HAFIZ ALI KRAJA — NDERI I FESË DHE KRENARIA E KOMBIT SHQIPTAR

0
771

Ernest Koliqi, Hafiz Ali Tari, Mons Mikel Koliqi, Dom Tom Laca, Pater Anton Harapi, Guljelm Suma, Maliq Bushati, para Bashkisë Shkodër

Gëzuar Festa e Bajramit!
Frank Shkreli

Frank Shkreli

Dua të rrëfej ç’prej fillimit se, ndonëse kisha dëgjuar për Hafiz Ali Krajën – si një personalitet i madh i Fesë Islame në Shqipëri dhe njëri prej të dalluarve të Kombit shqiptar – nuk dija shumë për jetën dhe veprimtarinë e tij. Si përfundim fillova të lexoj ndonjë gjë më shumë nga jeta e tij dhe sa më shumë lexoja aq më i interesuar bëhesha për të kaluarën e tij. Duke lexuar për Hafiz Ali Krajën – një bashkvendas i imi nga Kraja, afër vendlindjes time – mësova se si shumë bashkohas të tij ai jetoi dhe veproi në tallazet më të vështira historisë kombëtare të shekullit të kaluar. Sa më shumë të lexojë njeriu për Hafiz Ali Krajën — hoxhë, publicist dhe atdhetar i mirënjohur, opozitar me Zogun, italianët, dhe i persekutuar deri në ditët e fundit nga diktatura komuniste — aq më i bindur bëhesh se ai i përkiste një brezi atdhetarësh më të spikatur, por që, fatkeqësisht, nuk janë më.

I përkiste atij brezi që mbi të gjitha – megjithëse jetuan në kohëra shumë më të vështira se sot, qoftë rrethana politike ashtu edhe ekonomike — ishin mbrojtës të patundur të idealeve dhe të interesave kombëtare të shqiptarëve, pa dallim feje a krahine –personalitet i cili gjatë gjithë jetës promovoi ideale dhe vlerat e përbashkëta të të gjithë shqiptarëve. Për fat të keq, si shumë të tjerë patriotë si ai të asaj kohe, edhe Hafiz Ali Kraja ishte i ndjekur e i përbuzur nga disa regjime, qoftë nga Zogu, qoftë nga fashizmi, qoftë nga komunizmi.

Duke lexuar për jetën e Hafiz Ali Krajës, nuk mund të mos bëjmë pyetjen se si do ishte sot Shqipëria dhe shqiptarët nëse në shekullin e kaluar do të kishin fituar pikëpamjet e atdhetare dhe pro-perëndimore të patriotëve si Hafiz Ali Kraja? Është vështirë të merret me mend se si një brez patriotësh – ajka e Kombit mund të themi e shekullit të kaluar — pjesë e të cilës ishte pa dyshim edhe Hafiz Ali Kraja — e humbi luftën me një ideologji sllavo-aziatike që shkatërroi çdo vlerë të shenjtë fetare e kombëtare ndër shqiptarët, që mbroheshin nga Haziz Ali Kraja dhe bashkombasit e tij, në kohën që jetoi dhe veproi ai.

Më kujtohet me një rast, kur isha refugjat në Romë, më 1970, duke biseduar me Profesor Ernest Koliqin mbi humbjen e nacionalizimit shqiptar dhe për fitoren e komunistëve në Shqipëri si dhe për fatin e kqe me të cilin u përballuan intelektualët e përndjekur siç ishte ai vet dhe Hafiz Ali Kraja, ndër të tjerë (i cili mund të shihet në foton më poshtë para Bashkisë së Shkodrës në prill të vititi 1939). Profesori Koliqi u shpreh me njëfarë optimizmi: Edhe Gjergj Kastrioti – Skënderbe humbi mbasi habiti botën me luftën dhe fitoret e tija kundër osmanëve, tha ai. Me gjithë këtë, vepra e heroit kombëtar, -shtoi Profesor Koliqi, nuk u shua. Përkundrazi, theksoi ai, ajo sot e asaj dite vazhdon të lëshojë rreze drite gjithnjë e më tepër. Kështuqë, -nenvijoi Koliqi, -humbjet tona do të jenë të përkohshme, pasi mendimet dhe ideologjia e patriotëve të vërtetë do të kthehen përsëri në dobi të Atdheut, të cilit ata ia kushtuan jetën dhe veprat e tyre.

