HARTA E PRERË E ATDHEUT
( Kuvendim me Poetin, Rexhep Kasumaj )
Rex, valët e jetës na nxorrën në një lumëmadh
Dhe me gjithëfarë rrëkesh u përballëm
U desh vetë të dalim në breg-udhë që priste hapin tonë…
Ajo kohë nuk ishte kohë e shlodhjeve,
Por kohë e ndjekjeve dhe e dënimeve me burg
Rex, ne si pemë fjalësh lundronim
Ëndrrat që i kishim edhe ato zemroheshin
N’atë kohë të ndjekjeve e shpërnguljeve
Kosova dardane vritej betejave për çlirim
Se liria e kërkonte gjakun e saj të lindjes
Që do të kthehej shpejt në djersë trupi të shitur
në atdheun e lirë…
Rex, këngëtar i së bukurës dhe i lirisë
Lundra jonë ishte një pasaportë apatridi
Në gjuhën e atij që po na ç’atdhesonte
Njësoj si gjaku për liri ishte dhe gjaku ynë
E vërteta kërkonte dritën
e fjalës dhe shkrimit
Udhë e mërgimit s´ishte me pasqyra luksi a
elegancë vezullie që pështynte shterpësi..
Rex, ne e “pushtuam” Evropën me braktisje
i mbushëm qytetet dhe lagjet me dhimbjen tonë
pranë portash të hekurta
E mbushëm me historinë e
Ilirisë,
me etërit e lashtë të vrarë nga edipët e saj,
E mbushëm me misterin e Trojave,
dhe me kotësinë e kryengritjeve të reja, të vona
që s’i kuptonte kush…
Rex, ne kërcyem mbi vuajtjet dhe ëndrrat
Tona, me vete kishim 15 mijë vjet histori
Zot, u desh t´ë linim votrën
e drejt një vdekje të gjallë
të shtegtonim
Jo njëherë jam përplasur me
Veten, Zot, më kryqëzo tek Dhéu i ëndrrës
Por, Rex, falë floririt të shqipes
Ne do të argjendonim vuajtjen e dhimbjen
Tonë.
Dhe nuk u hamendëm, me shkrimet
Tona, ne marshuam drejt Yllnajës
Arti yt dhe arti im mbase
kohë tjetër presin
Të blerojë presin një shekull liri
Që shkundnajë e tyre nga
qiejt të zbresë
Të kujtohet, pas aq vitesh tona në mërgim
Kërkuam pak diell, një rreze të vetme
Të gjitha i kishin ngrënë dhe i kishin pirë
Liria kish krijuar të mundurit e ri!…
Ndoshta po ata ishin
veç rreckat ngjyrë tjetër kishin
Fitorja flamur të pagojë
shpaloste në mjegullnajë
Atë çast, gjithë ëndrrat tona qanin
Shkronjat e gjuhës sonë të bukur
Pyesnin, ç´është kjo liri?
Rex, në kërkim të saj
përherë njëra këmbë prapa na mbeti…
Atdhe Geci – Dortmund, 2020
REVOLUCIONI I QENËVE
Ekstazave të dobësuara dashurish
Erërat me gërshërë çajnë qiellin
Pranë gërshërve janë dhe kunjat
Ku të përulurit vet do të firmosin;
Marrëveshje për ndarje t´Kosovës
Atdhe Geci