“Dibranët nga ndërtimi i liqenit artificial të Dibrës, dhe hidrocentralit të Shpilesë nuk panë asgjë të mirë për këto 40 vjet pas humbjes së rreth 5000 hektarë të tokës më pjellore dhe që vaditej nga dy lumenj, burimi kryesor i ekzistencës të numrit më të madh të familjeve dibrane.
Sot të mirat nga prodhimi i rrymës përfitohen vetëm nga qeveria maqedone, që nuk do të ja dijë nëse këto familje u detyruan të largohen në Turqi ose ShBA për të siguruar ekzistencën”.
Edi Rama e mprehu shpatën edhe një herë për batakun…
Batakun që mbyt Dibrën, që zhduk një qytetërim, që e zhyt në mjerim.
Batak që bie erë të qelbur, erë korrupsioni, erë vjedhjesh të përmasave të papara e të padëgjuara…
Aferim kryeministri im që di shumë mirë vizatim por je elifi matrak në mendim.
Po si more vendose të mbytësh Dibrën duke ndërtuar Skavicën?
Ke tetë vjet që llap e llap pa pushim për Rrugën e Arbrit sa na plase veshët e na nxore trutë nga vendi dhe nuk po shohim një makinë të kalojë edhe gurë mbi gurë nëpër të. (?!)
I ndërron variantet si sulltani gratë e haremit…
Po e ndërton me para të pista të korrupsionit, të PPP-ve e të DDD-ve.
Kaq shumë të është rritur mendja sa del në pikë të mëngjesit si gjelat e Surrelit dhe këndon “Kikiriku do të ndërtoj Skavicën”!!!
Dhe si do ta ndërtosh?
“Me forcat e veta” !!!
Si, si?
“Me forcat tona”.
Të kujt?
Të babës tënd ideologjik?
Enverit?
Ai edhe mund ta ndërtonte. Kishte në njërën dorë teskën e në tjetrën kakrrukun.
Bënte një Dibër të re…
Siç bëri një Kukës të ri, një Ulzë të re, një Darëzezë të re njëqind metra larg detit në vila dykatëshe mes pishave…
Nuk e ndërtoi.
Arsyet ti i di sepse ishe në prehrin e tij.
Po ti a je i zoti ta ndërtosh?
Madje me forcat tuaja?
A je i zoti të ndërtosh një Dibër të Re?
Të strehosh dyzetmijë banorë që u mbyten tokat, varret e të parëve, historia e betejave që Skënderbeu griu turqit osmanlinj me majë shpate në 18 nga 24 betejat e tij fitimtare në Dibër, të betejave kundër pashallarëve më të mëdhenj të perandorisë Osmane që në fushë të Gjoricës lanë “jo ma pak por dymbëdhjetëmijë” koka të prera, të betejave 1913-1922 kundër serbëve që synonin jo luginën e bukur të Drinit të Zi por edhe Durrësin, të betejave të Luftës së madhe antifashiste Nacionalçlirimtare…?
Të paguash dëmshpërblim për 65 kilometra katrorë tokë arë, pemëtore,
pyje, kullota…?
Jo me çmimin 500 lekë për metra katrorë por 100 euro për metra katrorë, pak, shumë pak sa sjell fitimi i energjisë elektrike që manjatët tuaj të dashur do të vjelin nga Skavica?
Ti përcolle në efirin mediatik se “HEC-i i Skavicës do të ndërtohet nga shteti. Qeveria po sheh mundësinë për një investim të madh të huaj në energjinë me erë. Përveç Skavicës, ka edhe projekte të tjera. Shumë shpejt do të materializojmë këtë investim.
Projekti do jetë shumë shpejt në realitet. Faleminderit atyre që bënë të mundur këtë projekt. Falënderoj ministren dhe ndihmëset e saj, falënderoj edhe sipërmarrësit e huaj për ndihmën e pakursyer”,
Cili shtet z. Rama? Shteti që po jep shpirt?
Po për cilin projekt flet z. Rama?
Për atë të Enverit që i kishte kopsitur të gjitha deri tek mbytja e disa tokave në pjesën e Maqedonisë?
Apo për atë të Berishës që e uli digën që të mos hynte në telashe e të paguante tokat e Maqedonisë?
Apo për atë me tri diga që shkatërronte tërë sistemin ekologjik në hapësirën e gjolit të Skavicës?
Apo për atë të Gjiknurit që hapi fjalë se do të çojë buldozerët e do të ndërtojë hidrocentralin në Katund të Ri?
Berisha deklaroi për Skavicën: “Unë di të ndërtoj vepra botërore…”
Dhe asnjë kazmë nuk hodhi.
Ti thua se “HEC-i i Skavicës do të ndërtohet me forcat tona”.
Aferim z. Kryeministër, aferim…!
Një gjë nuk the dhe e di se nuk do ta thuash.
Nuk the se a janë pyetur dibranët?
Ata që u mbytet toka dhe mbeten pa plëng e shtëpi, pa nder e histori.
Atyre që pas kësaj do tu duhet të marrin arratinë e si çifuti në shkretëtirë nuk do ta gjejnë kurrë “tokën e humbur”.
Çoji emisarët tuaj matanë kufirit shqiptaro-shqiptar, në Dibër të Madhe dhe pyet se çfarë shkaktoi ndërtimi i HEC të Shpilesë për ta?
Po takuan Argëtim Fidën, ish kryetar i komunës së Dibrës do të marrin këtë përgjigje:
“Dibranët nga ndërtimi i liqenit artificial të Dibrës, dhe hidrocentralit të Shpilesë nuk panë asgjë të mirë për këto 40 vjet pas humbjes së rreth 5000 hektarë të tokës më pjellore dhe që vaditej nga dy lumenj, burimi kryesor i ekzistencës të numrit më të madh të familjeve dibrane.
Sot të mirat nga prodhimi i rrymës përfitohen vetëm nga qeveria maqedone që nuk do të ja dijë nëse këto familje u detyruan të largohen në Turqi ose ShBA për të siguruar ekzistencën”.
Mësoj se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka zbritur për të mbledhë firma për rindërtimin e teatrit edhe në Peshkopi.
Bëhet fjalë për njëmijë metra katrorë truall e një godinë e vjetër…
Mirë bëjnë, janë në të drejtën e tyre demokratike…
Por nuk e di në se po të njëjtën thirrje dhe mbledhje firmash do të bëjnë tash kur kryeministri ynë shkatërrues do të mbysë e zhbijë nga faqja e dheut Luginën e Drinit të Zi…
Nuk e di a ka dibranë në Dibër e kudo që janë, që do ti thonë ndal këtij seriali shkatërrimesh.
Dyshoj…
De këtë e mbështes në përvojën time kur bëhej thirrja “PO DIBRËS! JO SKAVICËS!”
Dhe një këshillë: pyeti Dibranët, jo partiakët e shalatanët…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 27 maj 2020