Universiteti i Tetovës, vatër e përndritur e rilindjes kulturore të shqiptarëve në Maqedoni

0
770
Universiteti i Tetovës

TETOVA

Abdulla Mehmeti
Abdulla Mehmeti

NGA: ABDULLA MEHMETI MË: 4 QERSHOR 2017BOTASOT.INFO

“Të mos presim vetëm nga qeveria, por edhe vetë të mundohemi, se një qeveri që nuk na ka bërë zgjidhje deri sot, edhe tani e tutje mund të na lerë të shkretë dhe të shkojmë kot.”

Rexhep VOKA

Iniciativa e hapjes së Universitetit me mësim në gjuhën shqipe në Maqedoni u konkretizua më 4 qershor, kur u mbajt Kuvendi për themelimin e Universitetit nga intelektualët shqiptarë të rangut universitar. Duke hyrë në lokalet e kësaj godine për të mbajtur këtë mbledhje, për herë të parë në historinë e shqiptarëve të Maqedonisë u hapën dyert e Universitetit shqiptar dhe kështu kemi marrë çelësat e fatit në duart tona, të historisë, të traditës e të gjuhës tonë.

Fadil SULEJMANI

Në ditën e sotme, më 4 qershor të vitit 1994, 23 vjet më parë, në sallën e Kuvendit komunal të Tetovës u mbajt Kuvendi themelues i Universiteti të Tetovës. Për rëndësinë e këtij Kuvendi kanë shkruar deri më sot shumë studiues, por me këtë rast do ta citoj Rektorin e parë të Universitetit të Tetovës, tani më të ndjerë, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, në atë kohë kryetar i Këshillit për themelimin e Universitetit të Tetovës, i cili në mbledhjen e mbajtur të këtij Këshilli, ku e paraqiti raportin e punës së deriatëhershme, më 27 gusht 1994, mes tjerash deklaroi: ,,Iniciativa e hapjes së Universitetit me mësim në gjuhën shqipe në Maqedoni u konkretizua më 4 qershor, kur u mbajt Kuvendi për themelimin e Universitetit nga intelektualët shqiptarë të rangut universitar.

Duke hyrë në lokalet e kësaj godine për të mbajtur këtë mbledhje (bëhet fjalë për Kuvendin komunal të Tetovës. Shënimi im), për herë të parë në historinë e shqiptarëve të Maqedonisë u hapën dyert e Universitetit shqiptar dhe kështu kemi marrë çelësat e fatit në duart tona, të historisë, të traditës e të gjuhës tonë. (Ismail Arsllani, Universiteti hapet me çdo kusht, Rilindja, Tiranë, 28 gusht 1994).

Shqiptarët e Maqedonisë edhe më herët kanë bërë përpjekje për realizimin e të drejtës për arsimim në gjuhën amtare, dhe në mënyrë të veçantë në arsimin e lartë. Por, iniciativa më serioze ishin dy, iniciativa e Unionit të Inteligjencies Shqiptare për hapjen e Fakultetit Pedagogjik me mësim në gjuhën shqipe, me seli në Shkup, në kuadër të Universitetit të Shkupit, dhe iniciativa nga nënkryetari i Kuvendit komunal të Tetovës, Liman Kurtishi, për hapjen e një institucioni të arsimit të lartë me mësim në gjuhën shqipe, në nivel të Komunës së Tetovës.

Në takimin e përbashkët të subjekteve politike dhe jopolitike shqiptare në Maqedoni, të mbajtur më 20 gusht të vitit 1993, në Shkup, u formua Komisioni Amë për hapjen e Fakultetit Pedagogjik me mësim në gjuhën shqipe, i cili pas miratimit të dokumenteve të nevojshme, mbajtjes së disa takimeve dhe zhvillimit të shumë bisedimeve me organet përkatëse të pushtetit të atëhershëm nuk arriti të gjejë zgjidhje për realizimi e kësaj iniciative.

