Nga Marsela Filja, TemA, 2 qershor 2020
Bashkë me rënien e sistemit totalitar, fillimi i viteve 90’ u shoqërua me ardhjen e shumë organizatave jo-qeveritare islamike, si rrjedhojë e lejimit të lirisë së besimit, që ishte i ndaluar me ligj që nga viti 1967.
Cili është historiku i organizatave të tilla në Shqipëri?
Përhapja e gjerë e këtyre organizatave dhe rreziku që i kanoset vendit.
Pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri, një numër organizatash jo-qeveritare islamike, hapën përfaqësitë e tyre në vend. Mes mjaft organizatave që erdhën nga vendet e Gjirit Persik, disa ishin të infiltruara dhe përfaqësonin fraksione ekstremiste në Islam. Këto organizata synuan që këtë ideologji islame ekstremiste, ta përhapnin dhe në Shqipëri.
Duhet të kemi parasysh se vendi ynë ka një model tolerant islam të ndryshëm nga islami që praktikohej në vendet arabe. Komunitetet fetare ishin të varfra dhe të hapura ndaj donacioneve te huaja islamike, ato shiheshin si organizata shpëtimtarë, dhe pse jo të gjitha kishim qëllim pozitiv. Kjo solli tendenca për radikalizim të besimit islam.
Në pamundësi për të tërhequr investime të huaja nga vende perëndimore, qeveria shqiptare i dha nënshtetësi një numri ‘investitorësh’ nga vendet Arabe, pa asnjë verifikim paraprak të aktivitetit të tyre.
Implementimi i këtyre organizatave në vend u ndihmua nga funksionarë të lartë vendas, të cilët kishin marrëdhënie të ngushta personale me shumicën e organizatave islamike që ushtronin aktivitet në Shqipëri. Vlen për t’u theksuar mungesa e verifikimit të këtyre organizatave nga autoritet shqiptare.
Vendi ynë karakterizohet nga harmonia dhe toleranca fetare. Kjo gjë sjell paqe dhe respekt midis qytetarëve, që kanë besime të ndryshme. Nga ana tjetër vihet re një shfrytëzim i fesë islame për qëllime radikale, trafikuese dhe terroriste. Një fakt të tillë nuk e ka mohuar dhe vetë drejtori i KMSH (Komuniteti Mysliman i Shqipërisë) Elvis Naçi, teksa pyetjes, nëse vendi po kërcënohet nga celula terroriste, i është shmangur duke thënë se përgjigje të tilla posedohen nga krerët e instuticione të larta të vendit.
Gjithashtu nëpër emisone të ndryshme televizive, janë bërë denoncime, raportime dhe ankesa për grupe të caktuara arabe, të cilët janë vendosur në zona të caktuara të Shqipërisë, kryesisht në periferi.
Misionarët fetarë nga bota arabe kanë realizuar një sërë investimesh në vendin tonë kundrejt kushteve të vendosura nga po vetë ata.
Përshembull, ata kanë ndërtuar xhamia me kushtin që këto xhami të drejtoheshin nga një imam që ishte një njeri i tyre. Ata ndihmojnë fëmijët jetimë me kushtin që këto të fundit të ndjekin kurset fetare të ofruar nga misionarët. Në këto kurse nuk predikohet varianti i Islamit tradicional shqiptar, i cili ishte një Islam tolerant, por praktikoheshin pikërisht ato rryma të Islamit, që ishin të huaja për besimtarët shqiptarë. Kjo tregon më së miri një rritje të pushtetit të tyre në vendin tonë.
Gjithashtu, kjo sjellje e tyre nxjerr dhe njëherë në pah faktin që misioni i tyre human është i fundit për nga rëndësia. Investimi në brezin e ri është një kërcënim i rrezikshëm për sigurinë kombëtare, për më tepër kur bëhet fjalë për vende si Shqipëria me shkallë të lartë të kriminalitetit.
Analiza dhe fakte të ndryshme kanë arritur në përfundimin se misioni i tyre i vërtetë është, trafikimi i qënieve njerëzore, përhapja e këtyre organizatave në zonën e Ballkanit, rekrutimi i shqiptarëve në Siri, përhapja e ideologjisë të islamizmit ekstrem dhe radikal.
Shqetësim përbën dhe regjistrimi i këtyre grupeve pranë QKR (Qendra Kombëtare e Regjistrimit). Organizata të tilla regjistrohen duke përdorur të dhëna te fallsifikuara, si adresa e subjektit, numri i telefonit, email, të dhënat për punonjësit, etj.
Ata po nxisnin urrejtjen fetare dhe në Kodin Penal ka një nen, që e parashikon ndëshkimin për konsumimin e kësaj vepre penale. Duke nxitur urrejtjen fetare këta elementë u bënë objekt i agjensive të zbatimit të ligjit në Shqipëri. Mendoj se përgjegjësia e agjensive ligjzbatuese shqiptare ka ardhur duke u rritur, pasi u sigurua dhe një partneritet mjaft i mirë me agjensitë ligjzbatuese amerikane dhe evropiane, nga bashkëpunimi me to, u identifikuan persona dhe u kryen veprime të tjera ligjore ndaj tyre. I rëndësishëm është vijimi i bashkëpunimeve të tilla në marrjen e masave parandaluese.
Duke parë ecurinë e organizatave të tilla në vendin tonë, të cilat kanë gjetur një habitat mëse të përshtatshëm në arritjen e objektivave të tyre afatgjata, ka ardhur koha të ngremë kambat e alarmit. Këto grupime terroriste kanë vënë në rrezik sigurinë kombëtare, bashkëjetesën fetare që karekterizon vendin tonë, formimin kulturor dhe fetar të fëmijëve ( kryesisht në zonat e varfra ), familjet e të cilëve në pamundësi ekonomike kanë një qasje pozitive të theksuar ndaj këtyre organizatave.
Kambanat e alarmit duhet të ngrihen nga insitucionet ligjvënëse. Këto institucione duhet të jenë më vigjilente dhe më fuqiplotë në klasifikimin e këtyre organizatave në humanitare apo terroriste dhe duke vazhduar më tej në pezullimin e aktivitetit për ato shoqata, grupime, individë etj., të cilët përbëjnë një kërcënim serioz për shoqërinë shqiptare. Gjithashtu, dhe vetë familjet shqiptare duhet të jenë më të informuar për misionin e vërtetë të grupeve ekstremiste arabe në vendin tonë.
Ka ardhur koha për një ndërgjegjësim mbarëkombëtar, me qëllim shmangien e individëve që janë pjestar në këto organizata dhe zbehjen e ndikimit të tyre në jetën sociale, ekonomike, kulturore dhe politike të vendit.