Kam drojë se, megjithë optimizmin e Profesor Koliqit, sot 30-vjet pas shembjes së komunizmit, unë nuk shoh ndonjë vlerësim të dobishëm — nga dy shtete shqiptare, Shqipëri e Kosovë të shekullit 21 — ndaj mendimeve, ideve dhe ideologjisë kombëtare të patriotëve si Hafiz Ali Kraja dhe Ernest Koliqi e të tjerë. Jam i bindur se, fatkeqësisht, kjo mungesë e mendimit të vërtetë patriotik dhe demokratik, në radhët e klasës aktuale politike të shqiptarëve gjatë 30-viteve të kaluara – sidomos në radhët e brezit që është edukuar në sistemin komunist – ka sjellur situatën e tmershme aktuale politiko- kombëtare, në pikën që gjënden sot shqiptarët.

E kam thenë edhe herë të tjera, por po e përsëris se pa një bazë udhëheqjeje shpirtërore, morale dhe ideore të këtyre shembujve patriotësh të vërtetë shqiptarë, si Hafiz Ali Kraja, At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi e shumë të tjerë si ata — por të harruar e të përjashtuar nga historia – do të jetë vështirë të ndërtohet një Shqipëri dhe një Kosovë tjetër dhe ndryshe nga ç’kemi sot – një Shqipëri dhe Kosovë të dijes dhe të përparimit, me qëllim për të zenë vendin e vet aty ku u takon, në rendin e kombeve të përparuara.

Për ata që dëshirojnë të dinë më shumë për Hafiz Ali Krajën, për jetën, veprat dhe atdhetarizmin e tij dhe për kontributin fetar me rastin e Festës së Bajramit, ju sugjeroj që të lexoni një shkrim të hollësishëm dhe shumë interesant, kushtuar njërit prej personaliteteve më të shquara të fesë islame në Shqipëri dhe më gjë, Hoxhës Hafiz Ali Kraja, (1900-1973). Artikulli është shkruar nga studiuesja Ardita Repishti e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH)1944÷1991.

https://www.facebook.com/AutoritetiDosjeve/posts/3139021976150404


Këtu më poshtë, po sjellë shkrimin e plotë, nëqoftse dikush dëshiron ta botojë të plotë, ose pjsë pjesë si serial për arsye të kufizimeve hapësinore në gazeta ose portale.

Jam kryenaltë që jam mundue me krye misionin fetar e kombëtar për sa kam mujtë. Lus Zotin të më falë për mungesat që mund të kem ba në kryemjen e këtij misioni”. (Hafiz Ali Kraja)

Hafiz Ali Kraja

Hoxhë, publicist dhe atdhetar i mirënjohur, opozitar me Zogun, italianët, dhe i persekutuar deri në ditët e fundit nga diktatura komuniste.

Lindi në vitin 1900 në një familje intelektuale e tregtare-manifakturiste të Krajës, e shpërngulur në Shkodër pas vendimeve të Kongresit të Berlinit (1878), duke lënë jashtë kufirit shtetëror shqiptar krahina të tëra dhe qytete shqiptare. Ali Tari, shkurtim tregues si i biri i Tarit (Myftar Krajës), kreu shkëlqyeshëm studimet fillore në Shkodër, çka i hapi udhën studimeve të mëtejshme në Kajro, në një prej qendrave me të njohura universitare të kohës, në Universitetin e El-Ez–Herit. Hafiz Aliu e kreu atje të gjithë ciklin e formimit të tij teologjik e filozofik dhe pas përfundimit të fakultetit të shkencave islame, u kthye në qytetin e lindjes, ku vendosi të shërbente me devotshmëri, edhe pse iu propozuan shumë poste në Tiranë, mes të cilëve kryeredaktor i revistës prestigjioze “Zani i Naltë”.

Në 1924, Myftinia e Shkodrës e caktoi teologun e ri si hoxhë e imam të Xhamisë së Plumbit, më vonë në Xhaminë e Parrucës, Fushë-Çelës e ndër xhami të tjera. Në lagjen ku u rrit e zhvilloi aktivitetin Hafizi, u rritën edhe klerikë të tjerë të nderuar myslimanë, të përkushtuar për “atdhe” e “fe”, si priftërinjtë françeskanë të Shkodrës me të cilët bashkëpunuan ngushtësisht e, pa hezituar u vunë në krye të bashkëqytetarëve, përballë turqve e sllavëve, njerëz të ditur e atdhetarë, si Haxhi Idriz Boksi, Sheh Alia e Hafiz Musa Dërguti, Sali Myftiu (plaku dhe i riu), Hafiz Ibrahim Repishti, etj.