Ngjashëm ndodhi edhe me iniciativën tjetër nga Kuvendi komunal i Tetovës. Kërkesa zyrtare drejtuar organeve përkatëse të pushtetit nuk hasi në mirëkuptim nga organet e pushtetit dhe nuk rezultoi me asnjë efekt pozitiv. Iniciativa për hapjen e Universitetit të Tetovës nuk ishte vazhdimësi e asnjërës nga këto iniciativa, edhe pse janë realizuar disa takime pune, sidomos me Komisionin Amë për hapjen e Fakultetit Pedagogjik me mësim në gjuhën shqipe. Të gjitha takimet janë realizuar në frymën e bashkëpunimit, të afrimit dhe homogjenizimit të faktorit shqiptar, për arritjen e rezultateve sa më të plota.

Për qasjen ndryshe ndaj kësaj çështje e Kryesisë së Bashkësisë Kulturore Shqiptare në Maqedoni dëshmojnë faktet dhe dokumentet e shumta, si: Platforma për hapjen e Universitetit Shqiptar në Maqedoni (janar 1994), Komunikata e BKSH-së (2 mars 1994), Shkresa me Konkluzionet e Kryesisë së BKSH-së drejtuar Komisionit Amë për hapjen e Fakultetit Pedagogjik me mësim në gjuhën shqipe, etj, Ndërsa përpara mbajtjes së Kuvendit u hartua Lista e kuadrit të mundshëm që do të mbajë mësim në këtë Universitet, u organizuan dhjetëra takimeve, me përfaqësues të subjekteve politike, drejtues të komunave, drejtorë të shkollave të mesme dhe profesorë të dalluar, me intelektualë dhe veprimtarë të tjerë.

Hapja e Universitetit Shqiptar në Maqedoni ka qenë ide autoktone dhe iniciativë plotësisht e ndryshme nga të tjerat, sepse koncepti, mënyra e veprimit, taktika dhe strategjia, si dhe e tërë filozofia e veprimit ishte prurje e re e Bashkësisë Kulturore Shqiptare në Maqedoni. Në asnjë dokument të miratuar dhe publikuara gjatë fundit të vitit 1993 dhe fillimit të vitit 1994, dhe në asnjë rast nuk është përmendur parashtrimi i ndonjë kërkese drejtuar organeve përkatëse të pushtetit të atëhershëm në Republikën e Maqedonisë, duke pasur parasysh zbrazëtinë ligjore në atë kohë, sepse këtë të drejtë e garantonte Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë, neni 44, 45 dhe 46, por nuk ishte rregulluar kjo çështje me ligj përkatës.

E gjithë ideja ka qenë ,,marrja e fatit në duart tona”, themelimi i Universitetit, zgjedhja e organeve drejtuese të tij, njoftimi opinionit të brendshëm dhe të jashtëm, ,,futja në lojë”, e subjekteve politike, kuvendeve komunale dhe përfaqësuesve shqiptarë në organet e pushtetit të asaj kohe, sigurimin e mbështetjes për realizimin e këtij projekti, realizimi i punëve përgatitore, sigurimi i kuadrit të nevojshëm, përgatitja e planeve dhe programeve mësimore, sigurimi i hapësirave të nevojshme për organizimin e mësimit dhe punët e administratës, sigurimi i financave të nevojshme dhe fillimi me punë i Universitetit të Tetovës në vitin akademik 1994/1995. Çdo gjë ka qenë e planifikuar mirë dhe me saktësinë më madhe, me analiza të hollësishme dhe me maturi. Janë studiuar, korniza ligjore, baza kushtetuese, mbështetja në aktet ndërkombëtare për realizimin e të drejtës për arsimim në gjuhën amtare në nivel universitar, dhe janë ndërmarrë aktivitetet e nevojshme për ngritjen e kësaj iniciative në kohën më të përshtatshme, sipas vlerësimit tonë.

