triesh.

Punën time gjatë gjithë këtyre viteve me ditar në dorë e mbikqyri me kujdes dhe e vlerësoi me sukses profesori Dreshaj, asohere këshilltar pedagogjik për shkollat me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi. Udhëzimet e tij që m’i dha për të kuptuar planin dhe programin mësimor, për të organizuar procesin mësimor, për t’u njohur me të rejat pedagogjike, për përdorimin e tyre në shkollë, për të zbatuar praktikën pedagogjike e shumëçka tjetër që është pjesë e mësimdhënies dhe e jetës në shkollë ishin me vlerë të madhe për mua.

Në fillimet e mia si mësimdhënës i gjuhës dhe i letërsisë shqipe pasi përfundoi njëra nga orët e mësimit në sallën e arsimtarëve e pyeta profesor Dreshajn: ”Më duket se nuk ju kënaqa”, – i thashë disi i ndrojtur. ”Jo – m’u përgjigj butësisht e me ngrohtësi. – Ti si gjithnjë tregove se ke një përgatitje të mirë mësimdhënieje dhe meritove vlerësimin tim të lartë, pavarësisht se je i ri në profesion”. Sa m’u bë qejfi kur u shpreh kështu për mua! Kjo vërtet më inkurajoi për të vazhduar me më shumë pasion, dashuri e përkushtim profesionin e mësuesit.

Krahas këtyre dhe shumë kujtimeve të tjera, të cilat përherë do t’i ruaj në sirtaret e jetës sime me origjinalitetin e tyre, në bibliotekën time të vogël ruaj librat e tij të leximit për filloristët shqiptarë në Mal të Zi, disa nga përkthimet dhe nga shkrimet e tija të bukura dhe të kujdesshme tipik prej gjuhëtari, të cilat i ka botuar në shtypin e kohës. Por nuk arrita të siguroj asnjë raport (vlerësim) zyrtar të tij për punën time si mësimdhënës, për shkak të jotransparencës së shkollës.

Po ju kujtoj lexuesve se Pjetër Dreshaj ishte edhe folës dhe gazetar i mirë. Si fëmijë me kënaqësi e dëgjonim familjarisht zërin e tij të ëmbël dhe imponues në valët e Radio Titogradit të atëhershëm (sot Radioja e Malit të Zi), në emisonet shqip javore, njëorëshe, të marteve në ora 18, nëse nuk kam harruar.

Dhe, në mbyllje, po shtoj se Pjetër Dreshaj e meriton të nderohet dhe vlerësohet portreti tij. Sepse ai me profesionin e tij përcolli gjithmonë dituri e kulturë tek nxënësit dhe mësimdhënësit shqiptarë në Mal të Zi. Për mua ishte dhe mbeti model i arsimdhënies. Karakteri i tij i madh njerëzor dhe ndershmëria e tij e pashoqe përbëjnë një shëmbëlltyrë frymëzuese dhe sfiduese për shoqërinë shqiptare. E për këtë, atë dhe misionarët e tjerë të arsimit në Malësi dhe në troje të tjera tona etnike duhet që të vlerësohen dhe të nderohen.