Foto familjare e Hafiz Ali Krajës, pas daljes nga burgu

Zotërues i 6 gjuhëve të Lindjes dhe Perëndimit, hulumtues i dijeve njerëzore, Hafiz Ali Kraja iu përkushtua aktivitetit studimor, fetar dhe politik.

Në vitin 1931, Hafizi u martua me Zenepen, me të cilën patën tre fëmijë, Asimin, Mehdinë dhe Felekun.

Në mes të viteve ‘30 u cilësua si antizogist, bashkёpunëtor i organizatёs “Bashkimi Kombёtar” dhe emigrantёve opozitarë. Familja e tij mbikëqyrej në Shkodër, ndërsa vetë Hafizi jetoi në Ulqin për 3 vjet me radhë, deri në dhënien e amnistisë.

Me ardhjen e pushtuesve italianë u zgjodh në përfaqësinë e Shkodrës për në Asamblenë Kombëtare për të nderuar Viktor Emanuelin, detyrë që e refuzoi duke u larguar nё shenjё proteste. Pasoi internimi në Porto Palermo, me të atin dhe vëllezërit. Pas kapitullimit italian u kthye në Shkodër dhe vijoi aktivitetin e ngjeshur, në bashkëpunim me Atë Anton Harapin, Dom Mikel Koliqin e Padër Pjetër Mëshkallën.

“Meqë je antifashist, bëhu me ne”, i propozuan komunistët, sipas dëshmisë së mbesës së tij, Satber Tula. Hafizi nuk pranoi, duke pohuar se “na ndan një hendek i madh”. Nё shtator tё vitit 1943, Hafizi iu drejtua besimtarëve myslimanë e katolikë të mbledhur nё xhaminё e Fushё Çelёs, me hytben “Ç’ёshtё komunizmi dhe pasojat e tij pёr popullin shqiptar” dhe përshkallëzoi predikimet në popull mbi atë që do të sillte komunizmi. Kjo bëri që të vijonte përndjekja me komunikatat poshtë derës: “Në emër të popullit, je i dënuar me vdekje!”.

Përgjatë këtyre viteve, klerikët myslimanë dhe katolikë bashkëpunuan para oborreve të kishave e xhamive, me tolerancë, atdhetarizëm e respekt për njëri-tjetrin, duke iu druajtur mohimit të fesë e besimit nga bolshevikët që mund të merrnin pushtetin. Deri në fund të luftës, Hafizi vazhdoi të predikonte, duke shpresuar në një besëlidhje antikomuniste.

#Fjalimi_historik

Më 31 dhjetor 1940, Hafiz Ali Kraja mbajti fjalën e rastit në varrimin e mikut të tij Atë Gjergj Fishta, e cila ende sot cilësohet historike:

“Poet kombëtar, o Patër Gjergj! Një orator, tue dashtë me folë mbi veprat Tueja, rrin shtang e hutohet, sepse ata janë shumë, janë aq të mëdhaja e të madhnueshme, sa asht vështirë me caktue se mbi cilën aso veprash duhet me folë. Vepra Yte o Poet, ka për të formue nji faqe të shkëlqyeshme në historinë politike të kombit shqiptar, pse, në aktivitetin që ke zhvillue ndër konferencat politike ndërkombëtare, nuk kje tjetër veçse me i sigurue kombit tonë të drejtat, qi ai i ka jetike e si ma i vjetri komb në Ballkan. Shkrimtarët e ardhshëm të historisë shqiptare jetën tande politike do ta gjykojnë në bazë të “Lahutës së Malcis” – kryevepra jote monumentale. Të jesh i bindun o Poet i Madh, se shqiptari me “Lahutën e Malcis” ka për të qenë gjithmonë kryenaltë, siç janë helenët me Iliadën e persianët me Shahnamenë, mbasi, ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psiqikën e karakteristikat ma të ndjeshme të popullit shqiptar.