Muaji qershor nuk ka qenë i zgjedhur rastësisht, as vendi dhe pjesëmarrësit. Në këtë kohë Republika e Maqedonisë ndodhej përpara tri operacioneve të rëndësishme në nivel shtetëror, edhe atë: 1. Organizimi i regjistrimit të popullsisë dhe pasurive, me mbikëqyrje ndërkombëtare, 2. Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në vjeshtë të po këtij viti, 3. Ndërmarrja e masave urgjente për mbajtjen e stabilitetit ekonomik të vendit, pas vendosjes së embargos ekonomike nga fqinji jugor, Republika e Greqisë, si dhe rrethana të tjera të cilat nuk u jepnin mundësi organeve të pushtetit të ndërmarrin fushatë represive ndaj kësaj iniciative dhe bartësve të saj.

Më vonë u dëshmua se, edhe përkundër kërcënimeve për anulimin e mbajtjes së Kuvendit themelues të Universitetit të Tetovës (plot tri orë u zhvilluan punimet e tij), edhe atë, në Kuvendin komunal të Tetovës, brenda institucionit shtetëror. Ishte proceduar e rregullt dhe vigjilenca e organizatorit që nuk la hapësirë për ndërhyrjen e organeve të rendit. Ndërsa, shkaqet për rastet e mëvonshme, me krijimin e tensioneve, ndërhyrjen e organeve policore, brutalitetin e policisë, rrahjet, vrasjet, maltretimet dhe burgosjet e bartësve të kësaj iniciative, duhet t’i kërkojmë edhe në lojalitetin e skajshëm të përfaqësuesve shqiptarë në Parlamentin dhe Qeverinë e atëhershme të Republikës së Maqedonisë.

Pas përgatitjeve të nevojshme, më 4 qershor 1994 u mbajt Kuvendi themelues i Universitetit të Tetovës, siç edhe ishte planifikuar. Më 4 qershor, nga orët e hershme të mëngjesit rritej numri i pjesëmarrësve, delegatëve të ftuar të këtij Kuvendi, që vinin nga të gjitha qytetet shqiptare në Maqedoni, nga Prishtina dhe viset tjera, në qytetin e Tetovës, ku do të mbahej ky Kuvend me rëndësi historike për të ardhmen tonë.

Kjo ishte edhe një mundësi e unifikimit të qëndrimeve për mbrojtjen e të drejtave tona të ligjshme, meqë deri më sot nuk ishte organizuar asnjë takim i këtij niveli, ku pa dallim të përkatësisë politike dhe bindjeve të tjera, të silleshin vendime kaq me peshë për një çështje me interes kombëtar. Pritja e delegatëve u bë në restorantin e pronarëve Naim dhe Gjylimsere Kasapi, përballë Kuvendit komunal të Tetovës. U mblodhën bashkë në një vend dhe, me një qëllim madhor në zemër dhe mendje, përfaqësues të partive politike, të shoqatave dhe asociacioneve të tjera, përfaqësues të pushtetit qendror dhe lokal, intelektualë me tituj shkencorë, profesorë universitetesh, veteranë të arsimit, biznesmenë dhe dashamirë të tjerë.

Para fillimit të punimeve të Kuvendit, duke mbajtur përgjegjësi si organizator dhe me qëllim që punimet e këtij Kuvendi të kenë rrjedhë të suksesshme dhe të sillen vendime të duhura, u mbajt një mbledhje konsultative me bartësit kryesorë të kësaj iniciative, për t’u njoftuar me rendin e ditës, përgatitjet e nevojshme që ishin bërë, planet dhe detyrat që do t’u besohen organeve të cilat pritej të zgjedhen nga ky Kuvend, me qëllim të mbarëvajtjes së punëve dhe fillimit të punës së Universiteti në vitin akademik 1994/95.

