Në Kosovën, që ende i lëngojnë plagët…

0
342
Isa Mustafa - Kujtim Shala - Hashim Thaçi

Zymer Mehani

Në Kosovën me shtatë të plagosur të zezës po i thuhet e bardhë e të bardhës e zezë. Këtu drejtësia shëmbëllen në një litar në thes të mbyllur e besa u shndërruaka në pabesi, ndërsa gjaku i derdhur i çlirimtarëve u bëka ujë!…

Edhe ca “miq” këtu të duakan me hipokrizi…
Ata ndërruakan strukturë e parti, por edhe fytyrë, porsi kameleoni që ndërron ngjyrën sipas ambientit!

Këtu ujku u bëka qengj e armiku shekullor u bëka vëlla!…
Viset e atdheut dardan nga Kryepari u quajkan “e Rankoviçit dhuratë”…

Në dritë të diellit, këtu u flika e “u punuaka” në t’errtën natë…
Çobani këtu është mbret!…

Vëllai këtu po e vritka vëllanë e vet… vetëm për pushtet!
Pllakave të xhelatëve këtu po iu përulka i Pari i vendit!…

Vendin e të drejtëve këtu po e zënkan të shtrembëtit dhe injorantët…
Hajnat e matrapazët këtu u quajkan atdhetarë…!

Një flamur me lara këtu u ndërroka me atë kombëtar!
Këtu po u hudhka baltë mbi bijtë çlirimtarë!…

Ky vend i paradoksit quhet KOSOVË… aty, ku gjaku e lotët ende nuk janë tharë…