Sot djelmnia intelektuale me “Lahutën…” Tande në dorë të nep besën shqiptare tue t`u betue se idealin Tand të naltë që shprehe për kombësinë shqiptare, do ta ruejnë e do ta mbajnë si gja të shenjtë morale. Gjithashtu edhe populli mbarë, i fushave dhe i maleve, anë e kand në Shqipni sot nep besën, se “Lahuta…” e jote në shpirtin e tyne do të sundojë sa të jenë stinë e mote. Trima e gra, djelm e vajza, me fjalën shqiptare të napin besën, se vllaznimi kombëtar, që ti çfaqe në “Lahutë…”, do ta mbajnë me forcë të madhe… Me Ty, patër Gjergj, kombi shqiptar mburret, naltësohet dhe madhnohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet; djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot në faqe të përcjellim me mallnjim e dhimbje në jetën e pasosun”.

Vite më pas, eshtrat e Fishtës u nxorën nga kisha françeskane dhe u flakën dhunshëm në lumin Drin, nga “populli” që do të hiqte dorë nga feja. Kisha u tjetërsua dhe u kthye në kinoteatër.

#Vitet_e_diktaturës

O Zot, ruaje kombin shqiptar prej humnerës së ateizmit!
Hafiz Aliu ndërmori predikime fetare të posaçme kundër ideologjisë marksiste-komuniste, siç ishte fjala e mbajtur para besimtarëve në xhaminë e Fushë Çelës. Në vitin 1944, duke parë rrjedhën e ngjarjeve, ai iu vu punës për krijimin e një besëlidhje të përgjithshme, një front antikomunist, i cili, midis të tjerave, do të hynte në kontakt me forcat aleate dhe do t`u kërkonte zbarkimin, menjëherë pas largimit të trupave gjermane.

Me mbarimin e luftës, komunizmi u instalua për gjysmë shekulli në Shqipëri. Sipas statistikave të Bashkësisë Islame të Shqipërisë, në vitin 1945, në gjithë territorin shqiptar kishte 1127 xhami e 17 shkolla-medrese, që u rrafshuan pothuajse të gjitha. Mbi 60 klerikë myslimanë u persekutuan, ndër ta Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Hafiz Ismet Dibra, Hafiz Sabri Koçi, etj, Hafiz Ali Kraja dhe të ngjashmit e tij u hodhën në ilegalitet.

#Në_ilegalitet

Gjatë 3 viteve që jetoi i fshehur, Hafiz Ali Kraja u strehua në familjen patriotike të Esat Lezhës, bashkë me nacionalistin antikomunist, Hamdi Sinanaja. Rrinin të fshehur në bodrum. “Ata i kishin dhanë besën njeni-tjetrit me mos ra gjallë në duart e komunistave. Njëherë, – tregon Mehdiu, i biri, – dikush i rrethit familjar kishte spiunue. Erdhën kontroll dhe e bastisën shtëpinë. Ata (sigurimsat) kërkonin bodrumin, por nuk po gjenin kapanxhën… dhe nuk e gjetën. Nuk u shkoi ndërmend se kapaku gjendej bash në votrën e zjarrmit. Gjatë kohës që vazhdonte kontrolli, baba dhe Hamdiu, që i kishin dhanë besën shoku-shokut se nuk do të binin gjallë në duert e komunistave, rrinin në gjunjë përballë njeni-tjetrit me koburet e puquna në tamthat e njeni-tjetrit. Në rast se kapaku hapej, ata njikohësisht do të shkrehnin koburet në tamthat e njeni-tjetrit… Për fat, nuk e gjetën kapakun”.

#Dënimi

“Atë ditë që të fiket ideja e besimit, po atë ditë, njerëzimi është i plandosur në humnerë të shkatërrimit”.
Si shumë ilegalë të regjimit komunist, Hafiz Aliu u vetëdorëzua në Shkodër, me amnistinë e vitit 1946. U akuzua për “Propagandë kundër Luftës Nacionalçlirimtare në favor të armikut dhe kundër pushtetit popullor në Shqipëri”.

Hafiz Ali Kraja qëndroi këmbë e duar i lidhur me Ejëll Çobën, gjithashtu i dorëzuar me amnistinë. Ndërsa që me datë 24/10/1945, kur Hafizi qe arratisur, Komisioni i Posaçëm për Konfiskimin e Pasurisë së të arratisurve dhe të të dënuarve politikë, nëpërmjet një urdhri të lëshuar nga Këshilli NÇL i Prefekturës së Shkodrës e futi në listën prej 28 emrash Hafiz Ali Tarin (Krajën), e personave që do t’u konfiskohej pasuria e tundshme dhe e patundshme.