Kjo mbledhje u mbajt para fillimit të punimeve të Kuvendit, në sallën e vogël të Kuvendit komunal të Tetovës, me fillim në orën 10:00. Në këtë mbledhje morën pjesë 11 vetë, mes tyre edhe Dr. Fadil Sulejmani, Dr. Murtezan Ismaili, Dr. Ali Vishko, Dr. Masar Kodra, Dr. Rahmi Tuda dhe anëtarë të Kryesisë së BKSH-së. Qëllimi i kësaj mbledhje përgatitore ishte njoftimi me qëndrimet e Kryesisë së BKSH-së për mbajtjen nën kontroll të situatës pas tensionimit të shkaktuar nga organet drejtuese të Kuvendit komunal të Tetovës dhe kërcënimeve nga organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për hapjen dhe drejtimin e punimeve të Kuvendit, ruajtjen e gjakftohtësisë nëse do të ketë tone polemizuese, mënyrën e emërimit të organeve drejtuese, komisioneve dhe trupave të tjera, si dhe përbërjen e tyre, për Kryesinë e përkohshme të Universitetit, Komisionet amë të 6 fakulteteve të parapara të Universitetit, nënshkrimin e Deklaratës për hapjen e Universitetit të Tetovës, nga delegatët e Kuvendit, e cila do të miratohej për ta njoftuar opinionin e brendshëm dhe të jashtëm etj. Në kohën e paraparë, në orën 11:00, në sallën solemne të Kuvendit komunal të Tetovës, i filloi punimet Kuvendi për themelimin e Universitetit të Tetovës. Me fjalë rasti, punimet e këtij Kuvendi i hapi Abdulla Mehmeti, në cilësinë e Kryetarit të BKSH, në organizimin e së cilës u bënë ftesat dhe u organizua ky Kuvend.

Në vazhdim jepet fjala hapjes së punimeve të këtij Kuvendi, e mbajtur nga kryetari i BKSH, Abdulla Mehmeti:

“Të nderuara zonja dhe zotërinj, Ju intelektualë të çmuar dhe mysafirë, më lejoni që në emër të Kryesisë së Bashkësisë Kulturore Shqiptare të ju përshëndes dhe të ju uroj mirëseardhje miqësore në qytetin tonë të bukur, Tetovë, në këtë mbledhje të rëndësishme përkitazi me organizimin e shkollimit të lartë në gjuhën shqipe në Maqedoni. Unë kam nderin dhe kënaqësinë që a hapi këtë Kuvend madhështor të intelektualëve shqiptarë të rangut universitar nga Maqedonia, që do të jetë Kuvend me rëndësi të madhe historike për mbarë kombin tonë dhe veçmas për ne shqiptarët në Maqedoni. Ju intelektualë të nderuar mos harroni se jeni pishtarë të kombit, prandaj mundohuni që edhe në këtë Kuvend t’ia ndriçoni atij rrugën e diturisë, të shkencës e të teknikës që kërkon koha e sotme e civilizimit dhe e modernizmit botëror. Le të mbizotërojë në këtë Kuvend arsyeja, mençuria dhe harmonia në mes nesh, që do të na shpjerë kah fitorja e sigurt. Ju dëshirojmë punë të mbarë!”

Sipas planifikimit të mëhershëm u emërua edhe Kryesia e punës së Kuvendit, në përbërje: Abdulla Mehmeti (organizator), Dr. Ali Vshko (anëtar), Dr. Fadil Sulejmani (kryesues), Dr. Murtezan Ismaili (anëtar) dhe Mr. Ruzhdi Lata (anëtar). Në vazhdim, z. Fadil Sulejmani, pasi u falënderua për besimin e dhënë, e paraqiti referatin e tij të përgatitur për këtë Kuvend, për arsyeshmërinë shoqërore të themelimit të Universitetit me mësim në gjuhën shqipe.

