KUR FLET ISA, VENDOS PARTIA, ANDAJ DUHET TË PËRKRAHET EDHE NGA ANËTARËSIA?!

0
519
Isa Mustafa - Avdullah Hoti

Qeveria Bukoshi dhe Dega e LDK-së Zvicër në vitet 90-ta, parë nga perspektiva e zhvillimeve politike në Degën e LDK-së në Zvicër

Duke lexuar të ashtuquajtur analist që janë shfaqur kohëve të fundit, dhe kjo falë rrjeteve sociale, ata janë duke bërë akuza se ku qenkan aktivistët e hershëm, të cilët po i thërrasin të bëhen pjesë e klanit të tyre për t’i përkrahur veprimet antidemokratike të Isa Mustafa kundër LDK-së.

Prandaj me këtë shkrim po përpiqem të tregoj (parë nga prizmi i Zvicrës), se si vepronte Qeveria e Republikës së Kosovës në ekzil, e njohur si Qeveria Bukoshi, e cila me tërë suitën e saj, ishte kundër Degës së LDK-së në Zvicër dhe në Gjermani, dhe kundër kryesisë së LDK-së në Prishtinë. Por armiqësia e Bujar Bukoshit dhe ajo e Isa Mustafës, ishte ma shumë kundër Presidentit të Kosovës dr. Ibrahim Rugova dhe kundër akademik Fehmi Aganit. Si njëri nga Kryetarët e Degës së LDK-së në Zvicër (1993-1997), flas me përgjegjësi morale e politike se për aq sa mbaj mend, por edhe duke i shfletuar listat e asaj kohe me anëtarët e LDK-së në Zvicër këta analista nuk po i gjej askund. Ato lista na vinin nga nëndegët, gjithmonë para mbajtjes se kuvendeve pra po e them me përgjegjësi disa nga këta analist nuk kanë qenë as anëtarë të LDK-së.

Pra nuk e di si po munden me folë kur asnjë aktivitet i LDK-së nuk lidhet me ta. Ata për asnjë aktivitet nuk janë takuar me dr. Ibrahim Rugovën dhe akademik Fehmi Aganin, (përjashtohet në ndonjë tubim publik ose nëpër ato ndejat private), por po bëhen qesharak kur deklarojnë se atyre u paskan lënë amanete. Këta militant të LDK-së dhe Rugovista të vonuar, janë duke u bërë horë!

Këta aktivist, në krejt shkrimet e asaj kohe, (nga tubimet e LDK-së), nuk i hasim askund, sikurse emrat e tyre nuk janë askund edhe në raportet publike, në procesverbalet dhe dokumentet e asaj kohe. D.m.th. këta njerëz s’kanë qenë në LDK, pra ata janë aktivistë të rrejshëm të atyre viteve. Ky ves i tyre po dëshmon se ata janë ende larg emancipimit demokratik, nuk kanë qenë aktivist në ndonjë aktiv, nëndegë e të mos flasin për degën e LDK-së në Zvicër. Sot nëse thuhet e vërteta, dhe nëse nuk pajtohesh me Kryetarin e Partisë, ose nuk pajtohesh edhe me kryesinë e LDK-së, sipas këtyre pseudo demokratëve, je kundër LDK-së dhe automatikisht je anti-Rugovist?!

