Dhe më uli qetë-qetë brigjeve të jetës së tij në mërgim
Në vitin 1993 isha në Rodos. Më kapi policia dhe kam ardhur 18 orë me pranga në duar nga Rodosi në Pire me një traget që quhej Milena…
Po, po, më mori siç merret zogu nga foleja e më hodhi fluturim atyre maleve ku bukuria shkrihet në heroiken.
Më mori nga ngujimi i çuditshëm përmes hapësirave të hekurta, të ngushta deri në ekstrem, të dhunshme deri në përçudnim,
Unë jam Xhevdet Krrashi, më tha.
Si, si, – i them, për ta fiksuar mirë në celuloid, Servet…
Jo, jo. Xhevdet. Xhevdet Krrashi, djali i Xhem Krrashit nga Arrasi, lindur në vitin 1968.
E kam shtëpinë tek Ura e Setës…
Prit, prit pak, ta kaloj urën ku herë – herë takohesha me një mikun tim elektricist në profesion por i dashuruar pas gazetës, Halil Krrashin, prit të marr majtas Rrugës së Rinisë që kështu e patën quajtur në vitin 1946 e që e harruar mbeti sa u plak. Prit të marr një kthesë të vogël e të ndalem të pi një kafe në atë ballkon të bukur që sheh rrjedhën e fundme të Setës tek bashkohet me Drinin, fushën e bukur të Çidhnës për tu ngjitur në Gramë e flladitur me ujin e bjeshkës së Zonjave. Kafen dua ta pi me Mersin Krrashin. Është mik me ne, ka dhënë gjakun e vet për një nip, gjak të Ashikëve të Brezhdanit…
Bash aty i kam trojet e mija…
Bash, bash aty? – them për ta nga vrapin atyre vendeve që nuk e di, megjithëse nuk kam pas gjak shtëpie të udhëtoj viteve të fëmijërisë e ta njoh duke ecur këmbëzbathur, tërë plagë mi gurë rruge mushkash e ferrash porendesh.
Me origjinë jam nga Çidhna…
Nga Gryka e Nokës?- e çoj fluturimin tim në ngjitje atij katundi që nis nga një burim uji nën një lis shekullor ku “kanuni ndahej mbi kalë”, kalon në një pyll thanash rreth kanalit të Setës për tu ngjitur e ndalur tek Ruset ku në një kullë në dy pode kam kaluar natën e kam pi nga ajo lloj kafeje që ka aromën e një mikpritje që nuk gjej fjalë ta kap e ta ve në radhë.
Në Grykë Nokë jam nip…
E ke fjalën për Çidhnën ku ka një kullë në tre pode, nga shalishini i të cilës një rrjedhë uji valë të nxehtë zbriste e ia priste hovin hasmit që desh të thyente derën me dërrasë pishe pesëshe…
Po, po, atje i kemi pas shtëpitë tona…
E kujt ka qenë ajo kullë?
E Idris Krrashit Baba i Selmanit dha Arifit. Sot banon Petriti.
Rrënjët tona vijnë nga Ibrahim Krrashi e Fer Krrashi. Fera ka pas pesë gra. Me të parën nuk ka pas fëmijë. Me katër tjerat një “lagje” të tërë. Ti tregoj një ditë tjetër emër për emër…
– Mirë, i thashë, do udhëtojmë përsëri bashkë ti gjejmë e ti takojmë…
– Në vitin 1936 zbritëm poshtë. Jemi 30 shtëpi Krrashe dhe dy Ruse…
Aty lindi Xhevdeti, në atë tarracë natyrore rrethuar me gjelbërimin e dushkut e me këngën pambarim të rrjedhës së Setës që lan këmbët e krrashe.