Në këtë Kuvend morën pjesë 116 delegatë, nga të gjitha viset shqiptare në Maqedoni, përfaqësues të partive politike, asociacioneve jopolitike shqiptare, përfaqësues të komunave, të Komunës së Tetovës, Gostivarit dhe Dibrës, kurse pjesën më të madhe të delegatëve e përbënin intelektualë me tituj shkencorë. Punimet e Kuvendit i ndoqën korrespodentët: i gazetës ,,Flaka”, Shkup, Enver Shala, i gazetës ,,Rilindja”, Tiranë, i Radio Shkupit, Enver Murati, i ,”Zërit të Amerikës”, Faik Mustafa, i Televizionit ART, Tetovë, Muharem Idrizi, i cili ka qenë i autorizuar ta bëjë xhirimin e punimeve të këtij Kuvendi.

Me rastin e 23-vjetorit të mbajtjes së këtij Kuvendi, në mënyrë autentike, siç ka qenë i botuar atëherë, publikohet shkrimi e korrespodentit të gazetës “Flaka”, Enver Shala, për mbajtjen e punimeve të Kuvendit themelues të Universitetit të Tetovës, më 4 qershor 1994:

“Tetovë, 5 qershor 1994. Tetova dje ishte dëshmitare edhe e një date historike për popullin shqiptar. Në sallën e Kuvendit të komunës së Tetovës, me iniciativë të Bashkësisë Kulturore Shqiptare në Maqedoni u mbajt mbledhje përkitazi me organizimin e shkollimit të lartë, i cili me vendimin e të pranishmëve u shndërrua në Kuvend për themelimin e Universitetit në gjuhën shqipe në Maqedoni, ku morën pjesë intelektualë të rangut universitar nga të gjitha trojet e Maqedonisë ku banojnë shqiptarët.

Që në fillim të mbledhjes kryetari i Bashkësisë Kulturore Shqiptare, Abdulla Memeti, pos tjerash, kërkoi që në këtë tubim të dominojë arsyeja, mençuria dhe harmonia mes të pranishmëve (që ishte paralajmërim se do të ketë edhe diskutime polemizuese), ndërsa lidhur me arsyeshmërinë e hapjes së këtij institucioni në Maqedoni foli dr. Fadil Sulejmani. Dr. Fadil Sulejmani përkujtoi se në Maqedoni me kohë është i pranishëm një potencial i mirë i intelektualëve të profileve të ndryshme me arsim sipëror të cilët disponojnë tituj magjistrash dhe doktorësh të shkencave.

Tash të evidentuar mbi 150 e së shpejti ky numër do të jetë edhe mbi 200, që është një bazë e mirë për nismën e një institucioni të lartë siç synojmë. Shkollimi i lartë dhe sipëror i shqiptarëve në Maqedoni nuk duhet t’i pengojë askujt, shqiptarët kanë të drejtë të shkollohen deri në fund, që u është mohuar deri tash, dhe se gjithë kjo do të shërbejë edhe si urë afrimi mes dy popujve. Nuk kemi rrugëdalje tjetër pa mos i realizuar të gjitha të drejtat kombëtare.

Ai tha se universiteti në gjuhën shqipe në Maqedoni në fillim do të fillojë me punë me gjashtë fakultete, sa kemi kushte tash, ndërsa për këtë vendim do t’i informojmë forumet përkatëse dhe faktorin ndërkombëtar duke kërkuar edhe përkrahjen e tyre. Nga diskutuesit e shumtë (mbi 30) ishte Halim Purellku, i cili kërkoi që kjo iniciativë të vihet në procedurë të rregullt me vendimin e kuvendeve të Tetovës, Gostivarit dhe Dibrës, ku kuvendarët janë kryesisht shqiptarë.

Nënkryetari i KK të Tetovës, Liman Kurtishi, njoftoi të pranishmit se ky kuvend (i komunës) në shkurt të këtij viti i ka bërë një kërkesë Ministrisë së Arsimit që të bëjë përgatitjen e elaboratit për funksionimin e një fakulteti në Tetovë, por pa rezultat. Dr. Reshat Nexhipi tha se me themelimin e universitetit do t’i tregojmë botës se me çfarë potenciali disponojmë, e nëse pengohemi nga pushteti maqedonas, atëherë le të shihet se sa demokratik është ky shtet.