Të gjithë e dinë se nga themelimi i LDK-së në Zvicër, kam qenë aktiv dhe kam pas postet udhëheqëse me rëndësi të veçantë, që nga Kryetar Nëndegës, nënkryetar i Degës, Kryetar Degës së LDK-së në Zvicër (1993-1997), dhe më pas edhe Sekretar i Degës dhe Nënkryetar i saj, deri në vitin 2006, prandaj po flas me përgjegjësi se i njohë të gjithë, sidomos këta që kohëve të fundit po flasin për Rugovizëm, të cilët që nga viti 1990 e gjer në vdekjen e dr. Ibrahim Rugovës, nuk kanë qenë strukturë dhe as aktivist të LDK-së, madje pjesa dërmuese e tyre as anëtarë të rëndomtë. Pikërisht janë këto deklarata që më shtynë të shkruaj publikisht, dhe të tregoj se me themelimin e Qeverisë së Bukoshit, (të një Qeverie mishmashi), me koncepte antidemokratike, do të nisin fërkimet me LDK-në, po më shumë ishin veprime kundër Presidentit të Kosovës dr. Ibrahim Rugova, i cili disa herë ka deklaruar se: ”Disave ua jep dorën e ata ta marrin krejt trupin”.

Në fund të vitit 1992, Dega e LDK-së në Zvicër, ia dorëzoi Qeverisë Bukoshi paret që ishin mbledhur në Fondin Humanitar Gjithëkombëtar, ku 95% të kontribuuesve ishin anëtarësi e LDK-së. Po ashtu Dega në Zvicër e themeloi komisionin që udhëhiqte fondin, kurse kryetar u zgjodh inxhinier Nazmi Peci, i cili ishte edhe nënkryetar i Degës. Por kur u themelua Qeveria e Kosovës, e sidomos kur Dega e LDK-së nga ai “Fond”, i ka derdhur mjetet e grumbulluara, (diku mbi 9 milion CHF), në Fondin që e kontrollonte Isa Mustafa. Pra, posa ato para kaluan në Fondin e Qeverisë Bukoshi, menjëherë ka nisur gjuetia e shtrigave kundër veprimtarëve te LDK-së. Pikërisht kryetari i tanishëm i LDK-së, atëherë ministër mr. Isa Mustafa, filloi me shkarkime nga ky Komision, për të sjell njerëzit e vetë të dëgjueshëm, ashtu siç ka bërë edhe viteve të fundit në LDK, duke sjell njerëz që i miratojnë vendimet e tij.

Gjatë pranverës së vitit 1993, Isa Mustafa shkarkoi ing. Nazmi Pecin dhe prof. Demë Jasharin, po ashtu asaj radhe është shkarkuar edhe Bardhyl Meta dhe disa të tjerë. Këta tre ishin nga Kryesia Qendrore e Komisionit të 3%, për të vazhduar me shkarkime e ndryshime në nivele kantonale.

Pra këtu ka filluar thyerja e madhe në mes Qeverisë Bukoshi dhe LDK-së, kurse në vjeshtën e vitit 1993, nga këto fërkime ra viktimë mr. Shaip Latifi, kryetar i Parë dhe Themeluesi i Degës së LDK-së në Zvicër. Kryesia Qendrore në Prishtinë, i pranoi kushtëzimet e Bujar Bukoshit dhe të Isa Mustafës, të cilët i përdornin situatën për t’i realizuar qëllimet e veta, pasi siç dihet Kosova nuk kishte mundësi për të shkarkuar e emëruar Kryeministrat e saj sa herë të donte.

Ne gjenerata e asaj kohe e dimë se mr. Shaip Latifi, është shkarkuar nga shantazhiimi i Bujar Bukoshit, ndërsa Kryesia Qendrore e LDK-së u tregua e pafuqishme për ta mbrojtur mr. Shaip Latifin, i cili e ka themeluar Degën e LDK-së në Zvicër, fondin Gjithëkombëtar dhe atë të 3%.

Aktivist të Fondit 3%, mbi 95% ishin aktivistë të LDK-së, po ashtu edhe paguesit kryesisht ishin anëtarësia e LDK-së. Dega e LDK-së në Zvicër, jo vetëm se i ndihmoi, por i themeloi të gjitha degët dhe komisionet edhe për Arsimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, kurse nxënësit ishin fëmijët e këtyre veprimtarëve, ndërsa mësuesit (me ndonjë përjashtim), u bënë opozitë e LDK-së. Nëpër çdo nëndegë kanë qenë të hapura paralelet e mësimit plotësues, dhe aty ku ka funksionuar si duhet Nëndega, ka funksionuar edhe Fondi i Trepërqindëshit, po ashtu ka Funksionuar edhe Shkolla Shqipe. Dega e LDK-së në Zvicër e përkrahi Qeverinë Bukoshi në të gjitha format e mundshme, por nga Qeveria ka pranuar vetëm pengesa dhe shantazhe. Pra edhe sot nga Kryesia e LDK-së në Kosovë, kjo anëtarësi dhe këta veprimtar janë të përbuzur.

