Xharra: “Grenell nuk ka pasur gisht, por ka pasur dorë në rrëzimin e Qeverisë Kurti”

0
554
Jeta Xharra

Jeta Xharra, Revista Drini

Bashkëprodhuese e ekipit të BBC në betejën e Jasharëve në mars të vitit 1998 në Kosovë, pjesë e këtij rrjeti në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut, me një diplomë në Britani të Madhe për studime lufte dhe skenar filmi, në 2005 themeluese e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese BIRN, në Kosovë e kryesisht Ballkan, figura e saj është sinonim i emisionit famëmadh “Jeta në Kosovë”. Në një analizë për ekranin e A2, zonja Jeta Xharra tregon pikërisht për jetën në Kosovë.

Në lidhje me rrëzimin e Albin Kurtit, Xharra tha: “70% e elektoratit votoi lëvizjet politike të dy njerëzve: Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit. Sot, ai elektorat nuk është i përfaqësuar. Udhëheqja e tanishme e qeverisë nuk është shumica kosovare. Pra, ata që sot po garojnë për udhëheqjen e dialogut me Serbinë, nuk janë kredibël. Në 2014, kur PDK ishte e para, Gjykata Kushtetuese tha se nuk mund të formohej qeveria pa partinë që ka fituar zgjedhjet. Atëherë, në krye të PDK-së ishte Hashim Thaçi. Sot, Gjykata Kushtetuese jep një vendim të kundërt, por sërish pro Thaçit”.

Kur u pyet nëse SHBA ka pasur gisht në rrëzimin e Kurtit, Xharra theksoi: “Grenell nuk ka pasur gisht, por ka pasur dorë në rrëzimin e Kurtit. Problemi është që ne nuk po tregojmë shtyllë kurrizore për të mbajtur një marrëdhënie reciproke me Serbinë. Vetëvendosja dhe LDK premtuan në zgjedhje për reciprocitet me Serbinë dhe në fillim pati sukses ky reciprocitet. Tani po sillemi si servilë pa qenë nevoja. Kështu nuk jemi sjellë edhe kur kemi pasur mungesë shteti. Dyshimi është që njerëzit që po negociojnë e kanë bishtin të zënë. Këta njerëz janë në udhëheqje, por janë pakicë. Jeta është e gjatë dhe qeveritë në Kosovë janë të shkurtra”.

Sipas gazetares, Kurti bëri dy gabime gjatë qeverisjes së tij: “Nuk është se ishte i pagabueshëm, por u rrëzua aq shpejt dhe aq joparimisht, saqë kundërshtarët e tij e shndërruan në martir pa qenë martir. Ai është kritikuar për CV-të e anëtarëve të bordit të ndërmarrjeve publike që nuk i bëri publike dhe për heqjen nga puna të ministrit të Brendshëm. Por, asnjë prej këtyre nuk ka të bëjë me korrupsion dhe menaxhim të fondeve publike, siç kemi parë në qeveritë e mëparshme”.

Në lidhje me shkëmbimin e territorit, Xharra shpjegoi se “është tkurrje e territorit të Kosovës”.

Problemi është te brenga që do të bëhet një marrëveshje që do të përfshijë shkëmbim të territorit, që në fakt është tkurrje e territorit të Kosovës. Ka dy vite që po punohet për krijimin e një atmosfere ku pranohet shkëputje territoriale nga Kosova. Veriu i Kosovës është diskutuar që mund të jepet në shkëmbim të njohjes. Në veri ndodhet Ujmani dhe miniera e Trepçës. Asnjëra prej tyre nuk është dhënë edhe në momentet më të vështira të Kosovës. Në Serbi as mendohet që të jepet Presheva sepse Serbia e konsideron shumë pak marrjen e Veriut të Kosovës, ata kërkojnë edhe të drejta shtesë për kishat ortodokse në Kosovë dhe kërkojnë asociacionin e komunave që kanë të bëjnë me territorin. Kosova për këtë do të marrë njohjen e Serbisë. Problemi i kosovarëve nuk është njohja e Serbisë, por shëndetësia e mirë dhe arsimi cilësor janë problemet e tyre”, tha Xharra.