Në Arras, nja 2-3 kilometra larg shtëpisë nisi shkollën fillore. Mban mend mësuese Suzana Bajraktarin, të shoqen e Sul Bajraktarit nga Shkodra. “Zonjë fare” thotë për të…
Shkollën tetëvjeçare do ta fillonte në Sinë, dy vjet në një rrugëtim të përpjetë dy orësh vajtje e po kaq ardhje. Aty do ti jepnin mësim Avni Hakorja, Bexhet Ashiku, Gëzim Kaba, Naim Berisha. Për Naimin, i cili tash është në Angli, ka fiksuar në kujtesë një fejton në gazetën “Ushtima e maleve” me titull “Çanta alle alle, arrna fut e zezë dhe cicmic”. Fliste për autorin që kishte çuar për të rregulluar çantën tek këpucari i çantave. Kishte shkuar katër herë e çanta nuk ishte kapur me dorë. I gjen duke luajtur cicmic…
Detaj i bukur për të qarë e për të qeshur!
Klasën e shtatë dhe të tetë i bëri në Grykë Nokë…
I vdiq e ëma. Mbeti jetim. Se nëna të le jetim kurse baba të varfër.
E pyes për një mësues, Rexhep Leshin që asokohe nuk pushonte së shkruari letra. Pata pi kafe në shtëpinë e tij. Kisha qenë edhe në një mbledhje të këshillit pedagogjik…
Më thotë që e ka pas mësues duke i vënë notën “ I përkryer fare”. Vëllain e tij e ka pas shokë të ngushtë, fatkeqësisht vdiq i ri.
Në Çidhën më thotë kisha drejtor Bardhul Cibakun, dhëndër i Krrashe, i Mersim Krrashit…
Një udhëtim nëpër shkolla, dy orë larg nga shtëpia, një gjeografi që edhe ta mendosh lodhesh e jo më të ecësh në këmbë, dimër e verë, në baltë, borë, shi, akull…
Për të kaluar më tej Drinin për tu ndalë në Kastriot e Fushë-Çidhën, jo në shkollë të mesme të rregullt por në shkollë nate…
E kishte një njollë mbi trupin fëmijëror, ishte arratis daja…
Kjo do ta pengonte për shkollë, kjo do ti priste rrugën për dëshirën e tij të madhe që të merrej me pikturë. Një burokrat partiak që e citon me emër e mbiemër ia kishte përmendë në konkurs dhe ia kishte pre rrugën…
Seta rridhte si gjithnjë nga Gurë Lura, midis atij peizazhi ku fjala “mrekulli” është e varfër, mbushur me burimet që dilnin nga shpella e Sopanikës së Gurë Lurës e ujëvarave të Sopanikës së Çidhnës. Rridhte e bashkohej me Drinin. Përziente ujërat, përziente kohët.
Pas shërbimit ushtarak ku në një kurs merr diplomë si infermier, shërbimit në spitalin ushtarak merr tjetër rrugë, të gjatë, të lodhshme, plot të panjohura, mbushur me sakrifica…
“Në kurbet erdha në vitin 1991. Erdha në këmbë dy herë. Rrugët e tjera i kam bërë me makinë, me para. Në vitin 1993 isha në Rodos. Më kapi policia dhe kam ardhur 18 orë me pranga në duar nga Rodosi në Pire me një traget që quhej Milena. Ishte koha kur i hoqën mjekrën priftit në Gjirokastër në vitin 1994. Më kishte kapur policia 11 herë atje. Isha me dokumente fallco.
U ktheva në Korfuz ku punova dy vjet. Pas Korfuzit u ktheva në Tiranë u martova, ndeja dy vjet në Tiranë. Nuk më pëlqeu se filloi lufta. Më lindi një fëmijë. Kisha një variant për të ik në Austri. Nuk ika.
Nxjerr një vizë njëvjeçare dhe vij në Athinë.
Në Athinë kam ndejë në një shtëpi të rrënuar një vit e gjysmë, vuajta.
Fati që rregulluam letrat. Pasi bëra letrat punova këtu fort. Punova 20 vjet në ndërtim, i pavarur dhe me dashje pa dashje kam luajt rolin e inxhinierit dhe kam bërë si më ka dashtë qejfi, por kam vuajtur aq sa nuk ka vuajt babai në luftë.
