STOP DHUNIMIT TË STRUKTURAVE TË LDK-së!

0
232
Idriz Zeqiraj

IDRIZ ZEQIRAJ

Proklamohet bujshëm se Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së është organi më i lartë i partisë! Mashtrim, gënjeshtër publike! Si delegat i tri kuvendeve zgjedhore të LDK-së, unë kam parë në sallën e Kuvendit figura njerëzish të robotizuar, të cilët nuk kanë të drejtë fjale, votimi demokratik, por, vetëm aprovim aklamativ të emrave listorë, pa konkurrencë.

Kryesinë e LDK-së, ligjërisht, duhet ta zgjedhë Këshilli i Përgjithshëm, por, kjo nuk ndodhë! Ajo nuk po i nënshtrohet votës së lirë, votës së fshehtë demokratike. Si e tillë, i mungon legjitimiteti.

Logjikisht, kandidatët për deputetë, duhet të propozohen nga baza e partisë, t`i nënshtrohen votimit me konkurrencë në Këshillin e Përgjithshëm. Por, kjo nuk po ndodhë! Përkundrazi, e gjithë vendimmarrja partiake është koncentruar ke kryetari dhe rrethi vicioz i tij. Kryetari dhe grupi i tij vendosin për anëtarët e Kryesisë, të Këshillit të Përgjithshëm, për kandidatë për deputetë. Vendosin për koalicione, për ministra, zëvendësministra, për drejtorë e zëvendësa, pra, për gjithçka.

Rrjedhimisht, strukturat e partisë janë në shërbim të kryetarit dhe klanit të tij, tashmë, fort të koracuar. Dhe, sa herë që ka zëra të arsyeshëm, për reforma partiake, vjen kundërpërgjigja shantazhuese se “e ndajmë LDK-në!” Kështu ndodhi edhe në mbledhjen ku ishte planifikuar zgjedhja e kandidatit për kryeministër-re dhe të Kryesisë së ngushtë. Thënë troç, ata që ishin pozicionuar pas kryetarit, vite me radhë, pa e provuar fare votën e fshehtë demokratike. Synimi përspektiv i tyre, trashëgimi i postit të kryetarit të LDK-së, si zakonisht, me marrëveshje dhe vulosje me votim të tufëzuar aklamativ, blegtoral!

Refuzimi për ta tufëzuar votën në Mocionin e Mosbesimit, të disa anëtarëve të Kryesisë dhe të ndoca deputetëve, u prit me simpati nga anëtarësia, elektorati i LDK-së dhe me anatemë nga klani brenda Kryesisë. Presioni, shantazhi ndaj “heretikëve”, ishte dhe vazhdon të jetë i madh, që, tani, ta pranojnë koalicionin e turpshëm të LDK-së, me partitë-banda të PAN-it. Kjo na sjell ndërmend “Fletë-rrufetë” e kohës të Enverit në Shqipëri.

Retrospektivë:

Vitet `50-a. Profesor Selman Riza, anëtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, pjesë e grupit atentatorë të shefit të Kosovës, Milladin Popoviçit, i shkuar në Shqipëri, i burgosur për këtë vrasje, së bashku me Qazim Vulën, ky i dënuar më 20 vjet burg.

Në vitet `60-a, pedagog në Universitetin e Tiranës. Një student i porositur, provokon, përgjatë ligjëratës Profesor Rizën me pyetjen:

-“Profesor, cili është kontributi i shokut Stalin për gjuhën shqipe?!”

-“Shoku student, e di ku e ke hallin. Por, unë jam Selman Riza nga Gjakova, Kosovë dhe për mua nuk ka pyetje tabu. Andaj, të përgjigjëm se Stalini nuk ka dhënë asnjë kontribut dhe nuk ka asnjë lidhje me gjuhën shqipe”.

Të nesërmen, në hollin e Fakultetit Histori-Filologji, ishte vënë “Fletë-rrufeja”, me akuzën se “profesor Selman Riza nuk e njeh rolin e shokut Stalin për gjuhën shqipe”. Një koleg i thotë:

-“Profesor, lexoni në stendë “Fletë-Rrufenë” për ju!”
-Profesor Riza: “Unë jam mësues, me presin studentët për leksion . Nuk lexoj kurrë “Fletë-rrufetë”.

Në çast u njoftua Enver Hoxha, se Profesor Riza nuk denjoi as ta lexojë “Fletë-rrufenë”. Enveri, me të cilin kishin qenë kolegë në mësimdhënie, në Liceun e Korçës, në vitet `30-a, urdhëroi: “Internoni qenin!” Dhe, urdhëri u zbatua, Profesori internohet në vendin klasik të izolimit, në Berat.