Nga Shkodra, Hafizi u dërgua për t’u hetuar në Tiranë. Në gjyq, prokuroria kërkoi dënim me vdekje, edhe pse amnistia e përjashtonte dënimin kapital dhe hoxhën e çuan në prag pushkatimi. Dënimi u kthye në burgim të përjetshëm e më vonë iu ul në 25 vjet burg. Nga njё amnisti e dytё pёrfitoi zbritje dёnimi dhe doli nga burgu mё 12 tetor 1965, pas 18 vitesh në burgjet e Shkodrës, Tiranës, Maliqit dhe Burrelit, me intelektualë e klerikë të tjerë të Shqipërisë, të shtrënguar t’i nënshtoheshin punës së detyruar skllavëruese, ku dhjetëra prej tyre humbën jetën.

#Dëshmitë_e_bashkëkohësve

“Hafiz Alia ishte një hoxhë i pashëm, me një shtat të hajthëm, imcak, mbi mesataren. E mbante veten me shumë sqimë e elegancë në veshje”. Kështu e mban mend në vitet `30 Hafiz Aliun bashkëkohësi i tij, kleriku i mirënjohur Vehbi Ismaili. Ky përshkrim është ndër të paktët që ndeshet dhe i përket viteve antimonarkiste, kohë kur u burgos (1936) nga autoritetet e mbretërisë e më pas u lirua në gjyq.

Vite më vonë, në 1947, një tjetër dëshmitar, Ejëll Çoba, e përshkruan kështu Hafiz Aliun në librin e tij memuaristik “Jetë e humbun”: “Edhe dyqani i Ulqinakëve ishte transformuar në burg… makina priste … Prej andej doli Hafiz Ali Tari (Kraja) i veshun me xhybe, që mbante në krye një fes të zi pa çallmë. Si gjithmonë, i pastër, me një mjekërr të shkurtër e të mbajtun mirë. Edhe në atë rast nuk i mungonte nji buzëqeshje e lehtë, që i jepte fytyrës nji gjallni inkurajuese. E kisha njohë Hafizin edhe ma përpara. Më kishte dhanë përshtypjen e nji njeriu të kandshëm, optimist, me një farë kulture, që kishte qejf me vu në pah.

Orvatej dhe deri diku kontribuoi për nji farë marrëveshje midis Sylçe beg Bushatit e Gjon Marka Gjonit. Në fillim të pushtimit italian u tregue filoitalian. Kishte qenë në dijeni të komplotit antizogist, që do të pranonte për mbret nji princ nga shtëpia e Savojës. Kur doli puna ndryshe, ashtu si Shuk Gurakuqi, nuk pranoi të shkonte në asamble për t`i dhanë kunorën Viktor Emanuelit. Kur Italia po kalonte ditët e fundit në Shqipni, deshën ta internonin, por ardhja e gjermanëve e shpëtoi”.

Ka një pasaktësi të vogël në kujtimet e Ejëll Çobës: italianët e internuan Hafiz Ali Krajën në verën e vitit 1943 në Porto-Palermo, bashkë me të atin dhe vëllezërit.

Atë Zef Pllumi pohon në kujtimet e tij: “Hafiz Ali Tari (Kraja) ishte njeri i madh për kohën e pa dyshim, njeni ndër hoxhët ma të dijtun. Kishte përfundue studimet universitare në Kajro – Egjipt – dhe njihej si një teolog mysliman që dinte shumë gjuhë dhe ishte gojëambël. Në vitin 1939 ishte caktue edhe ai në delegacionin për të çue kunorën prej Shkodre dhe, siç e tregon vetë Hafizi, nuk shkoi për meritë të atë Anton Harapit. Kujtohej shpesh fjala e mbajtun prej tij me rastin e vdekjes së atë Gjergj Fishtës. Në bindjet politike ishte antizogist dhe i lidhun shumë me anën katolike, sidomos me françeskanët; simpatizonte malësorët e veriut. Pjesëmarrës në jetën politike që në rininë e tij kalon mjaft vështirësi e rreziqe. Arrestohet që në vitet e para (komuniste) dhe akuzohet randë: rrezikon edhe pushkatimin. Edhe në burg mbeti ndër miqtë më të mirë të katolikëve çka nuk shihej mirë nga ana e fanatikëve në burgun e Burrelit. Shpëton duke vuajtur mjaft vite burgu…”.