Duhet të jemi të vendosur në realizimin e qëllimit tonë, tha Agni Dika, ne e dëshirojmë universitetin dhe do ta kemi. Dr. Agim Vinca i bëri një vështrim më të gjerë seriozitetit të problemit, por nisur nga përvoja jonë e hidhur, kur disa punë i lëmë të pakryera, ose i nisëm dhe i lëmë në gjysmë, tha se duhet të mobilizohemi deri në fund për hapjen e universitetit si nevojë jetike e popullit shqiptar në IRJM. Mr. Sefedin Haruni foli gjerësisht për atë se çka është punuar në kuadër republikan për hapjen e Fakultetit Pedagogjik, duke ua sqaruar të pranishmëve edhe fazat e realizimit, diskutim ky që hasi në kundërshtim te kryesuesi i punës së Kuvendit, Dr. Fadil Sulejmani.

Përveç të tjerëve, në diskutim u inkuadrua edhe profesori Xhevahir Shaqiri, i cili tha se përherë kur është kërkuar diçka për avancimin e arsimit shqip, kemi hasur në vështirësi te pushtetmbajtësit maqedonas. Ashtu ishte edhe në vitin 1945-1946 kur duhej të hapen paralelet në gjuhën shqipe në gjimnazin e Tetovës. Por me këmbënguljen tonë, pasi që u tubuan 150 nxënës, ia arritëm qëllimit që Tetova të jetë qytet i parë në Jugosllavinë e atëhershme ku u hapën klasa të shkollimit të mesëm në gjuhën shqipe.

Mendimet e veta i prezantuan Mr. Nexhat Abazi, Dr. Tahir Zajazi, Dr. Gjylimsere Kasapi, Jashar Kasami, Daim Iljazi, Mr. Nexhibe Palloshi, Dr. Rahmi Tuda, Dr. Bedri Kambri e shumë të tjerë. Diskutimet kishin të bëjnë me pyetjen se a thua ky Kuvend ka ingerenca të tilla që të mund të themelojë universitetin në gjuhën shqipe në Maqedoni, për çka mendimet e veta i paraqitën Dr. Halim Purellku, Dr. Alajdin Abazi, Dr. Agim Vinca e të tjerë. Ata kërkonin që ky aktivitet të merr rrjedha ligjore, gjë që duhet të bëhet nëpërmjet marrjes së vendimit të tre kuvendeve komunale, ku janë këshilltarët shqiptarë më në numër, procedurë kjo që është zbatuar edhe në themelimin e Universitetit të Manastirit, kur vendimin për themelimin e tij e kanë marrë kuvendet komunale, i Manastirit, Prilepit dhe Velesit (bëhet fjalë për qytetin e Ohrit, ky gabim është përvjedhur nga diskutuesit, pastaj edhe nga gazetari. Shënimi im).

Pasi njëzëri u votua Vendimi për themelimin e Universitetit në gjuhën shqipe në Maqedoni, të pranishmit aprovuan Deklaratë, ku pos tjerash thuhet: ,,Me këtë deklaratë e njoftojmë opinionin se Kuvendi i intelektualëve shqiptarë të rangut universitar mori vendim për themelimin e Universitetit në gjuhën shqipe në Maqedoni.

Në rrethanat e krijuara në Maqedoni, pas shpërbërjes së Jugosllavisë, kur u vunë kufijtë e paligjshëm brenda territoreve tona etnike dhe u bë i pamundshëm studimi i shqiptarëve nga Maqedonia në Universitetin e Prishtinës, e më gjerë, si dhe të bojkotuar nga universitetet e Maqedonisë, që i financojnë edhe shqiptarët, intelektualët shqiptarë të rangut universitar nga Maqedonia e panë të arsyeshme që të mbajnë Kuvendin për ngritjen e iniciativës për themelimin e Universitetit me mësim në gjuhën shqipe në Maqedoni.

