Prof. Dr. Jahja Drançolli, 07/08/2016
Ndryshe prej disa shteteve të Ballkanit, të cilat gjatë shek. XIX kishin fituar pavarësisë duke u çliruar nga Perandoria Osmane (Greqia, Bullgaria, Serbia dhe Mali Zi), shtetet fqinjë të tyre nga kapërcyelli i shek. XIX dhe fillimet e shek. XX, jetonin ende nën sundimin e huaj, siç ishte Austro-Hungaria, e cila zotëronte me një popullsi të madhe sllave brenda kufijve të saj (kroatë, boshnjakë, etj.). Ndërsa, pjesët e Ballkanit jugperëndimor, të banuara kryesisht me shqiptarë, të cilët ecnin ende nëpër procesin e emancipimit kombëtar, sundoheshin nga Perandoria Osmane e shoqëruar me krizën e saj përfundimtare.
Patriotët shqiptarë duke pasur me vete edhe elitën intelektuale (që kishte shijuar aromën europiane, por edhe osmane), edhe pse kishin krijuan kushte të favorshme për çlirimin e vendit (përmes Lidhjës së Prizrenit dhe të Pejës), ende nuk kishin arritur për të siguruar udhëheqjen unike kombëtare, udhëheqje kjo, që do t’i artikulonte kërkesat në realizimin e objektivit final, Pavarësinë e Shqipërisë.
Një shembull i frymëzuar thellësisht nga gjendja e krijuar në Shqipërinë e atëhershme paraqiste poema e Pashko Vasës “O moj Shqypni” (angl. “Oh Albania”):
“Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè ca thonë kam din;
Njeni: ‘jam turk’, tjetri: ‘latin’
Do thonë: ‘Jam grek’, ‘shkje’- disa tjerë,
Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë”!“Albanians, you are killing your brothers,
You are divided into a hundred parties,
Some say, I am a ‘Christian’;
Others, I am a ‘Muslim’;
One, I am a ‘Turk’; another I am a ‘Latin.’
Still others, ‘I am a Greek’; ‘Slav’ and others.
But you are brothers, all of you”!
Mesazhët largëvajtëse të kësaj poeme dhe i shumë përmbajtjeve të ngjashme jo vetëm te shqiptarët, por përgjithësisht në Ballkan ruajnë refleksione të fuqishme edhe sot e gjithë ditën. Këtej, ai që ka jetuar për shumë vite në shtete ballkanike, është dëshmitar se kuptimi mbi historinë e popullit të tij dhe më gjërësisht i është ndërruar (ose ia kanë ndërruar) më shumë se një herë gjatë jetës së tij. Ne jemi dëshmitar të ndryshimeve, rishikimeve të përshpejtuara, dhe së këtejmi mund të themi lirisht se ky proces i korrigjimit, fshirjes dhe i riparimit të përmbajtjeve historike në vitet e fundit ka qenë gjithnjë në rritje e sipër.
Madje, edhe dikush që nuk është marrë me të kaluarën dhe nuk është interesuar aq shumë për të, ka mundur për të konstatuar se historia nuk është më mësuese e jetës, siç ka qenë deri me sot, por duhet të jetë një nxënës i dëgjueshëm, i cili duhet vazhdimisht të mësoj mësime të reja dhe të riparuara në përputhje me interesat “madhore”, nga të cilat studjuesit e interesuar për objektivitetin dhe saktësinë shkencore radhitën të fundit.
Në këtë kontekst, studjuesit i është bërë e qartë se për ideologji, politikë dhe interesa shoqërore e kombëtare, historia nuk përfaqëson shkencën sipas të cilës njohuritë për të kuptuar duhet thelluar dhe pasuruar më shumë, por, historia është një përallë (fiksion), e cila duhet shërbyer qëllimeve të tjera, që në mënyrë të vazhdueshme sërish duhet të tregohet në përputhje me interesat dhe qëllimet e narratorit, si një përrallë para gjumit.
Megjithatë, historia sot ka një ndikim të rëndësishëm shoqëroro-politik, fetar e kulturor në shtetet e përparuara, prandaj, si e tillë ajo është një shkencë brenda së cilës zhvillohën lufta për dominim – në mes të historianëve të elitave dhe të shtresave më të ulëta të shoqërisë, të mjatës dhe të djathës. Historia nuk është një objekt më të cilën mund të lozët ose që mund të kuptohet lehtë. Në duartë e gabueshme, ajo mund të jetë mjaftë e rrezikshme, mirëpo, mund të bëhet edhe burim iluminizmi. Pesha e saj në sferën e politikës është e mirënjohur.
Historia si shkencë humane merret me prejardhjen dhe rrënjet e shoqërive dhe komuniteteve. Ajo na lidhë me të kaluarën dhe na bën të mundur edhe të depërtojmë në të ardhmën, ndërsa me shembujë nga e kaluara, na tërheqë vëmendjen, që të mos përserisim gabimet e dikurshme. Me kontinuitetin e vetë, historia paraqet të kaluarën, të tanishmën dhe të ardhmën, të cilave u jap një formë dhe objektiv konkret!