Këngëtari ikonë i Dibrës, që i dha këngës frymën e tij

0
651
Qerim Sula

Qerim Sula, zëri uragan i Nëntë Maleve…

Nga Gëzim Loka

Mori rrugën pa kthim, duke u ndarë nga jeta në moshën 69 vjeçare këngëtari Qerim Sula, një nga këngëtarët më të njohur të trevave dibrane, me një pasuri të madhe këngësh dhe kontributesh në fushën e muzikës popullore dhe folkut shqiptar. Ai ishte një këngëtar bard, një zë uragan, që dukej sikur zbriste nga lartësitë e ujëvarave alpine, të cilave iu këndoi me pathos deri në frymën e tij të fundit…

Ikja e një këngëtari të madh është gjithmonë e trishtë dhe sjell me vete rekujemin e atyre vlerave që e dalluan atë në rrugëtimin e tij të jetës artistike. Ai qe dhe mbeti një këngëtar me një kolorit të fortë natyral, me sharmin e atyre viseve që e lindën, e rritën dhe e nxorrën në rrugëtimin më të bukur të jetës së tij, në rrugëtimin e këngës, të cilës ai i dha frymë dhe e jetësoi me frymën dhe talentin e tij të pazakontë.

Qerim Sula ishte një ikonë e këngës dibrane, një nga këngëtarët më të njohur të atyre trevave, të cilat i përjetësoi me zërin e tij, në një repertor të pasur këngësh, të cilat janë krenari jo vetëm për këngëtarin, por për gjithë këtë trevë artdashëse.

I lindur në Zallë-Dardhë, një krahinë që ka nxjerrë dhe këngëtarë e muzikantë të tjerë si Lirie Rasha, Sherif Dervishi e të tjerë, Qerim Sula lindi dhe u rrit me këngën, ku që fëmijë, në bankat e shkollës dallohet për talentin e interpretimit virtuoz të këngës popullore.

Qerim Sula nuk mbaroi ndonjë shkollë muzike, pra nuk pati një formim profesional, por ishte i dashuruar dhe i përkushtuar për muzikën, ndaj që në moshë të re u aktivizua me grupet amatore të Zalldardhës, ndërsa në vitin 1967 me ansamblin “Dibra”.

Një vit më pas, më 1968 bën prezantimin e parë në Festivalin e Parë Folklorik të Gjirokastrës me këngën e Hazis Ndreut, “Kënga e Lam Dacit”, ku u vlerësua me çmim të parë për interpretimin e tij. Ka marrë pjesë në të gjitha Festivalet Folklorike deri në vitin 2000.

Ai është aktivizuar në mjaft trupa e ansamble, si dhe ka qenë pjesëtar i Estradës Profesioniste të Peshkopisë. Ka kënduar në shumë skena të vendit, por edhe jashtë shtetit, si në Gjermani, Austri, Turqi, Belgjikë, etj.

Në vitin 1981 ishte në Kosovë me ansamblin “Kukësi i ri”. Në repertorin e tij ka një numër të madh këngësh epike, duke qenë nga këngëtarët më të suksesshëm të trevës së veriut, i vlerësuar me mjaft çmime e diploma të ndryshme, në aktivitet kombëtare, midis të cilave mund të veçonim titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i republikës. Ka realizuar dy albume me këngët më voluminoze dibrane.

Sula ka punuar me shumë artistë, por mund të veçojmë Liri Rashën, me të cilën ka qenë në Estradën profesioniste të Peshkopisë, me Arif Vladin një artist i kompletuar, Vera Laçi një këngëtare shumë e vlerë, me Sherif Dervishin, me të madhin Haziz Ndreun, i cili ishte profesori i tyre.

Me zërin e tij Qerim Sula ka mbartur dhe përcjellë në kohe me vete të gjitha motivet e Dibrës, qëndresën, trimërinë, heroizmin, këngë që i ka kënduar që kur ka qenë fëmijë dhe që përbëjnë një fond të artë të kulturës shpirtërore të popullit dibran në fushën e këngës dhe flkut.

Kënga brilante e shumënjohur “Na këndojnë pushkët nëpër kulla” pati një sukses të paparë kudo që e këndoi këngëtari, që nga festivali i Gjirokastrës e gjer në skenat botërore, që e duartrokitën nxehtësisht këngëtarin. Gjithashtu në nivele të larta interpretimi vijnë në zërin e tij brilant këngët e mkirënjohura dibrane “Elez Isufi arusha e malit”, “Vijnë pamporrat për rreth detit”, “Kënga e Hajredin Pashës”, etj.

Qerim Sula i dhuroi publikut dibranë dhe vetë Historisë së Muzikës Shqiptare, zërin e tij të artë, përkushtimin dhe dashurinë e pakufishme ndaj artit, dashurinë për vendin e tij, të cilin ai e mbarti kudo që vajti, në të gjitha skenat dibrane, shqiptare e të botës, si një peng malli e përkushtimi, për t’i shërbyer deri në fund, me magjinë e një arti të madh e të papërsëritshëm.

Ky zë tashmë është shuar dhe nuk do të dëgjohet më live në skenat shqiptare, pasi këngëtari ka ikur në një rrugë pa kthim dhe tani i përjet përjetësisë. por kënga e tij jeton e do të jetojë përgjithmonë në memorien e brezave, në kujtesën kombëtare të artit të madh elitar, i cili do të ruajë në analet e tij të përjetshme imazhin e një këngëtari brilant, imazhin e papërsëritshëm të këngëtarit Qerim Sula, me emrin e së cilës lidhet muzika dibrane, kënga dibrane, ikona e së cilës ai ishte e do të mbetet, sa kohë që të ekzistojë kënga dhe arti i vërtetë…

Dërgoi për publikim, Denis Hata, gazetar