NA APO ATA

0
1039
Odissea - Bekim Fehmiu
Ymer Llugaliu
Ymer Llugaliu

Poezi kushtuar Bekim Fehmiut, me rastin e dhjetëvjetorit të vdekjes.

NA APO ATA
Ende nuk e dimë sakët, se kush e tërhoqi gishtin e kamzës së kobshme ?!

Na apo ata?
Ti apo ajo ?

Por e dimë se ajo goditi, mu në ballin e krenarisë sonë.
Krenari meskine kjo, që s’dinjoi me u përkulë as mbi hinin e lavdisë sate.
Që u njisue me rrjedhën e Lumit të kombit.
Për me u matë me majat e dallgëve të Oqeanit në pambarim.

Heu, Bekim ! As mbas vdekjes s’pranove qetësi.
E, na, geni yt, jemi shndërrue në gishta; që ndezin qirij,
hedhin ndonji lule të lagun lotësh vetmitarë mbi banesat e fundit heronjsh, gjenishë…
të papërfillun në gjallje – nën hijen, nën grushtin, nën thundrën e smirës, egoizmit, zilisë
të liliputëve me putra Kainesh.

Ti i vetëm u ngrite mburojë, e të gjithëve nga ujku, ndonëse ishe mu në gojën e tij.
Na të gjithë nuk mujtem, as nuk tentuem me ushqye as me mbrojtë Madhështinë e talentit
tand, që në hapin ma të vrullshëm majave e flijove për ne.

Po, Bekim! Ti ma i madhi artist i Skenës reliefpërthyeme Iliri,
shkrumove gardhiqe parcelash etnish.
Ti, Yll i pashuem ekrani, që zhbani muret e Trojes mes bokrrinave
– livadheve, Lindje – Perëndim.
Po Itaka; e ciflitun pushtimesh, e zhgenjyeme me vetveten.
S’të priti kurrqysh.

Ymer Adem Llugaliu
Podujevë, qershor 2009

Dërgoi për publikim, Arif Ejupi, gazetar