Elegji…
Për dy BURRA, që ikën duke lënë dhembje e mall pas…
Vërtet si ikin burrat e mëdhenj të Dibrës kur pemën e tyre e kanë mbushë me fryte?
Si iku Qerim Sula, dy metër burrë që mbushte skenën me hijeshinë e maleve të Dibrës tek këndonte trimëritë shekullore të dibranëve…
Oh, medet Qerim për ty!
Si iku Përparim Tomçini, nota më e lartë në pentagramin e këngës dibrane?
Oh, medet Përparim për ty!
Herën e fundit që u takuam, 1 nëntor 2015, u bëmë bashkë, në një fotografi, në Bulevardin e Blinjve, në atë bulevard që bashkë me bilbilat e majit kënduat edhe ju, hodhët në pentagram shpirtin tuaj…
Oh, medet Qerim për ty!
Oh, medet Përparim për ty!
Ikët për të na lënë këngën, atë këngën studentore Përparim që aq shumë e kemi dashur, aq shumë e ka dashur rinia: “Na bashkoi kënga popullore”!…
Oh sa mall kam, oh sa bukur këndonit!
Desha të të imitoj Përparim ndaj një ditë bashkova këtu në mërgim valën e këngës labe me furinë e çiftelisë në një ansambël jetëshkurtër “Na bashkoi isoja dhe çiftelia”…
Eh, vështirë ti bashkosh, si vështirë të bashkosh kombin…
Por jo vetëm kur ishe i ri…
Edhe kur u rrite, kur u poqe, kur u fute në meloditë e papërsëritshme të një treve që thoshit se “sapo i është hapur thesi”…
Oh sa melodi e këngë nxorët nga ky “thes”!
Sa i mblodhët dhe paraqitet në festivalet folklorike që nga fshati më i largët i Dibrës e deri në festivale kombëtare!
Sa shumë dhatë vëllezër për Dibrën, sa shumë!
Ikët të rinj, ikët atëherë kur kënga dibrane u donte më pranë se kurrë, kur malet e Dibrës kishin nevojë për male shpirtërore që lart ti ngrenë e bukur ta ndërtojnë folenë…
Ikët njeri pas tjetrit, njeri në fund të majit e tjetri në fillim të qershorit. Ikët në pranverë kur piqet qershia e molla rrit frytet, kur bjeshkët mbushen me lule e kur malet mbledhin e përcjellin teposhtës drejt Drinit të Zi lotët e dëborës.
Nuk e di, nuk kam fjalë dhimbjen ta shpreh e ngushëllimin ta përcjell…
Nuk kam…
Dhe as do të kem ndonjëherë…
Dhimbjen dhe mallin as fjalë, as fjali, as këngë, as poemë, as roman nuk e mban, nuk e shpreh dot deri në fund.
Por Dibra një fjalë e ka gjete…
Dhimbja…
I ra pemës dhe e thau…
I ra gurit dhe e çau…
I ra njeriut dhe e …
O zot si do ta mbajë kënga, melodia e jetës suaj…
Aq e madhe sa mbetet përgjithmonë…
Ju ikët…
Unë ju kam me vete…
Në një fotografi…
Në një kujtim të bukur…
Do të desha që në Bulevardin e Blinjve dy statuja të shihja për ju, BURRA TË DIBRËS, rënduar nga frytet e këngës dhe muzikës dibrane…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 5 qershor 2020