Pesë poezi nga Pajtim Xhelo

0
576
Pajtim Xhelo

E quanin Mimoza

Edhe pse fati për vite na afroi,
Dhe m’e bukur nga të tjerat ishe ti,
Nuk di pse heshta, nuk di se ç’më pengoi,
T’i jepja shoqërisë një hap të ri.
Ishe si Mimoza, po jo flokëverdha,
Leshurat si natë, syrin errëti,
Plot pesë vite si hije pas të erdha,
Det i hepuar për mua mbete ti.
Digjesha pa flakë, pa ti gjë nuk shihje,
Trokiste zemra me një tingull të ri,
Atë tingull ti nuk arrite ta njihje,
Mbet ajo si këng’ e zogut në kuvli.
Si erë vija unë dhe si fllad shkoja,
Vesë në korije mbeteshte dhe ti,
Si s’të thash dy fjalë, që m’u thaftë goja,
E braktisa shpirtin veç në shoqëri.
Nga ëndrat, për te ti nxitoja çdo mëngjes,
Doja të këndoja si një kanarinë,
Veç mezi arrija të të përshëndes,
Dhe në udhëkryq harroja dashurinë.
Ikën pesë vite dhe unë s’kuptova,
Soset durimi nga një pritje e gjatë,
Kur në një lirishtëparajsë shpresova,
U fshehën yjet, u endën nëpër natë.
As sot nuk di ç’të them, pse nuk e kuptova,
Më desh ajo si shok, si mik, si njeri?
Sa herë i turrem vetes, si s’guxova,
T’i rrëmbeja flakët për një zjarr të ri…
Mimoza quhej, e bukur ish, e zgjuar,
Fati desh ta kisha pranë pesë vjetë,
Në sytë e zinj kish detin e hepuar,
Të shuar mbetën yjet në këtë jetë.
O miq, jetën e fisnikëron durimi,
Po shpirtin na i lodh një pritje e gjatë,
Kush shpresën përkund në një shilars harrimi,
Mbet hije që endet vetëm nëpër natë.

Pajtim Xhelo, 7 qershor 2020

Mos gjykoni shpirtin

Në agimin e parë të rinisë,
Dy jargavanë tek ne lulëzuan,
Dy kroje të lumit të dashurisë,
Zbritën gjakut dhe gurgulluan.
Nisëm herët të shkruanim të dy,
Na thërrisnin poetë shokët tanë,
Skuqeshim kur shiheshim symësy,
Rrinin fshehur aty dy jargavanë.
Ti një tregim, unë një poezi,
S’di sesi gjithë klasa i lexoi,
Flisnim ne për të njëjtën dashuri,
Një zanë sykaltër na robëroi.
Kush ishte jotja, po imja kush qe?
Në klasën tonë kish veç një flokartë,
E drojtur na vështronte të dy ne,
Po na përvëlonte si yll i zjarrtë.
Dhe hyri mes nesh heshtur, krejt papritur,
Për dreq një e marrë armiqësi,
Kur morëm vesh që ishim davaritur,
Në qiejt e së njëjtës dashuri.
Kur gjethet çelën pranverës së parë,
Dhe për ne ish pragprilli i rinisë,
Dy jargavanë nuk pritën beharë,
Çelën nën diellin e bukurisë.
Dy ëngjëj që dashuruam një zanë,
Pa faj ishin, u nxitën në mëri,
U harlisën shpirtit dy jargavanë,
Po zana i shpërfilli të dy.
Trokitjen e parë sa shpejt e harruam,
Madje nuk mbajtëm gjatë dhe mëri,
Për flokët e artë të dy nuk shkruam,
As ti tregim, as unë poezi.
Pa sot vitet shumë larg rrugëtuan,
Si në një ëndër dhe e di përse?
Bri meje ca hapa, lehtë ngaluan,
Ngrita sytë, flokarta ish atje.
Pa qielli blu m’u duk i retuar,
Dhe dielli ku u fsheh nuk e di,
Diku, në shpirt, m’u ndez një zjarr i shuar,
Sytë e saj buronin kaltërsi.
Pa si u gjendëm ashtu, përqafuar,
Për të parën, po dhe të fundit herë,
O mik, se ç’ndjeva mall të përvëluar,
Kish çelur jargavani në pranverë.
Besoja, me myshk koha kish mbuluar,
Dy krojet e të parës melodi,
Miku im, shpirti nuk duhet gjykuar,
Nuk do harruar asnjë dashuri.

