Skënderbeu-vija ndarëse midis Shqiptarëve dhe Antishqiptarëve

0
773
Skënderbeu dhe vula e tij

Pirro Prifti

Këmbëngulja e njerëzve të caktuar, përfshi këtu dhe përkthyesin e veprës Skënderbeu nga O.J.Schmitt-i, krahas përfitimit nga shitja e veprës në fjalë, nëpërmjet bërjes së reklamës nga TV private Klan dhe Top Channel, kanë arritur të prekin vijën ndarëse përtej së cilës mund të shihen vetëm shqiptarë, që nuk e duan Shqipërinë, të kamufluar apo dhe apostatë që tregojnë zemrën e tyre plot helm e dashakeqësi.

Këtu bëhet fjalë për një përkthim të thjeshtë që përkthyesi do ta promovojë e ta shesë librin e tij pavarësisht nga reperkusionet dhe komentet aspak respektuese ndaj heroit kombëtar. Nuk do të kisha shkruar në mënyrë të përsëritur këtë shkrim nëse nuk do të ishte parë këmbëngulja e përkthyesit për të vërtetuar gjoja që:
– duhet parë heroi kombëtar jo si mit por ai reali!?

E nëpërmjet këtij argumenti zhgënjyes kërkohet që nëpërmjet të dhënave që ‘nuk na i paska dhënë asnjë autor tjetër’ sesi Heroi kombëtar na paska filluar luftën kundër turqve sepse turqit i kanë vrarë të atin (pse si mendon autori, çdo djalë a nuk do të kishte luftuar kundër vrasësit të babait ?); megjithatë argumenti tjetër me të cilën përkthyesi ka bërë reklamën, ishte që i ati i Skënderbeut quhej Ivan dhe se e ëma e Skënderbeut, Vojsava ishte sllave.

E me këto “risi”, përkthyesi na paska zbuluar Amerikën, duke marrë poza në TV si ndonjë ‘profesor i mbaruar’ që na e njokërka historinë e Kastriotëve (sigurisht nëpërmjet veprës së Schmitt), më mirë se historianët e debatit apo të historianëve të tjerrë të nderuar, por harron se del zbuluar katërcipërisht kur të tjerët që dëgjojnë këto blasfemi klienteliste dhe snobiste ndaj të huajve, se dy nga autorët më në zë shqiptarë: F. S. Noli, dhe K. Frashëri, kanë shkruar monografi të shkëlqyera për heroin kombëtar dhe F.S. Noli ka një bibliografi prej 600 autorësh (përveç Ou Xhej Schmitt-it që s’pati fatin t’i referohej), pa përmendur M. Barletin, i cili si bashkëkohës nuk diskutohet për thëniet e tij e sidomos për argumentet e lartpërmendura të Shmitt-it: Emrin e babait të Skënderbeut, nënën sllave Vojsava, dhe arsyen përse nisi luftën – argumente që përkthyesi ynë i nderuar po ta kishte lexuar veprën e Barletit, gjithashtu nuk do të merrte barrën e rëndë të përkthente një monografi që i shërben akademikëve e aspak popullit të thjeshtë (e jo më pastaj të mundohej t’i bënte publicitet një vepre profesionale që s’i duhet aspak lexuesit nëse bëhet fjalë për të hedhur dyshime ndaj një Heroi kombëtar).

Po të lexonte të paktën Skënderbeun e F. S. Nolit mund të shihte që të tre argumentat ‘e reja’ të O.J.Schmitt-it janë rrahur e përpunuar, argumentuar e stërthënë nga F. S. Noli me aq qartësi e në mënyrë bindëse saqë përkthyesi ynë nuk do t’i lindte nevoja të përkthente veprën e Schmitt-it nga aspekti profesional, por do t’ja u linte më mirë përkthimin akademistëve historianë të shkencës shqiptare se sa të ngrinte një rrokopujë amatoreske duke përzierë pa kuptim historianë e gjuhëtare vetëm e vetëm për publicitet e që t’i shitej përkthimi.

Një nga autorët më të vjetër që i referohet Noli në monografinë e tij (të cilin përkthyesi-amator nuk e zë në gojë, domosdo se nuk e ka lexuar), është Tivarasi (latinisht – Antivarino) i cili ka botuar që më 1480 në Venedik një vepër për Skënderbeun (pra, përpara Barletit) për të cilin Biemi jep të dhëna më të plota për të përfshirë gjithashtu në bibliografinë e F. Nolit), i cili shpjegon fare mirë gjenealogjinë e Gjergj Kastriotit, familjes së tij, pesë motrave e katër vëllezërve dhe fatin e tyre.

Po të vëresh me kujdes pas debateve ku amatori ynë rrinte si Judë i antishqiptarizmës, mund të kuptosh dhe disa aspekte të tjera që fshihen nën këtë blasfemi ndaj heroit kombëtar, blasfemi të cilat për fat të keq nuk duhej përfshirë F. Lubonja, i cili ndoshta nuk e ka kuptuar qëllimin aspak nderues ndaj Heroit Kombëtar.

