Bota – 30/05/20
Britania, Franca dhe Gjermania kanë kritikuar vendimin e Shteteve të Bashkuara për t’iu dhënë fund lehtësimeve të sanksioneve për kompanitë, të cilat janë pjesë e marrëveshjes bërthamore, që Irani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.
“Ndjejmë keqardhje ndaj vendimit amerikan për t’iu dhënë fund tri lehtësimeve që mbulojnë projekte të rëndësishme bërthamore në Iran”, thuhet në deklaratën e tri fuqive evropiane më 30 maj.
Përveç vendeve evropiane, edhe Rusia ka kritikuar vendimin amerikan, duke pretenduar se politika e jashtme amerikane po bëhet edhe “më e rrezikshme dhe më e paparashikueshme”.
Këto masa lehtësuese kanë qenë pjesë e marrëveshjes së nënshkruar me Teheranin më 2015 dhe iu kanë mundësuar kompanive evropiane, kineze dhe ruse që të punojnë në një reaktor të ujit të rëndë në Arak, qytet i madh industrial në perëndim të Iranit.
Por, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo deklaroi më 27 maj se “loja e vazhdueshme me zjarrin” nga ana e Iranit, duke shkelur disa përkushtime bërthamore, nuk arsyeton vijimin e lehtësimeve.
Sakaq, presidenti amerikan, Donald Trump është tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin në maj të vitit 2018, dhe ka rikthyer sanksionet e ashpra ndaj Teheranit. Si kundërpërgjigjje Irani ka shkelur disa pika të marrëveshjes bërthamore. /Opinion.al