VASHAT E RINISË SIME

0
629
Naxhije Doçi

Naxhije DoçiPrishtinë

VASHAT E RINISË SIME

Vashat e rinisë sime ëndrrimtare ishin
skuqeshin gjer te veshët kur me tjetrin flisnin
zemrën mbushur vrull sytë plotë zjarr i kishin,
n’gonxhe trëndafili buzëqeshjet iu shndrisnin.

Punëtore ishin vashat e kohës sime
me veshje të bardha bartur në shtresime.
Lojërat fëmijërore pak kohë i gëzonin
nëpër vite rriteshin më shumë përjetime
e në pajë nusërie rininë e kalonin.

Idhuj ndër vegime vashat e kohës sime
të heshtura përherë dhe me shpirt t’plagosur
në ankthe durimi flisnin me gëzime
për thyrje pengesah moteve në ndërrime
dhe komponim këngësh n’dashuri ngjyrosur
me vrulle shpresash brymosur.
.
Rreze purpuri vashat e kohës sime
n’reflektim ngrohtësish tok me kohën ngritur
me vepra të mëdha jetën e përtërinin
me tingëllima zemre deri te rruga e ndritur.

Vashat e kohës sime n’krenari rrënjosur
për zbulim reliktesh shkrirë në pikturime,
në ngritje themelesh shpirt e trup murosur
për lirinë e bardhë shekujve ngurosur.
-Poezi nga libri “Kohë flakadanësh të lirisë”-Naxhije Doçi

Prishtinë-2012

NË RINI

Në rini
Çdo gjë gjason në simfoni
valëzimesh të dehura ndjenjësie
dallgëzuar me flakërimë zemre.
Frymëzim i derdhur vrulli në rini
si shiu i verës
në hark ylberi pikturuar,
jeh i përkëdhelur
në analet e shpirtit

Ëndërrat haperojnë të çmendura
në rini,
folenë në petale trëndafilash stilizuar
me etje zgjimi për rriskun e jetës,
motivim krahështrirë
edhe në thurje vargu,
në grishje të pranverës me aromë prilli.

Ritmikë e pulësuar
jeta në rini
sytë në vezullimë yjesh
me bardhësi rrëzëllimi hijeshuar,
magji sublime e përtërirë
hovit të patrazuar
në arkiv madhështish kurorëzuar.

Në rini
jeta me këngë zogjësh zbardhëllen
përmallimesh të zjarrta në shtegtime,
e mbrëmjeve krahështrira
gjinkallat e jehut mitik
ndezin orkestrën e papërsëritshme
ngazëllimesh të pashuara krejt hirësi,
dashurinë si shenjtëri.

Poezi nga libri “JEH MOTESH” – Naxhije Doçi – Prishtinë – 2018