Farsa e quajtur qeveri Hoti

0
389

Qeveria Hoti nuk mund të kuptohet për ndonjë mision të saj të vërtetë sepse për një copë pushteti u formatua edhe me listën serbe, jo për interesa të shqiptarëve, jo për interesa të shtetit, por pikërisht për interesa të sensasivitetit antishqiptar.

Nga Bekim Rexhepi

Qeveria e Hotit do të mund të mbijetoi aq sa do Hashim Thaçi dhe Lista Serbe. E para: Hashim Thaçi ka rënie drastike të mbështetjes qytetare kudo në vend për këtë flasin edhe sondazhet gjithandej, madje duket qe nuk merr vota as sa një deputet i thjesht i kuvendit të Kosovës dhe për çudi mbanë presidencën pa legjitimitet politik.

Ndërsa, Lista Serbe dihet që është parti serbe e Serbisë, po që veprimtarin e saj e zhvillon brenda juridiksionit të Kosovës, nuk njeh pavarësinë dhe nuk respekton shtetësinë e Kosovës dy elemente thelbësore qe duhet ta nxjerrin nga sistemi politik i veprimtarisë së saj, madje shtrirja politike është tërësisht destruktive në Kosovë.

Le ta kuptojmë më dhe le të pyesim po në këtë logjikë, ç’na duhet një qeveri pa mbështetje dhe palegjitimitet dhe pse na duhet një qeveri që varet nga një parti destruktive në këto momente kur vendi ka dy tri gjëra serioze dhe goxha vendimtare.
Negociatat me Serbinë që u bllokuan nga Serbia dhe që u zhbllokuan nga qeveria Hoti (me vet bllokuesit që tani është bashkë në qeveri) dhe që pritet të fillojnë në këta muaj.

Pandemia po ashtu jo që ka krijuar vetëm panik botërore, por me vete ka shkaktuar edhe dëme të theksuara ekonomike që tani për tani ajo po sanohet vetëm nga buxheti shtesë apo më mirë të themi nga rezervat e buxhetit (le të saktësojmë se në Kosovë nuk pati aq rezerva sepse ato ishte vjelë thuajse të gjitha, nga qeveria Haradinaj).

Ekonomia e vendit do të mbetet pa perspektivë, ngase qarqet e BE-së qeveria aktuale e Kosovës shihet si një aranzhim politik i interesave individuale të disa liderëve që kamuflojnë vullnetin e qytetarëve dhe për këtë ata do të stepën në ndihma dhe në investime, sepse nuk duan që gjërat të shkojnë koti dhe pa fryte ekonomike.

BE-ja nuk do të tregohet efikase me Kosovën derisa në vend nuk ka zgjedhje të lira dhe demokratike, kjo gjendje sot nuk mund të justifikohet sepse të gjitha vendet e BE-së kanë strukturat e veta në Kosovë dhe informohen më qartë me gjendjen politike në Kosovë dhe nuk marrin deklarata shterpe të ditës dhe politike për legjitimitet të reja politik në vend. Madje BE-ja do të shprehet ende më shumë skeptike edhe me legjislativin e vendit, ku politika ka futur duart në sistemin kushtetues dhe tanimë Gjykata Kushtetuese është e përdorshme politikisht nga liderët që tashmë shihen si kapëse të shtetit.

Qeveria e Hotit është dhe do të mbetet në kujtesë edhe për faktin e kontrabandimit të votës, për formimin e qeverisë dhe kjo mbete shqetësuese për institucionet ndërkombëtare.

Kosova nuk ka një ekonomi të zhvilluar për të cilën duhet folur seriozisht, ajo madje nuk është e ngjashme as me një qytet të vogël gjerman dhe për këtë nuk ngjallë një kujdes ndërkombëtar në agjendat e saja serioze.

Retorika për ekonominë e kësaj qeverie është vetëm një devalvim i gjithë konceptit real të saj, sepse një qeveri duhet të ketë më shumë ekspert ekonomik dhe jo militant politik që të drejtojnë resurset ekonomike në vend dhe për më keq këta militant janë të zhytur në korrupsione.

Nga këtu qeveria Hoti nuk mund të kuptohet për ndonjë mision të saj të vërtetë sepse për një copë pushteti u formatua edhe me listën serbe, jo për interesa të shqiptarëve, jo për interesa të shtetit, por pikërisht për interesa të sensasivitetit antishqiptar.

Në këtë formatim të qeverisë Hoti, roli i Hashim Thaçit është vendimtar, por se vizioni i tij politik tmerrësisht qarkullon me ndarje të Kosovës, sepse këtë e ka rishfaqur herë pas here jo qartë, por tërthorazi si “marrëveshje e dhimbshme”, si “shkëmbim, demarkimi, korrigjim, përkufizim i kufijve mes dy vendeve, falje e territoreve, dhurata e Rankoviçit ” e të tjera, e të tjera si këto budallaki të presidentit të cilat Hoti nuk i kupto ose ndryshe ka zgjedhur ti bëhet krah…

Kështu duket se ka një përputhje politike mes tyre edhe se qeveria e Hotit duket vetëm të jetë një farsë sepse ajo më shumë do të jetë qeveria Thaçi, e cila fshihet vetëm pas emrit të kryeministrit Hoti, por jo edhe pas kompetencave me sustën e verdhë në gishtin e ndyrë të Thaçit.