ObserverKult.com, 22/05/2020
Fundi i muajit maj në Vjenë do të jetë festë për artdashësit. 31 maji në këtë shtet nisë festimet e njohura si Pentecost, që në esencë kanë karakter fetar, mirëpo përtej festimeve të kësaj natyre, nuk mungojnë as organizimet me karakter të pastër artistik.
Në Bashkinë e Vjenës, pikërisht në këtë datë, në organizim të intelektualit dhe shkrimtarit Gjergj Jozef Kola, do të prezantohet letërsia shqiptare përmes një mbrëmjeje artistike me poezi e muzikë.
Kështu, krahas poezive të Gëtes, Rilkes dhe Bachman, do të interpretohen vargjet e poetëve të përbotshëm shqiptarë, Gjergj Fishta, Lasgush Poradeci dhe Martin Camaj.
Tre poetët e tjerë të përzgjedhur Primo Shllaku, Ledia Dushi e Donika Dabishevci, në pamundësi që të jenë prezent në këtë event, shkaku i situatës së krijuar nga pandemia COVID, do të flasin përmes interpretimeve të vargjeve të tyre, që do t’u bëhen atje.
Po ashtu, me këtë rast do të hapet edhe ekspozita e artistit Avni Delvina.
Lajmin e ka bërë të ditur organizatori Gjergj Jozef Kola, i cili përmes një statusi në profilin e tij në Facebook, thotë se nuk do të kishte ditë më të bukur për t’i prezantuar publikut vjenez shpirtin krijues, transmeton ObserverKult.
Në vazhdim gjeni njoftimin e plotë:
Më 31 Maj asht’ festë zyrtare në Austri, kjo asht’ festa e shpirti krijues të poetëve, piktorëve e muzikës e mendoj se nuk ka ditë ma të bukur me i prezantue publikut vjenez shpirtin tand krijues, e njikohësisht me mujtë me e mbushë me sadopak dritë, atë BIRËN – VRIMËN e madhe qe hapi establishmenti postkomunist ne zemer të Tiranës me shembjen e tempullit të kombit tonë: Teatrit kombëtar.
Jeta jone asht’ plot me DejaVu e nëse kjo ditë mund të bajnë me asosaciu me diktaturën, kur krijimtarija jote nuk mund të kalonte kufinin, ndërsa sot prep nji diktaturë tjeter, ajo e Covid 19 nuk të lejon me ardhë në Vjenë, me pa krijimtarinë tande, dije se kësaj rradhe DejaVu-ja asht fatlume, sepse punimet tueja do të gjejnë rrugën nëpër Ateljete austriake të shoqnueme me klasikët botnorë në javët e muejt e ardhshëm.
Atdheu jonë po kalon aktualisht nji DejaVu të dhimbshme, ku nji takim me Neronin e ri e ka marre peng dhe po ja merr frymën me korrupsion, mungesë të shtetit ligjor, tallava kulturore, në amfiteatrin e telenovelave turke.
Unë mendoj se kurrë ma fort se sot, ndërgjegja e krijuesve të Diasporës nuk ka qenë aq jetëdhanëse për kombin tonë, për fatin e mirë se establishmenti postkomunist deri këtu nuk mundet me ardhe e me na shemb ndërtesën e Lirisë.
Na po bajmë të gjithe gjana të vogla me dashuni të madhe.
Miqësisht e ne mirnjoftje për krijimtarine tande:
Gjergj J. Kola
Vjenë 2020.