Vitet `70-a. Rastësisht, përballë Profesor Rizës, para Bibliotekës Kombëtare, në Bulevardin e Tiranës.
“- Dukësh i shqetësuar”, – më tha Profesori.
– Po, shumë, Profesor, – gjegjëm unë.
– “Jetën duhet pranuar e jetuar, ashtu siç rrjedhë. Mund të internohesh, por, edhe të arrestohesh, burgosesh e dënohesh. Shpresa e vetme është mosha e re dhe ndoshta i shpëton më të keqës. Qëndro me dinjitet, si djalë Kosove”, – më tha, veç tjerash, Profesor Selman Riza.
Dhe, lotët i rrëshqitën faqeve Profesorit. U ndamë të përlotur të dy, për t´u mos u parë kurrë më.

Gjithçka rrodhi siç e parashikoi Profesori. Të nesërmen më internuan në Berat, pikërisht, në dhomën, ku i kishte kaluar 5(pesë) vitet e internimit Profesor Selman Riza. Pastaj, më arrestuan, më dënuan.

Ajo që më bëri përshtypje, nga biseda e shkurtër me Profesorin, ishte se Ai i dinte rrethanat e mia, kushtet e vëna nga Partia, mundësinë e shpëtimit, në rast të reflektimit. Në të kundërtën, pasojat e refuzimit, ishin fatale. Dhe, megjithatë, nuk kërkoi tërheqjen, kompromisin tim. Ndërkohë që, lotët e tij flisnin për dhimbjen që ndjente për fatin tim. Dhe, shprehja lapidare: “Qëndro me dinjitet, si djalë Kosove”, u bë moto e kurajo e jetës sime të vrazhdët, deri në skajmëri.

Qëllimshëm solla rastin e “Fletë-Rrufesë”, kundër Profesor Selman Rizës. Ngjajshëm vepron edhe klani brenda Kryesisë të LDK-së. Në vend të “Fletë-Rrufeve”, përdorë takimet me Kryesinë selektive. Merr vendime fatale për LDK-në, por, edhe për Kosovën. Pastaj, kërkon aprovim unanim nga Kryesia, Këshilli i Përgjithshëm, deputetët, kryetarët e Degëve të LDK-së. Për të pabindurit, fillon presioni, shantazhi, duke përçarë e prishë miqësira, në mes të kuadrove, pjesë e strukturave të partisë.

E njëjta taktikë është ndjekur për aprovimin e “Zajednicës”, për Demarkacionin, për koalicionin konspirativ, të pistë me PDK-në, për bërjen e Hashimit president, dhe, së fundi, për Mocionin e Mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, për koalicionin me PAN-in!

Është i njëjti klan, brenda Kryesisë Qëndrore, me disa mungesa e shtesa, përgjatë 15 viteve, që është vënë, tërësisht, në shërbim të Hashim Thaçit dhe të krijesës së tij, PAN. Është një shërbim puthadorë, servil dhe skajmërisht poshtërues, që ka përtokur e përdhosur Partinë, dikur, krenare të Presidentit Rugova.

Një mijë herë JO, koalicionit me PAN-istët

Populli thotë: “Kujdes nga lavdat e armikut!” PAN-i lavdëron, deri në hymnizim kreun e LDK-së, Isa Mustafa, me klanin e tij, ndërkohë anatemon përfaqësuesen e reformatorëve, Vjosë Osmanin me shokë. Tashmë, forcohet bindja se kjo “çorbë e thartuar”, është gatuar nga binomi Hashimi-Isa. Rrjedhimisht, lindin edhe dyshime shtesë, deri te katapultimi fillestar!

Deklarata kontraverse e akademik Mustafës, se “populli nuk zgjedh qeverinë, por, deputetët”, ngjalli reagime. Ndërkohë që shantazhimi kriminal i të gjitha strukturave të LDK-së, me theks të veçantë, mbi deputetët, të cilët, edhe pse janë zgjedhur nga populli, kanë integritet, për të vendosur sipas vullnetit të tyre, jashtë çdo trysnie e shantazhi. Kreu i LDK-së dhe klani i tij, janë shantazhues agresivë dhe kërkojnë tufëzimin e votës, pra, votë unanime, në shërbim të Hashimit dhe të PAN-it të tij. Kësaj praktike kriminale, presioni e shantazhimi, ndaj strukturave të LDK-së, duhet kundërvënë, stopuar, madje, me çdo çmim.