Me plot respektin për punën e madhe që kanë bërë komisionet e 3% kudo nëpër terren, aktiviteti i tyre vështirësohej nga Isa Mustafa, gjithmonë me dinakërinë e tij, duke lëshuar shkresa e urdhëresa ose autorizime seleksionuese për aktivistët e Komisioneve. Me kalimin e kohës Isa Mustafa arriti t’i përvetësoj disa udhëheqës të komisioneve të cilët i bëri vegla te tij për t’i ndërsyer ma vonë kundër Degës së LDK-së, po sidomos kundër Presidentit të Kosovës dr. Ibrahim Rugova. Po ashtu dihet se Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa, për të shkatërruar Degën e LDK-së në Zvicër, e kanë pasur dorë të djathtë ministrin Xhafer Shatri, i cili i ka bërë dëme degës, kurse pas veprimeve të tij qëndronin Bukoshi dhe Mustafa.

Për hir të situatës në Kosovë dhe autorizimeve të njëpasnjëshme të Presidentit Rugova dhe akademik Fehmi Aganit, u deshtë t’i përpijmë të gjitha vetëm të mos e dëmtojmë edhe Fondin e 3%, arsimin, shëndetësinë dhe sektorët tjerë. Por aventurat e Isa Mustafës dhe të Bujar Bukoshit kundër LDK-së dhe Presidentit Rugova nuk kanë pushuar kurrë.

Dikur u mbush kupa, eskorta që komandohej nga Isa Mustafa, përkatësisht komisionet e Trepërqindëshit, gjatë asaj kohe gati sa nuk janë çmendur, madje na kanë akuzuar se Dega e LDK-së në Zvicër është anti-Qeveri, dhe në të njëjtën kohë shpifej gjithçka kundër dr. Ibrahim Rugovës, ne jemi detyruar të reagojmë. Fillimisht iu drejtuam me një letër Kryesisë së LDK-së në Kosovë dhe Presidentit dr. Ibrahim Rugova. Në atë letër ne kemi shfaqur pakënaqësinë për veprimtarinë destruktive të Qeverisë Bukoshi, dhe në veçanti kemi shprehur indinjatë për mënyrën e menaxhimit të Fondit të 3%, që kontrollohej nga Isa Mustafa.

Ajo letër është politizuar shumë, madje vet Isa Mustafa, dhe disa aktivistë të tij, tamam si langonj, janë vërsulur kundër meje dhe kundër nesh në kryesinë e Degës. Isa Mustafa, ka shkuar aq larg sa personalisht më ka marrë në telefon. Në atë mbrëmje me fjalë fyese dhe ofenduese më qortoi pse e paskam dërguar atë letër në Kosovë, madje më ka thënë se do ta kesh mall ta shohësh Kosovën, (kini parasysh, Kosova nuk ishte e lirë). As unë nuk jam përmbajtur, madje nuk kam zgjedhur fjalë, por e di se i kam thënë: Qe 15 vite ma ka ndaluar Serbia me argatët e vet Kosovën, pra ti o Isa Mustafa, qenke pjesë e atij grupi?! Nuk e keni idenë se si ka reaguar, mu bë sikur u çmend!…