Bajram Hereni, i dënuar politik në kampin e Bubullimës kujton se “në të gjithë kampin, dy të burgosur politikë rrinin gjithmonë veçmas të tjerëve”. Ata ishin hoxha Hafiz Ali Kraja dhe Padër Anton Mëshkalla. “Ne jemi më mirë se këta që po na ruajnë, sepse ne kemi trupin e burgosur, por jo shpirtin, shpirtin e kemi të lirë. Ata kanë shpirtin e burgosur edhe trupin e lirë. Një ditë, trupi ynë do të lirohet, kurse shpirti i tyre nuk do të lirohet asnjëherë”, i pat dhënë kurajë Hafiz Ali Kraja.

Në vitin 1965, pas 3 vitesh në ilegalitet dhe 18 vitesh burg, Hafiz Ali Kraja u lirua. Të nesërmen i shkoi në shtëpi për kafen e urimit, Padër Mëshkalla, prift i njohur françeskan, i cili më vonë u arrestua dhe u pushkatua. Padër Mëshkalla e pyeti:
– Hafiz Ali, ç`kemi ndonjë të re nga burgu i Burrelit?
– Nuk ke me kënd me bisedue, padër! Kanë dekë të tanë! – iu përgjigj Hafizi i urtë.

#Dosja_e_Sigurimit_të_Shtetit

Pas daljes nga burgimi 18-vjeçar, në vitin 1965 Hafizi u kthye në shtëpi, pranë familjes së vuajtur e të shumëmunduar. Hafizi shqetësonte edhe me heshtjen e tij, ndaj u vu në survejim.

Sot pranë AIDSSH ruhet dosja formulare nr. 1353 e kategorisë 2/B, e Hafiz Ali Krajës (Tarit), e ruajtur me shënimin “dokument me vlerë historike”.

Hafiz Ali Kraja (Tari) u mor në përpunim në kategorinë 2/B në vitin 1966, pas daljes nga burgu. U raportua nga një bashkëpunëtor që i shkonte në shtëpi deri në vitin 1973, kur gjendja e tij shëndetësore paraqitej e rënduar, ndaj u propozua heqja nga kontrolli operativ 2/B. Në vitin 1974, pas vdekjes, dosja e tij u arkivua për 10 vjet, në kategorinë “dokumente me vlerë historike”. Në 1978, dosja formulare e Hafiz Ali Myftar Tarit, u arkivua pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dosje me vlerë arkivale.

#Vetëizolimi

“Aty ku nuk qëndron e drejta nuk kundërmon asnjë e mirë; feja islame këtë e konsideron si dëm. Ja, prej këtyre shpjegimeve, kuptohet se fanatizmi nuk pajtohet me Islamin”.

Pas kthimit në shtëpi në 1965, “mbërriti vjeti i mallkuem i 1967-s dhe baba u kthye prej nji mbledhje ku e kishin thirrë në lagje ata të organizatës. Ishte i zbehtë dhe tha me të pëshpëritun: “Kjo asht mordja ma e keqe!” Organizata e lagjes e kishte urdhnue që të nesërmen duhej të rruente mjekrrën dhe të dorëzonte bibliotekën.

Kjo për te ishte vdekja ma e randë! Biblioteka vlerësohej me 700 napolona ar, nji ndër bibliotekat ma të mëdhaja në Ballkan. Pjesa ma e madhe e librave shkoi në fondin e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Kishte mija libra në gjashtë gjuhë: libra teologjikë, filozofikë, artistikë. Mue m’u dha me terhjekë nja 700 kopje të librit “A duhet feje, a e pengon bashkimin kombëtar”. Hapa një gropë, i mbështolla me mushama dhe i groposa. Mbi të mbolla nji fik. Kur e kam çelë gropën, munda me nda vetëm 17 kopje në gjendje të mirë. Pjesa tjetër qe kalbë”, kujton i biri.

Biblioteka me rreth 10 mijë libra u grabit, po ashtu shtëpia e Hafizit. Pasuria dhe librat u konfiskuan.
I vendosur përballë sfidës së tjetërsimit në njeriun e ri, Hafiz Ali Kraja zgjodhi të ngujohej në shtëpinë e tij. Intelektuali opozitar i pushtetit, studiuesi i hollë dhe poligloti i ditur zgjodhi ta luante vetë aktin e fundit të jetës.