E turpshme thirrja se Mocionin e votuan 82 deputetë, kur dihet përbërja super-kriminale e Parlamentit të Kosovës. Të paktën 1/4 e tyre janë me akuza bazike të krimit dhe të korrupsionit, hajnisë zyrtare. Shto këtu 20 deputetët e minoriteteve, pakicave, të cilët “e hanë bukën e Kosovës dhe bëjnë davanë, lutjen për Serbinë dhe Turqinë!” Çfarë vlere ka shumësia e deputetëve, të cilët votojnë me dirigjim nga krerët partiakë, pavarësisht bindjeve të tyre personale! Ndërkohë që të gjitha sondazhet dëshmojnë se nga 85 deri 91 % e popullit, rrëzimin e qeverisë LVV-LDK e konsiderojnë si vepër të binomit Isa-Hashim dhe të Serbisë. Dhe, janë kundër krijimit të çfarëdo qeverie hibride, pa fituesin e zgjedhjeve, në rastin konkret LVV.

“Yryshi” i ndërmarrë nga klani brenda Kryesisë të LDK-së, i cili i faturohet, fiktivisht, rrejshëm, LDK-së, është papërgjegjësi mizore. Edhe nëse një të lënduar të këtë, nga kjo nismë e jashtëligjshme, LDK-ja do të penalizohet moralisht. Andaj, për aktin final, deputetët e LDK-së, të cilët janë të përzgjedhur nga vota e fshehtë demokratike e popullit, mund të jenë nderi i çdo parlamenti botëror, duhet ta japin votën kundër, me arsyetimin bindës se “nuk i shërbejmë më Hashim presidentit, Isa Mustafës dhe Serbisë!”

Krijimi i një qeverie, me partnerë të kriminalizuar, me arsyetimin bajat, të zgjyrosur, “për t`i çuar para proceset në Kosovë”, janë broçkulla mashtruese. Kështu kanë thënë edhe Pacolli i AKR-së, Shpendi i PSD-së, Rudinë Hajdari, bija e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdarit, e cila, së fundi, u puth me vrasësit e babait, duke u bërë paterica të partive të krimit.

LDK-ja është në krizë të thellë institucionale e morale. Deputetët e LDK-së duhet të frymëzohen nga stoicizmi, qëndresa e Profesor Selman Rizës, kundërshtia e leximit të “Fletë-Rrufesë”, rast unik në Shqipëri dhe Kinë, mund t`ia vuloste edhe jetën. LDK-ja duhet t`i kthehet vetëvetës, të përgaditët për Kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor brenda-partiak. Kuadrotë të legjitimohen, duke u përballur me debatin e shpenguar, konkurrencën e ndershme dhe votën e fshehtë demokratike, ashtu siç bëri Dega e LDK-së në Prizren, Dega e LDK-së në Gjermani, në Kuvendin e 9-të të tyre. Të përgaditet për zgjedhjet e pritshme qendrore e lokale, për të dalë e parë dhe jo bisht i PAN-it. Turrja aktuale, pas pushtetit të pistë, ka dëmtuar dhe vështirësuar edhe fitoren në zgjedhjet komunale. Për humbjen eventuale, fajtor është klani branda Kryesisë Qendrore dhe jo kuadrot vendorë.

Mos mashtroni anëtarësinë, elektoratin, popullin se deputetët e LDK-së, se “dje votuan kundër kryeministrit Mustafa e sot janë edhe kundër Hotit kryeministër!” Jo, ata kanë qenë kundër koalicionit me PDK-në atëherë dhe kundër koalicionit me AAK-në e NISMA sot. Dhe, në të dy rastet kanë qenë dhe mbetën kundër edhe strukturat e partisë, anëtarësia, elektorati, madje, tani, edhe populli.

Jo rrallë dëgjohen zëra të çjerrë, për linçime e përjashtime nga LDK-ja, të ndoca kuadrove të sprovuar, madje, nga të dy palët në kundërthënie. Përflitet edhe për luftë brezash. Madje, një nënkryetar, me cinizëm, tha se “këta (reformatorët) janë të rinj, për ta udhëhequr partinë”, edhe pse ata janë titullarë, doktorë shkencash, profesorë, akademikë. Disa syrësh në prag të 40-ve, të tjerë afrohen të 50 viteve jetë. Për LDK-në askush nuk është i tepërtë, pavarësisht se disa nuk pranojnë urdhërin e tufëzimit në votim. Kjo duhet parë si vlerë reale e partisë dhe duhet favorizuar shumësinë e tyre, për ta vrarë frikën. Sepse “frikacaku nuk e ka as dynjanë dhe as ahiretin”, – thonin pleqërit.