Pajtim Xhelo, 5 qershor 2020

Mos më lëndo

Pa mos trokit kaq fort në kohën time,
Pse e rëndon me mëkat dashurinë,
Si ujvarë më zbrite në agime,
Ma lëndove të ziut pleqërinë.
Moj hënëz e re, ç’ke që më trazon,
Mos më di mugëtirë në të shuar?
Rinia jote keq po më mundon
Më ler në paqen time të uruar.
Të shpirtit rënkime nuk i dëgjove,
As ethe në gjakun tim ti nuk pe,
Hyre në zemër dhe prap u largove,
Veç dritaren hapur aty e le.
Drithërimë drite vjen valëzuar,
Heshtjes përplasesh, si vala në breg,
Dhe më lë mua në zjarr, përvëluar,
Më bëre pritë, s’më le asnjë shteg.
Pajame trime që shpërfill janarin,
Nuk të frikësuan thinjat e mia?
Pse s’prite, siç pret qershia beharin,
Te një djalë të të zbrit dashuria?
Mos loz me zjarrin, se nuk është shuar,
Si eshka është, që pret një shkëndi,
Si stuhi bore, vjen e ngatërruar,
Që të më çosh në të shenjtën rini.
Ç’më sheh me sytë që dhe yjet tretin,
Me zërin tënd në ëndra pse më çon?
Si valëzfllad më takon dhe me detin,
Ma ler shpirtshkretin, përse ma lëndon?
Pa nisën gjethet erës drithërojnë,
Nëpër natë po endet një merak,
Nga krojet zbresin ujrat, gurgullojnë,
Këngë malli, që shuhet pakngapak.

Pajtim Xhelo, 3 qershor 2020.


Kurrë mos u ndal

Do të fyejnë e përbuzin ngado,
Inati, zilia, rrugën do të presin,
Si hije, në çdo hap do i kesh ato,
Veç dije, pas hijeve gjurmë nuk mbesin.
Si era merr vrapin, asgjë mos dëgjo,
Mos kthe kokën, mos shih atë që pas le,
Hapin që nise , kurrë mos e ndalo,
Në fund të rrugës po të pret jet’ e re.
Asnjë çast shpirtin mos e bëj kurreshtar,
As mjegullës së hirtë mos ler mendimin,
Dhe gjakun e sertë dërgoje mërgimtar,
Rrahjes së zemrës largoja rrebelimin.
Pa do të joshin me lajka helmëtare,
Një sirenë do këndojë me magji,
Edhe lotë të sorkadhes vetmitare,
Do t’i rrëzojnë në rrugën ku shkon ti.
Nëse ndodh që yjet afër të të duken,
Kujdes, janë drita që ecin diku,
Kur t’agojë, mugëtirës do të struken,
Rrugëtimin tënd ti e ke veç këtu.
Lakuriq do të zhveshin, , ç’nuk do të thonë,
Me neveri shpërfilli , vetëm vrapo,
Dritës, errësirës, ji krenar gjithmonë,
Je më i miri, këtë mos e harro!
Nëse të përbuzin, me mllef të shikojnë,
Dhe shpirtit ndezin një urrejtje që zgjat,
Kokën mos e kthe, vet flasin, vet dëgjojnë,
Le të mbyten vrerit, të kenë inat!
Dielli mbi ty, pas teje rendin hijet,
Ato s’lenë gjurmë, grinden në mëkat,
Në një botë të re ti ke endur fijet,
Le të mbyten vrerit, të kenë inat!

Pajtim Xhelo, 23 qershor 2020


Si kokrizë rëre në shkretëtirë

Sa të vegjël, më mirë që s’e mendoni,
Le të humbisni valles së Gjithësisë,
Rrotull vetes, rrotull diellit, po s’e kuptoni,
Jeni hije që i qasen madhështisë.
Ecët në këmbë, lumenjve, në lugina,
Tej. me anie, në dete, oqeane,
Hipët në kuaj, avionë, makina,
Mbetët gjithnjë në këtë botë mjerane.
Sa të vegjël jeni, kot mos u mundoni,
Të shkelni rrugës me kalldrëm të zilisë,
Kur të arrini në fund do ta shikoni,
Si tretet ylberi i përjetësisë.
Vrapuat me shpresën mbi Tokën e vjetër,
Vitet rendnin, nuk ju pritën asnjëherë,
Më thoni, kush ka ardhur nga koha tjetër,
Të na tregojë çfarë ishte atëherë?
Mos e gënje veten ti djalosh syshkruar,
Po ti vajzë nazike kohën po pret?
Në këtë botë që ecën rrotulluar,
Koha është bredhare, shpresa të vret.
Njerëz, kush mendon se botën ka në duar,
Kush shpreson të mbetet në përjetësi,
Si erdhi në jetë, lakuriq, trishtuar,
I zhveshur, përlotur, ikën përsëri.
Miqtë e mi, jetoni duke harruar,
Që bota ka veç dritë dhe errësirë,
Ecën ajo Gjithësisë, rrotulluar,
Ne jemi kokërr rëre në shkretëtirë.

Pajtim Xhelo, 21 qershor 2020