Si rezultat i të gjitha këtyre thyerjeve dhe fërkimeve, u dashtë që në pranverën e vitit 1997 në St. Gallen të bëjmë një takim. Kryesia e Degës së LDK-së në njërën anë, kurse në anën tjetër dr. Bujar Bukoshi dhe ministrat Isa Mustafa dhe Xhafer Shatri, për t’i diskutuar ato mosmarrëveshje, qe vet i kishin krijuar. Ne për hir të gjendjes në Kosovë, përsëri kemi bërë lëshime, por ofensivat e Bujar Bukoshit dhe Isa Mustafës kanë vazhduar. Ata kishin mbështetjen e Ministrit për Informata Xhafer Shatri, i cili kishte rekrutuar në rrjetin e tyre edhe veprimtar të LDK-së, prandaj arritën më 14 dhjetor 1997, në Kuvendin e Tretë të Degës, ta marrin LDK-në dhe t’i vendosin njerëzit që i dëshironte Isa Mustafa.

Në atë Kuvend merrnin pjesë nga Kosova, dr. Rexhep Gjergji dhe Nip Zeka kurse nga Gjermania kishte ardhur Kryetari i Kolegjiumit Hafiz Galica. Dr. Rexhep Gjergji ju drejtua kuvendarëve me mesazhin e Presidentit Rugova, për të mbetur edhe për një mandat kryetar i degës Hajdar Sadrija, por kanë reaguar ashpër, ata qe ishin veglat e Bukoshit dhe Isës, madje ata kishin siguruar shumicën e delegatëve. Emrat e tyre dihen, ndërsa tashti të tillët po dalin e po na lavdërohen si Rugovista të përbetuar, kanë harruar se jo aq moti ishin edhe kundër Presidentit Rugova?! Pas një kohe të shkurtër, anëtarësia e përcaktuar në rrugën e dr. Ibrahim Rugovës, është detyruar për të reaguar e për ta shpëtuar Degën e LDK-së në Zvicër.

Dihet botërisht se Dega e LDK-së në Zvicër ishte bartëse e të gjitha aksioneve si p.sh. aksioni për arsimin, shëndetësi dhe jetën paralele në Kosovë. Prandaj organizoi aksionin “Ndihmë shkollave në Kosovë”, “Ndihmë për Drenicën nga 500 franga për te punësuarit”, si dhe aksionin “Gjithçka për Pavarësinë e Kosovës”, që praktikisht ishte “Hua Popullore”. Nga aktivistët e LDK-së në Zvicër janë mbledhur miliona franga zvicerane. Prandaj jam i sigurt se disa që po flasin në emër të LDK-së dhe që po thërrasin për Rugovizëm, asnjëherë s’kanë qenë as në LDK, dhe as bartës të këtyre aktiviteteve. Prandaj ky reagim imi, le të shikohet si protestë publike për këtë kategori të degjeneruar, sa për ta ditur se ne jemi gjallë dhe ne po e dimë se po gënjejnë, pasi nuk ishin në LDK dhe as Rugovista nuk ishin, por me sa duket edhe atëherë, sikurse tani janë vegla të Isa Mustafës.

Te nderuar lexues të këtij shkrimi, NE disa anëtarë të kryesisë dhe disa aktivist të atyre viteve, që po përpiqemi ta themi të vërtetën, të mbrojmë kauzën e Presidentit Rugova, po luftohemi e kundërshtohemi nga disa anti-demokrat, të cilët ende po mendojnë se edhe ne duhet të veprojmë ashtu siç po bëjnë vet: “Kur flet Isa, vendos Partia, dhe përkrahet nga anëtarësia?!”, ose sipas refrenit satirik “kur folë Isa e aprovon kryesia, mbylleni gojën ju anëtarësia se kështu e donë demokracia?!” mendoj se kjo përkrahje kuturu ka mbaruar, andaj ne ju bëjmë thirrje të kthjelloheni, se marrëzia brirë s’ka!

Bern, 25 maj 2020.
Hajdar Sadrija,
ish Kryetar i Degës së LDK-së në Zvicër 1993-1997.