Këto aspekte janë:
– Ulja e figurës së Skënderbeut për qëllime klienteliste (pra reklamë negative për të shitur përkthimin)
– përfshirjen e TV private dhe disa miqve për ta bërë sa më serioze (sigurisht për qëllime klienteliste) një histori e cila është rrahur e stër-rrahur nga mijëra autorë shqiptarë e të huaj të interesuar e që kanë nderuar me shkrimet e tyre një hero sa kombëtar për shqiptarët aq dhe ndërkombëtar për shkak të luftës së tij anti turke e anti islame,
– me dëshirën e tij për të shitur librin, ndoshta pa dashje ka aktivizuar njerëz të caktuar të cilët njihen si dyshues (që të mos u themi anti-shqiptarë) kur përmendin që në disa libra surrogato apo komente dashakeqe nën maskën e “sqaruesve të historisë shqiptare apo të rishikuesve të historisë shqiptare”, që Skënderbeu ishte për bekatshizmin dhe jeniçerët shqiptarë besnikë të tij erdhën dhe përhapën bektashizmin pra islamizmin e moderuar,
– gama e këtyre njerëzve që jetojnë në Shqipëri por që janë antishqiptarë të vërtetë nëpërmjet maskimit me luftën kundër komunizmit – kanë kohë që po përpiqen të rishikojnë historinë e Shqipërisë e pikërisht hedhjen baltë mbi Heroin kombëtar (mbi origjinën e tij, familjen e tij, luftën e tij qoftë kombëtare e qoftë fetare kundër turqve), e duke bërë shaka apo duke e përfolur në Portokalli, duke nënçmuar frazën prekëse të dhuruar në nderim të tij nga Vatikani “Atlet i Krishtit”, duke bërë aludime absurde me gjendjen e sotme të simboleve kombëtare praktikisht të krishtera në një shtresë të gjerë “islame” sipas tyre.

Këto dyshues nën maskën e rishikimit të historisë, nën maskën e shitjes si pa të keq të vlerave që nuk e nderojnë Heroin tonë kombëtar, nën maskën e shakave apo të talljeve të Heroit kombëtar (mund ta vini re edhe për heronj të tjerë), nën maskën e lavdërimit të të ashtuquajturës ‘tolerancë fetare’ ( ku mund të shash çdo gjë kombëtare por pa prekur identitetin e sharësve), lexuesi dhe populli shqiptar mund të shohë e të dallojë se përse në Shqipëri ka pak nacionalizëm, se përse në Shqipëri përbalten heronjtë (qofshin ata dhe të luftës antifashiste), se përse në Shqipëri ekziston një klimë e luftës së fshehtë të klasave e cila mbahet ndezur nga njerëz të caktuar, kryesisht nga ata që kanë gëlltitur një ‘lugë çorbë’ qoftë për shkak të varfërisë, qoftë për shkak të pasurimit të shpejtë, qoftë se janë disa nga ata antishqiptarë të vërtetë.

Unë mund t’i kujtoj jo vetëm përkthyesit të nderuar, ashtu dhe të tjerëve, rrezikshmërinë se nëse kjo gjë do t’i ndodhte Heroit Kombëtar Turk Qemal Ataturkut, personat që do të talleshin me të apo që do të hidhnin dyshime ndaj tij, me siguri qeveria turke do t’i fuste në burg; ose nëse do të hidheshin dyshime apo sharje (qoftë dhe të kamufluara) ndaj Linkolnit, apo Xh. Washingtonit, këta njerëz pa tjetër do të hidheshin në gjyq; ose nëse do të shahej nëpër shkrime Jan Husi i Çekisë nga ndonjë çek, apo Heroi kombëtar grek nga ndonjë shkrimtar apo komentues grek, apo Car Llazari i serbëve nga ndonjë serb, apo ndonjë hero tjetër kombëtar i çdo vëndi respektiv, (kështu si bëhet në Shqipëri) këta vende do të merrnin masa ligjore ndaj tyre.

Në përfundim mund të them që janë disa heronj, janë disa vepra, janë disa aspekte me të cilat nuk duhet luajtur, sepse çdo vend sado që ndryshon, ka një ose disa figura kombëtare të cilave u referohet e nuk luan me to, as hedh dyshime e as bën ‘zbulime në jetën e tyre.

Edhe Shqipëria duhet të ketë tabu-në e saj, vijën ndarëse të saj, identitetin e saj me të cilën nuk duhet luajtur as për amatorizëm, as për komercializëm e as për të ekspanduar ideologji fetare, që vetë vendi apo vendet ku aspirojmë të futemi. I nderuar përkthyes lëre përkthimin tënd të shitet pa e reklamuar më, sepse je duke prekur një tabu të shenjtë për shqiptarët.