Nga fakti se në këtë republikë mijëra shqiptarë me shkollë ë mesme e kanë të pamundshme t’i vazhdojnë studimet universitare, është nevojë e zhvillimit të natyrshëm e civilizues, marrja e këtij vendimi historik e human për ngritjen e kuadrove arsimore e shkencore të shqiptarëve në Maqedoni në gjuhën e tyre amtare.

Për këtë shkak, më 4 qershor 1994, në Tetovë u mbajt Kuvendi i intelektualëve shqiptarë të rangut universitar nga Maqedonia dhe mori këtë vendim: themelohet Universiteti në gjuhën shqipe në Maqedoni, me seli në Tetovë. U zgjodh Kryesia për themelimin e Universitetit, në përbërje prej tre anëtarësh dhe këta janë: Dr. Fadil Sulejmani, Dr. Agni Dika dhe Dr. Murtezan Ismaili (Ky organ i përkohshëm për udhëheqjen e Universitetit u zgjodh me aklamacion, ndërsa organizatori i këtij Kuvendi, ka sjellë Vendim përkatës për këtë. Ky Vendim është pjesë e Procesverbalit nga Kuvendi themelues i Universitetit të Tetovës. Shënimi im).

U zgjodh njëkohësisht Këshilli themelues (amë) në përbërje prej 18 anëtarëve, nga tre anëtarë për gjashtë fakultetet që do të themelohen, të cilët janë: Fakulteti Filologjik, Dr. Mahmud Hysa, Dr. Imail Ahmedi dhe Mr. Nexhibe Palloshi; Fakulteti Filozofik, Dr. Masar Kodra, Dr. Ali Vishko dhe Dr. Avzi Mustafa; Fakulteti Juridik – Ekonomik, Mr. Musli Halimi, Mr. Abdulla Aliu dhe Mr. Petrit Pollozhani; Fakulteti Pedagogjik, Dr. Tahir Zajazi, Mr. Rahim Ganiu dhe Dr. Abdirauf Pruthi (Për këtë çështje vetëm është diskutuar, por nuk është sjellë Vendim, siç thuhet këtu, për arsye të sqaruara në vazhdim të këtij shkrimi. Shënimi im); Fakulteti Teologjik, Dr. Feti Mediu, Mr. Bari Aliu dhe Ef. Sulejman Rexhepi; dhe Fakulteti i Arteve, Adem Kastrati, Miftar Memeti dhe Zijadin Ismaili. Universiteti e fillon punën në vitin shkollor 1994-1995.

Selia e Universitetit do të jetë në qytetin e Tetovës. Kërkohet nga kuvendet komunale të Tetovës, Gostivarit dhe Dibrës, si dhe nga përfaqësuesit tanë politik në Parlamentin dhe Qeverinë e Maqedonisë, të marrin përsipër sjelljen e aktvendimit për themelimin e Universitetit me mësim në gjuhën shqipe. Pasi që Deklarata u aprovua me duartrokitje, Kuvendi i përfundoi punimet, ndërsa organet e zgjedhura mbajtën takimin e vet të parë, që të konkretizohen dhe intensifikohen punët”.

Me këtë rast, vlen të theksohet se, në shkrimin e gazetarit Enver Shala, duke pasur parasysh afatin e shkurtë kohor për përgatitjen e këtij shkrimi nga zhvillimi i punimeve të Kuvendit, janë përvjedhur disa lëshime, edhe atë: Nuk është përmendur Komisionit amë për Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, në përbërje: Dr. Bedri Kamberi, Dr. Murat Murati dhe Mr. Nexhbedin Beadini, i cili është zgjedhur dhe emëruar nga ky Kuvend, ndërsa është përmendur gabimisht Komisioni amë i Fakultetit Pedagogjik, për të cilin është lënë të vendoset më vonë, pas marrjes së pëlqimit nga Komisioni Amë për hapjen e Fakultetit Pedagogjik me mësim në gjuhën shqipe, me seli në Shkup, që ishte ende në pritje të marrjes së përgjigjes nga organet e atëhershme të pushtetit.