Dy pasazhe nga “Shënimet” e Hafiz Ai Krajës tregojnë bilancin e jetës së tij të trazuar: “I jap llogari, më parë, të lumit Zot, gjyqi i Tij asht ma i randsishmi!” dhe: “Jam kryenaltë që jam mundue me krye misionin fetar e kombëtar për sa kam mujtë. Lus Zotin të më falë për mungesat që mund të kem ba në kryemjen e këtij misioni”.

#Krijimtaria_intelektuale

“Besimi asht gurra që ia ban jetën të kandshme njeriut dhe i jep shpresa për lumturinë”.
“Edhe para se me u rritë e me e njohë babën tem, më kishin thanë, se tan ditën e lume e nji pjesë të natës e kalonte në studion e tij, që i thirrshin “oda e qitapëve”. Dhe e thirrshin vetëm në vaktet e ngranies. Të njajtën situatë të tregueme, e mbrrina vetë, kur baba ishte kthye prej burgut: kohën e kalonte mes leximeve”, kujton i biri, Mehdi Kraja.

Hafiz Ali Kraja ishte një nga figurat kyçe e moderatore të elitës intelektuale islame. Ideali i tij ishte të shihte një shoqëri harmonike të bazuar te respekti për besimin e njëri-tjetrit dhe se vetëm mbi themelet e harmonisë fetare mund të shpresohej përparimi shoqëror, njeriu cilësisht etik, suksesi i tij me bazë etike, me një botë shpirtërore të pasur, të ndriçuar duke eleminuar konfliktet me besimin e tij te Zoti.

Spikati vepra “A duhet feja? A e pengon feja bashkimin kombëtar”, në të cilën gërshetohet analiza e hollë e fakteve me argumentin filozofik e teologjik. Referenca të shumta nga sofistët, Sokrati, Platoni, Aristoteli, Dekarti, Spinoza, Lajbnici, Rabie, E. Spenseri, Byshneri, Shopenhaueri e deri te Gystav Lë Bon, ndërthuren vazhdimisht me filozofët e Lindjes, komentatorët e Kuranit dhe thëniet e profetit Muhamed (a.s).

Ajo qё e shtyu autorin pёr njё nismё tё tillё, që kёrkonte formim solid dhe interdisiplinar, ishin mendimet e disa intelektualёve, po aq tё formuar, por pozitivistё e skeptikë nё rolin qё religjionet kishin luajtur nё historinё e civilizimit botёror, dhe nё rastin konkret, nё Shqipёri.

Mendime tё cilat aludonin dhe akuzonin fenё si njё faktor qё midis tё tjerave, pengonte bashkimin dhe unitetin kombёtar, akuzё që vazhdoi tё gjente interpretim pothuajse nё çdo tekst tё historiografisё zyrtare, edhe nё vitet e diktaturёs komuniste, e hedhur poshtё me kompetencё dhe ekzigjencё shkencore nga autori.

Studimi filozofik i përkthyer në disa gjuhë, u botua pёr herё tё parё nё vitin 1934, pёr tё njohur mё pas disa botime, nё Shqipëri, Kosovё, Shkup dhe SHBA.

#Përndjekja_e_familjes

“Unë jam njoftë për herë të parë me babën tem, Hafiz Ali Kraja, përmes hekurave të burgut të Tiranës. Pra, aty ka qenë hera e parë që e kam pa, ndërsa hera e parë që kam thirrur emrin “babë” në shtëpi, ka qenë më 12 tetor 1965, atë ditë që babai im doli nga burgu. Kam qenë 26 vjeç”, thotë i biri, Mehdi Kraja.

“Policët, që erdhën për konfiskim morën gjithçka, deri dhe lampadarin, madje dhe portollampën. Atë natë u shtrimë me fjetë për dysheme e mbetun lakuriq, pa dyshekë, pa jorgan… leri mobiljet! Shpia jonë e vjetër ishte e madhe, tre katëshe, me telis: baba kishte mobilu me shije e merak të madh dy dhoma me orendi të zgjedhuna: njënën allafranga e një tjetër allaturka. I morën të gjitha.

Familja e Hafiz Aliut, siç merret me mend, mbeti në mëshirë të fatit, me tre të mitur nën kujdesin e nanë Zenepes e gjyshes, sepse edhe xhaxhallarët aso kohe, Hushi dhe Maliqi, qenë arrestue. Që të dy provuan tortura të tmerrshme në hetuesi, që të tregonin ku ishte fshehë i vëllai, kaluan edhe në karrige elektrike, por nuk treguan. Tregon Mehdiu: “Filluen me e torturue dhe nanën, por deshti Zoti dhe ndërhyni mjeku ligjor, i cili i jepte raport, si e sëmundë me zemër dhe ata kishin frikë mos u mbetet në dorë. Por ata shpikën nji torturë edhe ma të tmerrshme.