Këtu më lindi vajza e vogël. E madhja ishte dy vjeçe. E madhja mbaroi universitetin për turizëm, punon ke OTE-ja e madhe, e vogla është në Patra në vit të parë në të lartën për shkenca natyre, me një fjalë agronominë.
Vuajtjet janë të paharruara për shqiptarin. Është ajo që thonë se varri i kalit dhe i njeriut nuk dihen kurrë.
Sot për sot punoj në ndërtim. Të gjitha punët i bëj. Të gjitha punët i marr vetë. Jam i pajisur me të gjitha pajisjet që tek skelat e makineritë e ndryshme të ndërtimit. Paratë i kam bërë vegla sepse me ata lidhet jetesa.
Kam 20 vjet që paguaj shtëpi me qira për strehimin e veglave. Tre shtëpia me qira paguaj çdo muaj, shtëpinë ku rri, shtëpinë ku studion vajza dhe shtëpinë e veglave.
Kisha ndërmend të bëj shtëpi por e prisha se bleva shtëpi në Sarandë, bëra shtëpi në Tiranë, dy shtëpi private. Me djersë e me gjak.
Këtu jam me dokumente. Pasaportë greke kanë marrë fëmijët kurse unë jo.
Gruaja ka mbaruar shkollën dy vjeçare për permanent flokësh. Ka klientelën e vet.
Çfarë ke menduar për të ardhmen, ti je i ri 52 vjeç, 55 kam ardhur unë.
Greqia për ne është një atdhe i dytë…
Këtu çdo gjë që ta shikosh arrin ta prekësh kurse në Shqipëri e shikon dhe se prek dot.
Mosmirënjohja është gjëja më e keqe e njeriut.
Këtu kam mësuar një gjë: Njeriu kur lind tre gjëra duhet ti mësojë: Më fal! Faleminderit! Të lutem! Këtë nuk e themi ne dhe ky është zhvillimi që na len mbrapa. Kjo është fatkeqësi për ne se Fadil Hasa ka thënë se populli shqiptar është 100 vjet prapa dhe 50 vjet anash. Ne akoma nuk kemi dalë në rrugë kryesore. Ne nuk na le mendjemadhësia. Sado talent e profesion të kesh po pate mendjemadhësinë i ke fshirë të gjitha.
Do plakesh në Greqi apo do të kthehesh?
Atë nuk e di. E di Zoti dhe ai është për të gjithë.
Ke Ura e Setës thua se ke 20 vite që s’ke qenë.
Vërtet, 20 vjet fiks që nuk kam qenë. Më vdiq xhaxhai dhe mora taksi nga këtu në Tiranë, nga Tirana në Arras. E varrosëm dhe u ktheva. Qëndrova njëzet minuta. Para një viti më vdiq xhaxhai tjetër. Tre makina kam e mora taksi direkt që mos vonohem…
Është turp dhe mund të thotë çdo njeri çfarë të dojë.
Te shtëpitë e Krrashe kë ke?
Atje kam shtëpinë time dy kate-she me gurë e me të gjitha.
A ke mësuar ndonjë gjë gjatë këtyre viteve nga greku?
Kam mësuar jashtëzakonisht.
Jo, jo. E kam fjalën se në vitin 1960 u boshatis Athina, ikën grekët jashtë. Erdhën në Athinë njerëz nga fshatrat, nuk i shkatërruan shtëpitë, i ngritën në kate, i bënë vila dhe të shtunave e të dielave udhëtojnë edhe qindra kilometra për të pushuar e kujtuar të kaluarën …
Do arrihet edhe tek ne.
Ëndrra ime është…
Trimi i mirë me shokë shumë por shok ke vetëm vetveten.
Njeriu nuk bëhet i pasur me pasuri por me mentalitet, me mend.
Abdurahim Ashiku
Athinë, 1 qershor 2020