Në vazhdim jepen të dhënat autentike për përbërjen: 1. Kryesia e punës, 2. Lista e pjesëmarrësve, e cila nuk është e plotë, dhe 3. Lista e pjesëmarrësve në diskutimet e këtij Kuvendi:

KRYESIA E PUNËS: Abdulla Mehmeti (organizator), Dr. Ali Vishko (anëtar), Dr. Fadil Sulejmani (kryesues i punimeve të Kuvendit), Dr. Murtezan Ismaili (anëtar) dhe Mr. Ruzhdi Lata (anëtar).

PJESËMARRËSIT E KUVENDIT: Dr. Masar Kodra, Dr. Rahmi Tuda, Dr. Agim Vinca, Dr. Tahir Zajazi, Dr. Bedri Kamberi, Dr. Veli Veliu, Dr. Agni Dika, Dr. Alajdin Abazi, Dr. Avzi Mustafa, Dr. Murat Murati, Dr. Gjylimsere Kasapi, Dr. Reshat Nexhipi, Dr. Feti Mehdiu, Mr. Agim Shabani, Mr. Vebi Kadriu, Mr. Ibrahim Veliu, Mr. Hamit Xhaferi, Mr. Ismail Ahmedi, Mr. Nexhbedin Beadini, Mr. Sefedin Haruni, Mr. Halim Purellku, Mr. Xhemaludin Idrizi, Mr. Shaqir Aliti, Mr. Nexhibe Palloshi, Mr. Agim Leka, Mr. Abdyl Koleci, Mr. Nexhat Abazi, Beqir Berisha, Sheqibe Beadini, Liman Kurtishi, Refik Vejseli, Kadir Shabani, Ejup Ajdini, Agron Reka, Musa Arifi, Zeqir Kadriu, Iljaz Halimi, Daim Islazi, Ejup Mahmuti, Xhevahir Shqiri, Jashar Kasami, Nexhmedin Neziri, Mustafa Arifi, Shaban Xheladini, Jakup Marku, Xhabir Ahmeti, Isak Zejneli, Fadil Bekteshi, Hafet Sherifi, Fatmir Sulejmani, Enver Shala, Muharrem Idrizi, Ismail Arsllani, Faik Mustafa, Enver Murati, etj.

PJESËMARRËSIT NË DISKUTIME: 1. Dr. Bedri Kamberi, 2. Mr. Halim Purellku, 3.Prof. Xhevahir Shaqiri, 4. Dr. Veli Veliu, 5. Liman Kurtishi, 6. Dr. Reshat Nexhipi, 7. Dr. Agni Dika, 8. Jakup Marku, 9. Mr. Abdyl Koleci, 10. Beqir Berisha, 11. Dr. Feti Mehdiu, 12. Fadil Bekteshi, 13. Dr. Murat Murati, 14. Mr. Sefedin Haruni, 15. Isak Zejneli, 16. Mr. Nexhat Abazi, 17. Daim Iljazi, 18. Dr. Rahmi Tuda, 19. Myqereme Rusi, 20. Dr. Agim Vinca, 21. Zeqir Kadriu, 22. Mr. Nexhibe Paloshi, 23. Jashar Kasmi, 24. Dr. Tahir Zajazi, 25. Iljaz Halimi, 26. Dr. Gjylimsere Kasapi, 27. Mr. Ismail Ahmeti, 28. Hafet Sherifi, 29. Nexhmedin Neziri dhe 30. Samet Huseini.

Pas përfundimit të punimeve të këtij Kuvendi, nga organizatori u shtrua një drekë e përbashkët për të gjithë delegatët pjesëmarrës në këtë Kuvend, në Restorantin ,,Dafi” në Tetovë, ku vazhdoi debati dhe atmosfera e hareshme për këtë fitore të madhe, që jepte shpresa për një të ardhme më të ndritur të shqiptarëve të Maqedonisë dhe jo vetëm.