Ka kenë nji hetues xhahil… Ai na merrte ne, dy vllazënve, dha para syve të nanës na përplaste krenjat me njeni-tjetrin, që kjo, tue mos e durue atë mizori, të mujtte me tregue. Kështu përditë… Atëherë lagjja, sa herë na shifte me nanën se na shtinin në makinën e hetuesit, dhe mandej kur dilnim, krenat tona të enjtuna e me xhunga, filloi me sajue… sapo shihnin se po vjen makina e tij në lagje, vraponin dhe na fshihnin… përfytyroni… unë isha rreth 3 vjeç, e vllau em katër e gjysëm. Na i përplaste krenat fort… ne na binte të fikët ai zgërdhihej. Prej asaj dite asht kujdes lagjja. Kasapi na e jepte mishin pa pare. Dyqanxhinjtë e furrxhiu po ashtu.

Në rrugë e në shkollë jemi rritë nën thirrjet përbuzëse: “bijtë e armikut të popullit!”. Nuk kishte natë që në shtëpinë tonë të mos vinte kontrolli. Tetorin e vitit 1955 na internuen në Bajram Curri. Bora ishte gjysmë metër. Na transferuan në mullirin e qytetit; aty s’kishte as dritare e as tavan. Mullini, në të cilin jetuam për 4 muaj, ishte 30-40 cm poshtë tokës; ishte torturë të flije e të banoje në të ftohtin e mureve të atij mullini. Më pas na transferuen në një shtëpi të vjetër, kaluem 3 vjet në internim.

Që i njomë fillova me mësu e me punu zanatin e marangozit. Që në fillim, pa përvojë, këputa dy gishtat e njënës dorë… ashtu kam punue tan jetën. Motra u fut në një kurs rrobaqepsie, por s’mundi me e mbarue, se e dëbuen si “e prekur”. Të tanvet na ka rritë nana me majën e gjylpanës. Ishim familje e madhe, por nanës i kishte falë Zoti nji dhunti: ajo ishte rrobaqepse e zonja…”

#Sot

Hafiz Ali Kraja aspironte një shoqëri që jetonte në harmoni e mbështetej te besimi. Hafizi u vlerësua me titullin “Krenaria e Qytetit të Shkodrës”, si një ndër ato personalitete që, përveç kontributit të vazhdueshëm në shërbim të kombit dhe fesë, doli hapur me ligjërata, shkrime dhe vepra të ndryshme, qëndrime për të cilat u dënua me vdekje, por vuajti 18 vite heqje lirie dhe punë të detyruar në burgjet komuniste.

Biblioteka e tij me rreth 10 mijë libra vijon të jetë e shpërndarë. Kopjet e ruajtura të librit të tij “A e ndalon feja bashkimin kombëtar?” mbi bashkëpunimin e tolerancën fetare në të mirë të kombit, janë ribotuar nga Universiteti i Nju Jorkut, Tetovës dhe nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.

Familjarët e Hafiz Ali Krajës kanë dhënë dëshmi të detajuara të përndjekjes për institucionet e kujtesës në vend dhe artikuj të shumtë e filma dokumentarë të viteve të fundit sjellin të plotë veprimtarinë e Hafizit dinjitoz.

“Ajo që përcakton moralitetin ose imoralitetin e një vepre nuk i përket mendjes, por kjo është detyrë e ndërgjegjes. Mendja është një dëshmitare e cila e dikton të mirën prej të keqes, kur ndërgjegjja është sunduese”.

Për këtë tekst u shfrytëzuan materiale të familjarëve të Hafiz Ali Krajës, Komunitetit Mysliman Shqiptar, dëshmitë e “Zërave të kujtesës” ISKK, materiali arkivor i AIDSSH, shkrime të bashkëkohësve e studiuesve, dokumentari “Kryet nalt” i Luljeta Prognit dhe Kujto.al, dokumentari “Hafiz Ali Kraja përballë tre regjimeve” i Admirina Peçit dhe Dosjes K, dhe shkrime e studime të Hasan Bellos, Shpëtim Herenit, Memo, etj…

Artikulli u shkrua nga studiuesja Ardita Repishti, dhe nuk perben qendrim zyrtar te #AIDSSH